| Zemra Shqiptare | ||||
|
Në trojet e legjendës së Lekë Zaharisë E marte, 27-03-2007, 07:26pm (GMT) Shkruan : Ben Andoni
Drejt Vaut të Dejës Janë më pak se 20 minuta, që të duhet të përshkosh rrugën në të dalë të Shkodrës dhe t'i afrohesh Dejës. Deri më aty, nuk ka asnjë shenjë rrugore, ndërsa për amatorët e pak-mbetur të turizmit kulturor, mungon dhe tabela më e vogël e orientimit. Por, kjo nuk do të thotë se edhe atje, nuk do të gjenden policë. Në krye të detyrës, një i tillë syresh, me barkun e fshehur dhe i vetmuar bashkë me rrugën boshe ndanë hekurudhës, të bën me shenjë të ndalosh. Duket qartë se ka nevojë për muhabet. "A mund të na orientosh drejt Kalasë së Danjës", e pyes pa më pyetur. "Nga ta di une", përgjigjet polici, që i dukemi si një njësit të çmëndurish. "A po t'duket vetja në film", ma kthen. Çuditërisht, një anëtar i policisë i veshur civil beratas, tregohet i gatshëm..."Do shkosh në fshat, pastaj do marrësh majtas, para digës së Hidrocentralit e do të ngjitesh sipër", më sqaron. "Nuk kam lënë kala pa parë", më thotë pak minuta më vonë me krenari. Kaq mjafton. Nga ai marrin drejtimin e vetëm të udhës sonë. "Ju duhen rreth 30 minuta, po i dilet. E kujt ka qenë...", pyet. Historia e Lekë Zaharisë e kënaq dhe këtë e shpreh me shpupulisjen e qerpikëve të shuar. Nuk ka faj, këtu ka vetëm gurë, ndërsa asgjë nuk i shkon masturbimit të tij mendor. Duke gjetur rrugën Bëjmë ashtu si na thonë. Futemi pas malit në një peizash që duket si imagjinar, ku perspektiva mbyllet në një grykë malesh të larta, që i ka çarë në shekuj Drini. Ndjekim pjesë rruge pa rruge pas malit të Dejës dhe aty ndalemi para Drinit, që është vendosur në zap nga historia e krahëve të fortë të Enver Hoxhës. Një banor i mbetur, tmerrësisht i shkurtër, me një palë syze të trasha, është e vetmja krijesë në këtë vend. Para njërës prej digave të Vaut të Dejës, ky personazh dalë nga kuadrot e hershme të filmave vizatimorë, duket se ka vendosur të ekranizohet i gjallë. Ndaj, teksa rreket poshtë këmbëve të mia, që të imbarkojë një komordare të madhe zetori, e shikoj i habitur. Pa gojë e ndjek e bindur e shoqja. Por, ajo që shikojmë pak minuta më pas, është më shumë se mbresëlënëse…Ngjiten me të shoqen sëbashku dhe në ujin e ftohtë, hedhin një rrjetë të stërmadhe, që të sajojnë mbijetesën e tyre… Në Kala Me burrin e shkurtër merremi vesh thjesht, dhe ai na tregon monopatin nga ku do pushtojmë Dejën. E lemë pas peisazhin surreal, ku dominon peisazhi grykor dhe një digë e madhe përpara, për të fituar lartësi drejt kalasë. Për 20 minuta pastaj rreshtin fjalët, sepse përmes një shkurrnaje ngjitemi drejt Kalasë, duke dihatur. Ndërsa ngjitemi, pak objekte të hedhura, të lenë të kuptosh se të tjerë kanë mbërritur para teje. Për çfarë? Pelegrinazh! Ajo që duket pak nga pak është mbresëlënëse, por më e çuditshme është mbartja e të vdekurve, që banorët i kanë prehur në Kishën në masë të Dejës. Ky na zbulon edhe misterin e mbeturinave të rrugës. Pa kulm dhe rrethuar me varre të rinj, kisha e Shën Markut, qëndron e vetme në këtë mal. Pak orë më vonë, banorët do na tregojnë se banorët autoktonë e kanë për nder të varrosen aty. E lemë për ta riparë, pak më pas, sepse ajo që duam të arrijmë është Kalaja... Një histori e madhe dashurie Vërtet. Ka kohë në këtë zbrasëti, teksa hulumtojnë një peisazh të mrekullueshëm, që të rrethon nga poshtë. Dikur ky vend, ashtu si e gjithë edhe Zadrima bënte pjesë në zotërimet e Dukagjinëve. Disa qëndra të zhvilluara të saj, ishin në zotërimet e Zakariasve dhe të Dushmanëve. Deja, që tashmë është gërmadhë, kishte të ardhura të mira për arsye se kishte kontrollin doganor të tregëtisë së Venedikut (përfshirë edhe tregëtinë vendase të rrethinave të Shkodrës, Lezhës, Drishtit e Ulqinit) me Prizrenin, Nishin e brendësinë e kontinentit, ndërsa Shati (zotërimi tjetër i Zaharisë) ishte qendër administrative religjioze...E kush do të mund të martohej me Jerinën, të bijën e Lekë Dushmanit që kishte në zotërim prona të konsiderueshme do të trashëgonte edhe tokat pjellore në Zadrimë, që ishin "Hambari" i Shqipërisë veriore të asaj kohe...Por ishte gjallë Leka i madh. Dashuri mesjetare "Dukagjini oe paemër, Dukagjini oe tradhitur" është një këngë e Llesh Dukagjinit. Ajo i kushtohet dashurisë së madhe së Zaharisë për Irenën dhe vrasjes së pabesë, që atij iu bë në pusi nga Dukagjini. Lekë Zaharia iu bë pritë nga një grup njerëzish të panjohur, kur po shkonte të kërkonte dorën e Jerina Dushmait. Ai u vra sëbashku me mikun që e shoqëronte. Ishte Bozhidari, nipi i Stefan Crnojeviçit, kapedani i Malit të Zi. Ndërkohë që Lekën e kishin paralajmëruar të ruhej nga Lekë Dukagjini, "sepse mund të hakmerrej" për shkak të Jerinës dhe të plagëve, që ai i kishte falur Dukagjinit në duelin e famshëm të Muzakinës. Sipas një gojëdhane tjetër, Lekë Zaharia u vra në Ishull të Lezhës ku kishte qenë i ftuar prej Lekë Dukagjinit për të gjuajtur derra të egër. Sirdani, që citohet, shton se megjithëse e ëma e kishte paralajmëruar… Pjesë nga historia Që nga vdekja e Lekës ky vend nuk do gjente më qetësi. Dhimitër Frangu, citohet të thotë se kjo vrasje u bë shkak i luftës shqiptaro-veneciane. Lufta filloi vërtetë pas vrasjes së Lekë Zaharisë dhe kuptohet se synoheshin pronat e tij. Të interesuar për pronat e tij ishin venediakasit, por edhe vetë Skënderbeu. Ky i fundit kishte një kontratë morale me Zaharinë, sipas të cilës, kush do të vdiste i pari prej tyre dhe nuk do të kishte ende fëmijë trashëgimtarë, principatën do t'ia linte shokut. Nëse vdiste Zakaria, marrëveshja e bënte Skënderbeun zot të Dejës dhe të Shatit, pasi të kishte vdekur Bora, e jëma e Lekës. Pas vrasjes në pritë të Lekë Zaharisë, Skënderbeu dërgoi në Dejë Kont Uranin me një kontigjent ushtarësh për të siguruar pronën e tij të ardhshme.. Por ishte vonë, sepse Bora Zakaria kishte ngritur ndërkaq flamurin e Venedikut. Gruaja e vjetër kishte kërkuar ndihmën e Venedikut duke ua dhuruar pronat atyre dhe duke injoruar marrëveshjen e të birit me Skënderbeun… Dejanët e sotëm Historia mjafton për ta riparë, por teksa ulemi na duhet të gjejmë rrugën më të mirë drejt fshatit. E gjejmë rrëzë një tubi, uji që zbret nga Deja. Pak përpara shikojmë kishën e Shën Markut, që tashmë ka mbetur pa dritare dhe kulm, ndërsa njëra anë e saj shikon mi digën e liqenit. Pak varre të rinj të thonë se banorët e lakmojnë këtë truall. Ulemi poshtë, por fshati është i mbushur ma gardhe, që nuk kalohen dot. Pak histori ka mbetur për tu hulumtuar nga dejanët e sotëm. Ata janë të ardhur prej Malësisë së madhe, kur shumica janë bërë dora-dorës muslimanë nga vitet e 1600-ës. Banorët e parë që has në fshat, kur zbres më orientojnë tek ai. Amator dhe kulturdashës, ai shfaqet menjëherë dhe i gatshëm të flasë. Pa e ngucur fare, Gjon Beja, ish-kryeplaku simpatik, më tregon toponiminë e vendit, por edhe fiset e sotme: Elez Aga, Muhamet Hoxha..ose Lan Mehmeti... Hoxha, Piraj. Po katolikë?-e pyes. "Vendalinj jena na", më thotë krenar. Për Kishën E ndërtuar në këmbët e malit të Dejës, kisha e Shën Mërisë përmëndet si qendër peshkopale, që në vitin 1361. Kjo kishë njëfeshe ka qenë romaniko-gotike dhe e veçantë në stilin e saj. Ka qenë kapelë. "Por Dom Nikoll Mazreku punonte dhe kujdesej për pikturat duke i bërë me dorë. Ai punonte dhe si marangoz", më shpjegon Gjoni, që i pëlqen të flasë pa fund . Në kohë të kapriçove të Drinit, uji e fuste lymin brenda. Gjithsesi kohë të shkuara. Ngaqë, në vënd të saj, tashmë kanë mbet gërmadha, ndërsa gurët janë të përhapur ngado. Në kishën e re, që është shumë më e madhe por me më pak histori, shikojmë dhe ish-kishën e vjetër, që të zhgënjen me përmasat e saj. Në absidën e të vjetrës, besohet se është varrosur Lekë Zaharia, por asnjë shenjë nuk e provon këtë. E ndërtuar me mermer të bardhë, e vjetra, përbën një dëshmi me vlerë për zbukurimet e përdorura në kishë dhe shijen arkitekturore të kohës kur është bërë. Pragu i saj njëcopësh zbukurohej me një shirit trekëndshëshash në pjesën e sipërme dhe me shumë motive të stilizuara në pjesën e poshtme..Muret e kishës ishin ndërtuar me gurë gëlqerorë të gdhëndur dhe të lidhur me llaç gëlqere me fuga të holla në anën e jashtme. Kisha ka qenë mbuluar me çati dyujse e tjegulla vendi të lidhura me llaç gëlqereje për shkak të pjerrësisë së madhe... |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||