Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ku është elita politike?

| E shtune, 15.09.2007, 10:24 PM |


Nga Gëzim TUSHI
 
Rolit i elitës intelektuale në përgjithësi dhe asaj politike veçanërisht, konsiderohet si një nga treguesit thelbësorë të sistemit demokratik të formuar. Problemi i vlerësimit të saj në politikën tonë ende nuk është i qartë në pikëpamje institucionale. Ai, sipas mendimit tim, është problem social sepse me vlerat e “elitës” që drejton politikisht vendin tonë, është e lidhur jeta politike, ekonomike, sociale, prosperiteti demokratik i saj. Këtë rol e “koncentron teorikisht” në fjalët e veta socio-psikologu Vilfredo Pareto, i cili ka thënë se “qytetërimi përparon prej gjenialitetit të elitës që lartëson masën, e edukon duke e udhëhequr”. Duke parë realitetin, nivelin, kulturën, përgjegjësinë personale dhe kolegjiale të “elitës politike” shqiptare në këto 17 vjet, duket se ai nuk është më problem i thjeshtë nominal, që “qarkullon brenda” politikës.

Çështja ka pamje komplekse në realitetin tonë. Së pari, është problemi nëse “klasa politike”, një pjesë e së cilës ka një kohë të gjatë që qëndron në krye të politikës profesioniste, është apo jo, pjesë e zgjedhur e “elitës intelektuale e profesionale”, që i duhet transformimit demokratik të vendit?

Dhe, së dyti, ka rëndësi të veçantë fakti që, për të pasur “demokraci të suksesshme”, duhet që klasa politike të jetë nën gjykimin e pandërprerë të publikut të aftë për sens kritik, pra me “kulturë civile”, si mjet për të qenë i informuar për “politikën publike”, për vlerën dhe rolin e “elitës” duke kërkuar njëkohësisht llogari ndaj tyre. A e justifikon veten “elita politike” dhe, a është ajo e lidhur me interesin publik apo personal? A i ka demokracia shqiptare këto parametra të “demokracisë së suksesshme”?

Nëse do të analizojmë situatën e partive politike shqiptare, të paktën të atyre që janë kryesore, që kanë peshë elektorale dhe janë alternativa të qeverisjes së vendit, do të vëmë re se në to, ka më shumë vlerësim për njerëz të zakonshëm, kryesisht militantë. Kjo kategori “militanto-politike”, është “salduar” pas partive dhe spekulon prej vitesh me “mekanizmin e deformuar” të votimeve. Një pjesë prej tyre, pa qenë as në elitën politike, intelektuale apo profesionale kanë siguruar megjithatë poste politike dhe qeveritare, duke sfiduar dhe mbajtur larg elitat e vërteta.

Për fat të keq të politikës sonë, “gardhi” i krijuar nga njerëz ordinerë dhe mediokër është bërë tepër i fuqishëm dhe shërben si “shtresë izolimi”, që ndan partitë nga elitat e vërteta. Madje po të vësh re me kujdes, politikanët e zakonshëm përpiqen të kultivojnë në partitë dhe shtresat e militantëve ndjenjën e “dyshimit” për elitat dhe intelektualët, duke i akuzuar ata si njerëz që nuk kanë dëshirë të përfshihen në politikë, apo nga që pozicioni intelektual interpretohet nga ata, si i papajtueshëm me angazhimin publik militant. Nuk është rastësi që, në partitë politike shqiptare ka një “aradhë njerëzish” që janë anonimë, krejt jashtë nomenklaturës së elitës. Ata tashmë njihen nominalisht nga publiku. Por ata nuk kanë qeder nga vlerësimi publik, ndaj dhe kanë mundur të mbijetojnë vetëm me një tufë sloganesh bajate, me njohuri të kufizuara politike dhe profesionale. Ndërkaq, janë bërë të specializuar në “vigjilencën anti-intelektuale”, në pengimin e procesit të “penetrimit” të elitave politike në “partitë e tyre”. Edhe pse nuk i japin gjë politikës, i kanë kthyer partitë, në “ndërmarrje”, në vende pune për privilegje të pamerituara. Ata kanë ndërtuar një mekanizëm që duket demokratik, pavarësisht se në thelb është konspirativ. Stratagjemat e njerëzve ordinerë të politikës shqiptare për të mbetur pambarimisht dhe pa meritë në “skakierën” e saj, janë djallëzore, të rafinuara dhe me teknologji të “kualifikuar”, të cilën as e kupton e as e përballon dot intelektuali i vërtetë.

