| Zemra Shqiptare | ||||
|
Nëpër udhë të Krasniqes në Valbonë E shtune, 22-09-2007, 07:21pm (GMT1)
Biseda është bërë në kufirin e pak minutave. Burri i dobët me dhëmbët e shkatërruar, që dikur ka qenë polic, më ka treguar se rruga për në Valbonë është katastrofë. E ka paraqitur me një koeficient të llahtarshëm. E kemi parë si guakë. Ndër Krasniqe Si erdhën Krasniqët Durhami e jep legjendën e ardhjes së tyre nga Bosnja . Kur e kam njohur unë fisin, ata ishin të gjithë katolikë, përveç tri shtëpive, ato të bajraktarëve, të cilët u myslimanizuan shtatë brezni më parë, pasi morën ndere të mëdha nga turqit në një luftë kundër Ulqinit. Marash Uci, mjeku trashëgimtar i fisit, një plak i zgjuar e tepër i këndshëm më tha se stërgjyshi i Hotit, Geg Lazi pati ardhur nga Bosnja dhe mbërriti bashkë me familjen e vet, pak kohë pasi u ndërtua kisha e Grudës. Kur erdhën ata gjetën dy njerëz, “Anas”, që jetonin në ato troje dhe u vendosën në mes të tyre. Nga këta “Anas” e kanë prejardhjen dymbëdhjetë shtëpi të Hotit dhe mund të martohen me pasardhësit e Geg Lazit. Ai nuk më tha dot nga cila pjesë e Bosnjes kishin ardhur ata. Gega ishte kreu i një familje të madhe lopçarësh, të cilët u shpërngulën drejt Jugut, padyshim për të shpëtuar që të mos bëheshin raja të ndonjë çifligari mysliman. Geg Lazi kishte tri vëllezër: Piper Lazi, Vaso Lazi dhe Krasni Lazi. Piperi dhe Vasoja, siç do të shohim, ishin stërgjyshërit e fiseve Piperi dhe Vasojeviç, të cilët u kthyen në malazez në shekullin e XVIII. Krasni ishte stërgjyshi i fisit mysliman shqiptar Krasniqi...Kështu nga të katër, tani janë dy serbofonë e ortodoksë dhe një shqipfolës katolik dhe tjetri shqipfolës mysliman... Për në Valbonë I harrojmë. Vajza kosovare, e cila është e bashkuar me ne, e ka tretur vështrimin tutje. Eshtë bash Krasniqe dhe ka ardhur të shikojë vendin e saj. Të shkruajë, mbase. I është dukur si përrallë. Në këtë vend duket se përshtat imazhet dhe tregimet e njerëzve të saj. Nuk i ka njohur. Po mos të jetë ajo skamja...që të shoqëron nga një rrugë e stërlodhur, ndoshta nuk do ishte kaq e paqme. E përhumbur ledhaton me sy fluturat dhe shpesh qafa e bukur dhe e gjatë i mbetet e tendosur prej syve, që ngulen vetiu ndër maja malesh, që nuk ua di toponiminë. I ndjen të sajat. “Thirrja e tokë-gjakut”. “Jemi afër Shoshanit - më thotë tek Ura e parë drejt Alpeve. Valbona është bash e kthjellët dhe këtu është fillimi i grykës”. Eshtë vendi, ku shumica e fotografëve që pretendojnë se kanë bërë Valbonën, kanë kursyer të shkrepurat e tyre më tej… Tutje, një fshat, mbi një si të ngritur, që rrethohet nga Valbona në jug dhe lumi i Mullarekës në lindje. Na e tregojnë si vendlindja e Haxhi Zekë Biberajt. Shtëpitë nuk më tregojnë asgjë. E shikoj me sy kosovaren, që të më thotë më shumë. Nga ajo marr një pulitje sysh dhe asgjë më tepër. Nga këtej e më tutje, pos një pluhuri të madh që vjen nga rruga, e cila gjarpëron paralel me lumin, asgjë më shumë. Zgjerimi i parë është në Klysyrë. Nga një rrugë këmbësore, lidhet me fshatin e Bradozhnicës. Nuk e dimë si mund të jetojnë, por në këto vise, dikur gjërat ishin të përcaktuara. Nga një anë Krasniqe, në tjetër Gash...nëse lëvizte dikush pak më tutje, dhe prekte kullotat, përfundonte në një rrëke gjaku që vadiste shekujt...Në fakt tani nuk ka rrëkej gjaku, por kumt harrese. Madhështia e maleve mbi 2000 metra të mëson se je në një vend epik, por bash të varfër...Çuditërisht ka tym. Zjarre të vegjël, me të cilat nuk merret askush. Nga mendimet na shkëput shoferi. “A po na tregoni, ndonji send”, më thotë. Që ti tregosh barcaleta, këtu nuk bën ndonjë çudi. Por ai më piskat më fort. “Po pse vikat kaq fort?”-e pyes. “Sepse ne tropojanët,- më thotë, bërtasim ngaqë nuk dëgjojmë prej gurgullimës së Valbonës”. “Ti nuk ke fat, -më thotë pastaj heshtazi, por sërish me dy nota sipër meje. Valbona është tretur”. Pas pak, në të majtë del Shpaiku, një shpellë karstike dhe vetëm në dalje të urës së dytë në hapjen tjetër të luginës shfaqet me 122 shtëpitë e tij Dragobia. Di që ka edhe 23 kulla fshati. Kemi përshkuar 15 kilometra nga qyteti, që më duken mbi 50 km të tilla. “Këtu ka qenë Enveri dhe më tregon një vend, ku dikur ka shërbyer si rezidencë e tij. “Heu Enver!”. E tall pak. Dragobia është shumë e paqtë për emrin që ka. Një ish-repart ushtrie, tash i braktisur, është rrethuar nga varre jo të mira. Pak kafshë ushqehen, sipër varreve. Dhe shtëpi rreth e rrotull, zhytyr në punët stinore. Ndalojmë. Në bar-kafenë e vetme, një djalosh i fuqishëm, shërben. Sakaq vijnë dhe burra të tjerë. Ankohen. Të qesëndisin. Ankimi i bën më shqiptarë. Por, kur i thua pse nuk e ndryshojnë vetë fshatin, mbesin. Vajza nga Krasniqja, për herë të parë qesh me zë. Në mjedis malësorësh, që tash u mungojnë qeleshet, armët e gjata dhe eshtrat, duhet të shikojë, sesi pinë birra me kanaçe dhe ‘ankohen’ Krasniqët e saj...Qesh. Çuditërisht, dy flutura të bardha ndjekin njëra-tjetrën. Një tavolinë më tutje, na ngasin me muhabet. Aq tragjikisht m’i tregojnë se i kanë punët, sa thua, që këtu duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Por, ai që më flet më shumë, ka një trup atleti dhe të 50 vitet e tij, e tregojnë se nuk ka bërë aspak jetë të mundimshme. Një djal i ri, që nuk flet dhe rri i përhumbur...pi Rothmans. Vajza përvidhet pakëz. Shikon lokalin. Një femër e bukur dhe një peizazh idilik i qëndrojnë përballë. Pse i mban?-e pyet djalin. Dhe, vetë përgjigjet. “Do një vajzë kaq të bukur dhe vendin tënd e do bash kështu?”. Po bash, i përgjigjet djali, që tash i është dorëzuar hireve të saj...Një flutur e bardhë, arrin të kthehet e vetme dhe qarkon sërish tavolinën, kurse tjetra e gjuan nga sipër. Dhe, fluturat janë të mëdha këtu. Por, ka kaq shumë syresh. Sa shumë, o Zot. Ndahemi. Na afrojnë birrë dhe raki. Mikpritja është e çmuar dhe pa asnjë kusht këtu. Na ftojnë të qëndrojmë. Jemi miq tash... Rrugës Gryka e Motinës, që shikohet pak më andej, mbetet e futur në kreshtat e Majës së Hekurave. Në Kika në të djathtë ndahet rruga automobilistike e Çeremit (fshat që shtrihet në një pllajë në 1800 metra lartësi) dhe në të majtë, në mes të pyllit me ahe e pisha, është shpella e Dragobisë...Tregojnë se bash ai që vrau Bacën ishte nga Dragobia. “Patjetër, pse kush do vinte këtu”, i përgjigjemi shoferit. Në Çerep, pak më parë, ishte edhe kontakti i parë me Malin e Zi, ku përtej kemi fshatin Vuthaj, banuar sërish nga shqiptarë. Çuditërisht shikoj flamurin amerikan të ngritur mbrapsht, njësoj si përpjekja e Redfordit në filmin, që ka realizuar vetë në një burg. Shpresoj, mos të ndjellë keq. Më pas, lugu akullnajor i Valit, i cili shtrihet midis majës së Alisë e asaj të Poplukës në jugperëndim të Jezercës. Gurë pa fund janë rrokullisur në rrugë, si rezultat i ndonjë shpërthimi, që bëhet tash për të hapur rrugën...Lugina në fakt, merr frymë vetëm në Dragobi, ku dalin edhe dy lugina të tjera që përfaqësojnë përrenj të ndryshëm… Dhe, pas saj, lugina e Valbonës vjen e ngushtohet e ngushtohet pafund, derisa përfundon në kanionin e Shoshanit dhe futet në pellgun e Tropojës, ku humbet karakterin e saj. Sërish flutura të bardha...dhe thana, që i janë përkulur pluhurit të rrugës. Një grua e vetme, në një shtëpi karakatinë, të shikon befas. Me dinjitet. “Ani dinjitetin, kurrkush nuk ua merr këtyre njerëzve”, më thonë sytë e gruas...Një mulli i braktisur, dy centrale, që nuk punojnë dhe pyje dhe pyje pafund. Me trungje, që i ngjiten qiellit pa ndalim. Një hotel nxjerr kokën, kur i afrohemi pak nga pak burimeve të Valbonës... Lugina e Valbonës Bash në këtë vend, Teodor Ippen do të shkruante: Lugina e Valbonës mbërrin deri në vargun kryesor të Alpeve shqiptaro-folëse, ajo afrohet me pjesën e sipërme të Luginës së Leshnicës dhe prej Thethit të atyshëm kalohet në krye të luginës së Valbonës përmes Qafës së Valbonës. Prej atje, pjesa e sipërme e luginës së Valbonës i bie rrotull luginës së Currajt, duke u qarkuar e kufizuar në tri anë nga Curraj e Thethi, si edhe nga Vunsaj; kjo pjesë përmban vetëm kullota verore, këto, bjeshkët e Rrogamit e të Valbonës u përkasin fshatarëve të Shalës së Sipërme; bjeshkët e tjera u takojnë Krasniqëve. Lugina e Valbonës është një luginë e gjerë, pjellore, që ka mjaft tokë për ara; një kurriz i ulët e ndan Valbonën prej Tropojës, që rrjedh më tej në lindje, e që vjen e dedhet më pas te lumi i parë. Poshtë maleve Jezercën e identifikoj sërish. E mbuluar nga mjegulla dhe krejt e bukur. Në pragun e Qafës së Valbonës, lugina zgjerohet menjëherë midis bllokut të lartë të Jezercës në të majtë dhe vargut malor të Zhaborreve dhe Grykave të Hapëta në të djathtë… Janë disa përrenj të Shëmtimës (nga e majta) dhe ai i Krasniqes (djathtas). Në fshatin e Valbonës përfundon edhe përroi i Kukajt…Kemi ecur bash në qendër të Alpeve Lindore midis bllokut të Jezercës, Kollatës, e vargmalit Qypi i Gracit-Rupë në veri e verilindje dhe vargut malor nga Maja e Boshit-Maja e Hekurave në jug e juglindje. Fundin e kësaj lugine e kemi mbërritur pasi kemi përshkuar Shoshanin, Këlcyrën, Dragobinë, Valbonën e Rragamin. Në të njëjtin vend, sikur koha të mos ketë lëvizur, gjej një djalë të qashtër si vetë natyra... Idajet Selimi, 28 vjeç, është sërish, por në klub tashmë shërben një njeri i tij. Inxhinier topograf. Sërish më qesh njësoj. Kanë punë për fat. Merren me blegtori dhe me lëndë drusore. Përgatiten për dimër, paçka se dimër nuk ka. Çuditërisht nuk i bën përshtypje një flakë, që është tejet në male...Kanë edhe një asistencë. I besojnë Berishës. Besojnë për turizëm. E mbaj mend, që më ka thënë dikur për një kredi...Kujtoj, si kemi folur dikur për Bjeshkët: Krasniqen me Shalën dhe Kelmendin etj.. Priftërinjtë në Krasniqe ...Pas kësaj françeskanët kthehen në Bunjaj të Krasniqit, por iu desh që edhe këtë vend ta braktisin meqë banorët atje ishin myslimanë. Një pjesë e banorëve të fshatrave Bunjaj, Kolgecaj dhe Kolmeshaj kishin mbetur katolikë dhe i ndihmonte për punët e shpirtit një misionar nga Toplana, derisa u hap më 703 një famulli në Krasniq në fshatin Grija. Mirëpo në vitin 1708 muhamedanët e shkatërruan famullinë, kurse priftin, një tirolez, atë Hilarionin e goditën me tridhjetë kërbaçë në shputat e këmbëve... |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||