| Zemra Shqiptare | ||||
|
Kruja 2007... Qyteti që jeton me gëlqere dhe suvenire E marte, 18-12-2007, 10:17pm (GMT) Shkruan: Ben Andoni
Zyrtarët Ndaj, ka bërë spastrime. Ka gjetur shumë punonjës me diplomë false. “Kam trashëguar 86 punonjës... dhe strukturën e fryrë e kam rrudhur në 76. Kam hequr të paaftët”. Si i dallon? - e pyesim. “Po nuk mbajtën ritmin, atëherë i heq”. Frazë, që me kadencë të ndryshme, e kemi dëgjuar nga dy krahët e politikës. Ky është i PD-së. Ka filluar hartim projektesh. Dhe, pretendon se do të rregullojë shumë. Do disiplinojë përrenjtë, që rrjedhin nga malet (qyteti sërish nuk ka ujë të rrjedhshëm, por nuk qahen?!); do rregullojë turizmin; do e bëjë Krujën një qytet më atraktiv. A qëndrojnë një ditë të plotë turistët këtu? - e pyesim. “Jo, ...edhe qëndrojnë”. Stepet. Çfarë tërheqjesh ka në këtë qytet, - e pyesim sërish. Ka katër hotele. Për njërin nuk i kujtohen yjet. Nuk ka kinema. Shfaqje?! Pas muzeut të kalasë, etnografikut, kalasë... këtu mund të rrish kot. Kinemaja në qytet është djegur. Duhet të kesh interesin e Durhamit, që të qëndrosh në Krujë. M.T. sapo ka dalë nga dera e shitores së tij në Pazar dhe përcjell kapriçion e motit. Është ftohtë, por mungesa e dritave e bën të ftohtin që të jetohet dy-trefish më keq. Jep e merr me dikë në dyqanet përbri. Nuk kanë shumë punë në të ftohtë. Por ka Zoti. Nga mesdita do mbërrijnë turistët e parë. Në fillim të habitur me ndërtimet në qytet... pastaj drejt Pazarit... Ka shumë treg te banesat, vazhdon shpjegimin kryetari. Banorët jetojnë jo keq. Është rritur çmimi i tregut të banesave 450 Euro metri katror. Ajo që dihet për Krujën është se tregtia e gëlqeres dhe guri, dhe tregu i suvenireve, është mekanizmi që e vë në lëvizje stomakun e qytetit. Ka pak hapësira të gjelbra, si në të gjitha qytetet. Më përmend zëri monoton i kryetarit, që tashmë është fiksuar te blloku me kapak të errët. “Borxhi në vite që kam trashëguar është 140 milionë lekë, ndërsa buxheti i këtij viti është 374 milionë lekë... 48% e saj e kam marrë që në tremujorin e parë”. Ku je fokusuar, e pyesim? “Puna ime konsiston në katër faza... e para -njohja me aparatin... Faza e dytë ishte miratimi. Kam kërkuar shtesë që të shkojë më 400 milionë lekë... I kam kërkuar kryeministrit hartimin e projekteve të mëdha ose afatgjata të efektshme. Kam bërë projekte për rrugët, mirëmbajtjen, riparime totale, shkolla dhe çerdhe... Ngaqë po nuk pate projekte nuk ke sesi të punosh”. Qëndron. Ka ftuar urbanistë krutanë kudo që janë, ekonomistë të zotë. Me ndihmën e SOROS dhe AMC po mendon për sheshin qendror, ku qëndron ekuestri i Paços kushtuar Skënderbeut dhe rrugën deri në Kala. Duket se Kruja po ndryshon me fjalën e tij, sakaq. Ngadalë zyra është mbushur dhe me njerëz të tjerë. Kurse suksesin e vërtetë e ka sepse: me ndihmën e të gjithë biznesmenëve vendas do të investohet për fushën e futbollit... me impiantet. Ndaj Kastrioti sot, luan në Elbasan. Është krenar, sepse e gjithë Kruja mendon vetëm për futbollin, që kur ekipi i tyre është në Superligën e kampionatit të futbollit. Drejtori i “Qemal Stafës” u ka premtuar ulëset. Burrat, që tash janë bërë bajagi shumë në zyrë, e kanë humbur durimin. Janë bërë shumë syresh dhe në zyrë hynë pa shumë siklet edhe të tjerë... I kërkoj leje që t’i bëj një foto. Merr pozicion. “Sa mirë që ke pikturën e Spiro Xegës, - i them. Nuk orientohet. Nuk e di. Pozon i bindur. Ia vlen të jetosh në Krujë! “Vetëm këtë vit kanë ardhur 120.000 turistë...”, thotë kryetari i kënaqur. Por, për të zgjidhur problemin e 110 familjeve të pastreha, punësimit, duket se e ka vështirë të japë përgjigje të shpejta. Buxheti?! M.T., më në fund ka gjetur një myshteri të mirë. E ka pikasur, që sapo ka marrë rrugën në Pazar. E ka ndjellë me një vështrim dhe së bashku janë zhytur në një biznes. Kaq. Kryetarit i duhet të ikë, ndërsa ngadalë në zyrën e tij janë bërë bajagi burra. Tarafi i kryetarit, ndjehet si në zyrën e vet dhe i lejon vetes dhe të shikojnë me qesëndi. Njëri syresh që mton se ka qenë gazetar i ZP-së, fillon e bën kompetentin. Largohemi bashkërisht dhe në fund kryetari bën zakonin e mikpritësit me fjalë. Do të sajdisja, por duhet me ik me pa Kastriotin. Ka të ngjarë që as barazimin mos të merrni, - i themi. “E parashikoke ti,- ma pret me tallje një i fortë. Për gazetarët nuk u hyn shumë në punë. Ndahemi. Në një të ftohtë të hidhur, burri e ngre sërish traun. Pak minuta më vonë stacioni është në Pazar për të përfunduar si të gjithë drejt Kalasë... Kruja Pak metra më tutje nga Bashkia, por që me makinë duken shumë prej rrugëve të ngushta, shkon në kala. Ndërtohet përreth. Kush vjen këtu? Zbresin nga malësia e Krujës, por që të jenë ata prenotuesit e këtyre shtëpive, nuk besojmë. Ka shumë të ardhur, por edhe vetë krutanët punojnë, më thotë F.G., që vetë ka ardhur nga Tirana. Po rreket të marrë ndonjë dyqan në Pazarin e qytetit. Ky i fundit është atje ku ka qenë prej dhjetëra, ose mbase më shumë vitesh... Është ndërtuar pranë kalasë, aty ku tradicionalisht lidhej dhe me qytetin. Si zgjidhje kompozicionale dhe si mënyrë ndërtimi përfaqëson tipat më të vjetër të pazareve mesjetare. Bash në fillim të tij, kur fillon ulja takoj M.T. “Mund të futesh” - më thotë. “Mos ki siklet. Nuk ke pse të blesh doemos”. Del më i këndshëm sesa e mendoj dhe me një filozofi të thjeshtë. “Jam nga ata që kënaqem me pak. Ma ka lënë plaku këtë amanet”, më sqaron. I ka vjedhur zanatin një njeriu në Shijak. “I jam mirënjohës atij, që i dha kuptim jetës...”. Kujt? - e pyesim. “Që atëherë fillova punë në artistike dhe nuk i jam ndarë. Këto shishet i bëj vetëm unë në Shqipëri dhe askush tjetër”. Përgatit shishet e konjakut, duke i veshur me një si tip allçie ose druri. I bën bashkë me gotat dhe i shet. Nuk e pranon logjikën e të tjerëve që ankohen. Por, këtu, të gjithë funksionojnë ndryshe. Dyqanet-punishte janë të vendosura në formë vargu të gjatë përngjitur dhe karshi me njëra-tjetrën, duke lënë në mes një rrugicë të ngushtë, ku lëvizin blerësit. Rrugica është e shtruar me kalldrëm dhe ka në mes kunetën për largimin e ujërave të shiut, që rrjedhin nga strehët e gjëra të dyqaneve. Dyqanet më të vjetra mbylleshin në pjesën ballore me dërrasa të vendosura vertikalisht taraba) ndërsa më vonë u përdorën qepenat prej druri, të cilat duke u hapur krijonin një strehë të dytë sipër dhe një lloj banaku për ekspozimin e mallit. “Nuk ka punë fare dhe e shtyjmë kot,- më thotë një djalë mes relikeve pa fund”. Me çiltërsi më shpjegon se shumicën e tyre as nuk e njeh fare. Dhe, as i hyn në punë. Kruja nga kalaja ...Rruga që të dërgon në kala është ende e parregulluar, edhe pse në fakt, tre punëtorë janë duke punuar me kalldrëmin. Një kazan i qarkuar me plehra të pret shumë afër portës kryesore të kalasë. Kurse qyteti është përhimosur nga i ftohti. Kruja nuk të ngjall asgjë nga kalaja, veç xhamisë, që tashmë i falet te këmbët. Islami e ka mposhtur Akçahisarin (kështjellë e bardhë). E ndërtuar në shpatin e malit me të njëjtin emër me lartësi 604 metra mbi nivelin e detit, qyteti mbart një histori shumë interesante. Mund të jetë vazhdë e Zgërdheshit (Albanapolis), por me një mbrojtje natyrore më të fuqishme. Një varrezë e zbuluar në qytet e tregon qytetin dhe në shekullin e VI-VII (i përket kulturës së Komanit). Në vitin 879, Kruja përmendet si qendër episkopate. Në qytet kanë qenë Manuel i I Komneni, Progoni, despoti Mihal II , pas tij Anzhuinët, përsëri bizantinët. Androniku II Paleologu, u njeh banorëve privilegjet e vjetra dhe u shton dhe të reja, Filipi i Tarentit, 17 vjet Stefan Dushani, pastaj Karl Topia. Venecianët, dhe më 1415 pushtohet nga turqit. Vjen Skënderbeu dhe sërish turqit... Por, shenjat e gjithë këtyre janë pak veç fazave të ndërtuara në kala. Kurse socializmi, duket se i ka përmbysur të gjitha rendet arkitektonikë. Madje, në pallate ka një element të stilizuar shqiponje dhe një uniformitet i frikshëm. E vetmja gjë që të pëlqen është se kryetari i bashkisë ka vendosur të rregullojë dhiaren, që të ngjit në Sari Salltëk. Është teqeja e njohur në kuotën e 1240 metrave, sipër qytetit. Drejtori i muzeut më shpjegon sesa mirë punohet në muzeun e tij, ndërsa ciceroni i Etnografikut, në një ngushticë objektesh - më flet për traditën vendase. Në kallkanin, që na ndjek, na shkëlqejnë të dyve vetëm sytë. Koncepti ka mbetur ai i vjetri. Bustet e personazheve të Skënderbeut, por edhe koncepti muzeor në përgjithësi është i vjetër. Vetëm se drejtorin, një rreze optimizmi e përshkon shpesh të tërin. Sa do t’ia dalë?! Këtë vështirë ta kuptosh. Ai ka shpresë, sepse vetëm atje ka drita dhe të gjithë turistët në Shqipëri, duhet të shkojnë atje. Kalaja e Krujës Kalaja e Krujës ngrihet mbi majën e kodrës më të lartë të qytetit, e cila ndahet nga një hon i thellë prej malit të Sari Salltëk. Nga periudhat më të vjetra ruhen vetëm pak gjurmë. Muret me gjatësi rreth 800 metra rrethojnë një sipërfaqe të çrregullt, që kufizohet shpesh nga rrëzime të thikta shkëmbore. Nga mbetjet arkitektonike më të rëndësishme vlen të përmendet kështjella në pjesën më të lartë të kodrës shkëmbore, prej të cilëve ruhet një kullë bizantine 16 metra e lartë, e cila më vonë në shekullin XVII dhe XVIII është përdorur si kullë sahati. Në vitin 452, Skënderbeu rifortifikoi hyrjen kryesore në mënyrën më të përparuar të kohës, duke e përshtatur kundër artilerisë, që në atë kohë ishte shumë e përmirësuar. Një nga pjesët e vjetra më interesante të kështjellës është edhe fortifikimi i krojeve në pjesën jugperëndimore. Këtu kemi të bëjmë me një mur të dyfishtë mbrojtur nga tri kulla, i cili rrethonte një burim natyror në rrëzë të mureve të kalasë, si edhe një portë që të dërgonte nga brenda qytetit te burimi. Kjo e fundit përshkon një tunel relativisht të gjatë nën një kullë rrethore. Në rast shkatërrimi të mureve mbrojtëse të burimit, uji sigurohej nga një pus brenda rrethimit kryesor. Ndaj, gjatë rrethimeve, Kruja nuk vuante nga uji... Muzeu Etnografik Ndodhet brenda mureve rrethuese të kalasë dhe paraqet interes të veçantë tipologjik. Ajo është e tipit me çardak, e variantit me një krah dhe datohet rreth 1764. I përkiste dikur Toptanasve. Këtu çardaku është i mbyllur me një perde të hollë dërrase, që përmban dy radhë dritaresh. Interieri i dhomës së miqve përmban një dekoracion tepër të pasur. Banesa e pajisur me hamam, përbën një dukuri të rrallë me këtë nivel realizimi.. Teqeja Teqeja e Baba Mustafa Dollmës ngrihet brenda kalasë. Vëllimi prizmatik i faltores mbulohet me kupolë sferike mbi trompa këndore. Interieri përmban piktura murale në teknikën e afreskut me vlera artistike. Pikturat janë realizuar në dy periudha të ndryshme: piktura e mihrabit është e 1779, ndërsa ajo e kupolës rreth 1807 MAPO
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||