E premte, 29.03.2024, 01:31 AM (GMT)

Kulturë

Fjalor enciklopedik nga Teknologjia e Informacionit

E merkure, 26.08.2009, 06:49 PM


(Me indeks shqip, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht)

Nga ALI Sh. MEHMETI, inxh. i diplomuar

Përgatitur për “Zemrën shqiptare” nga Alfred Papuçiu

Në dorë keni, të dashur lexues dhe bashkëpunëtorë të “Zemrës shqiptare”, “Fjalorin enciklopedik nga Teknologjia e Informacionit”, shkruar nga inxhinjeri i talentuar dhe informaticieni, Ali Sh. Mehmeti. Aliu ka punuar për shumë vite në Prishtinë, në Telekom dhe ka dhënë një ndihmesë të çmuar edhe më vonë për ecurinë moderne të Telekomit të Kosovës. Ka patur lidhje të ngushta edhe me Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (UIT) në Gjenevë, duke dhënë mendime të vlefshme lidhur me teknologjinë e informacionit. Fjalori i Ali Mehmetit është fryt i një pune shumëvjeçare, nga praktika e përditëshme e tij si inxhinjer dhe informaticien, por edhe i leximit të literatures moderne të kësaj fushe.

Aktualisht, prej më tepër se një dekade, Aliu banon me bashkëshorten, Shpresën, e diplomuar në Gjenevë dhe në Prishtinë si kimiste e lartë, si dhe me vajzat dhe djalin, Albanin, i cili ka bërë edhe realizimin komjuterik të Fjalorit të sipërpërmendur. Fjalori është shtypur në Prishtinë dhe katalogimi për botim është bërë nga “Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës”. Fjalori është botuar në 500 kopje dhe është tepër i arrirë, jo vetëm nga përmbajtja e pasur për informaticienët e rinj, për ata që duan të dijnë më tepër lidhur me teknologjinë e informacionit, por edhe është realizuar në mënyrë të përkryer nga ana vizuale dhe konceptimi modern. Fjalori u paraqit me sukses në Panairin e fundit Ndërkombëtar të përvitshëm të Librit dhe të Shtypit, në Palexpo të Gjenevës dhe u vlerësua së tepërmi nga bashkëatdhetarët dhe lexuesit e huaj. “Fjalori enciklopedik nga Teknologjia e Informacionit” është tepër i domosdoshëm për çdo bashkëatdhetar, kudo që ndodhet, pasi ai përmban indeks në gjuhën shqipe, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Unë ja u rekomandoj, të nderuar lexues dhe bashkëpunëtorë të “Zemrës shqiptare”, ta porositni këtë libër në adresën elektronike të inxhinjerit Ali Mehmeti:

alimehmeti@gmail.com

Në Gjenevë ndodhet edhe Docent Estref Bega, drejtori i „Botimpex“, ndërmarrje botuese dhe shpërndarëse, me përvojë mbi 30 vjeçare në këtë fushë. Ai mund t’u a sjellë librin me postë në shtëpinë tuaj brenda dy tre ditësh. Z. Estref mund ta kontaktoni me celular apo të dërgoni SMS tek numri: 0041767150638.

Fjalori kushton 30 franga zvicerane ose ekuivalenti në monedha të huaja: euro: 25; dollarë, lekë: 255, etj. Kësaj shume i duhet shtuar edhe pagesa për postën nga Zvicra apo Britania e Madhe për në destinacionin e kërkuesit. Fjalori ka 568 faqe.

Nxitoni të siguroni fjalorin, pasi një pjesë e ekzemplarëve të tij janë tanimë në Bibliotekat e lexuesve.

 
P A R A TH Ë N I E  e FJALORIT

Në duar keni një fjalor enciklopedik nga teknologjia e informacionit, që përmban sqarime për rreth 2300 terma. Sipas përkufizimit, teknologjia e informacionit në gjirin e vet përfshin të gjitha teknologjitë tjera që përdoren për: krijimin, përpunimin, ruajtjen, transmetimin, këmbimin dhe përdorimin e informacioneve në të gjitha format e saj, siç janë: shënimet e biznesit, bisedat gojore, fotografitë, pikturat, paraqitjet video dhe/ose audio, sikur edhe format e tjera, duke i përfshirë edhe ato ende të pa krijuara. Kështu i përkufizuar, ky term më së miri integron elektronikën, informatikën, telekomunikacionin, Internetin dhe mediumet, kurse mund të përdoret në njëjës dhe shumës.

Këtë fjalor dikush do ta quante edhe shpjegues, por unë si autor nuk mund ta quaj ashtu, pasi që termat e përfshirë nuk janë çdoherë edhe të shpjeguar, sepse shpjegimi i disa termave nuk mund të bëhet në disa rreshta. Ndonjëherë është dhënë vetëm përkufizimi i tyre, ndonjëherë janë përmendur vetëm disa nga karakteristikat themelore, ndonjëherë janë përfshirë të gjitha këto përnjëherë, kurse lexuesit i mbetet të zgjerohet aq sa ka nevojë. Shembull: Në rastin e termit “telekomunikim”, lexuesi mund të kënaqet me përkthimin e kësaj fjale, respektivisht interpretimin e saj në gjuhën shqipe, apo me përkufizimin e telekomunikimit, apo mund të përhapet gjer te modelet e komunikimit, duke e lexuar këtë fjalor në mënyrë jolineare (shihe: hipertekst). Për këto arsye, më duket më e drejtë ta quaj fjalor enciklopedik.

Çdo term i sqaruar në këtë fjalor, është përshkruar, përcaktuar apo shpjeguar me ato terma, sqarimin e të cilëve mund ta gjeni po ashtu brenda fjalorit. Nëse prapë i referohemi shembullit të telekomunikimit, aty përmenden termat siç janë: medium, sinjal, radio vala, vala elektromagnetike, rrezja laser, rryma elektrike, modelet e komunikimit,...., kurse për të gjitha këto mund t’i gjeni edhe sqarimet e përshtatëshme. Madje, disa prej termave janë të shkruar në gjuhën angleze, brenda kllapave, zakonisht në ato raste, kur këto terma janë të domosdoshëm për kuptimin e termit për të cilin bëhet fjalë. Po ashtu, në këtë mënyrë lehtësohet gjetja e tyre brenda fjalorit dhe lehtësohet mësimi i shprehjeve angleze. I vetmi dëm që e shkaktojnë, termat brenda kllapave, është zvogëlimi i rrjedhshmërisë së leximit, dëm ky që mund të zvogëlohet duke i injoruar, respektivisht duke mos i lexuar gjatë leximit të parë.    

Termat brenda fjalorit janë nga gjuha angleze, prandaj janë të renditur sipas alfabetit të kësaj gjuhe. Po ashtu janë të përkthyer në gjuhën shqipe, gjermane dhe frënge, ndërsa sqarimet janë në gjuhën shqipe. Për kërkim të cilitdo termi, nga cilado gjuhë, shërben indeksi në fund të fjalorit, ku janë të renditur të gjithë termat sipas alfabetit të gjuhës përkatëse, bashkë me numrin e faqes ku ndodhen sqarimet. Brenda faqes ku ndodhen sqarimet, çdo termi i takon një paragraf, kurse termat janë të shkruar me shkronja të trashësuara dhe çdoherë sipas renditjes së njëjtë: në rreshtin e parë majtas në gjuhën angleze, djathtas në gjuhën frënge, kurse në rreshtin tjetër majtas pason termi në gjuhën shqipe dhe djathtas në gjuhën gjermane. Rreshtat e tjerë i takojnë sqarimeve. Për çdo term në formë të akronimit është dhënë edhe prejardhja duke i përdorur shkronjat e mëdha  për ato shkronja që e formojnë akronimin, siç është rasti te TDMA, që rrjedh nga  Time Division Multiple Access.

Në fund fare, nuk mund të mos e përmend faktin se teksti i këtij fjalori nuk është  korrigjuar nga asnjë gjuhëtar, nuk është korrektuar nga asnjë tipograf dhe nuk është stilizuar nga asnjë dizajnues, për shkak të mundësive modeste financiare të autorit. Do të jem mirënjohës për të gjitha sugjerimet, jo vetëm gjuhësore, që do të arrijnë nëpërmjet postës elektronike, apo në ndonjë mënyrë tjetër. Të gjitha sugjerimet mund të gjejnë vend në botimin e ardhshëm eventual.  

Autori Ali Mehmeti
alimehmeti@gmail.com


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora