E enjte, 26.11.2020, 12:59 AM (GMT)

Reportazh

Poezitë e poetit kosovar mbi pikturat e artistes braziliane kushtrim per nderimin e botës me dashuri

E merkure, 12.09.2007, 08:48 PM


NË KRYEQYTETIN MINEIR BELO HORIZONTE U HAP NJË EKSPOZITË ARTISTIKE SPECIALE NDËRKOMBËTARE “ËMBËLSI DHE SHPRESË”:

POEZITË E POETIT KOSOVAR MBI PIKTURAT E ARTISTES BRAZILIANE KUSHTRIM PËR NDËRIMIN E BOTËS ME DASHURI

Artistja e re, por tashmë e njohur nga të gjithë, e cila po bën hapa gjigantë në karrierën e saj profesionale – Marina Vargas, pasi kishte lexuar bukur e saktësisht shpirtin e poetit kosovar, tashmë të njohur nga të gjithë këtu – Engjëll Koliqi-t, kishte pikturuar mrekullueshëm, në frymën e poezive të tij, duke i dhuruar kështu publikut artdashës të kryeqytetit tonë një ekspozitë të ndryshme nga të tjerat, shumë interesante, me plot mrekulli artistike dhe me kushtrimin e përbashkët artistik – për ndërrimin e botës me dashuri. Në përfundim të pikturave, me motive nga poezitë e poetit kosovar, Marina kishte shkruar me pasion edhe një kritikë të bukur letrare – të shkurtër por shumë përmbajtësore dhe domethënëse, që poashtu e kishte ekspozuar në lokalin “Alexandrina Café Cultura e Moda”, tashmë i njohur si shtëpi artistësh dhe intelektualësh të Belo Horizonte-s. Kjo ekspozitë me karakteristika të veçanta e të mrekullueshme ishte një projekt i Ndërmarrjes për Diplomaci dhe Projekte Ndërkombëtare “DIPROJINT”.

Shkruan: Caio WERNECK

Engjëll Koliqi, me artisten Marina Vargas dhe me presidenten e DIPROJINT – Dr Vera Lucia Alves Neves
Belo Horizonte, 12 shtator 2007. – Mbrëmë, në lokalin “Alexandrina Café Cultura e Moda” – në shtëpinë e preferuar të artistëve dhe të elitës së intelektualëve të kryeqytetit mineir, është realizuar edhe një projekt shumë interesant i Ndërmarrjes për Diplomaci dhe Projekte Ndërkombëtare “DIPROJINT”. Është hapur një ekspozitë speciale dhe e ndryshme nga të tjerat, një ekspozitë shumë e veçantë ndërkombëtare, me poezitë e poetit të mirënjohur kosovar në mesin tonë – Engjëll Koliqi-t, mbi pikturat e mrekullueshme të artistes sonë të re, por tashmë të njohur nga të gjithë – Marina Vargas, e cila me hapa gjigantë në karrierën e saj profesionale po ecë drejt sukseseve të mëdha dhe po bëhet gjithnjë e më famoze, në hapsira të të gjitha kontinenteve.
Në ekspozitën, që e ka hapur presidentja e “DIPROJINT-it”, profesoresha, shkrimtarja e gazetarja e nderuar nga të gjithë – Dr Vera Lucia Alves Neves, kanë marrë pjesë dhe kanë shprehur urimet e komplimentet e tyre, shumë artistë, shkrimtarë, gazetarë dhe përfaqësues të jetës institucionale – politiko-shoqërore, kulturore, artistike... apo më mirë me një fjalë të themi elita e intelektualëve të kryeqytetit tonë. Mbas pritjes solemne të mysafirëve, që në fillim fare, autorët e ekspozitës karakteristike dhe shumë të pëlqyeshme nga të pranishmit – Marina Vargas e Engjëll Koliqi, kanë shpjeguar motivet e veprave të tyre të ekspozuara – të poezive shumë domethënëse mbi pikturat e mrekullueshme, të lindura nga fuqia mrekullibërëse e dashurisë së vërtetë njerëzore. Kishin dalë kaq të bukura dhe të mrekullueshme këto piktura me poezitë e Koliqit, pasi që autorja kishte lexuar mirë shpirtin poetik të autorit nga Kosova dhe shpirtin e popullit të tij, bashkë me aspiratat e natyrshme dhe të ligjshme për liri dhe mundësi të një jete të lumtur, përplot dashuri e harmoni mes njerëzve. Se artistja jonë e ka lexuar bukur shpirtin e poetit kosovar dhe përgjithësisht të popullit shqiptar, flet edhe shkrimi i Marinës, që si një kritikë a bukur letrare, e kishte ekspozuar bashkë me poezitë e autorit mbi pikturat e saj, të bëra me motive nga këto poezi: “T’i pikturosh këto poezi, don të thotë t’i pikturosh dëshirat nga thellësia e madhe e dashurisë, të pikturosh ëmbëlsinë, të pikturosh kujtesën dhe shijen e dashurisë, kujtesën... Kam pikturuar këtu me ngjyrat që dalin e rrjedhin nga poezia, që më kanë folur e më flasin për luftërat, për dashuritë, mbi dashurinë... mbi kohën dhe mrekullitë. Janë fjalë që luten me të bekuarën dashuri, për amshimin e bekuar, me fuqinë e mrekullisë. Sa të mëdha këto fjalë, sa i madh ky poet! Atje ende fryejnë erëra luftërash, këtu strehohen e fshihen keqbërësit, madje edhe bekohen.... Bukuria e amshuar, ndjenja e pastërtisë së shpirtit dhe shpresa... kjo është të pikturosh poezinë e Engjëll Koliqit. Kënaqësi, falënderim e gëzim është për mua në një aventurë për imazhet e paprekura. Një përfitim i amshuar. Të falemnderit Engjëll. Marina”.  Autori kosovar e ka falënderuar përzemërsisht artisten tonë, të cilën e ka quajtur mjeshtërja e ardhmërisë së artit të shpirtit dhe të dashurisë së vërtetë njerëzore, që pikturon me fuqinë e mrekullisë. Ja pra, nga del edhe emërtimi i kësaj ekspozite të mrekullueshme – ËMBËLSI DHE SHPRESË.
Në këtë ekspozitë karakteristike kanë marrë pjesë edhe profesorë e studentë të universiteteve lokale, të cilët ditë më parë e kishin njohur poetin nga Kosova, me rastin e ligjëratës së tij shumë të rëndësishme mbi Kosovën, në COLADRI (Konferenca Latino-Amerikane e së Drejtës dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare), ku ai e kishte përfaqësuar vendin e tij, në mesin e 42 vendeve pjesëmarrëse. Artistët e rinj – João Gabriel e Luiza - e kanë hijeshuar, duke e pasuruar këtë mbrëmje me tinguj të ëmbël të muzikës së lehtë braziliane. Në programin muzikor është angazhuar edhe poeti e artisti nga Kosova – Engjëlli, i cili ka kënduar me çifteli këngën e tij të preferuar “Na këndojnë pushkët nëpër kulla”, që siç thotë ai vetë, e ka si himn, sepse është këngë kushtrimi e shqiptarëve, për në luftërat çlirimtare.
Ekspozitën e kanë përcjellë shumë redaksi të mediave tona, ndërkaq operatorët e shtëpisë së produkcioneve “Supernova” nga Belo Horizonte, për projektin e përbashkët me televizionin publik REDE MINAS kanë filmuar në këtë mbrëmje madhështore, për llogari të filmit dokumentar “Engjëll Koliqi – zëri i Kosovës”, që po përgatitet në kuadër të sensibilizimit të çështjes së Kosovës për publikun brazilian dhe më gjerë.
Vlen të theksohet edhe një karakteristikë tjetër interesante: të gjithë të pranishmit kanë shijuar koktelin më të ri të shtëpisë “Alexandrina”, një pije e kombinuar me raki speciale braziliane të kallamit të sheqerit – kashasa (cachaça) dhe me lëng dredhëzash, që e quajnë “Kosova”. Ishte një pije shumë interesante dhe mund të konfirmoj se do të jetë shumë e kërkuar, sepse pronarët e lokalit na thanë se tashmë do të jetë pije e përditshme. Për darkë, poashtu kanë ofruar një specialitet ballkanik – gullash.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora