| Zemra Shqiptare | ||||
|
Memaliaj, Njerëzit rikthehen në qytet E shtune, 02-02-2008, 11:52pm (GMT1) Shkruan : Ben Andoni
Memaliaj Bash aty, pas një kthese, është kryeqyteti i minatorëve të jugut. Memaliaj i shmanget rrugës nacionale, por pak dyqane në hyrje të tij dhe ndërtimet që kanë zbritur deri më aty, e kanë derdhur qytetin në fushën e gjerë. Është i kotur. Prezantimi i parë me qytetin, nga kthesa, është zhgënjyes. Njerëz në rrugë; pak dyqane dhe tollovi...Tutje, Z.Bodeci është duke u marrë me disa nga ankimet e para. Dikujt i duhet punë. Dikush ka siklet... Dikur Qyteti i Memaliajit është krijuar më 1946 si qendër industriale për prodhimin dhe shfrytëzimin e mineralit të qymyrgurit, por në literaturë lexojmë se: vëmendja për këtë zonë të pasur kishte lindur në vitet ‘30 me ekspeditat e ndryshme të specialistëve italianë. Qyteti u bë hijerëndë në kohën e socializmit, sepse ishte një nga qendrat prodhuese më kryesore të vendit. Në vitin 1990, ajo arriti kapacitetin e prodhimit 500.000 tonë në vit. Qymyret e Memaliajit radhiteshin në qymyret e para për fuqinë kalorifike me vleftë 4500-4700. Por ishte fundi. Tani kishte ardhur koha e tatëpjetës. Të 4500 minatorët i duhet të mendonin tash për një jetë tjetër, jashtë minierës. Njësoj, sikur s’ishin u shuan të gjitha. Tani do provonin mbi tokë kapitalizmin. Qyteti, që dikur kishte atë jetë aktive kulturore dhe sportive, tash u mbyll. Kinemaja e vetme nuk funksiononte, ndërsa ekipi i futbollit i duhet të luftonte në kategoritë shumë inferiore. Si për ironi të fatit, nga qyteti dolën dy nga futbollistët shqiptarë më të njohur të gjithë kohërave. Portieri i përfaqësueses së viteve ’90-’00, Foto Strakosha dhe mbrojtësi i përfaqësueses dhe kapiteni i ‘Dinamos’ së viteve ’80, Mujo Targaj. Këtyre iu shtuan dy aktorë që debutuan me sukses në fushën e aktrimit, Agron Llakaj dhe Mehdi Malkaj. Llakaj një nga personazhet e njohur të show humoristik, e përmend shpesh në grotesk e nostalgji vendlindjen e tij, në kohën e saj të mirë. Këta janë dhe qytetarët e parë të nderit të vendit. Nderi i një qyteti gati të shuar pas viteve të demokracisë. Ndryshimi Në këtë ringritje, kryetari i ri i bashkisë është duke u përpjekur që me ndihmën e historianëve vendas të gjejë një datë fikse për qytetin dhe të bëjë një 60-vjetor... Ndaj nxitet. Jemi lidhur vetëm 24 orë përpara me këtë burrë simpatik. Kur mbërrijmë, sikur të njihemi prej kohësh, na bën me shenjë të presim pak. Bashkia e Memaliajit është në një nga godinat e zakonshme të qytetit, por bash e ftohtë. Godinat e tjera të sjellin të gjallë socializmin. Nga dritaret e bashkisë, qyteti i ngjan më shumë një fshati të madh. Njerëz, të pakët, që baresin të qetë. Klima e mrekullueshme dhe dielli i këndshëm i dimrit u lodron në fytyra. Në krye të shkallëve është një shënim “Mos pini duhan”. Njerëzit, që janë poshtë shkallëve, tymosin të patrazuar. Ndërsa një polic, ndoshta i shërbimit, pa kapele- e pi fare më qetësisht. Bodeci e ka gjetur me vështirësi xhepin e tij të lirë të kohës. Një i njohur, nga përtej telefonit, i thotë se ka vdekur dikush në qytet dhe duhet të bëjnë adetin. Një dikush tjetër i troket. Për fat, nuk mban distancë. Është i thjeshtë dhe në pak minuta të flet qetazi për qytetin. Biokimist me profesion, e di se gjërat kanë një masë të caktuar. Ndaj nuk e tepron. Ka një bashki, që i duhet ta ngjallë nga letargjia e rëndë. E di se nuk menaxhon Korçën, Gjirokastrën apo ndonjë qytet tjetër nam-madh, por thjesht Memaliajin, që i kanë firuar 40% e njerëzve. Jo vetëm në emigracion, por edhe në qytetet e tjera. Tash ka hequr një shall të kuq, që e mbështjell, për të na pozuar për foto. Është nga Luzati i Tepelenës, një nga fshatrat më me histori në rreth. Më saktë familja e tij ka rënë që andej, ndërsa ai është i lindur në këtë qytet, ndaj si slogan në fushatë përdori: “Ky është qyteti, ku unë dua të jetoj”. I biri ishte një nga njerëzit e shtabit të tij, që u kërkonte votat qytetarëve. “Është baba i mirë dhe na besoni”, u thoshte vogëlushi. Të tjerat Në qytetin ku jetohet tash ka vetëm shumë të rinj dhe shumë pleq. Duket si një azil i madh, por i paqtë. Pensionistët, në një klub jo shumë larg qendrës së qytetit, luajnë shah dhe domino. Të gjithë me trikuarte të zeza dhe me kasketa. Fliten të gjitha dialektet, nga kanë ardhur. Pak minuta më pas jemi në kapjen e frymës së qytetit. “Nuk jam për t’u shitur”, më qesëndis një plakë, që orvatem gati i ulur në gjunjë për ta fotografuar. Është miqësore. Sërish e kapin Pëllumbin. Në qytet baresin të patrazuar të rinj dhe ka pafund pensionistë. Shumë syresh i shikon me gazetat e sportit duke vënë llotot. Duken si të veshur njësoj. Janë kaq shumë të papunë, i themi kryetarit. “Për shkak të mbylljes së minierës”, përgjigjet. Por, nuk ka qenë vetëm kjo vështirësia e Pëllumbit. Qyteti ka qenë shumë i rënduar dhe nga administrimi jo i mirë. “Në sektorin komunal ka munguar fare pastrimi. Me marrjen e detyrës dhe me konstruktimin e ndërmarrjes komunale, pastrimi është tani cilësor. Pastrimi dhe gjelbërimi kanë qenë të tenderuar. Ishin dy firma private që nuk kanë punuar mirë dhe kanë abuzuar. Por duke kaluar në varësi të bashkisë, më 18 nëntor të këtij viti, me propozimin tim, këshilli i bashkisë e prishi kontratën me ta dhe ne e kaluam tashmë në sektorin komunal”... Sërish kryetarin ‘e bezdisin’. Qyteti Në qendër të qytetit, atje ku mendohet të vihet një përmendore, është një burrë, që duket se qëndron si taksi dhe një miku i tij berber. Bëjmë foto. Ky i fundit ka njerëz në Amerikë, ndërsa vetë shullohet para dyqanit. Më ankohen bashkërisht. Është varfër dhe në këtë vend nuk ke se çfarë të bësh. Refren i përbashkët. Gjithsesi duket se së bashku e kanë një shpresë?! Janë të dy të shëndetshëm, edhe pse me kalkulimet e tyre ditore, nuk më del asgjë. Si dy pika uji, ky realitet, të ndodh me të tjerë në Shqipëri. Justifikimi: A jetohet këtu! Shikoni sa kushtojnë banesat! Shtëpitë 1+1 apartament kushtojnë 4 milionë deri 7 milionë (të vjetra). Kurse një hyrje 2+1 ap. kushton deri 10 milionë. Në fakt mbetur veçuar nuk është e lehtë për ta. Janë të papunë 25% e fuqisë punëtore në qytet, më kanë shpjeguar. Por nuk mbaron këtu. Të rinjtë ikin, ndërsa tregu vendas është shumë i brishtë. Qyteti ka pasur shumë vështirësi në përballje me këtë realitet. Problemi i vetëm i këtij vendi është punësimi. Të punësuarit e vetëm janë në shkollën e mesme (460 nxënës) dhe në dy shkollat nëntëvjeçare (që kanë gati 680 nxënës), pastaj shëndetësi, shërbime. Janë 87 mësues; është një personel në një qendër model shëndetësore me 40 punonjës. “Janë dhe sektorët e tjerë Telekomi dhe posta që kanë një numër të vogël”, shton një inxhinier. “Pjesa tjetër vjen nga emigracioni. Në kuptimin e plotë është rritur dëshira e Memaliajit që të hapin biznese. Në këtë kontekst presim një bashkëpunim me një biznesmen vendas me një firmë greke të hapi një rrobaqepësi, e cila mund të punësojë deri në 70-100 njerëz. Këtu do jetë krahu i punës dhe do krijohen kushte, ndërsa investimi nga investitori... kurse për investime... Sot për sot ka iniciativa private si tregtia, zdrukthëtaria, bare, pjesë mekanike që kanë punësuar pak”, shpjegon Pëllumbi. A mjaftojnë këto? Por qyteti nuk ka kirurgë, ndërsa mjekët specialistë, neurologu, patologu, gjithsesi dhe qendra model nuk janë aq shumë për qytetin. Kryetari po bën luftë që banorët e tij mos të ikin në Tepelenë për ekografinë, skopitë apo analizat. Ka folur për një TEC, sepse janë ende burimet e qymyrgurit të qytetit. Shpreson që të sistemojë Vjosën, për të bërë një plazh, që të jetë i frekuentuar në sezonin e verës. Nuk mundet të humbet klima e mrekullueshme mesdhetare, ku nuk ndjen as të ftohtin e madh, por as të nxehtin. Memaliaj përshkohet në tre anët me Vjosën. Është një si gadishull, ku kryetari po mundohet të bëjë mjedise çlodhëse. “Unë premtova t’i sjell dinjitetin qytetit, duke i dhënë oksigjenin atij që të bëhet qytet si të tjerët. Këtu më shumë ikin sesa vinë”, shprehet një moment i trishtuar. E dimë se është e vështirë. Nuk fluturon. Ndihma e kërkuar ndaj Ministrisë së Kulturës për pajisjet e kinemasë vazhdon të mungojë, më thotë një moment. Ka premtuar gjatë fushatës që qytetit t’i kthehet dinjiteti dhe gjallëria. Dhe ata qytetarë që janë larguar në vende të ndryshme, ka parë se po kthehen në këtë qytet dhe nuk i shesin më shtëpitë, por kanë filluar t’i rregullojnë. Këtu ndahemi. Ai kthehet. Por i duhet të shkojë dhe në funeralin e një qytetari, më parë. Ikim në dy drejtime të kundërta. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||