| Zemra Shqiptare | ||||
|
“Rozafa”, dashuri me pëllumba E marte, 27-02-2007, 06:45pm (GMT) Shkruan: Ben Andoni
Kalaja, si dikur Pak gjëra kanë ndryshuar në Kalanë e Rozafës. Por, ndërsa kam përshkruar oborrin e parë, në një nga muret, është fshirë një gjë që mungon dhe që i grishte aq shumë vizitorët në të shkuarën. Pas një hapësirë të pamatë, shumë shpejt afër derës tashmë nuk e shoh më parrullën, që dikur më ka bërë aq shumë për vete: “Shkodër, nuk të harroj kurrë”. Nuk e gjej më. Agronin, që e pyes, nuk di gjë, edhe njësoj, një bari që kullot delet aty edhe ai nuk di të më thotë asgjë. Vetëm më tall me shikimin e tij dhe me mirëqënien, që e shfaq me një bark të frikshëm. Të tillë bari nuk e kemi parë kurrë. Hulumtoj, atë që mund të ketë ndryshuar në këtë vend. Në fakt asgjë. Eshtë njësoj. Sërisht, e gjithë sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me tip portash mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Jam konsultuar shpesh më literaturë për këtë vend. Një çift i ri studentësh, që shkëmbejnë puthje të harlisura mbi murin që xrrohet mbi Bunë, më qësëndisin, sepse kërkoj instiktivisht për qeramikë. U dukem si rishtar. Vazhdoj i patrazuar e përfundoj në muret dalës të tij, ku janë të dalura drejtkëndëshe, që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës qëndrojnë rëndazi ambientet, që lidhen me një kullë rrethore, një depo, si dhe një godinë pakkatëshe, që duket se ruan dorën e venedikasve. Oborri i dytë zë pjesën qendrore të kalasë dhe falë një muri tërthor pa kulla, ndahet nga i pari. Brenda tij, kam dëgjuar se ndodhen katër depozita për grumbullimet e ujit. Janë katërkëndëshe dhe të mbuluara me qemerë, prej të cilave, uji merrej përmes grykave të puseve rrethore. Në një si tip stere, futemi me disa shkallë spirale dhe përfundojmë jashtë kalasë. Ruhet pastër një nga depot, është ende një “burg”, si dhe shenjat e kishës, që më pas është kthyer në xhami. Intermexo Bash luftë për të. “E po, ku merr vesh këtu i pari të dytin “-ma kthen bariu, që është afruar vetë. Muslimanët me krishterët dhe argumentime nga më të sofistikuarat, më qarkullojnë në kokë, teksa më vjen ndërmend problemi. E si ndodh rëndom, do ishte Kumbarja e lekëve (Znj. Ris) për restaurimin e objektit, ambasadorja e shtetit amerikan, që do u kujtonte shkodranëve sherrxhinj, se Objekti mbi të gjitha i vlen turizmit të vendit. Duket se strumbullari i daljes në siperfaqe të përplasjes mes dy komuniteteve fetare kanë qenë lekët e një projekti për rinovimin e këtij objekti kulti, i cili u përzgjodh në muajin gusht të këtij viti nga Departamenti i Shtetit për Fondin e Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Granti prej 30 mijë dollarë do të zbatohej nga vetë ambasada e SHBA në Tiranë. “Ku di gja unë”, më thotë Agroni. Po merremi bashkë me pëllumbat dhe japim me një “këmblesh”, pastaj një balli, që nuk bindet. Kapim, e marrim, na ikën dhe e e kapim sërish sëbashku...”Eshtë sëmurë”, më thotë i hidhëruar. “Nuk ka ngrënë fare”. Shqipëria ishte një nga 76 vendet e përzgjedhura për të marrë një financim të veçantë dhe kjo ishte hera e tretë për Shqipërinë, pas fondeve të akorduara për rinovimin e pjesshëm të kështjellës së Lezhës në vitin 2002 dhe fondit për ruajtjen e kishës së shën Nikollës në Voskopojë. Nëpër kala “Oborri i parë komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407- 1416 u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja. Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik”. Të duken si të përgjysmuara dhe kanë shumë lagështirë. Janë grishja më e madhe e fotografit, që ndalon duke marrë silueta platformash të tëra, që i mbulon rënja e diellit. Peter Ustinov: Kalaja “Mos u tallnin me varfërinë- thotë në një nga këto udhëtime artisti dhe dramaturgu i madh, Peter Ustinov për Shqipërinë e vitit 1966. Ambasadori i shquar i UNESCO-s dhe UNICEF-it është i mahnitur me Kalanë e Shkodrës në atë vit, por mbetet i zhgënyer me mbulimin e vuajtjes, që bëjnë shqiptarët e viteve ‘60. Pak historik Në shekullin V - IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopikë të puthitur pa llaç në hyrje të qytetit në një lartësi 130 m. Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytet që në vitin 230 p.k. Nga monedha mësojmë emrin që ka patur qyteti në atë kohë, Scodrinon. Në vitin 181 p.k. bëhet Kryeqytet i Mbretërisë së Ilirisë, me sundimtar Gentin, dhe kishte një shtrirje të madhe në pjesën veriore. Në shekullin II p.k. në kalanë e qytetit zhvillohen luftërat me Romën dhe në vitin 168 pushtohet nga Roma dhe bëhet një nga qendrat e njësive administrative të Perandorisë Romake. Diokleciani e kthen në qendër krahinore. Më vonë bëhet kryeqendër e shtetit të Zetës në shek. Xl. Më pas vjen pushtimi i shkurtër Bullgar. Në shekullin XIV bëhet qendër e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së familjes Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut, e cila rikonstrukton kalanë dhe qytetin e quan Scutari. Qyteti ka institucione dhe ligje si çdo qendër e zhvilluar veneciane në Adriatik. Kalaja e Shkodrës ishte kalaja e fundit që ra në shekullin e XV, kur më vitin 1479 Sulltan Mehmeti II e rrethoi me mbi 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1600 vetash, i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitari i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij “Rrethimi i Shkodrës” u botua në Europë në vitin 1504. Në shekullin XVIII bëhet qendër pashallëku, nën sundimin e familjes vendase të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane. Ndërtimi I gjithë ky rrëfim nuk i bën përshtypje “shërbëtorit të pëllumbave”. Agroni ka ardhur që në mëngjez këtu. Dikur ka qenë kamarier në lokalin ngjitur me muzeun e kalasë, ndërsa sot është thjesht një nga punonjësit. Por, pronarit të saj i shkoi ndërmend diçka krejt e veçantë, ndaj në një nga kthinat e kalasë- ai mendoi që të ngrejë një vend për pëllumbat. I pari para Agronit i rrënoi dhe ndaj ai caktoi djalin e përkushtuar...”U katandisën 70 copë. Jan si rob. Veç goj nuk kanë”, më thotë. Ato janë krenaria më e bukur e këtij vendi. Nga pas ndjej aziatikun, që nuk orientohet dot sërisht. Për fat të keq është i mbyllur muzeu, ndërsa ai vetë duket se me kureshtjen e tij, nuk bën dot punë. Nga pas e tall çifti, që tashmë i kanë shkëputur buzët nga njëri-tjetri. Nuk e orientoj dot as me sy. Ndërkaq, edhe Agroni jep shenjat e para të besdisjes. Më mbush kokën me fjalë dhe me teknologjinë e mbajtjes së pëllumbave, ndërsa më tregon se ky është profesioni i ri i tij dhe i vetëm me të cilin jeton. “Kjo është hera e parë që kam mbajtur pëllumba në jetën time”, më thotë. Largohemi me të. Tashmë muzgu është varur mbi kala. Dalëngadalë janë fshirë në horizontin e këmbëve të saj konturet e lumenjve, Drin e Buna, ndërsa nuk kontrollohet më fusha bregdetare përreth hyrjen në Liqenin e Shkodrës. Kështu zhduken dhe gjurmët e Balshajve që sunduan në Shkodër deri në vitin 1396, dhe pak nga pak e gjithë të tjerëve. E gjithë sipërfaqa prej 9 ha tashmë fle. Si në një kaleidoskop gjigand ngjarjet përplasen me njëra-tjetrën, por kujtoj vetëm, kohën kur Esat Pasha ua dorëzoi malazezëve Rozafën, që në ekstazë përkëdhelnin gurët e saj. Ky rrëfim që ia bëj bashkëbiseduesit të fundit, nuk mjafton që të mbushë interesin e lodhur të aziatikut, që tashti i duhet që të përballet edhe me qësëndinë e bariut, që është në oborrin e dytë të Kalasë. Ky i fundit vazhdon e kullot i qetë bagëtinë e tij, ndërsa jep e merr me derëtarin, që këtë herë duket açik se është i njohuri i tij. E ka lënë të kullosë në kala- e qeshin ndërsa flasin me një gegnishte tepër arkaike, që u sjell pa fund kënaqësi, ngaqë nuk kuptojmë asgjë. Aziatikut i janë tejhapur sytë e mbyllura dhe kqyr. Ndërsa Agroni befas e ka gjetur një shfajsim për të na hequr qafe. E thërret një djalë nga klubi afër. Kuptohet se i braktis dhe pëllumbat, që ndihen më të qetë vetëm. Si në kohën e Ustinovit përsëri vendin e rëndon heshtja dhe boshnaja e vizitave... |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||