| Zemra Shqiptare | ||||
|
Saranda dhe Belek, dy qytete me bukuri përrallore përballë njëri-tjetrit E enjte, 09-08-2007, 05:27pm (GMT) Misteret e vendeve turistike...
Këto qytete ofrojnë dhe një numër të madh shërbimesh, hotelesh e restorantesh dhe vihet re nga viti në vit tërheqja e vëmendjes së turistëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj. Këtë numër ne kemi vendosur të rrëfejmë historinë e dy qyteteve bregdetare, një shqiptare dhe një të huaj. Saranda është qytet që ndodhet në Shqipërinë jugore, i vendosur në bregun e detit Jon, përballë ishullit të njohur grek të Korfuzit. Ky qytet është i vendosur në një shpat mali. Saranda ndodhet rreth 300 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Përkohësisht mjeti i vetëm i udhëtimit për në Sarandë janë automjetet. Transporti detar i Sarandës e lidh qytetin vetëm me qytetet greke të Korfuzit dhe Igumenicës. Është projektuar ndërtimi i aeroportit të qytetit në fshatin Vrion, 1 km larg tij. Emërtimi i këtij qyteti në kohët antike ka qenë quajtur Onhezmi. Arkitektura e vjetër është shkatërruar në shekullin e V-të nga pushtimet barbare. Saranda ofron shumë hapësira për zhvillimin e industrisë së turizmit.
Larmia jo e vogël e aktiviteteve kulturore gjatë gjithë vitit, siç është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në qytetin e Butrintit, konkurse të ndryshme për miss-e, koncerte etj. Ato plotësojnë më së miri kohën e lirë të pushuesit dhe i japin mundësi të angazhohet me aktivitete serioze kulturore. Nuk duhet harruar larmia e zonave etnografike e kulturore. Gjithë kjo pasuri mundet të bëhet e njohur dhe të krijojë variacione për zhvillimin e turizmit kulturor. Turizmi në Sarandë përshkon një vijë të gjatë të bregdetit, duke vijuar nga Saranda në Himarë. Sepse pa dyshim Butrinti, si një qendër arkeologjike e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është sipas të gjitha standardeve një vend veçanërisht i bukur, me një magji karakteristike të antikitetit. Asgjë e ngjashme nuk ekziston në Korfuz. Shumë shpejt, me hapjen e superstradës që do të lidhë Butrintin me Igumenicën nëpërmjet Konispolit, numri i turisteve do vijë në rritje, duke arritur ndoshta deri në 200 000 rreth vitit 2010. Belek, zbulim i vonshëm natyror…
Zona ka 32 hotele me 5 yje dhe fshatra turistik të klasit të parë, si dhe 5 kurse golfi. Të gjitha lehtësirat që janë emërtuar si të klasit të parë, krijojnë një atmosferë ideale për familjet dhe ofrojnë mundësi dhe shërbime të shumta, që kanë për qëllim të kënaqin turistët. Të gjitha ambientet ndihmëse kanë fusha tenisi, pishina në ambientet e brendshme dhe te jashtme, qendra shëndeti dhe fitnesi të kompletuara, kënde lojërash dhe shumë mundësi të tjera. Punonjësit e hoteleve të Belekut ndihen krenarë që Beleku është tashmë fytyra e re e turizmit në Turqi. Pushime dhe ture, kjo është zgjedhja e një pjese tjetër turistësh, të cilët nuk duan thjesht të argëtohen, por edhe të vizitojnë e të mësojnë për vende të ndryshme, duke përfituar nga koha e pushimeve. Por edhe pushimet aktive janë gjithnjë e më të preferuara. Pushime ku përfshihesh në lojëra e aktivitete të ndryshme sportive e muzikore. Në shumicën e rasteve, aktivitetet janë të përfshira në çmimet e pushimeve. Por mundësitë janë të shumta dhe një pjesë edhe me pagesë ekstra. Për shembull, nëse zgjedh pushime në një hotel ku ka fushë golfi, mund të përfitosh nga rasti për të ndjekur kurse të këtij sporti elitar. Nëse nga zhytja nuk ke fare haber, mjaft të zgjedhësh një hotel ku të ofrohet kursi i zhytjeve. Fitnesi dhe sauna ofrohen pothuajse në të gjithë hotelet. Fitnesi falas, domethënë i përfshirë në çmimin e pushimeve, ndërsa sauna përgjithësisht me pagesë.
Sportet ujore kolektive gjithashtu nuk mungojnë në rastet e udhëtimeve të organizuara në grup, por edhe për pushues individualë që bashkohen me miq të rastësishëm plazhi. Nga ana tjetër ka edhe komplekse vilash e hotelesh të veçuara për ata që duan të bëjnë pushime më të qeta, zakonisht në çift. Oferta të tilla janë më të kushtueshme, por ofrojnë më shumë intimitet dhe ambiente romantike. Leontina Nika
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||