Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shorti i Ligës së Kampionëve - Messi, futbollisti më i mirë i Evropës

| E enjte, 27.08.2009, 04:47 PM |



Faza e grupeve të Ligës së Kampionëve, pas shortit të tërhequr të enjten, do t’i vërë përballë miqtë e vjetër. Zlatan Ibrahimoviç, i cili këtë verë iu bashkua Barcelonës, do të luajë kundër ish-ekipit Inter, sikurse edhe Samuel Eto’o, që shkoi në drejtim të kundërt. Edhe Kaka me Real Madridin do ta ‘sulmojë’ ish-ekipin e zemrës, Milan.


Nga Express

Shorti për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve është tërhequr të enjten në Monaco duke sjellë përballë njëri-tjetrit gjigantët e futbollit evropian, por edhe futbollistë të cilët do të takohen me ish-klubet e tyre, për të cilët kanë luajtur deri sezonin e kaluar.

Kampioni aktual Barcelona gjendet në Grupin F, përballë kampionit të Italisë, Inter. Ndeshjet mes tyre do të jenë posaçërisht të veçanta për sulmuesin suedez, Zlatan Ibrahimoviç, i cili këtë verë iu bashkua Barcelonës nga Interi, por edhe për sulmuesin kamerunas, Samuel Eto’o, që shkoi në drejtim të kundërt. Dy ekipet e tjera nga ky grup janë Dynamo Kiev dhe Rubin Kazan.

Edhe Leite Kaka, i cili gjatë kësaj vere u transferua nga Milan në Real Madrid do të takohet me ish-ekipin e tij në Grupin C. Për kundërshtarë të tjerë do t’i kenë Olympique Marseille dhe Zurich.

Manchester United, kampion i Evropës në vitin 2008 dhe nënkampion nga edicioni i fundit, do të luajë me ekipin rus, CSKA Moscow, kampionin turk, Besiktas dhe atë të Gjermanisë, Wolfsburg.

Chelsea, që synon titullin në këtë garë me trajnerin e ri, Carlo Ancelotti, do të takohet me Porton, Atletico Madridin dhe APOEL Nicosia.

Katër herë kampioni i Evropës, Bayern Munich dhe Juventus, dy herë fitues në këtë garë, do t’i sprovojnë forcat me kampionin e Francës, Bordeaux dhe Maccabi Haifa nga Izraeli.

Liverpool do të fillojë garën për epitetin e më të mirit kundër Lyonit, Fiorentinës dhe ekipit hungarez, Debreceni.

Arsenal iu shmang ekipeve të mëdha, ndërsa për kundërshtar do ta ketë AZ Alkmaar, Olympiakosin dhe Standard Liege.

Sevilla do të jetë favorite në grupin, pjesë e të cilit janë Rangers, Stuttgart dhe kampioni rumun, Unirea.

Secili ekip do t’i luajë nga dy ndeshje në shtëpi dhe mysafir me të tre kundërshtarët e tjerë në grup, ndërsa dy të parët do të kualifikohen në fazën eliminatore që fillon në muajin shkurt.

Ndeshjet e para të fazës së grupeve do të zhvillohen më 15-16 shtator. Finalja e ligës më prestigjioze evropiane do të zhvillohet më 22 maj, në stadiumin e Real Madridit, Berbabeu.

Futbollistët më të mirë nga edicioni i kaluar

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi është zgjedhur futbollisti më i mirë evropian për edicionin e kaluar. Bashkëlojtari i tij, Xavi Hernandez, i cili gjithashtu luajti rol kyç për Barçën në suksesin e vitit të fundit, është përzgjedhur mesfushori i vitit, para kolegut të tij, Andres Iniesta. Kapiteni i Chelseas dhe Anglisë, John Terry është vlerësuar si mbrojtësi më i mirë, derisa epiteti i portierit më të dalluar i takoi Edwin Van der Sarit, që me Manchester United, ishte nënkampion i Evropës.

Grupi A

Bayern M
Juventus
Bordeaux
Maccabi

Grupi B

Man Utd
CSKA
Besiktas
Wolfsburg

Grupi C

Milan
Real Madrid
Marseille
Zurich

Grupi D

Chelsea
Porto
Atletico M
APOEL

Grupi E

Liverpool
Lyon
Fiorentina
Debrecen

Grupi F

Barcelona
Inter
Dynamo Kiev
Rubin

Grupi G

Sevilla
Rangers
Stuttgart
Unirea

Grupi H

Arsenal
Alkmar
Olympiacos
Standard