Çështjet e politikës, problemet e shumta me të cilat ajo përballet, roli udhëheqës që duhet të luajë si “lokomotive”, që do të përshpejtojë procesin e integrimit evropian të vendit tonë, nuk mund të plotësohen kur radhët e saj janë të mbushur me të tillë njerëz. Problemet e politikës moderne nuk janë çështje që mund të perceptohen saktë, të zgjidhen nga njerëz që mendojnë se politika bëhet me një “tufë sloganesh”, të përsëritura si papagall dhe nga ana tjetër, le të vazhdojmë të “bëjmë lekë”.

Sa më shumë t’i mungojë elita profesioniste politikës sonë, sa më të rrallë të jenë njerëzit me rezultate personale në karrierën e tyre profesionale, aq më vështirë do të jetë procesi i bërjes së politikave aktive, pragmatiste, nxitëse dhe realizuese. Politika profesioniste duhet t’i largohet perceptimit demagogjik, primitiv, populist, si mjet i lidhur vetëm me elektoratin për vota dhe “botën e masës” për demagogji.

“Logjika mbrojtëse” e politikanëve militantë, është një nga shkaqet që partitë marrin natyrë “mbrojtëse”, përjashtuese. Elitat janë vërtetë rrezik për mediokrit e politikës profesioniste, ndaj dhe lufta kundër tyre, është e egër, e paprinciptë.

Politologu gjerman Erhard Epler, thotë se politika moderne e ka të domosdoshme të krijojë “elitën e re”, të cilat sipas tij, janë “grupe që në fushën e tyre dinë të vendosin thekset”. Të përzgjedhësh, do të thotë të vlerësosh më të mirët. Natyrisht, nëse do të pyeten politikanët tanë ata nuk e kanë për gjë që të vetëklasifikohen si të tillë. Por sociologët thonë se kush vetëklasifikohet si elitë, si rregull, nuk bën pjesë në të. Personalisht, mendoj se edhe tentativat për prurje të reja në politikë të “elitave të reja” janë pozitive, të para si përpjekje. Por “koha politike”, sidomos pas viteve 2005 ka treguar se prurjet me KOP-in në PD dhe prurjet e reja në PS, nuk kanë qenë gjithnjë rezultative. Ka një realitet disi paradoksal, kur analizon atë që ka ndodhur me një pjesë prej tyre. Ndoshta, nuk ju bëhet mirë të rinjve, kur joshen para kohe pa u provuar dhe më shumë se duhet. Ka kosto dhënia e përgjegjësive (sidomos ajo lloj përgjegjësie që ka të bëjë me menaxhimin e fondeve publike) pa u provuar, pa kriter meritokratik. Një pjesë prej tyre, të ushqyer me iluzione shkollareske dhe përfytyrim të përshpejtuar të “karrierës pa provë”, të vetëkënaqur nga vlerësimi publik i parakohshëm, filluan të shfaqin shenja mendjemadhësie, narcizmi, dëshire të papërmbajtur për progres e karrierë të parakohshme, të pamerituar. Disa të tjerë janë zhytur në korrupsion. Nuk janë gjithnjë të përshtatshëm të gjithë të rinjtë që tentojnë të futen në politikë, vetëm pse janë të rinj në moshë, apo pse dalin nga shkolla me pretenciozitetin dhe vetëdijen e “elitës”, pa kaluar provën e politikës empirike, që ndryshon nga mënyra si mësohet ajo, në manualet akademike. Kjo do të thotë se “elita e parakohshme”, e nxituar, arriviste, me synime pragmatiste të personalizuara, mund të sjellë perturbacione në normalitetin e politikës profesioniste, në kurbën e saj që varion midis “qetësisë” së politikanit të pjekur dhe “nxitimit” që vjen nga moha e politikanëve të rinj.

Shekulli