E marte, 23.04.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Tirana kundër Qoses

E enjte, 27.08.2009, 08:57 PM


Nga Gazeta Shqiptare

Rexhep Qosja: Mos krijoni iluzionin se letërsia shqipe ka vlera evropiane

Zhvillimi i letërsisë shqipe ka ndodhur në mënyrë atipike. Ajo madje nuk ka as vlera evropiane. Kështu mendon akademiku Rexhep Qosja, historian i letërsisë dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Në ligjëratën e tij me titull “Zhvillimi i shpejtuar i letërsisë shqipe”, të cilën e mbajti në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, Qosja theksoi se letërsia shqipe ka pasur një zhvillim atipik apo të shpejtuar, ndryshe prej letërsive të mëdha evropiane. Ai ka shtruar disa pyetje për të cilat është përgjigjur vetë. Për pyetjen: “Çfarë do të thotë zhvillim atipik i një letërsie kombëtare?”, ai u përgjigj: “Do të thotë zhvillim i veçantë, që ndryshon pak a shumë prej zhvillimit të letërsive të tjera. Nuk është letërsia shqipe e vetmja letërsi në Evropë, e cila ka shënuar një zhvillim atipik ose zhvillim të shpejtuar në historinë e saj”. Ai tha se zhvillimin historik të letërsisë shqipe ne do ta kuptojmë më mirë kur e krahasojmë letërsinë shqipe me letërsinë franceze apo letërsinë italiane, të cilat letërsia shqipe i ka përcjellë më mirë gjatë historisë dhe prej të cilave ka marrë ndoshta më shumë ndikime. Më tej ai ka pyetur se “cilat janë ato vlera, sa kanë arritur ato vlera artistike, kuptimore, estetike të letërsisë sonë, a janë ato vlera të nivelit të letërsisë evropiane apo janë vlera që edhe më tutje përpiqen të arrijnë vlera letrare, artistike të letërsive të mëdha të Evropës?” Sipas tij, për shkak se letërsia jonë është zhvilluar në historinë e saj në mënyrë atipike, edhe periodizimet s’kanë mundur të bëhen siç janë bërë në letërsitë evropiane. Por ajo që ngjall më shumë debat ndër akademikë e shkrimtarë është shprehja e tij se, letërsia shqipe nuk ka vlera evropiane. “Kemi lexuar shkrime se letërsia shqipe është letërsi me vlera evropiane. Bukur është të ishte ashtu. Por nuk ka nevojë t’i krijojmë vetës iluzione”, - ka thënë Qosja. Ai tha në fund se letërsia bashkëkohore shqipe vazhdon të zhvillohet në mënyrë atipike, të shpejtuar, duke dëshmuar përpjekjet që të modernizohet. “Gazeta Shqiptare” në numrin e saj të djeshëm ka botuar një artikull të marrë nga gazeta “Express” mbi ligjëratën e Rexhep Qoses, ndërsa sot, po botojmë një forum me mendimet e disa personaliteteve të letrave shqipe, të cilët japin opinionin e tyre mbi deklaratat e Rexhep Qoses.

Diana Culi: Letërsia shqiptare e këtyre 20 viteve na ka nderuar

Mendoj se një opinion i tillë është i tepruar dhe i kaluar deri në ekstrem. Letërsia, ashtu si gjithë artet, nuk kategorizohet dot në mënyrë të prerë. Çfarë quhet vlerë letrare europiane, për shembull? Vetëm ajo që krijohet në disa vende të Europës, apo ajo që krijohet në kontinentin e Europës? Cilat janë kriteret që diçka me vlerë letrare të quhet vlerë europiane? Kriteri më i përhapur, më popullor dhe më i pranuar është ai i çmimeve prestigjioze që jepen nga juri të ndryshme në Europë, si dhe kriteri i përkthimeve në sa më shumë gjuhë që fliten në kontinentin europian. Mendoj se sipas këtyre kritereve, letërsia shqipe e këtyre njëzet vjetëve të fundit ka zënë një vend të nderuar mes letërsive të tjera të kombeve europiane: autorë shqiptarë kanë marrë çmime mjaft të rëndësishme, të dhëna nga juri europiane dhe janë përkthyer në shumë gjuhë europiane. Dhe, jo vetëm Kadareja (kandidat dhe për ‘Nobel’) që tashmë hyn në radhën e shkrimtarëve me famë botërore, por dhe Kongoli e të tjerë. Një vlerë tjetër e pranuar gjerësisht është kontributi që një letërsi e një vendi të caktuar i jep në përgjithësi zhvillimit kulturor të Europës, (si letërsia franceze, angleze etj), që ngre ura komunikimi midis popujve, që shpie përpara procesin e integrimit kulturor, që shpalos ide të reja përparuese për njerëzimin. Edhe këtu letërsia shqipe ka kontribuar veçanërisht në dekadat e fundit me autorët shqiptarë që shkruajnë edhe jashtë vendit dhe që janë mjaft të vlerësuar, që përhapin kulturën e botës shqiptare nëpër kontinentin e vjetër. Së bashku me autorët e lartpërmendur, nganjëherë ne harrojmë se jemi një popull i vogël dhe se vlerësimi në institucione ndërkombëtare e europiane i dy apo tre shkrimtarëve është në të vërtetë një vlerësim shumë i madh. Letërsia nuk është njësoj si prodhimi i tullave. Një komb, edhe më i madh se shqiptarët, mund të ketë periudha që të nxjerrë edhe vetëm një shkrimtar të shquar në pesëdhjetë vjet, dhe të jetë në rregull.

Behar Gjoka: Qosja rreket të dëshmojë se ka ndryshuar metodikën e studimeve
 
Deklarata e Qoses është një rrekje për të dëshmuar se ka ndryshuar metodikën e studimeve të letërsisë, por që rezulton me disa mangësi, gjithnjë sipas komentit që unë lexova në gazetë. Kur përmendim letërsinë shqipe krahasuar me letërsinë greke apo atë të gadishullit të Ballkanit, harrohet se letërsia antike greke lindi Evropën dhe të gjitha vlerat e saj. Përqasja është një aspekt metodik, po sipas një sugjerimi gjerman, çdo krahasim çalon. Ose, fakti që Evropa i jep Ismail Kadaresë disa çmime, tregon për ndonjë prani evropiane që, ose Evropa nuk e di se çfarë vlerëson, ose gjykimet tona raportojnë marrëdhënie të pamjaftueshme me tesktin e letraren. Sipas mendimit tim, verifikimi i paradokohshëm sociologjik dhe historik tashmë tenton të zëvendësohet me verifikime rajonale evropiane. Në fakt, letërsia dhe letrarja s’kanë të bëjnë me këto aspekte. Letërsia e tekstit i tejkalon rrethanat dhe vështirësitë historike të letrares që lind në rrethana të caktuara. Them se përfundimi i Rexhep Qoses për sa i përket romantizmit të historisë së letërsisë shqipe, apo edhe mendime të tjera për letërsinë shqipe në përgjithësi, ky është një kapitull i mbyllur me përfundimin e viteve ‘90. Mbase do të ishte i mirëseardhur shtrimi i problemit, a ka vlera letërsia shqipe dhe jo, a ka vlera evropiane apo aziatike, horizontale apo vertikale, gjithnjë sipas ligjësive letrare? Në fakt, Qosja kontributin e vet nuk ka se si ta shmangë përtej studimeve sociologjike dhe historike, të cilat, edhe ato si edhe letërsia bartin atipiken, madje herë-herë më atipike se vetë letërsia, por bartin edhe vonesën si edhe notimin në mediokritet. Ka edhe disa fakte që të kujtojnë lidhjet e letërsisë shqipe me Evropën, siç është letërsia e hershme, të cilën akademikët e sociologjikshëm, bashkë me ta edhe Qosja e konsiderojnë si letërsi të vjetër, e cila vendosi urën e komunikimit të letërsisë shqipe me latinishten si gjuhë e kulturës në atë kohë dhe me të gjitha gjuhët e tjera të Evropës. Edhe sot e kësaj dite, veprat e Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit e Bogdanit kundrohen si dëshmi e ekzistencës së një gjuhe me kahje evropiane dhe librat e tyre janë nga vlerat e posaçme të bibliotekave të Vatikanit, Londrës, Parisit, Kopenhagenit etj, ndërsa në Shqipëri apo gjetkë gjenden vetëm fotokopjet e tyre.
La Martini, poeti romantik francez, jo rastësisht mrekullohet me poezinë e De Radës. Ai i shkruan atij se poezia po kthehet atje ku lindi. Për të vijuar më tej me Konicën që çuditi Londrën, Parisin, New York-un me aftësitë e tij si poliglot, gjuhëhollë. Vijojmë më tej me Martin Camajn, që rrezaton edhe sot e kësaj dite me vlerat e tij në qiellin evropian, ndonëse qielli shqiptar nuk i ka krijuar akoma strehë ashtu si e meriton, ashtu si edhe Arshi Pipës, etj.

Besnik Mustafaj: Qosja, me sa duket, ka kohë që nuk lexon letërsi shqipe

Nëse kjo është e vërtetë, kjo që ka thënë Rexhep Qosja, atëherë duket se ai ka kohë që nuk lexon letërsi shqiptare. E them këtë sepse së pari, vetë vepra e Qoses është pjesë e një letërsie me vlerë evropiane, kam parasysh këtu romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, roman i cili është botuar në shumë gjuhë. Por ka edhe shkrimtarë të tjerë përveç Ismail Kadaresë, i cili është një vlerë e padiskutueshme tashmë, që njihet prej të gjithëve dhe që është pranuar unanimisht dhe botërisht. Përveç tij janë edhe shkrimtarë të tjerë që janë shumë të vlerësuar jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë; Fatos Kongoli si romancier, Dritëro Agolli, por edhe poet si Ali Podrimja, Fatos Arapi dhe shumë të tjerë. Nëse këtë e ka thënë vërtet Qosja, unë do të thosha që një burri që është në moshën e tij, pra mbi të 70-at, nuk i shkon të bëjë provokime të një niveli të këtillë, për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes. Besoj se me këto fjalë unë kam thënë atë që mendoj për opinionin e Qoses, dhe atë që unë mendoj për vlerat evropiane të letërsisë shqiptare

Ylljet Alickaj: Letërsia shqipe, shumë e suksesshme në Europë

Nuk e di se çfarë ka dashur të thotë Rexhep Qosja me ‘letërsi e shpejtuar’, apo letërsi evropiane ose jo. Kam përshtypjen se letërsia është letërsi dhe mund të quhet e Lindjes apo e Perëndimit. Ka kombësi shkrimtarësh, por jo kombësi letërsie. Me këtë kuptojmë se letërsia shqipe qëndron në atë peshën e natyrshme që ka, dhe në krahasim me letërsitë e tjera nuk është as më mirë dhe as më keq. Ka vlera e antivlera, ka mesatare, ka mediokre ka edhe patriark të letrave. Po t’i referohemi një statistike mbi letërsinë shqipe, jemi mirë. Letërsia jonë, së paku në krahasim me letërsisë e fqinjëve, është një prej letërsive më të pranishme në Europë. Mbase vetëm ky fakt statistikor them se e hedh poshtë diskutimin nëse është letërsi me vlera apo pa vlera. Është një fakt i pamohueshëm që shkrimtarët shqiptarë janë më të përkthyer e të pëlqyer se shkrimtarët maqedonas, serbë apo boshnjakë, domethënë se shkrimtarët e Ballkanit në Francë, gjë të cilën unë e di mirë. Unë sinqerisht nuk mendoj se letërsia shqipe është poshtë. Nuk është as e vonuar, as e shpejtuar, por është tamam në rrjedhën e saj normale, që iu përgjigjet kritereve ose standardeve të brendshme të krijimit. Po marr si shembull Francën. Këtu shpeshherë i referohen letërsisë shqipe. Le të mos përmendim vetëm Kadarenë, që i ka kapërcyer kufijtë e Evropës, por edhe emra të tjerë. Autorë shqiptarë të përkthyer si, Fatos Kongoli, Mustafaj, Bashkim Shehu, nuk janë të panjohur në Francë. Librat e Kongolit shiten mjaft mirë. E them këtë, sepse është tjetër të përkthehesh, e tjetër të shitesh si autor.


(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora