| Zemra Shqiptare | ||||
|
Albanopolisi, këtu flenë Albanët E hene, 27-02-2006, 06:54pm (GMT) Shkruan: Ben Andoni
Në fshatin e kalasë së Albanëve Merit Seferin, një 55 vjeçar, që e takojmë të parin duke iu afruar kalasë së Zgërdheshit, është njeriu i parë që e shpreh hapur indiferencën e tij. “Keni ardhur në kryeqytetin e Ilirëve, na thotë patetik-këtu është qyteti më i parë i të gjithë ilirëve. Këtë duhet ta dini mirë”. Eshtë një ekspert “i vërtetë” dhe më kot, mundohesh t’i shpjegosh, se nuk është bash ashtu. Në kokën e tij Iliria është një shtet i ngjashëm me të sodit. Gruaja, që i shkon pas ish-mësuesit hesht, por në këtë memecëri miraton me shkëlqimin e syve- zgjuarsinë e të shoqit. Pak tinëzisht, na hedh disa vështrime triumfatore, që përfundojnë të prehura në fytyrën e errët dhe të rreshkur të mashkullit të saj. Ky i fundit vijon të tregojë për historianët, që kanë qenë në shtëpinë e tij. Atyre, që plaka e tij e vjetër, u shërbente dikur. Kanë qenë arkeologë specialistë (një nga një i shqipton emrat e njohur) dhe kanë pasur strehë tek shtëpia e mësuesit të fshatit. Në fakt, në ditët tona shumë prej tyre nuk janë...Eshtë i vetmi moment, që më bën ta shikoj me adhurim intelektualin-fshatar. Ky është dekiku i vetëm, që e falenderoj burrin e veshur thjesht dhe qytetarçe: që nga ana e tij, përfundon me një deklamim potencial: “Kjo është kalaja e Zgërdheshit...Albanapolisi i famshëm”. Albanapolisi Teksa i hedh sytë, nga më thotë ai, shikoj se asgjë nuk ka të famshme për një rishtar ky vend. Mjedis baritor. Ndërsa, sipër tij, disa gërmadha, mbushur me shkurrishtet që i kanë shpëtuar sezonit të fillimdimrit. Duke ardhur, pas një shmangie nga magjistrali kryesor, shkrimi i zakonshëm në një tabelë rrugore dhe më pas, një fjalë e vetme në një ndërtesë rurale, janë e vetmja gjë, e cila realisht të kujton Albanopolisin e arbërorëve. Por, aq dobët sa janë shkruar, ato të sjellin më shumë ndërmend emrin e një klubi...sesa një qytet hijerëndë, si u pëlqen që të nanuritet sedra e banorëve. Në shtëpitë e fshatit duket ka pak gjallërim, kurse tymi i zbehtë nga pak oxhaqet tregon se banorët duhet të jenë shpërndarë për bukën e përditshme. Janë të gjithë të paqëm. Ashtu si këto ditë dimri të qeta, që shkojnë të patrazuara, edhe në fshatin Zgërdhesh dimri është ende në frymën e parë. Më të vegjlit shkojnë në shkollë, të tjerët e shtyjnë në qendër të fshatit dhe në rrugën që lidh Fushë-Krujën me Krujën, ndërsa pjesa tjetër e mbetur (ata që nxjerrin bukën) në Gropat e gëlqeres. Këto të fundit, të fshehura me tymin e kapërthyer të tyre, që shpesh herë e kalon katin e parë dhe të dytë të shtëpive të zakonshme të fshatit, janë të llahtarshme. Afrimi ynë ngjall kureshtje, ndërsa gjërat shkojnë në vend kur mënjanohemi drejt kalasë. Kam pak minuta që e kam lënë Meritin dhe ngjitemi në kodrën, ku mendohet se është qyteti nga të cilët morën emrin shqiptarët Mesjetarë. Në të njëjtën kohë, më duhet që t’i shpjegoj një kolegeje italiane çfarë është ky qytet për shqiptarët...Më buzëqesh pa fund, por duket se pak i bën përshtypje. Nga poshtë fshatit në horizont, qytetin e famshëm të Meritit, e kam parë thjesht si një grup të vijueshëm rrënojash, që vazhdojnë dhe i ngjiten sipër kodrës, që tutje në horizont ka si mbrojtje kalanë e dikurshme të Kastriotit. Meriti, nga ana tjetër e rrugës, bashkë me të shoqen e shikoj nga tutje sesi i avitet pak nga pak qendrës së fshatit. E ndjek me sy dhe kujtoj se në këtë fshat, që tashmë numëron 370 shtëpi, ai vegjeton. Ka lënë mësuesinë, sepse i bie më mirë që të punojë si punëtor. Dikur është laureuar në Tiranë për letërsi dhe punon. Më ka thënë se mbante dhe bibliotekën e fshatit. Tani?!!!Ka gjetur një mënyrë pune në gropat e gëlqeres, që lulëzojnë mbi fshat dhe mbijeton. “Kur ka punë punon, kur nuk ka rrin”, kujtoj fjalinë e vetme shqiptuar nga goja e të shoqes. Jemi shkëputur shumë dhe tashmë i jemi drejtuar malit. Por, deri më atje, duhet që të ndalojmë në një shtëpi dhe të hamendësojmë drejt kalasë së Zgërdheshit, e cila shtrihet e gjitha mbi fshatin, e orientuar në drejtim veri-jug si qytet. Pak metrat e fundit, që duhet t’i afrohemi kalasë duhet të kalojmë dhe një tarracë të rrethuar, ku ndanë disa ullinjve tepër të zgavruar, që janë vetë ripërtëritur me disa filizë, kullosin dele, kurse përballë tyre disa kuaj rrinë të qetë dhe krenarë duke i mbrojtur. Nuk është e lehtë të përshkosh hapësira të panjohura, por ja që duhet të shkosh në Zgërdhesh... Qyteti Realisht në atë që quhet sot “Kodra e kalasë” e fshatit Zgërdhesh në rrethin e Krujës shquhen muret e një kalaje të moçme. Në literaturë kam lexuar përshkrimin e kujdesshëm të një studiuesi Jovan Adami, nga ku kam marrë njoftimet e para. Ky vend është bash i lokalizuar në fundin i një vargu kodrash nga lindja që zbresin në perëndim dhe nga lartësia i identifikon më lehtë. Kodra jonë, nga ana lindore, ndahet prej kodrave më të larta me një qafë. Atje gjej një bari që bërtet pa fund dhe monologon mes shkurrnajave, por që nuk ia kuptoj lehtë gjuhën e malit. Përshëndetemi nga larg. Nga ana jugore dhe perëndimore, kodra kufizohet prej përrenjsh të thellë, ndërsa “nga ana perëndimore ulet që nga maja me kuotën 252 për në fushë duke arritur gjeri në kuotën 162”. Një pikë topografike që gjej aty dhe që hamendësoj që është e shkuar, më orienton për pikat e horizontit. Duhet sqaruar se pas Luftës së Dytë Botërore, ata që u morën me këtë vend zbuluan vazhdimin e mureve antike. Gjatë gërmimeve, që u bënë në vitin 1949, kanë dalë edhe disa godina. Arkeologët panë me kalimin e kohës, se qyteti që zbuluan ata shtrihej deri në fushë dhe rrethonte krejt anën perëndimore dhe veriore të arave. “Nga pastrimi i pyllit doli në dritë jo vetëm i gjithë muri, por u arrit në konkluzion se disa kulla, të cilat dukeshin të vetmuara si godina të veçanta ishin kulla të murit”. Një kullë anash duket realisht si më e mirëmbajtura. I admiroj një hark të këndshëm, që i ka dhënë muratori antik i panjohur. Shumë afër janë rrënojat e një kishe, tek e cila dallohet apsida e thjeshtë dhe që arkeologët e kanë fiksuar në shënimet e tyre sipër një kulle të murit tërthor. “U gërrmua rreth e brenda godinës katërkëndëshe që gjendet puq me kullën e rrumbullakët të murit A. U gërmua fundi i kullës katërkëndeshë në jug të kullës së rrumbullakët të murit edhe u bënë disa gërmime rreth godinave. Gjatë kërkimeve dhe gërmimeve u zbuluan tre objekte prej balte të pjekur, një copë tjegull me një vulë me dy shkronja TI dhe 20 copë monedha të ndryshme. Në të dyja anët e kullës së rrumbullakët muret nuk vazhdojnë as nga ana jugore as nga ana veriore pasi si nga jugu ashtu dhe nga veriu formacioni i terrenit është pjesërisht shkëmb dhe pjesërisht formonte mbrojtje natyrale”, shfletoj shënimet e arkeologëve. Sikur të jetonin me kalanë Pasi kemi fotografuar këtë ngrehinë, që e kam në kokë falë artikullit skrupuloz të studiuesit të vjetër, më duhet të zbres. Por, në pamundësi, të një orientimi, përfundoj gabim dhe më duhet të përshkoj me kolegët e mi dyfish qytetin antik dhe të përfundoj në një si biçim tyrbe, ku janë dy gurrë varri, pa më të thjeshtën shenjë identifikimi. Dhjetë minuta më vonë, mikpritësi im, Halil Voka, ish-oficer këmbsorie, por që tashmë është kryeplaku i fshatit më thotë shumë dhe asgjë, kur zbres në fshat. Ushtarakisht, burri, që e ka humbur prej kohësh shprehjen e oficerit, më shpjegon me fytyrën e një nëpunësi pedant. “Gjëndja ekonomike jo e mirë. Ne jemi gati 2000 banorë dhe 370 shtëpi. Këtu jemi dy fshatra të bashkuara. Fiset janë nga më të ndryshmet. Kemi fise Karroq, Faruk, Sefer, Halilaj, Zogaj dhe shumë e shumë të ndryshëm”. Referuar tij, Karroqët, Vokët, Seferët, Halilët janë vendalinj, ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga Malësia e Krujës dhe nga Dibra e nga Kukësi. Kanë ardhur të gjithë dhe jemi inkuadruar të gjithë në fshatin Halilaj. Por, këtu kanë përfunduar, shumë dhe pas shitjes së tokave. Remineshenca e vitit 1997 është e gjallë përmes këtij fakti. Që mund t’i shtohet dhe ardhja e aventurierëve të ndryshëm, të cilët kanë kërkuar për florinj në këtë vend. Nuk mbaron këtu përralla e tij, sepse vijojnë çudirat, që më duket se i dëgjoj në jerm. Kuptohet se flet për historikun e fshatit! Fshati Zgërdhesh është fshati më i vjetër në Ballkan! “Kalaja që ishit ju, është kalaja e Arbërve, që sipas historikut kanë qenë 10,000 banorë. Asnjë investim nuk është bërë qoftë në kohën e Enverit dhe qoftë edhe në kohën e Demokracisë fare”. Nuk di kujt ti besoj. Por, atje ku kam gjetur fosilet- prej 16 vjetësh, sipas kryeplakut, ferra e mbulon njeriun e zakonshëm. “Për herë të fundit kemi parë arkeologë në vitin 1992”, më thotë duke më hedhur poshtë fjalët e Meritit, që më ka treguar interesin për këtë vend, por të vakët. Sipas tij, pak ditë më parë, ka qenë dhe Ceka (I Riu) që është ngjitur në qytet. Kryetari vazhdon dhe më tregon për një shoqatë që mban emrin e Albanapolisit dhe ai duket se është boll i pakënaqur. Ashtu si edhe me të huajt. “Kanë ardhur edhe ca francezë dhe panë... dhe u shpjegova se Ju duhet të investoni pak dhe ne investojmë me mundësitë që kemi për të bërë diçka të bukur. Të bëjmë zbulime...”. Kthehet sërish te shoqata, që më sa duket ka probleme. “Ne u kemi kërkuar dhe u kemi thënë hajde që të bashkëpunojmë dhe të njihet kalaja. Të jetë një shoqatë me këtë emër dhe të mos interesohet... është kot fare...”, më sqaron ankueshëm. I shpjegoj se ai vetë nuk ka bërë dhe mundimin më të vogël për qytetin. Kthehet me forcë. “E kam vendosur,-thotë- në xhade një tabelë”. I shpjegoj se është pak. Pak minuta më vonë, kryetari ulet: “Kjo është më se e drejtë, por me thënë të vërtetën të gjitha janë bërë privatisht. Nuk kemi ndihmë nga Bashkia as edhe një lek, që ka fondin për këtë. Janë një fond i veçantë, por asgjë nuk bën. Sepse një tabelë kushton 10.000 lekë”, më justifikohet. Rekuiem për varfërinë e Arbërorëve të shekullit XXI Eshtë një varfëri e madhe dhe jetojnë me mjete private duke përdorur gropën e gëlqeres, që është në kundërshtim me të gjitha parametrat që duhen për ndotjen. “Unë kam dhënë intervistë, por nuk kanë ku shkojnë, më sqaron kryetari. Eshtë e vërtetë që kanë tokë, por ajo nuk jep asgjë”. E banorët djegin goma dhe vazhdojnë që të djegin. Gati një muaj më parë kanë dërguar një grua, që i ka rënë infarkt prej kësaj pune. Por, kush do t’ia dijë. Vetë kryeplaku ka kërkuar matje, nga autoritetet dhe përfundimi ka qenë katastrofal: Ka dalë se gjatë 24 orëve ka dalë mbi 300% të normës së lejuar, thotë duke ulur kokën. Ata, që janë më të fortë, tashmë kanë prekur të gjithë botën, si të gjithë shqiptarët duke kërkuar një alternativë tjetër. Në Greqi, Itali, Francë dhe në të gjitha vendet e botës, por jo në “kryeqytetin e Ilirisë”, që të jep kancer dhe pak lavdi. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||