| Zemra Shqiptare | ||||
|
Kadare: Shqiptarët janë popull me fat E hene, 18-02-2008, 03:04pm (GMT) Leonard Kerquki Janë dashur tri ditë insistime të vazhdueshme për ta bindur shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadarenë që të japë një intervistë për ngjarjen e madhe që do të ndodhë sot, pavarësinë e Kosovës. “Shumë e bukur për të qenë e vërtetë”, do të thoshte dikush. Ai insistonte që të mos fliste rreth kësaj teme, pa ndodhur vërtet. Por, në fund, ai duket se u bind se pavarësia e Kosovës tashmë është punë e kryer. Të shtunën pasdite, shkrimtari shqiptar me nam botëror, permes telefonit, dha një intervistë të gjatë për Express. Nga Parisi, Ismail Kadare shfaqi ndjenja ngazëllimi për ngjarjen që do të ndodhë sot pasdite. “Çdo gjë që të themi neve është e zbehtë. Gjuha nganjëherë nuk është e përgatitur për ngjarje kaq të rralla”, u shpreh ai. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është diçka e jashtëzakonshme për nga përmasat e saj. Zakonisht thuhet se shqiptarët kanë qenë një popull pa fat në histori. Unë do ta vija në dyshim këtë shprehje. Ne, aq sa kemi pasur probleme të rënda, dramatike, në historinë tonë, aq edhe kemi pasur fat disa herë. Për shkak se ajo që thatë ju është gati e pabesueshme sot, kur e mendon se si në vitin 1912, gati 100 vjet më përpara, kur ishte një Shqipëri, do të thosha, karikaturale, një hije e zbehtë e një shteti të pocaqisur në Perandorinë Osmane, se si arriti kjo Shqipëri pa shkolla, pa jetë kulturore, pa jetë institucionale, me një diasporë të shpërndarë në katër anët e botës, se si arriti në një çast aq të vështirë të historisë europiane të krijonte shtetin shqiptar, mua ende edhe sot më vjen habi e madhe. Prandaj, mendoj se ne shqiptarët nuk jemi kaq të pafat sa kujtojmë. E njëjta gjë është edhe me shtetin e dytë shqiptar që po krijohet në Ballkan. Ta thoshe këtë gjë në ’99, ’98, dhjetë vjet më përpara, do dukej ëndrra më utopike, më absurde, në botë. Jo vetëm që do të marrë fund sundimi serb në Shteti i ri i Kosovës do ta ketë flamurin, stemën, himnin, e madje ka njerëz që besojnë se duhet ta ketë edhe një standardë tjetër të gjuhës. Në këtë kontekst, a mendoni se kështu Kosova do ta krijojë një identitet të saj, shtetëror,por edhe nacional, pas një periudhe kohore? E para, një herë, nuk e kuptoj pse duhet shtruar një problem i tillë. Do të thotë, me çfarë synimi shtrohet; si një gjë që kinse i duhet Kosovës për të njëmendësuar edhe më mirë atë që, si të thuash, pavarësinë e saj, që nuk mendoj se është fare kështu. Apo, ka edhe ndonjë arsye tjetër? Mendoj se që të krijohet një shtet i ri shqiptar - nuk ka lidhje fare që të shoqërohet me një dyzim të identitetit shqiptar, sepse ky është një gjymtim i ri i kombit. Ka qenë një gjymtim gjeografik, politik, shtetëror, tash ky gjymtim bie dhe krijohet artificialisht një gjymtim I ri, një ndarje të re. Ju përmendet gjuhën, disa përmendin identitetin, nesër do të përmendin historinë, kujtimet kombëtare, psikologjinë etj, etj. Për të ardhur tek një tezë e mbrapshtë që nuk ka një komb shqiptar, por paska dy kombe. Se si do të quhet ky komb tjetër, unë ende nuk e kam të qartë. Prandaj, mendoj se ky është një diskutim shumë I ngutshëm, i pamenduar, i paqartë, i turbullt. Të vijmë tek një nga shembujt, gjuha. Gjuha është një nga elementet bazë të një kombi. Artificialisht duan të krijojnë një gjuhë tjetër, gjithashtu e thashë se si do të quhet kombi tjetër njëjtë them edhe si do të quhej gjuha tjetër. Duhet të dimë se shtete të ndryshme me gjuhë të njëjtë: Gjermania, Austria, Anglia, Amerika, Franca, Belgjika... Do të thotë, nuk është ndonjë kërkesë, domosdoshmëri, ose një ndihmë për shtetin e ri që befas të kërkojë që të ndryshojë gjuhën. Dhe, bashkë me gjuhën, pastaj, aq më tepër, të ndryshojë kujtimet kombëtare, atë që quhet identitet. Mendoj se ky është një reflektim i përçudur i asaj që quhet Shqipëri e Madhe. Është hapur një legjendë e madhe prej vitesh për të penguar Kosovën që të marrë lirinë. Dhe, një ndër argumentet ishte - nëse Kosova merr pavarësinë, do t’i hapim rrugë rrezikut të tmerrit, të gogolit, fantazmës së Shqipërisë Thatë se shqiptarët nuk kanë qenë popull aq i pafat. Në fakt,tashmë në Kosovë është bërë klishe të thuhet se meritor për pavarësinë e Kosovës është populli i Kosovës dhe miqtë e shumtë perëndimorë. Por,çfarë realisht ndodhi që Perëndimi u rreshtua kaq fuqishëm përkrah popullit shqiptar, në këtë rast përkrah Kosovës? E para, një herë, për pyetjen që diskutohet shpesh - cili ishte faktori kryesor për çlirimin e Kosovës? Kjo është e qartë për të gjithë, ose duhet të jetë e qartë për të gjithë, se këtu janë dy faktorë, të cilët pa njëri-tjetrin do të ishin të mangët. Në radhë të parë, ishte rebelimi i drejtë shqiptar, kryengritja shqiptare, lëvizja shqiptare, lufta shqiptare, kam parasysh lufta për çlirim që udhëhoqi UÇK. Pa të, problemet e Kosovës do të zgjasin ende. Një ditë do të merrej vesh e vërteta. Por, e vërteta që ndonjëherë përmes një veprimi, që është edhe heroik dhe dëshpërues, e edhe imediat - ritmi i kësaj të vërtete që shpërthen në këtë mënyrë, është shumë efikas. Dhe, kjo ndodhi. Mendoni se shqiptarët janë me fat që në këto 20 vjetët e fundit patën elitë intelektuale dhe lider politikë, të cilët bën zgjedhjen e duhur – rreshtuan masat në bllokun e shteteve perëndimore? Nuk është e thënë që një kauzë e drejtë e një populli të vogël të gjejë mirëkuptim ndërkombëtar. Historia na jep të dyja rastet. Nga një anë, duket se e drejta fiton gjithmonë, i cili është një mentalitet popullor që disa here naiv, në fakt e drejta nuk fiton gjithmonë. Ne e dimë se ka popuj të tjerë, që njësoj sikur neve, ju është shkelur më këmbë e drejta e tyre. Prandaj, këtu është e drejtë të përdoret fjala FAT. Ne shqiptarët e Shqipërisë historike ishim të rreshtuar në një kamp fatalist të gabuar, kemi qenë në një gjendje staliniste, të pandreqshme. Ne kishim shpallur armiq, miqtë tanë. Gjë më të mbrapsht në botë nuk mund të ndodhte. Me qëndrimin tonë të keq, ndikonim për keq edhe për qëndrimin ndaj Kosovës. Si të thuash, ne mbronim Stalinin, ne nga kjo anë ishim turpi i botës dhe sigurisht se ne ishim të braktisur nga vëmendja ndërkombëtare, e një pjesë e kësaj braktisje I kalonte dashur pa dashur edhe Kosovës. Pa rrëzimin e komunizmit, Kosova nuk kishte gjasa ende të çlirohej. Do të thotë, faktori i pare që ishte, nuk ishte as i brendshëm I shqiptarëve të Kosovës dhe as factor i diplomacisë perëndimore. Ishte një para-faktor, pra rrëzimi I komunizmit, diçka që erdhi i papritur, i paparashikueshëm nga asnjë agjenci botërore. Rënia e komunizmit i hoqi bazat sundimit serb në Kosovë. Nuk është e rastit që lëvizja për çlirim në Kosovë mori hov pas rënies së komunizmit. Kjo ishte një rrjedh natyrale e historisë. Në fakt kjo çështje shtrohet prej qarqeve ende margjinale, por që nuk dihet se si do të rrjedhin ngjarjet më tej.Por,a mendoni se bashkimi i shqiptarëve në fakt do të ndodh në Bashkimin Europian? Hyrja e Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, që është një çështje që mund diskutohet në mënyrë konkrete, praktikisht hyn hapësira shqiptare, e cila edhe në këto dyja nuk është e plotë, po të shikohet nga ana gjeografike ose politike. Bota shqiptare, hapësira shqiptare, universi shqiptar, në një Europë, e bashkuar vetvetiu, i dedramatizon kufijtë, i kthen ata në një faktor të dorës së dytë, të tretë. Kryesorja është që populli shqiptar t’I zgjidhë problemet e tij vitale, të shëndoshet, të forcohet, të përparojë, të emancipohet, të qytetërohet, të krijojë standarde të larta dhe të gjitha problemet tjera vetvetiu shkojnë drejtë zgjidhjes. Kosova, për shembull, ka problemin e jashtëzakonshëm të papunësisë, problemin e jashtëzakonshëm të funksionimit të degëve të përgjithshme të ekonomisë, etj. Të njëjtat probleme i ka edhe Shqipëria. Madje, disa herë më të mbrehtë. Kështu që, mendoj se energjitë tona kanë ku derdhen një kohë të gjatë, pastaj duke hyrë në Europë gjithçka ndryshon, vizionet, realitetet ndryshojnë, zgjidhen probleme që dukeshin të pazgjidhshme dhe dalin njëkohësisht probleme që kanë qenë të paparashikueshme. Kjo është jeta e kontinentit europian. Ka njerëz që mendojnë se Kosovës duhet t’i ndërrohet emri. Cili është mendimi juaj,zoti Kadare, a duhet t’i hyhet kësaj aventure apo jo? Mendoj se është një gjë që ndoshta është e parakohshme që të shtrohet tashti. Është një problem jo fort i rëndësishëm, është një problem “luksi”. Është e vërtetë se fjala Kosovë është një fjalë serbe, sllave, e vërtetë. Por, unë zakonisht e kam një parim se nuk dua të hyj në gjëra që i përkasin shqiptarëve të Kosovës, pasi që është mendimi i tyre zotërues në këtë rast që duhet të merret parasysh. Nuk mendoj se është një gjë që nuk pret. Sigurisht se mund të shtrohet, mund t’i vijë radha. Shumë shtete në botë, këto 30-40 vitet e fundit, kanë ndërruar emrat. Nuk është kjo ndonjë skandal, nuk është ndonjë gjë e paparë në botë. Por, se sa është për t’u shtruar tashti, nuk jam i sigurt. *Marrë nga “Express”, Kosovë
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||