E premte, 19.04.2024, 12:50 PM (GMT+1)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Profesori që bëri universitet

E shtune, 29.08.2009, 01:19 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

PROFESORI QË BËRI UNIVERSITET
 
            Verë e vitit 2009. Pas vënies së kontaktit telefonik, në  kafenenë e vogël të qendrës tregtare vizavijë Fakultetit Filologjik në Prishtinë, jemi ulur të pimë kafe me profesorin tim të dikurshëm, me njeriun që bëri një pjesë të ndritshme të historisë  kombëtare shqiptare, ku  pas Tiranës e Shkodrës,  Elbasanit e Gjirokastrës,  Vlorës e Prishtinës, edhe Tetovën e bëri me Universitet. Ky është profesori Fadil Sulejmani, ideator, themelues dhe rektor i parë i Universitetit të Tetovës, që asaj pjese të viseve shqiptare, jo vetëm që ia  ndërroi pamjen e jashtme, por  edhe  ristrukturoi fuqitë e popullit të shtypur. Ai u bë strumbullar i një epoke të re „në një cep të Ilirisë“ rreth të cilit u afruan njerëzit  që dhanë dije, djersë  e para  për ta ngritur Universitetin. I shantazhuar, i përndjekur dhe i burgosur për shkak të këtij qëllimi fisnik, Fadil Sulejmani nuk u përkul. Ai edhe kur ishte në burg Universiteti rritej se nuk bëhej ndryshe. Kishte ardhur koha që studentët e rinj të mos „mërgojnë“ më nga Tetova e Struga, nga Kërçova e Gostivari, nga Prespa e Kumanova  për të marrë dije gjetiu, por për ta marrë  dhe për të rrezatuar mu aty ku  i kishin trojet e veta.
            Qëllimi i takimit tonë me profesor Sulejmanin, është që të dimë për rolin e mërgatës shqiptare në ngritjen e Universitetit të Tetovës, ku ai me kënaqësi flet:
            Kur populli e kuptoi se themelimi i Universitetit nuk është vetëm ide, por edhe realizim i menjëhershëm  i asaj ideje dha atë që mundi, e madje edhe gjakun, sado që në dorë mbante vetëm lapsin. Në ndihmë erdhi edhe mërgata shqiptare, duke ndarë  nga kafshata e gojës edhe pjesën më të dhembshme të djersës. Kështu u krijua Fondi i Universitetit në Gjermani, ku secila markë që u dha u menaxhua si duhet përmes llogarive bankare dhe u bart në mënyrë transparente drejt Universitetit. Por jo vetëm kaq. Për fillim, disa nga mërgimtarët lëshuan edhe shtëpitë e tyre për lokalet e Universitetit, pa asnjë kompensim, madje me vite të tëra. Ata kanë luajtur një rol me rëndësi jetike në financimin e punës së Universitetit i cili funksionon edhe sot. Falënderimi ynë u takon atyre që ndanë kohë,  para e mund të madh që kur të kthehen në vendlindje, Tetovën ta shohin ndryshe, ose njësoj si i shohin qytetet europiane, me Universitet.
            Duhet të shtojmë këtu se një pjesë e tetovarëve të mërguar, janë pikërisht shokë fëmijërie me profesor Fadilin, por ata nuk patën mundësi të shkolloheshin, se pushteti maqedon i kohës, në Malësinë e Sharrit, shtrihej vetëm për të marrë taksa  dhe për ta mbajtur të shtypur ndërgjegjen kombëtare shqiptare, për ta ngulfatur rrugën e dijes.
            Shumë vite më vonë, i pajisur me dije të lartë në fushën e gjuhësisë, i kthyer në Tetovë me një përvojë të madhe nga universitetet e ndryshme, profesor Fadil Sulejmani, nuk po i kthehej vendlindjes si „politikan“ për të qenë prezent në faqet e para të gazetave, por si dijetar për hyrë në pjesën e brendshme te zemrës së kombit. Ai sot është krenar, ani që mbi të rëndoi fuqia e pushtetit maqedonas, ani që sipas nevojës së tyre iu sulën edhe politikanë shqiptarë, por nuk mundën ta instrumentalizojnë kur e si deshën, ose kur iu thanë padronët.
           
 
Fadil Sulejmani ende jeton me devizën  se kur njeriu dëshiron të realizojë diçka të shenjtë në jetën e tij, nuk duhet t’i frikësohet vdekjes, por për realizimin e qëllimit  duhet të shkojë deri në vdekje. Nuk kishte rëndësi a vdes sot a pas dhjetë vitesh. Prandaj u përcaktova të bëj Universitet në Tetovë, ani që pushteti maqedonas më rrinte te koka me “kartelën” e vdekjes, shkëput fjalë profesori.
 


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora