| Zemra Shqiptare | ||||
|
Oriku, Qyteti i gdhendur në shkëmb E diel, 13-01-2008, 07:18pm (GMT) Shkruan : Ben Andoni - Mapo
Dikur Çezari u nis nga Brindizi me 30,000 ushtarë në anije transporti, për të kaluar Adriatikun në anën e ngushtë. Për fat brenda një dite e gjithë flota e kaloi Otranton, ndihmuar nga një erë fatlume. Ai zbarkoi më 5 janar të vitit 48 p.Kr. në një breg të quajtur Paleste në tokën e fisit Kaon të Germinëve. Pa humbur kohë, Çezari u nis në krye të ushtrisë për në Orik, duke iu ngjitur gjatë natës malit “nëpër një shteg të ngushtë dhe të vështirë”. Pranë qafës së Llogorasë, barinjtë vendas edhe sot tregojnë një shesh që quhet qafa e Qezarit... Në mëngjes, ushtria e tij, u shfaq para mureve të kështjellës së Orikut, e cila mbrohej nga një garnizon i përbërë nga ushtarë parthinë dhe banorë vendas, të komanduar nga oficeri i Pompeut, Luc Torkuati. Njësoj si ne, në këtë qerthull, nxitet të ecë dhe shoferi ynë. Ka dëgjuar Orikumin, por asgjë më shumë. Kohë më parë i jemi afruar njëherë së bashku nga Kisha e Marmiroit. Nga tutje, nëpër ca vende të zhveshura, gjurmët e Orikumit kanë qenë të pakta. Rrugës së pakët nga nëndetëset, në qendër të Pashait, shkëmbejmë me Adnandin historitë tona. Shumë herë nuk përkojnë. Diku afër Palasës zbarkoi Çezari në luftërat civilo romake. Njeriu, që e bëri të njohur në kujtime këtë qytet. Por sot, qyteti brenda kësaj zonë ushtarake nuk thotë shumë. Pak njohuritë që shkëmbejmë me Adnandin na mjaftojnë që të orientohemi për simbiozën e qytetit me bazën. Kalojmë disa magazina, ndërsa mjerimi i Pasha Limanit, duket në zbrazëtinë e pamëshirshme të mjediseve dhe në mungesën e personelit. Duket se koha ka fashitur gjithçka. Këtu ka qenë kjo..., vazhdon oficeri, ndërsa me shumë kujdes mundohet të na tregojë disa mina të vjetra dhe ndërtesa që janë shkrumbuar nga viti i tmerrshëm i vitit 1997. Derisa shfaqet ai. Qyteti antik i Orikumit gjendet në fund të gjirit të Vlorës, pranë portit të sotëm të ushtarak të Orikumit. Tradicionalisht mbahet si qendër e themeluar nga kolonialistët Eubeas, që u kthyen nga lufta e Trojës, por në të vërtetë duhet të jetë themeluar nga Apolonia për të kontrolluar guroret e Akrokerauneve, thuhet në literaturën historike. Prej tyre merreshin blloqet gëlqerore dhe kolonat për ndërtimet monumentale. Më e madhja është gurorja e Gramës, në bregun perëndimor të gadishullit të Karaburunit, ku detarët që strehoheshin gjatë shtrëngatave, kanë skalitur dhe mijëra mbishkrime. Vetë qyteti Por ndërsa gjendemi në qytet, ai është zhgënjyes me fotot, që kemi parë. Ngrihet mbi një kodër të ulët shkëmbore, e cila kontrollonte dikur kanalin, që lidhte detin me lagunën. Vëzhgimet dhe kërkimet arkeologjike kanë vërtetuar qenien e një muri rrethues, i cili përmendet edhe nga Çezari. Monumenti më i njohur është teatri, i cili është hapur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1958. Shkallaret e tij janë gdhendur në shkëmb, ndërsa orkestra me diametër 10 metra, përbën një rindërtim të periudhës romake. Aty përveç shfaqjeve teatrale zhvilloheshin dhe ndeshje me gladiatorë. Këta ta tregon pareti i lartë i saj. Ka kullesa të mira. Përpara teatrit është gërmuar dhe një altar, i cili lidhet me një tempull ende të pazbuluar, duke lënë të kuptohet se aty shtrihej agoraja e qytetit. Fshatarët Era nuk i bezdis ata. Madje, më mirë nga të gjithë e kanë gjetur fshatarët. Disa bagëti i kanë lënë që të kullosin në atë që dikur ka qenë qyteti i famshëm. Nuk i trazon askush. “I kemi lënë fshatarët, janë pjesë e bazës. Kanë qenë dhe do të jenë. Kjo bazë ka qenë njësoj si shtëpia për ta, më sqaron ushtaraku, duke justifikuar lirinë e tyre. Në fakt, kujtimi më i kaluar për bazën ka qenë kur bariu, që e interpreton Kadri Roshi, i thotë një fshatari tjetër në filmin “Ballë për Ballë”, se po na marrin bazën. Për sa i përket ushtarëve, ata janë gjithmonë zhgënjyes për emrin e bazës. Kafshët që baresin tutje na hedhin sytë. Janë të vendosura tutje shkallareve dhe kullosin të patrazuara. Duket si një vend mitik. Kullosin pa bari. Diku duhet të jetë dhe ai, bariu, mbase tutje rrethimit. Por kafshët, që mund t’i shkojnë më shumë një kurbani në teatrin e qytetit, nuk trazohen. Ndoshta një shpresë e madhe e banorëve do të jetë kur qyteti antik t’i shpëtojë rrethimit të bazës, një përpjekje që tash janë duke e bërë instancat shqiptare të turizmi, për t’i shtuar atraksioneve të tyre dhe një pikë. Por ka kohë, që flitet dhe deri më tash asgjë. “Do të bëhet”, më thotë oficeri, që tash nxiton vërtetë. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||