E enjte, 18.04.2024, 09:00 AM (GMT+1)

Mendime

Gratë e burgosura: vetëm fajtore apo edhe viktima?

E merkure, 12.09.2007, 08:18 PM


Nga Silva Loka

Pothuajse të gjitha studimet e bëra në lidhje me gratë e burgosura kanë arritur në përfundimin se ka një lidhje shumë të fortë midis dhunës që këto gra kanë përjetuar në jetë dhe hyrjes së tyre në proceset kriminale gjyqësore si të pandehura. Në një panoramë të shkurtër do të mund të shikoni paralelet që ekzistojnë midis efekteve afat-gjata të ekspozimit të vazhdueshëm ndaj dhunës dhe arsyeve përse gratë burgosen, braktisin shtëpinë, ri-viktimizohen, bien pre e abuzimit me drogat dhe alkoolin si dhe kthehen në praktikueset më të shpeshta të prostitucionit.
Pasojat e abuzimit që lidhen me predispozitën për t’u burgosur në të ardhmen. Dhuna në familje është ndoshta forma më tipike dhe atipike e dhunës në të njëjtën kohë. është tipike sepse në të ka dhunues dhe të dhunuar, ka modele të caktuara të dhunës emocionale, fizike dhe seksuale ashtu sikurse në të gjitha mjediset dhe komunitetet e tjera ku ka dhunë. Nga ana tjetër, ajo që e bën atipike dhe të vështirë për t’u pranuar dhunën në familje është pikërisht lidhja midis ushtruesit të dhunës dhe pësuesit të saj.
Kush dhunon në familje? Cilido që ka një status të fortë ekonomik dhe social, një rol dhe status të caktuar në drejtimin e shtëpisë dhe ekonomisë së saj, kompetencë në vendimmarrje. Me pak fjalë, rëndom në familjet shqiptare, “burri i shtëpisë”. Kush dhunohet më shpesh? Cilido që është i dobët fizikisht dhe ekonomikisht, që nuk zotëron të drejta të plota për të qenë pjesë e dinamikës së familjes në të cilën bën pjesë. Me pak fjalë, rëndom në familjet shqiptare, gruaja dhe fëmijët.
Përvoja e gjatë në fushën e të drejtave të grave dhe fëmijëve më jep të drejtën të pyes: Si është e mundur që gratë ballafaqohen më shumë me ligjet e shtetit dhe shtrëngimet e tij në statusin e të pandehurës sesa të viktimës? Si shpjegohet fakti se me gjithë raportimet alarmante të nivelit të dhunës së ushtruar ndaj grave prej shumë organizatave që merren me çështje të tilla, gjyqësori shqiptar trajton më shumë çështje që përfundojnë më burgosjen e grave sesa çështje që të përfundojnë me penalizimin e burrave (apo grave të tjera)? Dhe nga sa më sipër, kuptohet qartë se nëse do të kishim më shumë çështje penale të raportimit të dhunës nga gratë dhe më shumë burra të penalizuar, ndoshta nuk do të kishim këto shifra në rritje të grave të burgosura pasi kanë kryer krime mbi familjarët e tyre dhunues. Gjithsesi, lidhja e mësipërme mbetet ende për t’u studiuar.
Ajo që dihet me siguri është fakti se ekziston një lidhje shumë e fortë dhe e drejtpërdrejtë midis dhunës së ushtruar dhe nevojës së individit të dhunuar për të dalë nga skema e dhunës. Dhe sigurisht që në kontekstin familjar e gjithë sa më sipër do të përkthehet në një familjar që dhunon një të afërm të tijin/ të sajin dhe më vonë ky i dhunuar që i kundërpërgjigjet dhunës me veprime agresive të rritura në intensitet dhe ashpërsi; Ç’ka do të thotë deri në vrasje.
Për të kuptuar më qartë mënyrën e mundshme sesi zhvillohet një cikël dhune në familjet e grave të burgosura do të shikojmë dy faktorë; gratë e burgosura si viktima të dhunës dhe agresore të së tashmes dhe efektet e dhunës në familje tek fëmijët,
Diçka për parantezë: në asnjë moment, asgjë e thënë në këtë artikull nuk duhet perceptuar si ç’fajësim i grave të dënuara dhe burgosura për vrasje apo gjithfarë krimi tjetër brenda familjes të kryer prej tyre. Ky artikull është një përpjekje më shumë për të kuptuar përse-në (nëse ka një të tillë) dhe për të parandaluar përfshirjen e grave në situata kriminale në familje në të ardhmen.
Nëse të abuzuara seksualisht qysh në fëmijëri, pasojat e zakonshme të këtij abuzimi tek gratë do të jenë abuzimi me alkoolin dhe drogat, depresioni, vet-dëmtimi fizik, idetë për të kryer vetëvrasje, çrregullime të vazhdueshme të marrëdhënieve me partnerët dhe hyrja në prostitucion. Nëse abuzimi vazhdon për një kohë të gjatë dhe me intensitet të rritur, pasojat negative që e shoqërojnë atë do të shumëfishohen.
Trauma në periudhat e hershme të zhvillimit ndërhyjnë në përqendrim, aftësitë e menaxhimit të shkollës dhe nga ana tjetër ndërhyn në mënyrë dramatike në vlerësimin e mjedisit dhe situatave dhe njerëzve që perceptohen si të rrezikshëm. Hipervigjilenca dhe alternimi i menjëhershëm i gjendjeve emocionale ekstreme mund t’iu bashkëngjiten mpirjes psikologjike depersonalizimit. Dëshira në rritje e këtyre femrave për t’u çliruar nga simptomat e traumës së shkaktuar nga abuzimi, i drejton ato drejt vet – kurimit me droga dhe alkool. Nga ana tjetër, kjo gjendje që pason hipermjekimin me medikamente të panjohura dhe alkool e lehtëson ndërmarrjen e sjelljeve të rrezikshme dhe vet –dëmtuese. Dhe ajo që e rëndon më shumë situatën është fakti se abuzime të tilla vet-shëruese bëhen në emër të jetës dhe dëshirës së madhe të këtyre rave për t’u ndjerë njësoj me gjithë gratë e tjera të botës.
Ka një moment i cili na detyron t’i rikthehemi skemës së mësipërme të abuzimit në fëmijëri dhe efekteve afatgjata të tij. Nëse nga sa më sipër, mund të arrihet të justifikohet qoftë edhe një e njëmijta e veprimit të dhunshëm që gratë e burgosura i ka sjellë brenda burgut (nëse konsiderojmë faktin se ato kanë qenë subjekt i dhunës në fëmijërinë e tyre), lind pyetja: Sa e dinë këto gra, partnerët e tyre dhe gjithë familjarët e tjerë se situata e tyre familjare prodhon pafund të njëjtat kushte ideale për të rritur fëmijë jo të shëndetshëm psikologjikisht, në mos më tepër, fëmijë të cilët janë potencialisht të burgosurit e ardhshëm? Dyshoj se e dinë këtë. Dyshoj se përpiqen në maksimum për të shmangur situata të dhunshme duke ditur sa më sipër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora