E shtune, 20.04.2024, 04:03 AM (GMT+1)

Faleminderit

Grupimi i Dhjetorit ’90 kërkon rihapjen e dosjes “Hajdari”

E merkure, 12.09.2007, 10:08 PM


Grupimi i Dhjetorit të ‘90 ka kërkuar të rihapet dosja në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit. Duke ftuar gjithë qytetatrët të nderojnë sot kujtimin në përkujtimoren me rastin e 9 vjetorit të vdekjes së tij, grupimi është shprehur se “nuk do të rreshtet së kujtuari njerëz dhe ngjarje që na bëjnë të ndihemi krenarë”. Grupimi i Dhjetorit të 90 ka theksuar se për ta “është inkurajues fakti që po çelen rihetimet dhe shumë dosje siç është edhe ajo e gardistëve të masakruar në Cerrik gjatë vitit 1997”. Në këtë kontekst sipas tyre “do të tingëllojë si propagandë politike reforma në sistemin e drejtësisë nëse nuk ka zbardhje të plotë të atentatit”.Dosja e vrasjes mafioze të deputetit demokrat Azem Hajdari do të rihapet për të gjykuar sërish mbi faktet e akumuluara në këto 9 vjet që prej vrasjes së tij. I ndjeri Azem Hajdari ka qenë një ndër krerët e lëvizjeve studentore të viteve ‘90 pasi ai vetë ka qenë ndër studentët e parë që janë angazhuar në betejën kundër regjimit komunist dhe është angazhuar në mënyrë aktive në negociatat midis studentëve dhe ish-presidentit Ramiz Alia. Lëvizja politiko-qytetare “Grupimi Dhjetori ‘90” është inisiativë e përfaqësuesve legjitimë të lëvizjes historike antikomuniste të Dhjetorit 1990, e cila ka kontribuar në përmbysjen e regjimit monist duke i hapur rrugën pluralizmit politik. Kjo lëvizje është krijuar 40 ditë pas atentatit ndaj liderit të tyre siç e quajnë ata Azem Hajdarin dhe ndër arsyet e krijimit të kësaj lëvizje në fillimet e saj është renditur edhe “ndjenja e përgjegjësisë për t’u dhënë fund vrasjeve politike dhe për të çelur një epokë të re në politikën shqiptare”. Grupimi “Dhjetori ‘90”, që prej krijimit të tij ka paraqitur dhe mbështetur kërkesën kryesore që është zbardhja e çështjes Hajdari dhe ndëshkimi i vrasësve të tij”. Mesa duket Grupimi i “Dhjetori 90” është i pakënaqur me gjykimin e deri tanishëm dhe kërkon një rihapje të dosjes së Azem Hajdarit. Grupi Dhejtori ‘90 ka ndërmarrë në ‘98 një sërë protestash për të nxitur gjetjen e autorëve të vrasjes së Azem Hajdarit dhe në atë kohë e kanë deklaruar si një atentat politik duke ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj krut të qeverisë së asaj kohe Fatos Nano.

Nëntë vjet nga atentati

Sot mbushen 9 vjet që prej atentatit mafioz ku humbi jetën një nga figurat më të njohura të Partisë Demokratike Azem Hajdari. I ndjeri Azem Hajdari ka qenë një nga falmurtarët e parë të levizjes studentore për përmbysjen e regjimit monist në Shqipëri. Deputet i Partisë Demokaratike për një kohë të gjatë ai është ekzekutuar mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998 pak metra larg selisë blu. Si pasojë e një kurthi të ngritur kundër tij ku është qëlluar me armë zjarri, ka humbur jetën pak orë më pas. Njëkohësisht ka vdekur truproja e tij Besim Çera, ndërsa Zenel Neza është plagosur rëndë. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2002 ka dekoruar Azem Hajdarin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Gjithashtu figura e Azem Hajdarit është nderuar edhe me Medaljen e Artë e Lidhjes së Prizrenit e cila është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj si dhe personaliteteve të botës shqiptare që kontribuojnë për mirëkuptim midis shqiptarëve dhe kombeve të tjera dhe për kontribut në të gjitha fushat e jetës në frymën e Lidhjes së Prizrenit. Shprehja e mirënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë dekorat është bërë nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Dosja “Hajdari”

Menjëherë pas vrasjes së Azem Hajdarit,deputetit të Partisë Demokratike në mesnatë PD ka lajmëruar një konferencë shtypi ku kreu i demokratëve Berisha ka deklaruar se "Azemin e vrau Nano dhe Sllobodani". Ministria e Rendit në atë kohë ka vënë në dispozicion të informacioneve të ngjarjes shumën 50-100 mijë dollarë amerikanë. Por ngjarjet për dosjen nuk u zhvilluan në këtë drejtim dhe nuk u mbështetën aspak në akuzat që lideri i selisë blu ngriti menjëherë pas vrasjes së deputetit dhe krahut të tij të djathtë Azem Hajdari. Procesi gjyqësor i ngritur për këtë çështje ka përfunduar më 29 prill 2002 dhe në përfundim të tij është dënuar me burgim të përjetshëm, Jaho Salihi i akuzuari kryesor për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari.Janë dënuar me 25 vjet Izet Haxhia, me 20 vjet burgim Ismet Haxhia, ndërsa vëllai tjetër Isamedini është dënuar vetëm me 2 vjet e gjysmë burg për armëmbajtje pa leje. Fatmir Meta është liruar në sallën e gjyqit. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora