E enjte, 28.03.2024, 02:17 PM (GMT)

Faleminderit

Këze (Kozeta) Zylo: Një mësuese, që dhe muzgun e mbushte me buzëqeshje…

E merkure, 26.08.2009, 09:00 PM


Liljana me bashkeshortin Daut Hame
Liljana me bashkeshortin Daut Hame

Një mësuese, që dhe muzgun e mbushte me buzëqeshje…


Nga Këze (Kozeta) Zylo

Familja Hame, Sule dhe gjithë komuniteti shqiptar në Staten Island, New York, i dhanë lamtumirën e fundit nënës, bashkëshortes, motrës, bijës dhe mësueses të sa e sa brezave, zonjës së nderuar, të ndjerës Liljana Prifti Hame.

Zonja Lijana Prifti Hame u nda nga jeta në moshën 53 vjecare, në datën 10 Gusht, 2009, në spitalin Saint Vincent në Staten Island, New York.

Pas një semundje të rëndë dhe të pashërueshme, sëmundje e shekullit, ajo ndërroi jetë dhe tashmë është e cliruar nga dhembjet torturuese të sëmundjes.

Zonja Liljana Hame ishte një grua gjeneroze, me kulturë, plot vitalitet, ajo kurrë nuk u mposht përballë sëmundjes, por me kurajo i jepte force vehtes dhe familjes së saj të nderuar që i ndenjën pranë gjer në momentet e fundit.

Mësuese Liljana Hame ka mbaruar Universitetin e gjuhëve të huaja për anglisht në Tiranë.

Pasi mbaroi studimet e larta ajo punoi për 18 vjet si mësuese në disa shkolla tetëvjecare dhe të mesme të Tiranës, ku gëzoi respektin dhe adimirimin e gjithë nxënësve dhe shoqërisë që e rrethonte.

Puna e saj e palodhur, me një përkushtim të veçantë kishte bërë që të nxirrte nga duartë e saj shumë e shumë nxënës, ku sot ata janë intelektualë, punëtorë, njerëz të denjë që i shërbejnë shoqërisë dhe Atdheut mëmë.

Shume prej tyre kane shprehur ngushellimet dhe dhimbjen e madhe që i ka pushtuar në këto momente për mësuesen e tyre të paharruar.

            Mësuese Liljana Hame u largua nga Mëmëdheu më 1997, në vitin e mbrapshtë, vit që e përfshiu Shqipërinë në luftë civile.

Ajo detyrohet të largohet nga Atdheu dhe përfundimisht vendoset në Staten Island, New York së bashku me fëmijët e saj të mrekullueshëm, Oltën dhe djalin e saj Elisin.

Aftësia e saj dhe edukimi i lartë që kishte marrë në Universitetin e Tiranës, bëri që të punonte përsëri si mësuese në “Petrides school” në Staten Island.

Ajo u pranua nga Bordi i Edukimit të New Yorkut dhe punoi me ndershmërinë dhe dashurinë e madhe me fëmijët në Special Education.

            Përkushtimi dhe devotshmëria e saj bënë që të vlerësohet në Nëntor të vitit 2003, nga Bordi i Edukimit dhe Unioni Federal i gjithë mësuesve me çertifikatën e Mirënjohjes, si një mësuese e palodhur, edukatore shembullore dhe e papërtuar kurrë në punë.

Ajo la gjurmë të thella tek të gjitha kolegët e saj amerikanë dhe shqiptarë.

            Zonja Liljana Hame ishte dhe një aktiviste e mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Organizata e gruas “Zeri Ynë” me presidente znj.Leonora Abdullai kishte kohë që e kishte zgjedhur në kryesinë e saj.

Ajo do t’i mungojë gjatë organizatës së gruas, do t’i mungojnë idetë e saj aq të vyera si dhe përkushtimi për ta çuar organizatën dhe më përpara.

Për punën dhe idetë e saj, organizata e gruas “Zëri Ynë” e çmoi vjet me çertifikatën e “Mirënjohjes për kontributin e saj si mësuese e palodhur”.

Kurse Shkolla Shqipe e Institutit “Gjergj Kastriot Skanderbeg” këtu në Staten Island i dha çertifkatën, si një mësuese veterane e palodhur, si në Mëmëdhe ashtu dhe në Diasporë.

            Bashkëshorti zemërmirë me orgjinë nga Dibra e Madhe, z. Daut Hame kishte një respekt dhe dashuri të veçantë për Lilianën, ishte nje dashuri reciproke, që fisnikëronte zemrat e fëmijëve dhe të të afërmëve të tyre.

Vajza e saj Olta Minenna, një violiniste e talentuar, mësuese në shkollë të mesme në New York, debutuese në disa koncerte muzikore, është rritur me dashurinë dhe përkujdesjen e madhe të Liljanës, kujdes që e bija e tyre jua shpërbleu me çmimin e madh të mirësisë dhe të edukimit maksimal.

Djali i saj i urtë Elisi i është mirënjohës për jetë, për punën edukative që ka bërë me fëmijët dhe për sigurimin e të ardhmes që ajo ju dha femijeve të saj duke i sjellë në tokën e premtuar këtu në Amerikë.

            Ajo të mahniste me forcën e llogjikës, qetësinë, shpirtin e madh dhe njëkohësisht dashurinë e pakufishme që kishte për njerëzit e saj dhe veçanërisht për bashkëshortin dhe familjen e tij të nderuar dibrane.

Unë personalisht kur shkova bashkë me bashkëshortin tim në emër të Shkolles Shqipe, për t’i çuar dhuratën nga nxënësit dhe mësuesit në ditën e 7 Marsit sivjet, u magjepsa nga fjalet e saj aq delikate dhe të buta, nga kurajoja e saj duke na dhuruar vetëm buzëqeshje.

E ndjera Liliana me respekt dhe kulturë kishte bërë për vete gjithë nipërit e mbesat e burrit, të cilët flisnin me dashuri dhe lot në sy për humbjen e saj.

Motrat e bashkëshortit të saj e quanin një motër të vërtetë, një motër që do të mungoje gjatë në fisin e tyre.

Ato tregonin se çdo mbrëmje që vinin për vizitë, ajo ju dhuronte vetëm buzëqeshje të ngrohta, buzëqeshje që mbushnin muzgun e trishtueshëm nga dhimjbet kërcënuese të sëmundjes së pashërueshme.

Pikat  e lotit tëtyre për sëmundjen e Liljanës më duket sikur nuk janë tharë akoma…dhe ndoshta do të qendrojnë gjatë edhe pse ajo e bënte muzgun të qeshte…

            Ajo iku duke lënë në pikëllim babain e saj të nderuar z.Rakip, fëmijët, vëllezërit Grisha dhe Beni, motrën e vetme Majlinda, kunetërit e saj fisnikë z.Qenam, Jetonin, Dilen, Fatmirën, Farien dhe gjithë fisin Hame.  Edhe dajua i burrit të saj, në Dibër z.Tofik Mullarexha është në pikëllim të thellë për nusen e nipit që iku kaq shpejt.

Të gjithë mjekët e spitalit Sant Vincent i shërbyen me përkushtimin më të madh, por e kishin të pamundur kurimin e kësaj sëmundjeje përbindëshe.

Ata morën pjesë në këtë ceremoni mortore, të gjithë si personel mjekësor duke folur me lot në sy, për kulturrën dhe komunikimin e saj, aq të ngrohtë me ta.

Zonja Liliana Prifti Hame u përcoll me nderime dhe respekt nga gjithë pjesëmarrësit dhe të dashurit e zemrës së saj,  për në vorrezat “Moravian” Staten Island New York.  Portreti i Liljanës dhe ceremonia mortore u pasqyrua në gazetën amerikane “Staten Island Advance” dhe në TV Alba-Life.

Ajo la në pikëllim të gjithë miqësine dhe shoqërinë.

Liljanën do ta kujtojmë përherë në zemrat tona edhe me këtë poezi, që iu kushtua portretit të saj si një mësuese e denjë dhe një nënë shembullore.

Ike larg, larg na le,
Dhe shpirtin tënd, afër do ndjejmë,
Se kur të kemi mall për ty,
Në hartime nxënësish, do të gjejmë!

Ju ike njerëzve më të shtrenjtë,
Dhe tokës tënde i re në gjunjë,
Sa herë me ne, ti fole thellë,
Në netët e dhimbshme, në netë pa gjumë…

E deshi Zoti që ti të ikje,
Udhëtimin e jetës sa pak ta zgjati,
Në se lotët na mbytën sonte,
S’do doje nesër, kurre të qanim.

Ti je e lirë, e lirë tani,
Si fllad mëngjesi na ledhaton,
Një tufë manushaqe çdo 7 Mars,
Të ëmblave mësuese do jua dhurosh…

Ike me ëndrra në kaltërsi,
Në botën e madhe pambarim,
Me vete more çuçurimën e zogjve,
ABC-n që kënduam, na e le kujtim.

I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!

Nga fjala e mbajtur ne ceremonine e percjelljes te se ndjeres Liljana
Staten Island, NY,  Gusht 2009
Liljana Hame merr cmim mirenjohje si mesuese
Liljana Hame merr cmim mirenjohje si mesuese
Kryesia e organizates
Kryesia e organizates



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora