Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Vdiq një legjendë e dinastisë më të shquar amerikane: Ted Kenedi

| E enjte, 27.08.2009, 09:55 PM |


Ted Kennedy (1932 – 2009)
Ted Kennedy (1932 – 2009)
Vdiq një legjendë e dinastisë më të shquar amerikane: Ted Kenedi


Përgatitur nga Alfred Papuçiu

Patriarku i fundit i klanit Kenedi, një nga tre vëllezërit fisnikë të Xhon dhe Robert Kenedit, Tedi, i cili mbretëroi pesëdhjetë vjet në Senatin amerikan, vdiq në moshën 77 vjeçare.

“Mishela dhe unë, e kemi zemrën të thyer kur mësuam vdekjen e senatorit tonë të shtrenjtë. U mbyll një kapitull i rëndësishëm i historisë tonë”. deklaroi Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, në mesazhin e tij që nga stacioni bregdetar i Marthas Vineyard, ku po kalon pushimet e tij.

Ted Kenedi është cilësuar me të drejtë si tenor i politikës. I lindur më 22 shkurt 1932 në Boston, ai vazhdoi studimet për drejtësi në Universitetin Harvard për drejtësi. U fut në politikë, kur i vëllai, Xhoni u bë President I SHBA-së. Qysh atëhere ai trashëgoi postin e senatorit të Masaçushetsit, të cilin e mbajti deri në fund. Ishte njeri me ambicje dhe si vëllezërit e tij “ëndërronte” presidencën. Por u detyrua të heqë dorë. Shkaku i parë ishte një aksident tragjik, më 1969, kur pas një pritje, ai e humbi kontrollin e veturës së tij. Një bashkëpunëtore e tij që ishte ngjitur  në veturë, vdiq dhe ai u përpoq më kot ta shpëtojë. Ajo u mbyt. Tedi, ngaqë ishte i panikuar, e njoftoi policinë vetëm të nesërmen. U dënua me dy muaj burg me pezullim. Njëmbëdhjetë vjet më vonë ky incident e ndoqi edhe pas dëshirës së tij të dytë për të paraqitur kandidaturën për president. Në Konventën demokrate të Nju Jorkut, ai u detyrua t’i lërë vendin Xhimi Karterit.

Meqënëse aspiratat e tij presidenciale u errësuan, ai ju kushtua karrierës parlamentare. Fusha e tij e betejës : mbrojtja e më të dobëve, dëshira për drejtësi dhe barazi. Kur u zgjodh më 1980, në krye të Komisionit të shëndetësisë, Tedi punoi me mish e me shpirt për të vënë në jetë një reformë, nga e cila të përfitonin të gjithë amerikanët. Por meqë i vunë « gurë nën rrota » nuk arriti ta realizojë ëndrrën e tij.

E njëjta ëndërr e bukur dhe fisnike e ka pushtuar edhe Presidentin aktual Barak Obama, si para disa vitesh Klintonët. Në këtë drejtim, Ted Kenedi ka qënë aleati i tij më i flaktë. Besoj se ju kujtohet, të dashur lexues, fjala e tij në Konventën demokrate të gushtit 2008. Megjithëse ishte i sëmurë, me tumor në kokë, i diagnostikuar vetëm në maj 2008, senatori me përvojë mbajti një fjalim që sot tigëllon si një testament. Ishte koha kur Barak Obama qe caktuar zyrtarisht si kandidat demokrat për President të Amerikës.

Në fund të jetës së tij, ai pati admirimin e të gjithë amerikanëve, edhe të „kundërshtarëve“, për betejën e tij kundër kancerit që po e „brente“. Jetoi shumë tragjedi, vrasjet e njëpasnjëshme të dy vëllezërve të tij, presidentit Xhon Fitzerald Kenedi më 1963, pastaj të kandidatit për në Shtëpinë e Bardhë, ish ministrit të Drejtësisë Robert Kenedi, më 1968, përveç dramave të tjera familjare. Mbeti si patriark i familjes, por edhe i partisë demokrate. Më 2003, ai i kundërvihet me ashpërsi ndërhyrjes së Xhorxh Bushit në Irak, duke e akuzuar se kishte egzagjeruar me vetëdije kërcënimin irakian për të justifikuar luftën. E krahasonte Bushin me Riçard Niksonin dhe Irakun me Vietnamin. Kujton me të drejtë „proçkën më të keqe të historisë së diplomacisë amerikane“.

Me zgjedhjen e presidentit të nderuar, Barak Obama, ai mbështeti me të gjitha forcat e tij betejën e ligjshme të këtij të fundit për reformimin e sistemit shëndetësor amerikan, e cila edhe në gjirin e partisë demokrate ka kundërshtarë. Kjo ishte dhe mbetet beteja e Barak Obamës, por edhe e Ted Kenedit. Beteja ndaj lobeve që nuk duan të ulin sado pak fitimet e tyre maramedëse me luftën e drejtë për sigurim shëndetësor për të gjithë amerikanët. Ai e vazhdoi atë deri sa dha shpirt. Vepra e tij ligjvënëse është e konsiderueshme. Qindra tekste dhe nene të hartuara, të rregulluara gjatë negociatave të tij të shkëlqyera me kampin republikan por edhe me skeptikët e partisë së tij.  Njësoj si po vepron me maturi edhe Presidenti Barak Obama dhe stafi i tij i përkryer. A do të ketë ndonjë pasues të denjë të klanit Kenedi? Fati që u caktoi i jati, Xhoé, tre bijve të tij të denjë, ndoshta po shuhet. Dhe me vdekjen e Tedit, fillon një faqe e re e historisë së SHBA-së.

Vdekja e Ted Kenedit, ikonë imponuese shënon fundin e një gjysëm shekulli të historisë politike të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Barak Obama humbi një nga mbrojtësit e tij më të flaktë, „luanin e Senatit“ amerikan, siç e konsideronin Tedin, idhtarin e reformave të tij të guximshme, qysh me mbritjen e tij në Shtëpinë e Bardhë. Duke e ngushëlluar Presidentin Barak Obama për humbjen e një bashkëbesëlidhësi të tij nga më të ngushtët, në të njëjtën kohë urojmë që dëshirat e tij dhe të Ted Kenedit të paharruar, të vihen në jetë, për të mirën e miliona amerikanëve, por edhe atyre që shpresojnë të rezatohet politika e tij e drejtë edhe në vende të tjera, sidomos atje ku mbretëron akoma varfëria, uria, injoranca, mungesa e sigurimit shëndetësor dhe meskinitetet.

Gjenevë, më 27 gusht 2009