E enjte, 18.04.2024, 11:27 AM (GMT+1)

Mendime

Të vërtetat historike dhe si duhen trajtuar ato

E enjte, 13.09.2007, 09:03 PM


Nga Agim Bacelli (Mendime)

"Historia shkruhet gjithëmonë gabim, kështu përherë ajo duhet të rishkruhet," Herodoti, Babai i Historisë
 
Mbas 16 vitesh “tranzicioni”, kur vazhdon akoma qe të zezës t’i thuhet e bardhë, më në fund Kryeministri i Shqipërisë u prononcua se duhet rishkruar historia  e vëndit.  Nuk dua të bëj spekullime rreth kësaj nisme por jam kureshtar të di një gjë, pse duhet që këtë pohim ta bëjë një kryeministër kur për historinë e një vëndi janë përgjegjës historianët e mirëfilltë?!

Sa herë politika, shteti, apo qeveria e një vëndi, përzihen në punët e historisë, historia është deformuar, mjafton të kujtojmë pohimin e Hitlerit, “... t’a fitojmë luftën pa di unë se si t’a shkruaj historinë”. Politikanët dhe qeveritë bëjnë histori, nuk e shkruajnë atë,  prandaj jam pak i zhgënjyer nga nismëtari i rishkruarjes së historisë por, sidoqoftë nuk dua të mërrem aspak me nismëtarin (Kryeministrin Shqiptar) për të cilin detyra numër një është që të ruhet mirë nga historianët që janë simpatizantë të tij.
 
Ajo që më shqetëson skajshmërisht është tjetër gjë, është mos kuptimi i drejtë i fatkeqësisë së njeriut të gënjyer nga politika dhe qeveria. Në këtë rast shqiptari është i genjyeri.  Të jesh i gënjyer, të bësh mik gënjeshtarin dhe të mos jesh në gjëndje të nxjerrësh në shesh të vërtetën, kjo është thelbësorja pasi është fatkeqësi shumë e madhe.
 
Mënyra se si trajtohen faktet historike, e kaluara e popullit tonë si edhe njerëzit e shquar, më bën të ulërij dhe nga që nuk mundem, ulem dhe shkruaj duke menduar që ka edhe të tjerë që mendojnë si unë me të cilët dua ta bashkoj protestën time. Mendoj se faktet historike interpretohen me mjete te reja ne duart e njerëzve të vjetër. Kjo duhet të ndalet njëher e përgjithmonë.

Shqetësues tej mase është fakti se si tekstet shkollore të historisë kanë 16 vite edhe prap metodika e interpretimit të ngjarjeve historike në ta bëhet nëpërmjet syzeve të ish Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste si dhe prej instrumentit  të tij, Akademisë së Shkencave.  Kjo shpjegohet me faktin që Instituti i Historisë si edhe vetë Akademia e Shkencave, nga e cila varet ky Institut, drejtohen nga autorët e teksteve historike të kohës diktaturës. Prandaj, në këtë drejtim ësht’e qartë që duhej t’u shkundeshin themelet këtyre institucioneve, ashtu siç po vepron sot qeveria por me shumë vonesë, që të arrihet e të vilen rezultatet   e tu hapet rruga shkencëtarëve dhe mes tyre historianëve që do ta rishkruajnë historinë.  
 
Mund të pohoj se duhet urgjentisht të merren seriozisht masa institucionale që situata të ndryshojë kryekëput sepse, në të kundërtën, breza të tërë të ardhshëm do të vazhdonin e të plluckonin në batakun e asaj që është quajtur metoda marksiste-leniniste e interpretimit të historisë !  Premtues për këtë gjë janë historianët e paanshem dhe institute të tilla të krijuara vullnetarisht si "Albshkenca".
 
E bëra këtë hyrje vetëm që të më kuptojë drejtë lexuesi i këtyre radhëve lidhur me shqetësimin tim.   Nisur tashti nga fakti që unë nuk jam specialist i fushës, pa hyrë në detaje teknike të cilat edhe sikur të isha specialist do të dilnin nga kuadri i këtij shkrimi, do të përmend disa momente nga shtypi i përditshëm që mua si shqiptar, më kanë lënë mbresa të thella në këtë drejtim dhe shëmbullin që na jep një njeri pak i dëgjuar por me një mëndje te ndritur dhe penë të paanshme në interpertimin e fakteve historike. 

Së pari, një shkrim-analizë shumë i goditur i bërë rreth problemit të rishkrimit të historisë dhe i botuar në Gazetën Tema, me autor zotin Mero Baze.  

Së dyti, letra e përgëzimit që i dërgonte zotit Mero Baze gazetari i shquar sportiv, zoti Besnik Dizdari, i cili thelbin e problemit që ngrinte zoti M.Baze, e plotësonte me shembuj nga shtrembërimet e qëllimëshme të bëra në fushën e historikut të sportit në Shqipëri.  

Së treti, informacioni i ardhur nga Prishtina, simbas të cilit mësuam se akademiku Rexhep Qosja, i ndjekur nga disa dishepuj të tij, nuk pranonin t’i dorëzonin çelësat e zyrave që kanë patur pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe me dhunë donin të qëndronin në po ato zyra, në kundërshtim me urdhërin e dhënë nga drejtoria e Institutit në fjalë, ndonëse ata tashmë janë pensionistë. 

Së katërti, një libër model sesi mund të shkruhet historia në mënyrë të paanshme dhe dinjitoze, pa mllefe dhe pa shtrëmbërime; libri "Histori të pa Shkruara" me autor z. Mërgim Korçën.

Gënjeshtra mund të shkaktojë dhembje njëqind herë më të madhe se shigjeta dhe këtë dhimbje kaq të madhe mundohet që ta mbajë në veprim politika shqiptare, sidomos e majta e saj. Ja sesi shprehet z. Mero Baze për këtë:  “Historianët e vjetër shqiptarë, që janë përpjekur të gdhendin historinë tonë në funksion të ideologjisë së tyre, tani nuk janë të shqetësuar për historinë, por për rënien e tabuve të tyre, mbi të cilat kanë ngritur simbolet e ideologjisë së tyre. Mizore është se në këtë debat, i cili nuk duhet të ishte politik, ka një angazhim zyrtar politik për të mos prekur asgjë nga historia e shkruar gjithë gënjeshtra. Qeveria nuk ka dhënë ndonjë direktivë sesi duhet të shkruhet historia, kurse e majta po jep direktivë të prerë të mos preken gënjeshtrat tabu që mbajnë në këmbë ideologjinë e saj. Ky është një ndryshim i madh që shpjegon qartë, ku qëndron kriza e historiografisë shqiptare.”  
 
Në vazhdim pastaj zoti Baze sjell edhe dy shembuj shumë kuptimplotë.  Nga njera anë cilëson një gazetar të ri, zotin Kastriot Dervishin, i cili ka botuar një vëllim shumë vëllimor, mbështetur i gjithi në dokumenta arkivale, ku pasqyrohet skeleti i Shtetit Shqiptar që nga viti 1912 e deri në vitin 2005.   Ky fakt më intrigoi pa masë sepse të duash të mësosh se kush ka qenë ministër i Financave p.sh. në vitin 1928 apo i arësimit më 1936, nuk ke se ç’dokumenti të Akademisë sonë të Shkencave t’i drejtohesh.   Kurse zoti Kastriot Dervishi, falë punës së tij hulumtuese patjetër disavjeçare, t’a jep përgjigjen në çast, sapo t’i drejtohesh veprës së tij.    Dhe shembulli i dytë që sjell zoti Baze është ...” Shumë shqiptarë përfshi dhe pleqtë tanë të Akademisë nuk kanë mundur t’i japin kombit shqiptar dhe historiografisë botërore një libër për Kosovën si ai që ka shkruar historiani i shquar anglez Noel Malkolm. Ai libër i shkruar në vitin 1998, shpëtoi Kosovën dhe u bë guidë e mendimit politik ndërkombëtar që çoi në bombardimet e NATO-s.”   Në këtë kontekst zoti Baze citon se si ish Presidenti i Sh.B.A.-ve zoti Bill Clinton qenka shprehur se kur ai e kishte lexuar librin e autorit Noel Malkolm e kishte kuptuar se sa vonë e kishte lexuar.   Dhe zoti Baze vazhdon ... “ Ky historian anglez që na ka bërë këtë kryevepër nuk është vlerësuar kurrë prej nesh dhe për fatin tonë të mirë, ai e merr këtë si një gjest tonin për të mos e rënduar profesionalisht. Në fakt, ne nuk e kemi vlerësuar, se nuk dimë të vlerësojmë të vërtetat, por vetëm gënjeshtrat tona. Nëse ai atë libër nuk do ta shkruante me aq realizëm, por do t`iu binte borive serbe për Kosovën, serbët mund ta kishin bërë Noelin miliarder. Ne as librin s’ia kemi blerë. Ne as si tekst zyrtar për Kosovën nuk e kemi marrë.” (!!)

Ose zoti Besnik Dizdari, në letrën e përgëzimit drejtuar z.Mero Baze, sjell disa shëmbuj kaq kuptimplotë sa që nuk mundem të mos e përgëzoj edhe atë publikisht.   Sa gjithëfolës është shëmbulli që ai sjell lidhur me “mjedollogun”, studjuesin e shquar zotin Mentor Quku.  Tek lexon se si zoti Mentor Quku ka bërë një punë kolosale duke botuar lidhur me veprën e Dom Ndré Mjedës katër vëllime, nuk ka se si të mos të të shkojë pa vonesë në mëndje sfida e madhe që ai i ka bërë Akademisë së Shkencave me gjithë Institutin e saj vartës, atë të Gjuhësisë dhe Letërsisë.   Po le të më falë lexuesi e të sjell tekstualisht se si është shprehur z.B.Dizdari : ... “Deri tash ka botuar katër vëllime për Mjedën, botime që Akademia e Shkencave të Shqipërisë apo Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë nuk i ka pa as në ândërr. Po lexoj vëllimin që studjon, hulumton, përimton, veçon, bashkon, përshkruan, vërteton, daton, polemizon, pohon veprimtarinë e jashtëzakonshme të Dom Ndreut për alfabetin e gjuhës shqipe, që në të vërtetë është një histori gati krejt e re për themelimin e alfabetit tonë.”

Apo shëmbujt që z. Besnik Dizdari sjell lidhur me harresën që u është bërë aktiviteteve sportive të zhvilluara gjatë viteve të Mbretërisë  Zogut apo periudhës 1939 e deri në fundin e vitit 1944.  Këtu del menjëherë në dukje ideologjia komuniste e periudhës diktaturës e cila simbas optikës së saj donte që Shqipëria thuajse çdo fillim duhej t’a kishte patur mbas vitit 1944 ! Bile dhe Ditëlindja e Shqipërisë me urdhër u caktua 29 Nentori 1944, dita kur komunistet moren pushtetin! Këtë gjë s'duhet ta përsëris askush.

Historia e mirë apo e keqe ngelet histori. E kaluara sado e hidhur të ketë qënë, kurrë nuk duhet harruar, shpërfillur a ndryshuar. Mosnjohja e mospërfillja e së kaluarës nuk i mbyll rrugën ndikimeve të saj në të tashmen, ashtu si edhe dënimi i saj, nuk e shpëton njeriun nga urrejtja, përkundrazi, njohja e tyre sjell korigjimin kolektiv. Harresa apo injorimi i fakteve është herezi dhe duhet të dënohet me mos'harresën.

Përgjatë këtij konteksti edhe unë dua t’i përgëzoj si zotin Baze e gjithashtu edhe zotin Dizdari si e kanë trajtuar problemin e gjithashtu do të sjell edhe unë një shëmbull i cili e ilustron më së miri mentalitetin pragmatik dhe krejtësisht tendencioz i cili vazhdon dhe sundon në Shqipërinë e sotme, duke ju kundërvënë me fakte kokëforta dhe ashtu qetë-qetë, pa inate dhe shfryrje dufi.  

Kujtdo që nuk e ka lexuar, dëshiroj t’i rekomandoj t’a lexojë vëllimin me titull “HISTORI TË PASHKRUARA” të autorit z.Mërgim Korça.  Autori në fjalë, nisur nga dokumenta arkivore si edhe  kujtime personale të përjetuara  në vetë të parë, hedh dritë mbi personalitete tona kombëtare, analizon fakte e rrethana, diskuton me akademikë si edhe me komunistë pikërisht pikëpamjet të cilat e mbajnë akoma të çoroditur mëndjen e shqiptarëve.  Por, nga ana tjetër, këtë vëllim do t’a quaja një model se si duhet të bëhen analizat ose debatet.  Nuk ka se si të mos e citoj analizën me titull: "Kur do të shkruhet historia si dhe njerzit e përfshirë në të, pa zbukurime dhe pa shëmtime?"  Atje gjithsecili mëson se si duhet zhvilluar një debat rreth historisë dhe ngjarjeve të saja, me një rigorozitet shkencor si edhe mbështetur nga një logjikë brilante dhe ç’është më e rëndësishmja, me një paanëshmëri shëmbullore dhe pa pasjone politike kur, sipas llogjikës komuniste, "sy për sy e dhëmb për dhëmb," z Mërgim duhej të hakmërrej për padrejtësitë e bëra ndaj tij.  Ja se ç'far shkruan zoti Mero Baze po për këtë libër: ... “ në këtë libër gjen shkrime që thyejnë tabú për rolin pozitiv të qeverive shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ashtu siç gjen fakte tronditëse për fatin e disa emrave të mëdhenj të historisë shqiptare ...”

Unë pata fatin ta lexoj këtë libër befasues dhe prej tij mësova se Historia nuk duhet të jetë si nje top futbolli që më dëndur ndodhet në këmbët e lojtarëve më të fortë. Historia duhet të jetë si një kurorë e artë që vendoset mbi koken e atyre që e meritojnë.

Mbasi i shpreha mendimet e mia deri këtu lidhur me nevojën urgjente që ndjej që të rishkruhet historia e popullit tonë jashtë kornizave politike, do t’i shtoj disa fjalë lidhur me autorin e Historive të Pashkruara, që për mua është një vëllim pararendës i frymës sipas së cilës duhen rishkruar tekstet e historisë tonë kombëtare.

Me zotin Mërgim Korça nuk jam takuar asnjëherë, pra, për mua ai do të ishte një njeri i  panjohur, mos t’a kisha patur fatin t’a lexoja librin e tij edhe sikur krushku im, zoti Mark Ndou, ish Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Lushnjes, të mos më kishte folur për të.  Z. Mark Ndou më pati treguar se si respektin për inxhenier Mërgim Korçën si person, i a kishte imponuar vetë ky i fundit me personalitetin e tij.  Kurse, se i ç’niveli ishte ky si inxhinier, ai ruante pohimin e ish kryeministrit Mehmet Shehu i cili i kishte pasë thënë se si projektues, në fushën e mekanikës bujqësore, Mërgim Korça ishte më i afti.  E për t’a mbyllur, dua të ve në dukje se zoti Mark Ndou më pati pohuar edhe faktin që me urdhërin e Enver Hoxhës, (duke e shkelur ai vetë vijën e luftës së klasave për hir të nevojave të mëdha në fushën e mekanikës bujqësore), z.Mërgim Korça i qe dhënë titulli më i lartë shkencor që akordonte Presidiumi i Kuvëndit Popullor, “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe Teknikës”.  

Kurse sot, me aq sa di unë, nga që përveç Këshillit Bashkiak të Lushnjes që inxhenier Mërgim  Korçën e kanë bërë Qytetar Nderi të Lushnjes, asnjë institucion shkencor nuk është kujtuar t’ia propozojë Presidencës emrin e tij për një vlerësim karakteri kombëtar, unë marr shkas të ve në dukje se si ky intelektual që përgjatë diktaturës vetëm projektoi dhe prodhoi vlera të mëdha për ekonominë, kurrë nuk botoi as edhe një radhë në shtyp.  Jo se nuk e kishte aftësinë si edhe të dhënat, të cilat po i tregon sot, por sepse nuk donte t’a njolloste personalitetin e tij duke shkruar mbroçkulla për ata që gënjyen dhe e  shtrembëruan gjithë Historinë e Vërtetë Shqiptare.  Ndërsa mbas përmbysjes së diktaturës, ndonëse jeton larg Atdheut, ai vetëm shkruan dhe boton analiza me karakter kombëtar si edhe historik duke u përballuar publikisht me Akademin’e Shkencave, Institutin e Historisë si edhe personalisht me historianët që për 47 vite e shkruan, e ndryshuan, e rishkruan e kush e di se sa herë sërishmi e rishkruan historinë e popullit tonë simbas direktivave të P.P.Sh. !  Temat e trajtuara nga z. M. Korça kanë qenë gjithnjë nga më të nxehtat sikurse roli i qeverive kuislinge dhe shtysa e tyre kombëtare në mbrojtjen e interesave shqiptare; kapitulli më i përfolur i Kanunit të Maleve, ai i gjakmarrjes, (ku simbas z. M. Korça, Kanuni i Maleve jo që nuk ka qenë turpi i Kombit Shqiptar, por përkundrazi, duhet konsideruar nderi i Tij); problemi çam; Kryengritja e Malësisë së Madhe; trajtimi i figurave të shquara të Kombit tonë si Patër Gjergj Fishta, etj. (që historiografia si edhe elita kulturore e Realizmit Socialist i ka trajtuar si tradhëtarë, shovinistë e të patalent); ose ka trajtuar figurat kriminele të diktaturës komuniste, (të cilët një herë morën titujt e heronjëve të popullit e pastaj përfunduan burgjeve ose u pushkatuan si tradhëtarë të pushtetit), që edhe sot e kësaj dite na paraqiten si heronj, etj.etj. 

Si përfundim, duke mos ndenjur dot pa e çfaqur mendimin tim rreth asaj që zoti Baze e quan politizim i historisë, i cili duhet luftuar e hequr një herë e mirë nga të qënët busull e këndvështrimit si edhe interpretimit të fakteve historike, e duke qenë i shqetësuar në kulm tek lexoj se njerëz si akademiku Rexhep Qosja me shokë kërkojnë me këmbëngulje si edhe me dhunë të vazhdojnë e të jenë ata që japin gjykimin e fundit rreth problemeve historike si edhe gjuhësore, (si në Prishtinë e gjithashtu edhe në Tiranë), shpresoj që koha e tyre tashmë të ketë perënduar dhe të fillojë një etapë e re në interpretimin e fakteve historike si edhe personaliteteve të shquara të Kombit tonë.

Me simpati shikoj rritjen për ditë e më shumë të Institutit të Alb-Shkencës që drejtohet nga shkencëtarë si Niko Qafoku etj. të cilët kanë shkelmuar dogmat e vjetra politike të "Fitimtarëve të Pamposhtur" që thonë se vdesin dhe nuk largohen nga tavolina e shkruesve të historisë! Albshkencëtarët shqiptarë nga tërë bota shqiptare po rriten si orteqe të fuqishëm dhe të papërmbajtshëm  qe u a kallin datën ish shkruesve të indoktrinuar të historisë që bredhin "Lëndinave të Pashkelura Shqipëtare " me deformimet që akoma vazhdojnë tu bëjnë  teksteve shkollore. 

A nuk e kemi sa flagrant e po aq edhe të turpshëm tekstin e fundit të historisë ku kufirin verior të Greqisë e shtyn në veri deri në Vlorë ?

E quaj jashtë çdo logjike dhe të pamundur që rishkrimi i Historisë Shqiptare të mund realizohet sa më paanshëm dhe sa më pranë realitetit pa u marrë edhe mendimi i Albshkencëtarëve dhe njerëzve si z. Mërgim Korça, etj., që kanë se ç’të thonë në këtë fushë dhe Shqipërisë nuk i mungojnë.

Krahas rishkruarjes së historisë, mendoj se publiku shqiptar dëshiron sot më shumë se kurrë të dijë se ku është "drita në fundin e tunelit" në të cilin ai po ecën prej vitesh pa parë asnjë shënjë prej saj?

Po e mbyll shkrimin me fjalet e Malcolm X.:
"Unë gjithmonë kam mbajtur një mendje të hapur e cila është e nevojshme për lakueshmërinë që duhet të shkojë dorë më dorë në cdo formë inteligjente për të kërkuar të vërtetën".   



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora