| Zemra Shqiptare | ||||
|
Në pazarin e korçarëve E shtune, 27-01-2007, 06:59pm (GMT) Shkruan: Ben Andoni
Kronikë e shkuar Të sotmit E pyes një të vjetër për historinë, por më thotë se ai vetë ka pak vjet që shet. E ndjen zhgënjimin tim, por aq i bën. Më kthen sakaq kurrizin, pa më dhënë përgjigje dhe sytë i preh diku larg, ku dy burra japin e marrin me ca domino të stërmëdha. Tani disa tip tendash, bëjnë një errësirë të natyrshme në Pazar duke krijuar disa tunele të stërgjata ku mushterinjtë dhe tregëtarët japin e marrin. Eshtë pis, ndërsa pak tregëtarët e vjetër, bëjnë dallim nga mënyra sesi të drejtohen dhe si e grishin klientin. Të tjerët bërtasin dhe të qësendisin shëmtuar. Kjo situatë, në një Pazar me një sipërfaqje disi modeste për një emër si Korça, mbaron, kur dal dhe afrohem në një objekt kulti. Për fat, nga pazari, kanë mbetur ndërtesat, që edhe të trajtuara pa kujdes, mbajnë gjallë emrin e vendit. Këtu gjej Petrika Gjezin, aktorin e njohur të ekranit shqiptar. Eshtë plakur, por shprehja e zakonshme buzagase nuk e ka lënë. “E po i jam afruar të 60-tave”, më thotë. E kemi të fiksuar në filmat e Realizmit Socialist. Patetik. Ia kujtoj. Më qesh. “Ç’të bënim”, më thotë. Më tregon se vazhdon të aktrojë dhe se përpiqet. E gjejmë teksa rri me një mikun e tij, artist. Teatri nuk ka punë, ndërsa të dy japin e marrin, para një kuadri tepër të madh të njërit prej baballarëve bektashinj. Eshtë një si biçim studio arti, por duket se burrat merren me gjithshka që të munden. Të paktën, mbajnë veten gjallë. Në të vërtetë, bashkë me pak syresh, është nga të paktit që ia vlen si dyqan, sepse të tjerët me qepenat e ndryshkur dhe rrudhur në zgëqet e vogla, janë shumë pak- për atë që mendohet për Pazarin e Korçës. “Ka qenë një gjë tjetër. Krejt tjetër. Babai im ka qenë zanatçi dhe një ditë të caktuar të gjithë zanatçinjtë e esnafit të tij dilnin dhe argëtoheshin. Pa kishte rregulla. Pa respektonin njëri-tjetrin. Pa lejen e ustait nuk bëje dot dyqan. Duhet të kishe tagrin e tij”, më thotë. “Po tani”- e pyes. “E bëri qoftëlargu, si sytë e tij”- ma kthen. I jati ka qenë teneqexhi dhe po ashtu dhe njerëzit e tjerë të fisit. Por, kishte rregull më thotë. Më duket se edhe vetë i jepet pak, por është tepër modest. “Atje ishin bakërxhinjtë,..këtu teneqexhinjtë... ndërsa pak më poshtë, ata që merreshin me cohët”. “ Po dyqani i Rakos?!”. Më kanë thënë dhe ma kanë fiksuar se ky dyqan ishte dikur më i madhi. “Po ç’ne bre?. Korçar ka qenë ai që të ka thënë”,-më shpotit. Pak minuta më vonë, në një kohë blic më përshkruan të gjithë Pazarin, por thjesht dhe me një respekt për të shkuarën, që i gufmon pak e nga pak prej një shpirti të mbetur artisti... Kujtesë nga një kodik Në shekullin e XVIII emrat e rufeteve korçare ortodokse të nxjerra nga Kodiku i Madh i Mitropolitit të Korçës ishin: 1.Rufeti i Shën Athanasit, 2. Rufeti i tabakëve, 3 Rufeti i terzinjve, 4.Rufeti i bakërxinjve, 5. Rufeti i bakenjve, 6.Rufeti i kazanxhinjve, 7.Rufeti i argjendarëve, 8.Rufeti i papuçinjve, 9.Rufeti i shajakxhinjve, 10.Rufeti kondakçinjve, 11. Rufeti i furrëxinjve, 12.Rufeti i samarxhinjve, 13.Rufeti i qyrkxhinjve, 14.Rufeti i të ndershmit Prodhrom, 15. Rufeti i kasapëve, 16.Rufeti i opingarëve. 17 Rufeti i hambarxhinjve..Atyre iu shtuan dhe esnafe të tjera: si ai i hanxhinjve, i kafexhinjve duke arritur numrin e tyre në 19-20. Në këtë qytet kishte dhe një esnaf muhamedan, kujton Profesor Zija Shkodra, një nga studiuesit më interesantë shqiptarë. Ky është edhe gjeografia e zejeve me esnafet që i mblidhte dhe që kanë qenë të sigluar sikur të ishin kanone në Kodikun e madh të Mitropolisë së Korçës. Sa larg ai imazh Ka mbetur shumë pak nga lavdia e dikurshme. Godinat, elementët arkitektonikë, qepenat janë pak për emrin e madh të shkuar. Nga pas më ndjekin mesazhet e filmit “Përballimi” me Pazarin e zhurmshëm dhe aq të plotë. Në fakt, Korça, ka vite që e ka lënë pas atë imazh. Koha e Enverit i vuri dërrmën, kur pas tërmetit të viteve ’60, ai strehoi në këtë vend të gjithë romët e pastrehë. “E po do rrinim diku dhe ne”, më thotë një kurbatkë allosoj. Një djalë pas saj, më dërgon te dyqani i Rakos, që e kërkoj minuta të tëra, duke u rrotulluar kot si një i verbër. Një ngrehinë e madhe e pistë dhe e lënur braktisur si vetë braktisia, ma bën me sy. E ngritur mbi pisllëk. “Ka qenë e madhe , por tani...”, më thotë djali rom i veshur krejt pastër. Shet këpucë të lira dhe e tërheqin shumë gjimnazistet konviktore, që duket se duhet të shkojnë shpesh aty. E kam gjetur duke bërë një allishverish pa vlerë. Ardhja ime e ka shpëtuar nga pazari pa bereqet. Më dërgon deri në vend dhe më tregon pak a shumë historinë e tregut, sipas tij. E shoh që nuk di asgjë. Pas pak kuptoj se historia e tij fillon pas viteve ’97. Atëhere ka filluar të shesë. “Ej, po tregu është i tyre më thotë dikush”, që i plas në dorë fotografit tonë një aparat të stërmadh për ta parë... Kthim pas Tregëtari që ka gjetur aparatin mbetet i zhgënjyer. Tërhiqet pak minuta më pas, por me keqëardhje: ia kanë hedhur pak. Ky fokus i këtij aparati duhet të ketë parë shumë, por fokusi i kohës më zhvendos diku tjetër: Si ka qenë Pazari i Korçës Në pjesën më të madhe, pazari i Korçës, ndodhej në mesin e qytetit. Ai ishte në anën e banuar muhamedane të quajtur Kasaba. Kjo gjendej përtej lumit Morava, të njohur sot me emrin lumi i Korçës. Ura prej guri e vitit 1880, ndërtuar nga duart e ustallarëve elbasanas dhe dibranë, në hyrjen e tij, ishte pika kryesore që i ndihmonte kalimtarët për t’u lidhur me këtë mjedis ekonomik të rëndësishëm, të kësaj qëndre urbane relativisht të re. Megjithëse i vogël, në fillim të shekullit të XIX, paraqitej si një mjedis mjaft i gjallë nga pikëpamja profesionale. Këtë e vërente shumë mirë instruktori anglez në ushtrinë e Ali Pashës Koloneli Martin Lik. Ai, në verën e vitit 1805, shkruan se korçarët “prodhojnë pjesën më të madhe të artikujve të veshëmbathjes dhe të mobilimit për ushtrinë e Pashait”. Varoshi, pjesa kryesore e qytetit, e ndodhur në anën e djathtë të lumit Morava, kishte nëntë lagje të banuara, ndërsa ngastra tjetër Kasabaja, e ndodhur në anën e djathtë të lumit kishte vetëm pesë. Pjesa e tregut në mes të dy ngastrave e ndarë nga lumi lidhej me lagjet e qytetit me një sistem të pasur urash, kryesisht prej druri. Në fakt ndërtimet e pakta që kanë mbetur në Pazar, të japin përshtypjen e mirë për të cilën është qyteti, por në skaje është tmerr pis. Gjithsesi, edhe pse të paruajtura në Pazar, ndërtesat i mbajnë hekurat e sigurisë deri në katet e sipërme, pa e fshehur klasin dhe kujdesin e korçarëve të dikurshëm, që kanë ndërtuar këndshëm kulmimet e drejta, kanë lënë elegancën në ndërtim me ballkonet dhe harkadat e dritareve. Ulluqet e rinj, tregojnë se vendasit nuk ndalen. Harkadat elegante tek dyqani madhështor i Rakos, që është Si u ngrit Korça, referuar Prof. Shkodrës në kohën e Rilindjes arrin në 30,000 banorë, që kanë 800 dyqane. Pak vite më parë është gati një fshat i madh, që historia i ka lënë një vend të rëndësishëm për Shqipërinë. Nga vitet ’30 të shekullit të XIX, Korça arriti të ketë një “Pazar të mirë me 300 dyqane” (Thesprotu) ku mallrat ishin më të lira “ se në vendet e tjera” të vendit dhe ku për shkak të terrenit të rrafshët, ato silleshin aty me lehtësi me anë të qerreve”. Zhvillimi i vrullshëm i kësaj qendre në shekullin e XIX u pasqyrua edhe në rritjen e shpejtë të pazarit, i cili sipas Thimi Mitkos- më 1888 arriti të ketë mbi 700 dyqane dhe punishte. Këto ishin të ndara në rrugë të ndryshme sipas profesioneve nga të cilat me gjallësi më të madhe tregëtare duket se ishin rruga e shitjes së pemëve dhe perimeve, rruga e kasapëve, rruga ku shitej peshku, ajo e drithërave si edhe sheshi për shitjen e kafshëve, referuar Karmitzes. Po sot dhe dje Ajo kohë ka shkuar, ndërsa Manastiri tashmë me emrin Bitolja ka të ngjarë, që t’ia ketë thithur historinë e shkuar qytetit. Dhe, vërtetë, nuk ka shumë gjëra ushqimore, ndërsa afër Hanit të Elbasanit (çuditërisht është ende në këmbë si dikur), një qendër tregëtare duket se i bën hije Pazarit, që tashmë është në agoni. Dominojnë lajle-lulet e mallrave aziatike me çmim të ulët dhe ato greke po aq sorrogat...Ndërsa, për ushqimet më mirë të mos flasësh këtu. Në tregun e Korçës ishin të njohura vera e këndshme e Voskopit, Vinçanit dhe e Melçanit, rakia dhe fasulet e Drenovës dhe Boboshticës, preshtë e trashë dhe të ëmbël të Zemblakut dhe të Dishnicës, krapi i Sovjanit, ngjalat e Maliqit, shalqinjtë e ëmbël të Bilishtit, si edhe qershitë e famshme të quajtura Belicë, që vinin nga zona e Leskovikut,- shkruan Karmitzes. Qytetit i kanë humbur dhe përgatitjet e panaireve, si ai që bëhej buzë liqenit të Ohrit pranë manastirit të Shën Naumit. Në panairin e këtij manastiri tregëtarët korçarë takoheshin me pelegrinët dhe tregëtarët e tjerë të ndryshëm nga Pogradeci, Ohri, Resnja, Kosturi si edhe vende të tjera të Shqipërisë. Por, vetë korçarët respektonin Panairin e Drenovës dhe katër kilometrat në jug të Korçës, që e ndanin me fshatin, mbusheshin me tregëtarët më të njohur të vendit dhe me ata që vinin nga Maqedonia. Sot, këta tregëtarë, mbeten në pijetore dhe shegertë të vegjël u manovrojnë ndër këmbë. Ti humbet në disa rrugica dhe mëndjen duhet ta kesh se mund të zhveshin, miqtë e vegjël të Tom Sojerit. Gjëja më e bukur për mua mbetet qepeni i vjetër në disa prej dyqaneve. Vëmëndjen ma heq një punonjës tatimor, që bën ritualin, duke mbledhur disa taksa. Por, një kurbatkë, ia ka hequr mëndjen sakaq nga puna dhe i tund sipër bllokut të lerosur një gjoks të stërmadh vezulluar me florinj. Tatimori zgërdhihet dhe humbet, por ndërkohë një tjetër i ka sjellë një gotëz, që ai e ha me sy..., por nuk mund ta marrë pa ikur. E zonja e Hanit Natasha, që shërben në Hanin e Elbasanit, është një grua hazërxhevap, por pak i interesojnë shtëpitë e korçarëve. Ndërsa, është si e zonja e vërtetë e Hanit. Ashtu si qëmoti, hani të kënaq me trajtimin e saj me oborrin e brendshëm, me pusin që tash nuk përdoret dhe me romët, që e thërresin njëri-zjetrin nga të gjitha anët. Eshtë pjesë e pazarit. Më tepër është aq zhuls si qëmoti. Eshtë bash në kre të pazarit. E ka marrë pronari, ndërsa të vetëm ata që gjejmë, janë disa djem nga Dibra, që presin të ikin në Greqi. Dikur këtu janë xhiruar pjesë të filmit “Gjenerali i gramafonit” dhe ky është i vetmi moment, që e afron atë me shikimin tjetër të njerëzve. Asgjë më shumë. Tashmë të trondit me harresën e tij, ashtu si disa shkallë të brendshme të lodhura, të dërgojnë në hajatin e brendshëm dhe në katin e dytë, që është i konceptuar me një ballkon të dalë me dërrasë dhe që e brëndashkruan katin e dytë të hanit. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||