| Zemra Shqiptare | ||||
|
Në Italinë Shqiptare E merkure, 27-06-2007, 08:30pm (GMT) Shkruan: Ben Andoni
Me Hahn Përsa i takon emrit të vendit, lexuesi nuk ka pse të dyshojë për ndonjë gabim shkrimi ose shtypshkrimi, mbasi fusha bregdetare që shtrihet ndërmjet Matit dhe Drinit, quhet nga ana e banorëve vendas Italia dhe në rast se do të marrim parasysh ngjashmëritë e shumta gjeografike të dy brigjeve të Adriatikut, që ndodhen përkundruall njëri-tjetrit, një pjesë të të cilave, unë i kam përmbledhur në veprën time “Studime shqiptare”, atëhere jam i mendimit që është më e mundshme që ky emër ta ketë burimin e tij nga kohët e lashta, sesa që ai të jetë huajtur në kohërat e mëvonshme nga Italia. Pjelloria e jashtëzakonshme e këtij rripi kufitar të provincës romake të Dalmacisë, i cili në kohërat e sotme përdoret më tepër si kullotë bagëtish, sesa si tokë bujqësore, mund të ketë përbërë arsyen që në Romën e lashtë tregoheshin mrekullira përsa i takon pjellorisë së Ilirisë, ku madje thuhej se pulat bënin çdo ditë dy deri në tri kokrra vezë dhe ku lopët pillnin aq herë në vjet dhe madje në shumicën e rasteve çifte viçash. Në Mbretërinë e Kunes Teksti akademik i Gjeografisë fizike nuk lë asnjë shteg: “Midis të gjitha rezervateve, vlen të përmëndet ai i Kune-Vainit në deltën e Drinit, i cili është rezervati më origjinal, më i bukur dhe një ndër më të pasurit e pellgut të Mesdheut”. Tregojnë se, Konti Çiano, dhëndri i Musolinit, një i apasionuar i hershëm pas gjuetisë, ishte aq i dhënë pas këtij vendi, saqë kur erdhi, solli me vete dhe një mjeshtër të faunës për të kuruar zonën. Në Hotelin e Gjuetisë pak më tej, në netët e bezdisshme nga insektet, thuhet se e shtynte duke menduar për pushtimin e Shqipërisë. Por, askush prej banorëve të shumëpakët nuk e di këtë histori. Ajo që bëri më pas mjeshtri italian, ka humbur tani në kujtesat e njerëzve. Gjithsesi, pas kësaj, duket se rezervati ndryshoi shumë. Të paktën e njihnin më shumë. Më shumë, por ndryshe, dëgjoj Rrokun, që më tregon me një ritëm monoton mbijetesën e tij të vështirë. Për rezervatin Ndërsa, plaku flet me sy të tretur në fytyrën time, kujtoj sesi ky vend nuk mundi t’i shpëtonte lehtë syrit të qeveritarëve. Që nga viti 1940, ai u shpall Rezervat Kombëtar dhe mbetej gjithmonë krenaria e natyrës shqiptare. Larmia e faunës dhe florës, mbushur me tregime fantastike nga gjuetarët dhe shtuar me ato pak gjëra, që kishte lënë në kohën e tij Hahn dhe priftërinjtë e shumtë emisarë, e bënin këtë vend, shumë tërheqës për të ardhurit. Kjo situatë ka vazhduar deri në vitin 1962, kur është bonifikuar këneta dhe nga ky vend, ka filluar largimi i shumë shpezëve. Rroku, me katër djemtë e tij, e kanë mbrojtur me ??? zonën. Lexo: pronën e tyre private. Dhe, këtë e vërtetoj lehtë, se në ndryshim me vite më parë, kanë ikur peshkatarët, që rrinin te ura dhe njerëzit janë bajagi shumë më të pakët. Jo shumë larg këtij vendi, rezervati, është i pushtuar nga ndërtime pa leje dhe nga gjahtarë të parregullt, që gjuajnë gjithshka që munden. Kurse një specialist më ka shpjeguar kohë më parë se prej kohësh këtu shikohet ulja e kripshmërisë së ujit, që do të thotë dhe kushti numër një, që një lagunë të jetojë. Kjo ka sjellë si pasojë humbjen nga rezervati të 40% të territorit të saj, që e kanë zenë kashta dhe kallamishtja. Në muajt korrik dhe gusht kemi prishjen e ujit. Kështu, peshku del përjashtë dhe shpendi ikën se nuk gjen ambiente të mira. Dhe, shija e peshkut ka rënë, në të dy zonat e sidomos në Vain. Ndue, 46 vjeçar, që duket se e ka përjetuar njësoj degradimin e këtij vendi bashkë me rritjen e tij, nënqesh kur e kam pyetur pak minuta më parë. “E ç’ia ke ngenë”, më thotë. Në fakt, ishim vetëm të tre. Ai me një mikun e tij peshkatar dhe unë që i pyes...Dhe, kanë të drejtë. Kush ia ka ngenë këtu?! Tabela, që të lajmëron, mirëseardhjen e rezervatit, vazhdon të jetë ndanë ndërtesave të mëdha. Nga frika e këtij betoni janë tretur rosat, patat, pelikanët, karabullkat, pulat e gjelat e ujit, grillat, çapkat, kojlikët etj. Rrëfimi i plakut “Këtu janë peshkatarët”, më rrëfen, pas pak, duke grisur heshtjen. “Nuk i pashë”-ia kthej. “Janë atje, por nuk janë peshkatarët që kanë qenë, por kanë hy peshkatarë të rinj”. Plaku bashkë me djemtë i ka disiplinuar dhe peshkatarët nuk mund të gjuajnë dot me dinamit. “Eshtë toka jonë dhe ne e ruajmë. “Kam katër çuna”, më sqaron. “Dy i kam në Itali dhe dy këtu...Janë nda dhe matanë rri njeri, kurse tjetri jeton këtu...”. “Me çfarë jeton”, e pyes plakun që tash nuk ndalet. “Jetoj me klub, por kam dhe dhe 1.000 lek pension si murator”. Më sqaron se toka ka qenë e të parëve të tij, por askush prej tyre nuk ka jetuar këtu. Nuk kuptoj, sesi ka qenë tokë e njerëzve të Shkrelit... E kan pasur denbabaden..ka ndejtur gjyshi dhe stërgjyshi.. “Po kush ka ndejtun këtu”-e pyes. “Jo mor kush ka nejt këtu”?!-kthjellohet. Shikohemi. Unë jam në det..ai mbetet në kënetë. Kune-Vain, post ‘97 Por, për të pyetur për këtë zonë nuk mjafton më Rroku, që e lemë në rehatinë e vet dhe në këndin që e gjetëm në fillim. Të duhet të jetosh me njerëzit e këtij vendi, që të ndjesh shkatërrimin e vërtetë të tij. Tashmë ka një ndryshim të krejt ekosistemit. Kjo për pasojë sjell edhe ndryshimet e veta. Gjahu, kryesisht i rosave të llojeve të ndryshme, ka rënë. Por gjuetarët vendas thonë diku se kanë hasur dhe zhdukjen e disa specieve autoktone të zonës. “Kjo erdhi, si pasojë e vitit 1997, ku u pre i gjithë pylli, sepse ne në këtë zonë kemi pasur tre-katër familje të llojeve të ndryshme çafkash. Madje, ato, që kanë qenë autoktone, sot ne nuk i kemi”, më ka thënë dikur një gjuetar, që e kam gjetur në urën e hekurit në rezervat, që tashmë e menaxhon Rroku&Sons. Por, edhe pse gjuetarët janë përpjekur, nga zona janë larguar pelikanët, ndërsa përpjekja e tyre rezulton gjithmonë e më e vogël për të sjellë gjahun. Por, vite më parë kam dëgjuar se rreth 69 mijë metra kubik të ujit të ndotur derdhet në të dhe në det për çdo muaj, duke e dëmtuar shumë rëndë, biodiversitetin e zonës, me këtë pasuri të madhe natyrore. Por, një dëmtim i madh i është bërë edhe pasurisë pyjore. Sipas burimeve zyrtare, të cituara kohë më parë nga ATSH, këtu janë të dëmtuara rëndë 60 përqind e pishave dhe 40 përqind e pemëve të tjera. Indro Montanelli, kur ishte dikur... “Lumenj të shumtë dhe tekanjozë, që zbresin nga lindja, duke ardhur me vrull në fushë pas shtrënimit të pësuar nëpër grykat e ngushta malore, e tërheqin me vete të ngurtën, në formë masash të mëdha aluvionale drejt grykëderdhjes dhe aty e depozitojnë. Kështu që i gjithë rripi bregdetar që qëndis Shqipërinë nga Shëngjini në Vlorë nuk është veçse një shkarkim dherishtesh të grumbulluar aty nga këto rresha të padisplinuara uji, ende shumë të reja për t’u shtruar të qeta në shtretërit e tyre”. Shëngjin, Rana e Hedhun Në këtë ditë, kur dielli fshihet paq, unë, e shfrytëzoj kohën për të parë një mrekulli tjetër. Ajo është në veriperëndim të Shëngjinit dhe duhet të kalosh përmes repartit ushtarak të marinës, që ruan Portin. Mes Velipojës dhe Shëngjinit gjendet vendi, që njihet si Rana e hedhun. Pak më vonë, plakun e kam ndërmend si imazh, kurse në një pusullë i kam marrë numrin e telefonit të të birit, për t’i bërë një vizitë në verë. Kemi mbetur të dy të kënaqur, me rakinë e mirë të tij, por që mua ma jep në bash të kokës vetëm 40 minuta pasi jemi ndarë. Një ecejake e gjatë e ushtarit të marinës, që është nga Tropoja, dhe më le të pres pa fund në postbllok. Ai shtyn shërbimin, ndërsa më thotë se nuk e thërret dot oficerin e rojes. Ushtri made in Albania. Në fund, pronari i një godine, në Adriatikun e virgjër, i jep fund rebusit. Na merr në drejtim të hotelit të tij, që shpreson, falë bashkëpunimit me ofiqarët vendas, të lirojë rrugën. I vihemi pas. Ka ndërtuar vërtetë një mrekulli dhe është fare indiferent, për të mos thënë pak i egër. “Të mora, çfarë do më shumë?” “Më trego rrugën!”-i kërkoj. “Do ngjitesh këtu dhe do ecësh nja 20 minuta”, më sqaron. Çuditet, se pse dua të iki...Sërish me këmbë në pyll, ndanë shkurreve, dhe anash pyjeve të rralluar nga bunkerët e frikshëm të komunizmit, por që të kallin sërish datën. Në mos më shumë. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||