| Zemra Shqiptare | ||||
|
Vdes minatori, i kërkoi ministrit Ruli në zyrën e tij kushte pune E diel, 12-08-2007, 05:04pm (GMT) Sërish tragjedi në galeritë e minierës së Bulqizës. Ndahet nga jeta aksidentalisht Zaim Hysa, i cili punoi për 23 vjet në këtë profesion. Rrëfen Shkëlqim Fiku, dëshmitar në vendngjarje Nga i dërguari ynë BULQIZË – Para pak javësh i kërkonte ministrit Ruli kushte pune, ndërsa sot ai nuk jeton më, pikërisht për shkak se në galerinë ku nxirrte krom çdo ditë, i mungonin ato të cilat ia kërkonte ne ngulm firmës që e kishte punësuar dhe qeverisë. Ky është fati tragjik i minatorit Zaim Hysa, i cili vdiq dje aksidentalisht në një nga galeritë e minierës së Bulqizës. Minatori që ka ushtruar këtë profesion prej 23 vjetësh është goditur nga një masiv i gurtë kromi teksa po bënte kontrollin e përditshëm. Burime zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja tragjike u regjistrua të premten, në orën 10.30. Dëshmitari në vendngjarje, Shkëlqim Fiku, thotë se aksidenti tragjik ndodhi teksa minatori po kontrollonte zonën ku do të bëheshin gërmime dhe do të nxirrej mineral. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se vdekja e 43-vjeçarit Hysa erdhi për shkaqe aksidentale. DËSHMIA Më i pikëlluar nga të gjithë duket ortaku i Zaimit, Shkëlqim Fiku. I rrethuar nga minatorët e tjerë, ngushëllohet për vdekjen e shokut të tij të ngushtë. “Kurrë në jetën time nuk kisha provuar të më vdiste kolegu i punës në duar”, - thotë dëshmitari në vendngjarje. “U futëm si çdo ditë tjetër në minierë, nisëm të kontrollojmë frontin e punës, që realisht është i vështirë. Shembjet në çdo minierë janë të rrezikshme”, - thotë ai. Zaimi kishte një përvojë të gjatë në punë, mbi 23 vjet, si minator shëmbjeje. Sapo ai ka nisur të kontrollojë me levën e tij çatinë dhe “muret” anësore të shembjes, kur krejt papritur një masiv shkëmbor, i përbërë nga mineral kromi, ka rënë mbi kokën dhe trupin e Zaim Hysës. “Mbeta i shokuar”, - rrëfen Shkëlqimi, - “për pak sekonda nuk e kisha pranë kolegun tim të ngushtë”. Bërtita me sa zë që kisha, por minatorët e tjerë ishin larg frontit tonë të punës. Nisa të largoj me shpejtësi gurët e materialin prej inertesh nga trupi i Zaimit. Gati për pesë minuta e kam nxjerrë nga materiali trupin e kolegut tim”, - rrëfen Fiku. Pas pak minutash vijnë në ndihmë edhe minatorë të tjerë. “E marrim në krah, por ai kishte pësuar dëmtime të mëdha, sidomos në bark dhe në kokë. E gjetëm me frymë, por nuk fliste”, - thotë Shkëlqim Fiku, i cili pohon se “pa kaluar shumë metra nga dalja e minierës, jeta e tij u shua”. Aksidenti, vdesin në minierë dy minatorë Më 11 qershor të këtij viti, dy minatorë, banorë të Bulqizës, humbën jetën tragjikisht në thellësitë e pusit nr. 5. Burime të sigurta informacioni sqarojnë se Avni Duriçi e Hysen Lezi, përkatësisht 49 e 35 vjeç, në përpjekje për të siguruar mbijetesën e familjes, kanë humbur jetën teksa realizonin shpërthimin e minave në fund të turnit të punës. Një minator, që i ka shpëtuar për mrekulli vdekjes, ka treguar se Duriçi kishte përgatitur eksplozivin dhe fitilin e dinamitit për të realizuar shpërthimin e radhës, mirëpo besohet se një shpërthim i papritur ka ndodhur. Shpërthimi ka qenë vdekjeprurës për dy minatorët e Bulqizës. Menjëherë pas ngjarjes nisën hetimet, ndërsa kanë përfunduar në pranga dy inxhinierë, përgjegjës teknikë për punimet në minierë. Kjo ngjarje përkoi edhe me protestën e 660 minatorëve, të cilët kërkonin rritje page dhe kushte pune. Ndërsa përfituan shtesë në paga, kushtet në frontet e punës nuk kanë ndryshuar shumë. Albania
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||