| Zemra Shqiptare | ||||
|
Në Kolkondasin e Shën Kozmait E shtune, 15-12-2007, 11:33pm (GMT1) Shkruan : Ben Andoni
Nëpër Myzeqe E falënderojmë. Vetëm se dyshimi nuk na ndahet. Thëniet e njerëzve në Shqipëri shpesh të ngatërrojnë. Kurse, murgu Kozma, që udhëtonte 200 vjet të shkuara këtu, ishte i vendosur për fjalën e Ungjillit. I kishte parathënë të ardhmen tepelenasit të madh dhe e ndjente se kishte kartën e bardhë: Do të bëhesh pasha i madh, do të zgjerosh shumë kufijtë e pashallëkut tënd dhe do të shkosh me mjekër të kuqe në Stamboll, i tha Ali Pashës, duke parashikuar gjithçka. Sot ikën qetësisht, por rrugës duhet të pyesësh sërish. Nuk ka tabela. Duhet të vazhdojmë e të sqarojmë. Se... nuk po ikim për shpirt. Njerëzit që e frekuentojnë më shpesh, duhet të kenë një sebep. Ikin për emër. Për ndonjë ceremoni. Për mirë. Ne, jemi thjesht për njohje. Për dreq, pas shiut, është vështirë që të përshkosh distancën prej katër (?) kilometrash, që tregon në rrugë. Ajo të bëhet si dhjetë- e ndoshta më shumë kilometra. Edhe “Mercedesit” i duhet të mendojë mirë kur ecën. E përshkojmë, por duhet shpesh të pyesim. Sërish. Në brendësi të fshatrave myzeqare nuk ka më indikacione, ndërsa emrat e fshatrave t’i thonë ndryshe, njerëz të ndryshëm që pyet. Kolkondasi nuk duket. Pak punë përreth. Shumë papunë. Gjendje mjerane. Haure, shtëpi boshe, bagëti të padisiplinuara. Çuditërisht, në rrugën që të çon drejt tij - duken qartë shtëpi të mira - shenjë se të paktën ka ikur skamja. Vetëm se në fshatrat që kalojmë: Petovë, Çipllak, Rreth Libofshë, vetë Libofshën, Daullas më andej Grecalli, Mujalli, Metkë... ka shumë serenitet. Mjedis pastoral. Ndonjë qen. Ndonjë udhëtar rrugës. Tek–tuk ndonjë motor i vogël, që kushedi sesi e përshkon baltovinën, na parakalon fodull. Në përgjithësi, shtëpitë janë të mbyllura. Rruga monotone. Në një nga fshatrat e para, kulmi i minaresë duket se çan sipër dhe vendos rendin e vërtetë të shpirtit. Të rinjtë, e pakët, që hasim aty pari, shikojnë pa ndonjë interes makinat e rralla që kalojnë aty. Kuptohet, nga oborri i një si klubi. Pak. Shumë pak. Çdo fshat ka klubin e tij, ndërsa ngjyrat e vjeshtës kontrastojnë disi me fushat e murrëtyera. Janë të shëndetshëm. Fusha të papunuara. Përgjigjet e njerëzve vijojnë mjerane. Nuk kanë... Nuk hanë... nuk dhe nuk... Vulën e vendos zëri i një kryeplaku, që nuk durohet. Pasi i kemi gjetur numrin i kërkojmë të na thotë diçka për zonën. “Kam punë”, më thotë. Më jep një orar të shpejtë, me ashpërsinë e Drakonit. “Nuk mundemi” - i përgjigjemi. “Atëherë nuk kam kohë të merrem me ty. Kemi punë ne këndej”, ma pret. E admirojmë?! Sa mirë që punon dikush, të paktën. E besojmë kur shikojmë vërtet- që ka shumë shtëpi të reja. Mirëqenie. Të paktën, materialisht. Çudi! Fushat nuk janë të punuara. Pak më vonë do më thonë se nuk kanë ujë. Ka qenë dikur një rezervuar, por ai nuk është më, sepse ka një pronar të tokës, tash, dhe ky nuk lejon vaditjen normale të bashkëfshatarëve?!!! Si në përrallën me kuçedra?! Ligjin edhe këtu e bën rastësia dhe më i forti. “Është larg... se është kanali, dhe sapo hyn te porta...”. Nuk e kuptojmë fare, por afër një shtëpie të bukur, disa katërshe - një fshatar, më sqaron për këtë: “Nuk e len ujin... komuna ka rezervuar... E ka një pronar... Është kryetari i komunës... ndërsa ne hiç... Në kohë të Enverit me kushtet kemi qenë më mirë në atë kohë. Kjo është e keqe... me kushtet... Për punë leku është më mirë, për bukën është më mirë sot... Jemi të varfër, por kaq e kemi mundësinë”. Nuk ia bashkoj dot fijen e logjikës. Kur ka qenë më mirë? Na heton dhe njëherë. “Toka është shterpë...”, më thotë pastaj. Si dy pika uji, këtë e dëgjon në çdo cep të Shqipërisë. Mendoj dhe njëherë kryetarin që ma ka prerë, por që paska prerë dhe ujin. Nuk kam ku ta gjej. Na bëjnë përshtypje, kur shkëmbehemi me makina shumë të mira. Mundohemi të zbresim shpesh kur hasim ndonjë banor dhe të flasim. Por ata pak që janë barinj, që nuk ta varin. Kanë kohë dhe duan ta vrasin me qetësi. Kur i pyet edhe ata të konfuzojnë pa fund. “Të tjerët? Ata kanë ikur në emigracion... Itali dhe në Greqi. Me droga.. .puna e tyre... këtu tek ne nuk ka kurva. Duhet të punosh një metër... dhe janë gjetur... dhe ujë”. Ç’mund të bëjnë këta këtu. Si në absurd-askush nuk artikulon normal. Në Manastir Më në fund pas një segmenti të drejtë, ku mungon asfalti, por që pak nga pak shfaqet një ishull i vogël i pyllëzuar, duhet të jetë ai, manastiri. Hamendësojmë. Kemi vendosur mos të pyesim më. Çuditërisht rrugën na e bën të njohur një njeri, i cili merret me kuaj. Është një mashkull simpatik, i veshur gjysma fshatçe - dhe gjysma qytetarçe. I kërkoj dhe sa larg jemi në Kolkondas. Fillon me shenja. Njeriun e saktë, Zoti e paska “ruajtur”, themi... Nuk flas dot, ma bën me shenja. Orientimi i tij është i fundit dhe më i sakti. Nuk jemi shumë larg, për fat. Shfaqet...heshtazi. Me një punë heroike, që zgjati vetëm një vit 1814-1815, njerëzit e qëmotit i kanë marrë një tokë të çmuar lumit. Një rrugë e zhavorrtë, që rregullohet bindshëm, të dërgon direkt në atë që shfaqet pak nga pak, si një gjë e mbirë nga toka. Është ai vetë manastiri. Ka një derë të madhe dhe rruga vazhdon dhe më tutje... por në këtë vend, duket se ke mbërritur në një stacion, që nuk do dëshiroje të shkoje më tutje. Nuk pipëtin pothuaj asgjë... Një pyll i bukur e rrethon kudo. Ka pisha, rrape dhe shelgje. Ka jetë,... pa njerëz. Ka shpëtuar manastiri dhe hapësira e tij e pamat. Si me sustë, pas një rrapi del ai, Vasil Gjesi. Eshtë roja. 50-vjeçari të duket si njeri pa moshë, pka një të folur, ku humbasin lehtësisht fonemat... Na afrohet dhe na prezantohet si roja i manastirit. Qyqari tregon me një shqipe, që nuk e kupton fare, dhe që ka marrë vesh diçka nga ekspeditat që vinë në manastir. Deri atje ka qenë e mbuluar, na tregon ..Ku? “Atjéé-é”. Mbijetesa Manastiri desh u shkatërrua krejt në mesin e viteve ’90. Për dreq, në fillim të shekullit të XX nga vërshimi Semanit u përmbyt i gjithë manastiri dhe u mbush me aluvione deri në lartësinë 2.5 metra. Konakët funksionin vetëm sipër. Ishin aq shumë, saqë këtu mendohet se kishte shumë mjedise për bujtarët. Po aty, Konakët mbanin deri 100 konviktorë me pagesë të ardhur nga Shqipëria e Poshtme për të studiuar. Për këtë shkollë ndihmonte dhe manastiri i Ardenicës për sa i përket shpenzimeve. E pyes për gërmimet? “U gërmua... nga Reshat Gega... Ka qenë e mbuluar dhe këtu bëhesh panair... Është ruajtur nga vetë njerëzit dhe rojet që ishin këtu... Kishin frikë për të vjedhur këtu... Nga këtu muri është 30 metra... Lumi kalonte këtu te zhukat. Më vonë u ndërtua... dhe nuk është në gjendjen e tanishme. Në kohën e partisë u rregullua... Më 1997 donin ta prishnin të gjithën, na sqaron duke tundur kokën. Por nuk ia dolën”. E pyes për detaje, por më konfuzon sërish. “Gjysma e këtij muri, na thotë në skaj të kishës - ka qenë përdhe. Këtu ka qenë dhe është gërmuar edhe nja një metër thellë. Kur u gërmua ka qenë këtu. Këtu vazhdon muri sërish dhe kisha që është ruajtur ka qenë përgjatë argjinaturës”...Një ditë lumi do të nxirrte kufomën e Murgut Kozma. Ali Pashai e mori vesh vonë. Dha urdhër, që t’ia vishnin kokën me ar...100 vjet më vonë, ushtarët e Lufës së Parë Botërore e bastisën. Semani..nuk kishte marrë ende fuqi... Fund Nuk e nguc më burrin. Ka tre fëmijë dhe 10.000 mijë lekshi i kishës del për familjen e tij. Nuk ka ujë. E pyes pak për shtëpinë, por gjërat që më thotë janë sërish tejet konfuze. Ka 17 dynym tokë, ku mbjell grurë, fasule misër... Po mezi jeton! “Sa për vete?!”. Jemi bash para absidës kryesore, një punimi të mrekullueshëm shtatëfaqësh, kur do të më besojë një gjë të fundit. Lumi e ka ndarë Kolkondasin në dy pjesë. Në atë matanë, dhe këndej. Ky është vendi ku fshatarët gjetën trupin pajetë të Shën Kozmait, 200 vjet më parë, më thotë. Ne mbetemi ta kundrojmë sërish. Por pa Vasilin, që temën e monologut absurd, tani e materializon. Që këtu, në kohë fushate- janë marrë dhe lekë nga arka e kishës për të ndihmuar politikanët. E ka pësuar edhe ai vetë se ka akuzuar. “Është bërë rrëmujë e madhe” - na thotë për momentin e vetëm kur i duket se ka bërë një gjë të bukur në jetën e tij. “Më hoqën shkoi deri të mëdhenjtë puna- ééé”. Korrupsion. As kishën nuk e ka falur. E lëmë qyqarin. Në mjerimin e tij. Ikim... Rruga është më e thjeshtë, ndërsa në rrugë na pret sërish, pas 3 orë e gjysmë -djali i klubit. Na grish. Është vonë. Një rrugë e dhimbshme dhe kthim pas...na pret në vjeshtën e tretë të vitit 2007. *Të gjitha referencat historike dhe citimet janë marrë nga artikulli i Stilian Adhamit: Ansambli historik dhe arkitektonik-artistik i Kolkondasit botuar te Monumentet 2/1985 Mapo
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||