| Zemra Shqiptare | ||||
|
Manastiri i Ardenicës…Ku shqiptarët piskasin në vend të lutjes E diel, 27-05-2007, 07:29pm (GMT) Shkruan : Ben Andoni
Sot… Me At Rredhin përshkojmë me hapa të ngadaltë hapësirën, duke iu shmangur me kujdes fëmijëve dhe të rriturve, që më duken po kaq të rrëmujshëm. Pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret përrreth manastirit krijojnë edhe me natyrën paqen e mrekullisë. Këto nuk thonë shumë për turistët vendas. Të imbarkuar me autobusë të mëdhenj, nxënës, studentë, vijnë, shikojnë, ikin pa asnjë emocion një nga mrekullitë e ortodoksisë shqiptare. Pak e respektojnë kishën e madhe, ku është punuar mrekullisht në afresket nga duart hyjnore të Zografëve. Kudo has në piskama dhe nxënës që luajnë gati ngriva-shkriva. Disa nëna, bërtasin më shumë se fëmijët. I pafuqishëm, një nga punonjësit e mirëmbajtjes, mundohet të verë rend, por duke u çapëlyer më kot, në të gjithë hapësirën e kishës. Dikush vikat nga froni, ku lexohet ungjilli, kurse fëmijë dhe të rinj të tjerë kalojnë me vështrime të hardallosura dhe prekin ikonat… “Kur vinë grupe dhe shkolla të larta, ata janë më të shfrenuar se fëmijët... Nuk ngacmojnë, por janë të zhurmshëm”, ul kokën turpshëm prifti. Nga amvona, ku dhjakoni sipër lexon ungjillin, dëgjoj çapitjen e dy vogëlushëve, që i trimohen njëri-tjetrit. Të mjafton, një shikim i përgjithshëm për të kuptuar respektin për religjionin. Në këtë shushatje, më kthjellon sërish prifti. “Në manastirin tonë nuk kanë njohuritë e duhura për këtë punë. Vinë shkollat, grupet. E quajnë thjesht si pikë turistike, sepse kaq u kanë thënë. Kur u themi që duhet ruajtur qetësia... ata nuk e kanë idenë se çfarë është manastiri”, shpjegon ati. “Nga fshati ka një grup katekizmi dhe një grup që ka mbaruar shkollën e Shën Vlashit. Ata merren...”. Për fatin tonë, ai është duke pritur një grup që do të shoqërojë një besimtar, që do të pagëzohet. Por, ata nuk duken. Më tepër as nuk lajmërojnë. Kohën që mbetet e shfrytëzojmë ne. Shkatërrimi Ndalet ndanë Shën Triadhës: “Shkatërrimi kaloi dhe erdhi një periudhë tjetër shndërrimi i manastirit për turizëm. Qelat u kthyen në vend hoteli, ndërsa mjediset e tjera taverna, bare...dhe ... “Kjo është kisha e Shën Triadhës. Ne themi Paraklisë”... Në vitin 1922 u rindërtua themelisht Shën Triadha dhe katër dhomat prej kujdestarit të këtij manastiri ..Bozo…”, është shkruar diku. Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, ndërsa pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike dhe një bazoreliev, që besohet se mund të jetë Artemida. Sot, ajo të trondit me punët dhe kujdesin ndaj saj. Kanë futur kaloriferë dhe në përshtatjen me kohën e re, ajo nuk të grish për asgjë historike. Arkitektura Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks dhe ka një sipërfaqe me konaket, që i janë shtuar më vonë, prej 2.500 m². Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri i vajit, furra, stalla etj... Mullirin nuk e hapim dot, por ai është në hyrjen kryesore. Kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi, është kryevera e këtij vendi, por që e shijoj vetëm kur largohen të rinjtë pak nga pak. Kjo kishë e tipit bazilikal është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Kurse mjediset e saj janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, dhe këmbanorja e lartë 24 m. Nuk e kam fatin që t’i ngjitem. Një “Jo” miqësore rrjedh nga sytë e priftit. Portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe është në jug. Ndërsa, naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe mjediset e narteksit dhe egzonarteksit. Një qendër e jashtëzakonshme kulture Në një vend ku tash duken gjurmët, sesi mund të kish qenë më parë, dikur ka qenë një bibliotekë. Prifti i thjeshtë e mburr dhe më rreshton një varg pa fund mrekullish. Rekuiem shkatërrimi Nga aty erdhi dhe u afrua Imzot Banushi, që tash e kishin katandisur në një të internuar të thjeshtë. Turma po vinte të shkatërronte gjithça. Ishte katrahura e viteve ’60. “Ka qenë një peripeci. Kryepeshkopi i kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Iren Banushi, një nga figurat më të shquara të klerit ortodoks kaloi vitet e fundit të jetës”. Nuk u mbyll me kaq. “Në vitin 1997 e mbrojtën vetë djemtë e fshatit, ndërsa ata që ishin ato ditë u identifikuan më vonë se nuk ishin vetëm myslimanë... Na vjen keq. Ata nuk ishin nga përreth, por ishin nga fshatrat e Lushnjes dhe vinin për të shkatërruar. Ata vinin për të marrë vlerat dhe për t’i shitur...”. Ndërrojmë bisedë. “Edhe disa ikona na i kanë marrë nëpër muzera, por nuk kthehen. Kemi kërkuar që t’i kopjojmë dhe t’i sjellim. Në kisha të tjera nuk kanë fare të paktën”. Por, shkatërrimet nuk ishin kaq. Dikur ka pasur një bibliotekë, e cila është djegur herët më 1932 aksidentalisht... Ikonografia në të Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore. Më 1282 Ishte perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Historianët mendojnë se ka qenë pikërisht kapela e vogël e Shën Triadhës, që e ka stimuluar këtë vendim. Pranë këtij tempulli kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Zografët na kanë lënë punë dhe në bazilikat e Voskopojës, Vithkuq, në Myzeqe dhe në malin Athos në Greqi, ku kanë treguar talentin e tyre. Ikonografia e saj pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj.. Disa nga skenat janë “Festat e Virgjëreshës”, skenat nga “Jeta dhe vuajtjet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt”, etj… Nga Dr. Zeqo njoftohem se në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar edhe muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”. Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, falë bujarisë së esnafëve të bakërxhinjve dhe muratorëve voskopojarë, ç’ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë: “Lindja e Shën Mërisë”, “Krishti në Fron”, “Shën Mëria me Krishtin”, “Johan Pagëzori”, “Mbledhja e kryeengjëjve”, “Kryqëzimi”, etj. Besohet se në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar edhe princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë. I gjithë ky përshkrim, që mund ta marr nga gjërat që kam lexuar të sjell dhe nderimin për klerikët e përkushtuar. Në këtë vend Igumeni, Nektar Terpo me origjinë nga Voskopja, shkroi në vitin 1731 një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja, e shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip përmban shkrimin e parë të shqipes të shkruar në shkollë nga grekët. Teksti shqip i shkruar në alfabetin grek është i tillë: “Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajt orete”, nënshkruar nga autori: Hieromonah - murgu, Nektarit. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||