E premte, 29.03.2024, 12:12 AM (GMT)

Faleminderit

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Ismet Qamili me emrin Gjergj

E merkure, 26.08.2009, 08:09 PM


Ismet Qamili me emrin Gjergj
Ismet Qamili me emrin Gjergj
FARUK TASHOLLI


ME TETOVARËT NË GJERMANI

ISMET QAMILI ME EMRIN GJERGJ

Qyteti gjerman i Stolbergut nuk është ndonjë toponim i njohur në viset shqiptare, si janë Berlini, Frankfurti, Shtutgarti, Munihu… Por ky qytet i vogël, megjithatë, po nga shqiptarët përmendet shpesh. Përmendet në Tetovë, në Kumanovë, në Mitrovicë, në Vushtërri, në Drenicë. E përmendin ata shqiptarë që këtu kanë të afërmit e vet, që kanë pjesëtarë të familjes në këtë qytet, prej nga me vite janë ushqyer dhe kanë ngritur ekonominë familjare, pa u kursyer nga malli e mërzia.
Qyteti gjerman i Stolbergut ka një rrugë kryesore dhe në të, përpos gjermanishtes, spanjollishtes, frëngjishtes, turqishtes e ndonjë gjuhe tjetër, dendur flitet edhe shqipja. Ndoshta më së shumti nga gjuhët e huaja flitet shqipja ose këtë më lehtë e dëgjojmë dhe e kapim me veshin tonë. Në pjesën e kësaj rruge kryesore, si i themi ne qendër, nuk ka pjesë të ditës kur nuk ka një shqiptar. Ja aty është restorani i Hazirit nga Vushtërria që do ia kishin lakmi edhe francezët. Në rrugë mund ta takosh, lalën Mahmut, Muharremin, bacën Canë, Abedinin, Naimin, Selmanin, bacën Kadri, bacën Afet, Rexhepin, lalën Sytki, Lirimin e kë jo tjetër. Po deshe të pijsh çaj a kafe në xhezve, kthehu në Klubin Shqiptar. Po deshe verë të thatë e qetësi, mësyeja te Haziri. Në të pastë marrë malli për poterë Ballkani e tym duhani, shko te kafeneja e Turkut dhe, bisedo e shfryjy me zë të lartë se kush nuk ta vë veshin. Kudo që të shkosh këtu, do të takohesh me ndonjërin nga shqiptarët e përmendur, si jo. Bile edhe me më shumë sish. Secilin që ta zgjedhësh është më i këndshëm se tjetri. Por kur vjen e shtuna, kot e kthen kokën kah kafeneja e Italianit, disa metra përtej Hazirit. Nuk do ta shohësh më Ismet Qamilin, atë burrin thatim që ulej e llafoste për historinë e shqiptarëve. Ishte nga Tetova dhe përgjithmonë është kthyer atje, por jo në mesin e të gjallëve. Pasi i kaloi të gjashtëdhjetat e jetës, më shumë se gjysmën prej tyre në mërgim, vdiq nga një sëmundje e shkurtër dhe  e rëndë. Këtij njeriu gjysma  e qytetit nuk ia dinin emrin e vërtetë. Përpos në dokumentet zyrtare, gjatë bisedave, kurrë nuk është identifikuar me emrin Ismet.
-    Po shkoj të rri me bacën Gjergj!
-    Po shkoj të takohem me axhën Kastriot!
-   Ndejta me Gjergjin dhe më recitoi nga “Lahuta e Malcisë”!
-   Me Kastriotin i pimë nga dy kafe gjatë dy orëve dhe më foli për dy mijë vjet histori të shqiptarëve.
Kështu komentoheshin takimet me punëtorin e pensionuar nga Tetova, që duke lexuar e dëgjuar bëmat e kryetrimit shqiptar, kishte dëshirë që ta thërrisnin në emrin e tij: Gjergj Kastrioti. Dhe njerëzit me kënaqësi e thërrisnin herë Gjergj e herë Kastriot. Ndodhi një mbrëmje dhe në mesin e shqiptarëve të këtushëm erdhi rektori i Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmami. Pasi përshëndeti të pranishmit, kur ia zgjati dorën Ismetit, iu drejtua:
- Si je Gjergj?
Të gjithë mbetën të befasuar dhe të ngazëllyer njëkohësisht për nderin që i bëri profesori. Kënaqësi për të pranishmit ishte që  dikush nga larg ta nderonte Ismetin me emrin Gjergj. Si mos të nderohej ai burrë, kur në çdo takim, ose fliste për librat e lexuar, ose recitonte vargjet e rilindësve, ose e fliste ndonjë këngë a anekdotë nga folklori ynë, megjithëse kishte pak shkollë.
Tash bashkatdhetarët shpalojnë kujtimet.
Kur përfundoi lufta në Kosovë, megjithëse i rënduar nga sëmundja, Gjergji shkoi për të pushuar në Tetovë, por tha: « Nëse edhe një herë nuk i bie trup e tërthuer Kosovës, nëse nuk e prek e nuk e puth atë dhe të njomur me gjak dhe nëse nuk ngihem së qari për trimat e asaj toke që ma bënë zemrën mal, nuk  më vdiset rehat!»  Dhe shkoi Gjergji. Disa ditë me radhë. Varr më varr e vendluftim më vendluftim. Vuri lule e derdhi lot. Këndoi me zë këngët e mësuara me vite. U takua me kë deshi e piu ujë krua më krua. Kur u kthye në Stolberg, shkrepi e tha: ”Tash u ngiva jetë. E pashë Kosovën ashtu si desha, ashtu si e kam kënduar me vite, ashtu si kam ëndërruar përnatë e përditë. E gëzofshin shqiptarët lirinë e saj!” Nuk vonoi shumë kohë dhe Gjergji u shtri në Klinikën Universitare të Aachenit. Shkonin për ta vizituar miqtë, por ai përditë e më shumë rrëshqiste drejt vdekjes. Nuk deshën t’ia pranojnë me dëshirë testamentet kur ai më të afërmëve u foli guximshëm: “Unë do të vdes shpejt. Ua lë kaq para që të ma dërgoni trupin e pajetë në vendlindje, si i ka lënë Faik Konica. Pjesa tjetër e parave të shfrytëzohen për të pamen time. Me librat që i kam ruajtur me vite, e që në fshehtësi i kam kënduar nga policia sllave, dua ta përshëndes Fadil Sulejmanin. Jepjani atij dhe le të mbeten pronë e Universitetit të Tetovës!… Në qytetin gjerman të Stolbergut, sërish në rrugën kryesore takohen shqiptarët, përshëndeten shqip, ulen mbrëmjeve apo në fundjavë. Disa në Klubin Shqiptar, disa në restoranin e Hazirit, ca të tjerë te kafeneja e Turkut, e disa vetëm sa parakalojnë rreth kafenesë së Italianit. Por aty nuk është më Ismet Qamili me emrin Gjergj. Thonë se nuk ka lënë trashëgimtarë. Unë iu them nuk është e vërtetë. Ai me të veten ka lënë trashëgimin më të madh: ndjenjën e shqiptarizmës. Do t’iu them një ditë kryeparëve të klubit  që në një kënd të tij, si shenjë nderimi, të vendoset fotografia e Ismet Qamilit me emrin Gjergj. Nesër mund t’i vijë radha tjetrit. Pse të mos bëhet tabela e kujtimit nëpër klubet tona të mërgatës për pjesëtarët e tyre që kanë ikur nga jeta? Secili ka lënë nga ndonjë kujtim dhe ka ndihmuar familjen dhe Kosovën. Kultura për t’i kujtuar të vdekurit nderon të gjallët.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora