| Zemra Shqiptare | ||||
|
Dardhë, “Alt” turizmit dimëror E marte, 27-03-2007, 06:49pm (GMT) Shkruan: Ben Andoni
Mes dardharëve shekullorë Po duhet të ketë ndonjë lloj mirëkuptimi, sepse të mbeturit e paktë të fshatit, pothuaj në këto ujra i tregojnë historitë e tyre. E tregon pak a shumë kështu edhe Petrovca, gruaja e vjetër 82 vjeçare, që nuk na e mban goja t’i themi plakë. Eshtë krejt e vetme, në një fshat, që tashmë mund të quhet pa e ngasur fantomë, ku gjithsej tash janë 20 e pak frymë…Me sytë e thelluar nga vitet e tutje, me gojën e rrëgjuar nga mungesa e dhëmbëve vitalë, por me një penjuar dhe ‘rastësisht’ me një përparëse të ornamentuar bukur, përgatit gjellën e të premtes. “Eshtë fasule, më thotë me çapkënllëkun e moshës, pasi më ka treguar pak aq sa mund të thotë. Kështu e kanë dardharët. Të premten e kanë me detyrim të bëjnë fasule”. Olimbi Tollko, që e thërrasin Petrovca, ka katër djem që i ka të shpërndarë në Greqi dhe në Korçë, por askënd pranë vetes. Nuk i bën syri tërr, edhe kur pas një udhëtimi prej 20 kilometrash nga Korça, në një thëllimë, jo të zakonshme, ne i shfaqemi në deriçkën e vogël. Në perandorinë e saj, që është një dhomë, veçmas nga shtëpia, ka pastërti, ndërsa Thomai, skiatori i njohur korçar, miku i saj, dallon shenjat e punës së gruas që në mëngjez. Ka një “sobkë” prej qëmoti, që zien fasulet dhe djeg qepën, ndërsa e ka vendosur para para oxhakut, që duhet të ketë kohë që nuk nxjerr tym. Dy ikonza i qëndrojnë kundruall dhomës, ndërsa një kalendar, që nuk e di pse e ka fiksuar më 13…, i tregon datën. Në fakt, jemi gati dymbëdhjetë ditë më pas. “Kanë mbetur 13 shtëpi me njerëz, më kthjellon plaka. Safoku është më i vjetri, pastaj Danja, Urimi, Pandi, Mynyri...”. Në fshat Fshati ka kohë që nxjerr pak tym nga oxhaqet e tij. Nga atje ku vidhet në ajër, mjafton, që të dallosh se ku kanë mbetur në Dardhë gjallesat njerëzore. Më aktivët mes tyre janë katër djem Fatjoni, Ervini (është elektriçist), Koço dhe Juliani. Këta i zbresin në mënyrë drastike mesataren e moshës fshatit, që plaket dhe rrënohet përditë. Por, jo në ekstrem. Sepse ka shumë rishtarë, që i kënaqen mjedisit dhe kanë bërë shtëpitë në këtë vend, por që nuk vinë kurrë në dimër. Kuptohet politikanët si Blushi dhe Rama nuk i ka shpëtuar ky vend, ndërsa ka shumë të tjerë, që nuk munden. Një i tillë, Maks Velo, piktori i njohur kryeqytetas rreket më kot, por nuk e gjen dot gjuhën me bashkëfshatarët e tij. “Janë ngritur 36 shtëpi të reja,-më thotë Fatjoni që ndjehet bash i turpëruar. E vetmja lidhje, që ka me pjesën tjetër të vendit është ‘Portokallija’ dhe stacionet greke, veç pak gjërave të tjera. Më gënjen, për kushtet dhe për kohën e tij. Rebusi zgjidhet pak orë më vonë, kur ai zbret me ne në Korçë. Askënd nuk ushqen me ftohtësinë e saj të bukur Dardha. Edhe pse që në fillim të fshatit, ftohtësia dhe ndërtimet e bukura, janë pak që të të grishin për të qëndruar në këtë vend. Në fshat futesh nga ana e Kishës së Shën Gjergjit. Të duhet që të kalosh te ish-posta dhe pastaj të ndjekësh më në jug rrugën më poshtë. “Nga shtëpia e kryeplakut ne jemi në shtëpinë e fundit, që shtrihet në sheshin jugor”, më shpjegon Thoma Tasho tepër i gjendshëm. Synon që të bëjë një pistë afër fshatit. Një ndërmarrje, që në të ardhmen, mund të përbëjë momentin e vetëm, që ky vend të rivitalizohet. Flet duke ecur dhe shpesh rrëshket vetë me qejf. Ne të tjerët e ndjekim duke u munduar që të ruhemi nga rrëshqitja. Ndërkaq, bora ka filluar vallëzimin e saj mbi kalldrëmin e një fshati të punuar me kujdes. Dardharët janë përmendur fillimisht si druvarë, por edhe si ndërtues të mirë. Nuk mund të mëdyshosh kur u sheh shtëpitë. Në anën jugore nga ku janë edhe shtëpitë më të vjetra, po punohet për restaurimin e tyre. Nuk i dihet, në fakt. Shpresohet se do të ndryshojë. Por, shtëpizat që janë deri në 100-200 vjeçare heshtin. “Gjithmonë restaurohen, por...”,- tund kokën me aprovim Maqo. Pak më vonë, ngjitemi nga ana veriore, atje ku edhe ka qenë baxhoja e vjetër. Dhe, kuptohet se përfundojmë sërish në qëndër, atje ku ka qenë edhe kampi. Janë disa ndërtesa që më thonë se quhen kamp. “Jo se i ka ndërtuar shteti,- më sqaron burri. Por ato kanë qenë shtëpi të dardharëve dhe ja u ka marrë shteti”. Në fillim të shekullit XX, Dardha llogaritet se banohej në 400 shtëpi. Profesioni i parë i dardharëve duket se ka qenë ai i druvarit, por ka të ngjarë që njerëzit të jenë marrë shumë me drurin dhe si marangozë. Në shtëpitë e tyre ka ornamentime, që të befasojnë me qashtërsinë dhe rigorizitetin e punës dhe në trajtimin e elementëve. Një të tillë e has në shtëpinë e Petrovcës, ku varim xhupat tanë. Eshtë një dru bash i bukur. “Me karvane prej 20-30 vetash, me mushka, të armatosur, u nisën fillimisht drejt pyjeve të zonave greke, atëherë ende nën Turqinë. Që nga viti 1800 deri në 1935-ën, në Olimp punonin ende sharrat e dardharëve, jo dosido, por me teknikën më të mirë të kohës, me ujë, aq sa mbeti edhe shprehja e njohur “Ia pret me sopatën e dardharit”, - shkruan për fshatin e vendlindjes së tij shkrimtari Teodor Laço. Histori dardharësh Përveç elementit urbanistik, asgjë nuk të bën më përshtypje atje. Tashmë shtëpitë janë vjetëruar, kurse të rejat syresh, duket se u krekosen shtëpijave të reja. Kuptohet se e nuk e kanë ngrohtësinë e të parave. E vetmja gjë që ka mbetur është përshtatshmëria e tyre për turizmin familjar në verë, një iniciativë e dikujt me “Dardha Water” dhe ardhmëria me pistën e skive. Ngaqë, tashmë fshati, matet me frymët dhe jo me fiset e dikurshme, shtëpitë e tilla si Ktonat, Zengot, Thimiot, Neçkat, Skëndat heshtin. “Ktonat janë gjithë ajo lagjja, më rrëfen një burrë 73 vjeçar, që ka qenë nënoficer, në një vend ku ka vetëm borë. Pa kemi Thimiot nga lagjja tjetër dhe kemi fise të tjera përposhtë. Ka edhe muslimanë”. Një i tillë është edhe kryeplaku i fshatit Urim Seferi, që mbaj mënd se e kam takuar dhe para disa viteve. Asgjë tjetër nga banorët e sotëm, përveç inisiativave, që gjithmonë vinë nga poshtë... Për pistën e skive Jo shumë kohë më parë, në këtë vend, erdhën dy austriakë. Ishin ata, që propozuan që pista e skive duhej të ishte në lartësi. Tasho, traineri i skive të qytetit dhe kryetari i shoqatës së skiatorëve të Korçës pas fjalëve të tyre (ishte ai kumbari i pistës), po mundohet që të bëj një pistë skish “sepse ne i stërvisim fëmijët jashtë me një kosto shumë të madhe. Vendosëm të bëjmë një gjë të madhe. Të fundit, sepse bëjmë garime gjithmonë të vështira”. Në kampionatin kombëtar, që bëhej dikur në Voskopojë, ka qenë që në moshën 25 vjeç, kur rendte me ski. “Kam qenë dhe në Voskopojë”, thotë nostalgjik. Ai na tregon dhe vendin e pistës, në të dalë të fshatit, në një vend, ku e vetmja materie, që ka prekur dora e njeriut janë tunelet e hekurta të Enverit. “Kjo quhet Bigëll Maja dhe atje është lartësia e kësaj 1800 metra. Pjesa poshtë e ka kuotën 1300 metra dhe ka një kilometër gjatësi. Mund të bëhen stërvitje dhe gara kombëtare dhe shpresojmë dhe për një teleferik me ndihmat që do na japin... kjo është e gjitha”, më tregon me zë të lartë për të mposhtur erën e borës burri. E admiroj burrin e ri, që më ka bërë dhe guidën në ftohtësinë e fshatit, pa mundur kurrë të nxjerrë dhe një fjalë të vetme mosaprovimi nga goja...Teksa barresim të vetëm nëpër borë, një Tasho tjetër më tepër i njohur, fotografon pa fund. Eshtë i dashuruar me peisazhin e vendit. Ky është momenti, që takojmë një nga banorët e mbetur të fshatit. I papuni Sotiraq Zengo, 45 vjeç, baret i vetëm në rrugët e boshatisura të fshatit. Ka qenë dhe ai skiator, siç ndodh rëndom. Shkëmbëhen fjalët e kortezisë. “Na ka bashkuar jeta sportive, më thotë Thomai. Kanë qenë disa djem të Dardhës që bënim ski dhe Sotiraqi ka qenë një prej tyre. Tashmë kanë kaluar vitet dhe atij i duhet të mbijetojë. Ka dërguar fëmijët në Korçë, sepse këtu mungon shkolla, ndërsa vetë vjen shpesh e shikon shtëpinë”. Sotiraqi thjesht shikon dhe nuk flet. Duhet ta ketë pak pisk jetën, por nuk jep shenja paniku. Bisnes made in Dardha Në fakt, nuk janë aq dashamirë. Të paktën kështu kuptoj nga muhabeti i rezervuar me korçarin, që ka bërë bisnesin e “Red Rock” në mal. E ka bërë me sakrifica gjithshka por nuk ankohet, ndërsa bisnesi tashmë i përshkon të gjithë Shqiëprinë dhe matanë. Ka një transporter të rëndë, por më shumë vullnet, që duket se nuk mban shumë erë Shqipëri. Bashkë me të shoqen e huaj ia ka dalë mbanë këtu mes maleve. Ish-oficer, më pas një emigrant, ka mundur që nga hiçi të ngrejë një perandori, e cila shkon nga Selaniku në Mal të Zi. Eshtë i kënaqur dhe nuk ankohet, teksa punon njësoj si të gjithë punëtorët e tjerë. Ka një histori tipike ballkanike. “Xhaxhai i gruas sime ka qenë një nga menaxherët e Coca-Colës dhe Pepsit në 82 vende të Botës (Vendi X). Ai punonte dhe të dielave për llogari të interesave të vet…Duke qenë menaxher, por edhe kimist, shpiku një pije të vet, që e quajti Red Rock( Shkëmbi i Kuq). Pati jetën e shkurtër dhe në fund la testamentin, ku ishte edhe formula e pijes. Ne morëm kodin dhe filluam punën. Me ta nxjerrë në treg ndalohesh reklamimi i produktit, për të parë fuqinë që kishte. Që në tre muajt e parë patëm rezultate marramëndëse. Në tre muaj cep e më cep të Shqipërisë. Ofertat fillojnë që nga Selaniku dhe mbarojnë në Mal të Zi...Prodhohen 12.000 mlitra”. Ia ndërpres patetizmin. I kujtoj se është gruaja, ajo që është bërë shkak i këtij bisnesi. Nuk e mohon, Jorgo, ashtu si nuk e ka siklet të thotë që gruan, ish-stiliste në një TV, e ka njohur thjesht në një diskotekë. Nga bashkimi i tyre kanë lindur dy fëmijë dhe bisnesi i Dardha Water. “Eshtë nga ujrat më të mira që kishte Shqipëria. E fillova me mund e sakrifica dhe çdo gjë është bërë konform rregullave dhe lejeve që janë marrë nga bujqësia, mjedisi dhe Makbule Ceco ka firmuar si kordinatore e mejdisit”. Kjo është Dardha, ku tashmë prodhohet non-stop pije freskuese dhe “Red Rock, që me kanaçen e tij shkon nga Mali i Zi dhe deri në Selanik”. Turizmi i dardharëve Por, shembulli i pistës dhe bisnesit nuk mjaftojnë që të ngrenë Dardhën. “Puna e skive është si puna e plazhit. Ti shkon në plazh dhe nuk e bën notin që të bëhesh notar. Ti i bën skitë për t’u kënaqur. Ai që do të bëjë një gjë të mirë e bën kudo”, më thotë Tasho, që duket se nuk e ngrohin shumë banorët, pavarësisht se i respekton shumë. Banorët kanë mbetur shumë tradicionalë. Burri, që ka shërbyer si nënoficer, më shpjegon sesi funksionon turizmi, teksa udhëtojmë. Eshtë bashkë me djalin, Fatjonin, 19 vjeç, ndoshta më i riu i fshatit. “Unë jetoj në dimër këtu. I marrim që më parë të gjitha dhe pastaj përgatitemi. Në rradhë të parë vemë në rregull zahiretë e dimrit për kafshët dhe pastaj vazhdojmë me perimet dhe pastërmat. Ca i mbajmë të freskëta dhe ca i çojmë në frigorifer. Por, ka edhe bukë këtu. Ne i bëjmë vetë. Sigurojmë drutë e zjarrit, pa zënë bora dhe i kemi gati për dimër. Na zihet rruga për ndonjë gjë shëndeti, atëhere është problem. Të gjitha i bëjmë në Korçë”. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||