| Zemra Shqiptare | ||||
|
Edita Kuçi-Ukaj: Interviste me kompozitorin e madh Akil Koci E diel, 20-01-2008, 06:36pm (GMT) "Krijuesi muzikor është i vetmuar në mes të botës, me gjuhën e vet pakashumë të pakuptuar" - Albert Rusel Nga Edita Kuçi-Ukaj
Kompozitori, pedagogu, publicisti dhe organizatori i jetës muzikore në Kosovë tash e pesëdhjetë vite, Akil Koci është i lindur në Prizren më 1 shtator 1936, ku ka kryer shkollën fillore dhe atë të mesme muzikore gjatë viteve (1954-57). Në vitet 1957-58 ka qenë arsimtar në Shkollën Normale të Prishtinës. Ndërsa në vitin 1958 regjistrohet në Akademinë Muzikore të Sarajevës dhe e përfundoi më 1962. Pas këtyre studimeve emërohet Kryeredaktor i programit muzikor në Radio-Prishtinë. Ndërkohë vijon një varg specializimesh profesionale të kompozimit, kurse në vitin 1972 regjistrohet në Akademinë Muzikore të Shkupit, dega e kompozimit te kompozitori Prof. Dr. Toma Proshev. Më tutje, shkollimin dhe specializimin e vazhdon në Konseravatoriumin e Kelnit me kompozitorin K. Shtockhauzen, për muzikë elektronike me Prof. Karkoschka dhe në Nyrnber te profesori Baumgartner. Fiton bursën shtetërore gjermane DAAD dhe vazhdon studimet dyvjeçare te profesori dhe kompozitori i njohur kroat Milko Kelemen, në Stutgart (Gjermani) në Staatliche Hochschule fur Music. Akil Koci përfundon studimet postdiplomike në muzikologji në Akademinë Muzikore të Sarajevës më 1981 te Prof. Dr. Zija Kuçukaliq. Në vitin 1975, pranohet në Fakultetin e Arteve. Pas kryerjes së studimeve postdiplomike emërohet docent, gjegjësisht profesor i rregullt i lëndës "Njohuri e literaturës muzikore". Dy herë ka qenë prodekan. Në vitet 60-90, Koci mori pjesë në shumë konferenca, simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare, duke lexuar punimet e veta shkencore, kurse ka mbi 250 artikuj, kritika, ese dhe studime shkencore të botuara në gazeta dhe revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Është anëtar i shumë asociacioneve dhe shoqatave profesionale të kompozitorëve, siç janë Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës, Kroacisë, Britanisë së Madhe, i Qendrës së Informacionit Muzikor të Britanisë, anëtar i Akademisë së Britanisë së Madhe të Kompozitorëve, anëtar i Akademisë Shqiptaro–Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, dhe i disa shoqatave të tjera profesionale. Akil Koci ka qenë promotor i jetës muzikore në Kosovë dhe të ish-Jugosllavisë. Ishte një ndër themeluesit e Shoqatës së Kompozitorëve, Pedagogëve, Artistëve muzikor, kryetar i Rinisë Muzikore të Kosovës, sekretar, nënkryetar dhe kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, nënkryetar dhe kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Jugosllavisë. Themelues dhe bashkëthemelues i shumë manifestimeve muzikore, Akordet e Kosovës, Skena muzikore, Ditët e muzikës kosovare dhe një ndër bashkëthemeluesit e festivalit të Muzikës së Re, Tiranë. Gjatë këtij viti (2007) ka shënuar 70 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e krijimtarisë së tij muzikore me një koncert autorial. Manifestime të tilla janë bërë edhe në Londër dhe Zagreb. Nga veprimtaria kompozicionale dallohen baleti i parë kosovar "Sokoli e Mirusha", veprat orkestrale Filigranet I-XVI, Sirigmofonia, Pentalfa, Ab aeterno, Multiple sonorities, Koncerti për violë dhe orkestër. Veprat kamertale: 3 monologë për klarinet, Arabesques, Impresionet, Asimetria plus atematikon, Diskordia, Transfiguracionet, Dialogjet, Mikrosonata, Filigranët IV muzikë elektronike, Ritmet e zgjuara, Muzikë për katër balete, Kënga e Rexhës, Zef Lush Marku, Apokaliptika. Veprat vokale: Krenar edhe në litar, këngët popullore Zambaku i Prizrenit dhe mbi 30 të tjera, pastaj këngët korale,Vashës, Pa titull, Mes Njerëzve, Kaltërsirat dhe shumë të tjera. Cilat janë rrugët e zhvillimit tuaj si artist? Na thuani diçka më shumë për fillimet e para të marrjes me artin muzikor! Tash kur kam hyrë në dekadën e tetë të jetës sime dhe në dekadën e gjashtë të krijimtarisë është vështirë që njeriu të përkujtojë për fillimet e krijimtarisë së vet artistike, megjithatë në pika të shkurtra do t'i përgjigjem pyetjes suaj. Na flisni për rrethanat e largimit tuaj nga Kosova dhe kalimit në Angli, në një qendër të madhe të kulturës perëndimore, ishte kjo e vështirë për një artist shqiptar? Kurrë nuk kam menduar që ta lëshoj Kosovën, mirëpo meqenëse kishim probleme me sëmundjen e bashkëshortës sime, këngëtaren e mirënjohur Xhejlane Broqi-Koci, u detyrova që të shkoj në Angli në kërkim për shërim, por për fat të keq pa efektin e dëshiruar. Megjithatë, kam krijuar një rreth, duke forcuar pozitën krijuese dhe tani jam anëtar i shoqatave më prestigjioze muzikore, siç janë Shoqata e Kompozitorëve të Britanisë së Madhe, anëtar i Akademisë Britanike të Kompozitorëve, anëtar i Qendrës për Informim të Muzikës, poashtu këtu në Londër dhe i disa shoqatave profesionale që ekzistojnë. Jam poashtu anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork. Merrem me krijimtari dhe ndiej kënaqësi, nuk jam larguar nga Kosova, jam jo vetëm me vepra prezent atje, por edhe me aktivitete të tjera të shumanshme. Ju jeni ndër kompozitorët më të njohur shqiptar, si e vlerësoni muzikën shqipe sot dhe sa është reprezentative ajo në botën perëndimore? Ju falënderoj për komplimentin por nuk jam më i njohuri, kam kolegë që janë poashtu të çmuar dhe cilësorë. Sa i përket muzikës klasike si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri (ndërsa nuk di dhe aq se çfarë ndodh momentalisht në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës), muzika ka një zhvillim normal. Çfarë i duhet më shumë muzikës shqipe sot? Një edukatë më serioze në lëmin e muzikës, e për këso mangësi janë fajtore shkollat tona, aso të ulta, të mesmet dhe fakulteti i arteve në Prishtinë, që nuk i kushtojnë kujdes më të madh edukimit të nxënësve të tyre në aspektin estetik dhe në drejtim të vlerave të njëmendta. Cilat krijime do t'i veçoni nga krijimtaria juaj në fushën e muzikës? Pa dyshim baletet... Baleti i parë kosovar Sokoli e Mirusha, Kënga e Rexhës, Zef Lush Marku, Apokaliptika si dhe shumë vepra orkestrale, pra ato nuk ndahen, janë sikur t'iu thuash prindërve: cilin e keni fëmiun më të mirë. Ju në Londër keni edhe shkollën tuaj, si arrini të zhvilloni gjithë këto aktivitete, të kompozoni, të shkruani, të merreni me aktivitete humanitare? Jo, ajo nuk është shkollë, të them… me "parametra normal". Në kuadrin e "Koci Temporary Arts Center" ekziston edhe dega e muzikës me disa seksione, por sivjet meqenëse nuk kemi lokale jemi të detyruar ta reduktojmë aktivitetin tonë. Mirëpo këta nxënës japin provime në Royal Music School në Londër, pra në një shkollë muzikore mjaft prestigjioze ku është patrone Mbretëresha Elizabeta, kurse Kryetar i Bordit, Princ Çarlsi. Një kompozim i juaji është zgjedhur që të prezantojë Anglinë në Lojërat Olimpike 2012? Në një konkurs të shpallur nga Këshilli i Lojërave Olimpike të cilat do të mbahen në Britaninë e Madhe, mora dhe unë pjesë, dhe kënga ime "Vera" në tekstin e Ndre Mjedës u zgjodh që të këndohet nga Kori Mbretëror i të Rinjve me 2012, në Lojërat Olimpike në kuadrin e programit kulturor. Jam i lumtur që ajo do të këndohet në gjuhën shqipe si e vetmja. Na flisni pak për projektet tuaja të ardhshme? Si çdo krijues edhe unë kam ca projekte, edhepse në këtë moshë të shtyer. Por nuk parapëlqej të flas tash, sepse flas vetëm atëherë kur ato të realizohen. Për fund, çfarë do t'i sugjeronit brezit të ri, cili është mesazhi juaj për artistët e mbarë botës shqiptare? Dihet, pikësëpari mësim, edukim dhe ndershmëri, por unë do të shërbehem me një thënie të Nënës tonë të madhe Terezë, e cila është botuar në librin e bukur me titull "Nëna Tereze - 100 fjalë të urta", të cilin libër e ka përmbledh meshtari Mr. Don Marjan Frrok Marku në Zvicër, ku thotë: "Ne kurrë nuk mund ta dimë se sa të mira na sjell një buzëqeshje e thjeshtë. Një buzëqeshje është sikurse një prekje. Ajo sjell në jetën tone diçka nga bota hyjnore". Ju falënderoj që më zgjodhët të parin për intervistën e Ars Poetica, shpresoj se do të jem bashkëpunëtor i juaj i vyer. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||