| Zemra Shqiptare | ||||
|
Lazër Stani: Krijimi, një akt përtej eksperiencave E diel, 06-07-2008, 05:27pm (GMT)
E para gjë që më shkoi në mendje, kur lexova këtë pyetje, ishte se mbi çfarë experiencash janë shkruar dy nga kryeveprat e letërsisë së njerëzimit Iliada dhe Odisea te Homerit. Këto dy libra janë shkruar në një kohë kur nuk kishte eksperiencë letrare dhe, për më tepër janë shkruar nga një poet i verbër. Të paktën kështu thotë legjenda, kështu shkruhet në libra. Eshtë e qartë se këto dy vepra monumentale të kulturës njerëzore janë shkruar mbi një ekperiencë të dyfishtë: ekperiencën e jashtme që Homeri e mori nëpërmjet dëgjimit të historive që rrëfeheshin dhe një ekperience të veçantë e krijuar brenda shpirtit të tij. Në fund të fundit, është shumë vështirë ta përcaktosh se cilët janë faktorët që ndikojnë në formimin e një shkrimtari, sa ndikojnë eksperiencat dhe sa ndikojnë faktorët e tjerë, pasi me sa duket fati ynë është i shkruar fatalisht në genet tona dhe ne nuk mund të ndryshojmë shumë nga ajo që jemi paracaktuar të jemi. A mund të kemi një vepër të mirë kur mungon përvoja? Jo, nuk mund të shkruhet. Ndryshe veprat letrare do të shkruheshin nga pesëmbëdhjetëvjeçarë. Një vepër letrare, apo një vepër arti është produkt i një ekperience të shumëfishtë, produkt i pjekurisë, imagjinatës, i dilemave të thella brenda vetes dhe e një prirjeje të lindur për ta përceptuar artistikisht botën. Për fat të keq koncepti i eksperiencës, i përvojes të ne është banalizuar, është keqpërdorur, ka vuajtur nga reduktcionizmi. Shkrimtarët gjatë epokës fatkeqe të socializmit, dërgoheshin në prodhim për të njohur jetën, për të njohur herozimin e klasës punëtore, të ndërtuesve të veprave hidrike, apo të hekurudhave, degdiseshin atje për t’u edukuar me frymën e klasës. Edhe në teoritë letrare të kohës, mësoheshin njëmijë marrëzira, jo vetëm kur interpretohej letërsia e realizmit socialist, por edhe kur analizohej letërsia e mëparshme si letersia e realizmit kritik, romanticizmi, apo ajo mesjetare. Gjithçka ishte mbrapsht, e deformuar. Kjo krijoi një klimë mbytëse për artin, për letërsinë, viktimizoi me dhjetra e dhjetra krijues, çoi në shpenzimin e energjive në drejtimin e gabuar. Një eksperiencë e tillë e imponuar ishte krejtësisht mekanike, e pavlefshme, shtypëse, aq më tepër që e përjashtonte njeriun me fatin e tij kompleks, përjashtonte njohjen reale të natyrës njerëzore, tkurrte dhe përjashtonte guximin për të udhëtuar drejt së panjohurës. Mund të na tregoni ndonjë rast konkret kur përvoja u ka ndikuar? Tregimin e parë që e ruaj edhe sot e kësaj dite e kam shkruar në moshën 27 vjeç. Edhe tregimin e parë të botuar ”Mara nuk është e qartë” e kam shkruar në këtë moshë. Këtë tregim nuk e kam përfshirë në asnjërin prej librave të mi, por di që më solli një emocion të jashtëzakonshëm. Miqtë e mi shkrimtarë e pritën me entusiazëm, me vlerësime që në fakt ai tregim nuk i meritonte. Mbaj mend një miken time që më thoshte: “Eshtë tregimi më i bukur i letërsisë shqipe në këto 45 vjet”. E vërteta është se ai ishte një tregim ndryshe, dëshmonte se po vija në letërsi nga ana tjetër e botës, jo andej prej nga kishin ardhur shkrimtarët prej shumë e shumë vitesh. Disa muaj më vonë kur botova “Njeriu i Dosjes” apo “Margaritarët”, mbaj mend se midis miqve shkrimtarë, i mora të gjitha vlerësimet e mundshme, sidomos nga poetët. Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Dritëro Agolli shprehën vlerësime shumë pozitive, madje Dritëroi edhe publikisht nëpër intervista. Nuk ishte pak të gjeje kaq ngrohtësi dhe vlerësim, kur ke botuar vetëm dy-tre tregime në shtyp. E ka të vështirë letërsia e mirë komunikimin me publikun e gjerë? A duhet të shqetësohemi në mos për një vdekje, për një "nokdaun" të letërsisë? Kjo është një temë e diskutuar nxehtësisht në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë, pas depertimit agresiv të televizionit dhe profilizimit të shoqërisë së konsumit. Në provincën tonë erërat e zhvillimit fryjnë me vonesë, kështu që shpesh vuajmë nga shqetësime të vonuara, nga shqetësime të tejkaluara. Mund të them se gjatë dhjetvjeçarëve të fundit kemi një letërsi të jashtëzakonshme, si letërsia e krijuar nga John Maxwell Coetzee, përshembull, se po përmend vetëm një rast. Pra, letërsia do të mbijetojë dhe arti në përgjithësi, do të mbijetojë, për sa kohë të mbijetojë njeriu, për sa kohë të ekzistojë vuajtja dhe vdekja. Morali dhe letërsia ç'lidhje mendoni se mund të kenë me njëra-tjetrën? Unë do të dëshiroja që letërsia të ishte vepër e njerëzve me moral të lartë, e njerëzve të pakorruptueshëm, e njerëzve që krijojnë një model referimi për jetën tonë. Por kjo nuk është e thënë. Ne kemi një njeri me moral të jashtëzakonshëm si Ernesto Sabato, siç kemi një njeri me moral të dyshimtë si Mihail Aleksandroviç Shollohov. Por, si “Tuneli”, si “Fati i njeriut”, apo si “Mbi Heronjtë dhe Varrëzat” dhe si “Doni i Qetë”, janë libra të rëndësishëm për letërsinë botërore. Edhe shkrimtarët janë njerëz. Ata nuk janë të imunizuar nga dobësitë njerëzore, nga veset njerëzore. Pastaj vetë morali është një koncept relativ. Diçka që është e moralshme në një shoqëri, mund të jetë e pamoralshme dhe e dënushme në një shoqëri tjetër. Letersia qendron disi jashtë ligjeve të moralit. Po filozofia si pozicionohet karshi letrares? Jean-Paul Sartre, thotë se filozofet më të mençur kanë bërë nga një pyetje, por asnjë filozof nuk ka dhënë një përgjigje. Letërsia operon në një truall ku nuk arrin dot filozofia, në një truall dhe hapësirë të përtejme. Në këtë kuptim, letërsia është superiore, sepse është ajo që na flet ende, kur filozofia ngren duart. Tendenca për të filozofuar është vdekjeprurëse për një vepër letrare, ndaj dhe autorët më të mirë modernë e kanë shmangur këtë sindrom të së shkuarës. Nuk është normale ta klasifikosh letërsinë sipas seksit të autorëve, ndryshe përveç letrësisë së femrave e të burrave, do të kishim edhe letërsi të homoseksualëve, të leisbikeve etj. Sidoqoftë një farë ndikimi e ka edhe seksi dhe kjo ka të bëjë me diferencat e përceptimit të botës nga sekset e ndryshme, me impulset e brendshme që provokohen nga instinkti seksual. Tek autorët më të mirë, këto diferenca ose tejkalohen e bëhen të pandjeshme, ose shtojnë diçka që është shumë interesante. Unë i kam lexuar me shumë andje librat e autoreve femra, sepse ato shpesh eksplorojnë në një botë që ne burrat, nuk mund ta përceptojmë, për shkak të konstruktit tonë fizik. Ajo që nuk duroj as në jetë, as në letërsi, janë femrat-meshkuj, femrat që përpiqen të imitojnë burrat, që përpiqen të ndjejnë e të flasin si burra. Duhet dhe a mund ta thotë krejt të vërtetën shkrimtari në një autobiografi ose në shkrimin e kujtimeve të tij? Nganjëherë ne jemi shumë kërkues ndaj shkrimtarit: ngaqë e duam, kërkojmë që ai të na thotë gjithçka rreth vetes së tij, të gjitha hollësitë, të gjitha detajet, të gjitha të fshehtat e jetës. Eshtë një kërkesë ekstreme, sepse siç shkruan një poete, “E vërteta është privilegj i tjetërkujt”. Marrdhëniet njerëzore janë shumë komplekse, shumë të ndërlikuara. Ka të vërteta që ne u shmangemi, të vërteta që ne nuk duam t’i dimë. Shkrimtari vetë, nëse ka vendosur të shkruajë një libër me kujtime, apo një libër për vetën (autobiografi) tregon të vërtetat që ka andje t’i dëgjojë edhe vetë, jo ato të cilave u shmanget që të mos i takojë kund rrugës. Përzgjedhja e këtyre të vërtetave varet nga natyra e shkrimtarit, nga mënyra se si ai e koncepton jetën, botën. Megjithatë, kam përshtypjen, se në libra të tillë, gjithmonë ka diçka të pathënë, diçka që shkrimtari e merr me vete në botën tjetër, sikurse çdo njeri tjetër. Rrëfimi është një akt kristian që dëshmohet para syve të Zotit, jo para syve të njeriut. Por ne, prapëseprapë, duhet ta falenderojmë shkrimtarin për ato që na rrëfen. Intervistoi: Petrika Grosi |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||