| Zemra Shqiptare | ||||
|
100 mbiemrat më të përdorur në Shqipëri E shtune, 03-05-2008, 09:46am (GMT1) Historia, mënyra e formimit apo numri i përdorimit të mbiemrit që mban secili prej nesh, nuk do të përbëjë më një mister. Me një total prej rreth 25000 mbiemrash në të gjithë territorin shqiptar, profesori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Çlirim Bidollari, ka radhitur në një fjalor, që pritet të përfundojë së shpejti, të gjithë mbiemrat shqiptarë, nga më i famshmi deri te më pak i përdoruri. Klasifikimet Në prononcimin e tij për gazetën “Albania”, profesori i patronomisë, Bidollari, pohoi se mbiemrat klasifikohen në katër kategori të mëdha. “Në kategorinë e parë përfshihen mbiemrat që tregojnë vijimësinë e birërisë. Në këtë kategori futen ata mbiemra që rrjedhin nga emrat e të parëve”, - pohoi Bidollari. Sipas tij, këto mund të jenë në formën e plotë të emrit si Sinani, Andoni, Abazi, por edhe në trajtat e tyre të shkurtuara si, Kola, Hysi apo Leka. Në kategorinë e dytë përfshihen mbiemrat që tregojnë origjinë ose prejardhje, si Dibra, Frashëri, Bushati, të cilët janë ndër më të përhapurit. “Kushti numër një i vendosjes së mbiemrave të këtij lloji ishte që familja që merrte këtë mbiemër të kishte lëvizur nga vendbanimi i mëparshëm. Gjithashtu, kur prijësit e familjeve të zhvendosura nuk arrinin të gjenin një paraardhës të denjë për të mbajtur si mbiemër, atëherë ata përdornin emrat e fshatrave ose të qyteteve nga vinin”, - pohoi prof. Bidollari. Një tjetër kategori janë mbiemrat që tregojnë zanate dhe profesione apo tituj si, Argjendari, Furrxhiu, Kadiu, Pasha, Aga, etj. Sipas Bidollarit, një pjesë e mirë kësaj kategorie janë në gjuhën turke, pasi periudha e vënies së mbiemrave ka përkuar në kohë me pushtimin turk. Ndërsa kategoria e katërt në klasifikimin e mbiemrave përfshin mbiemrat që janë formuar në formën e nofkave dhe llagapeve si Sakati, Qorri, Shurdhi etj. Duke iu vënë fillimisht disa personave në formën e epiteteve, me kalimin e kohës ato janë konsoliduar në mbiemra. Këto epitete kanë qenë të formave të ndryshme, me ngjyresa pozitive dhe negative, - sqaroi Bidollari-por me kalimin e kohës ngjyresa e tyre ka humbur. Fjalori Fjalori i mbiemrave është një studim që ka nisur rreth 7 vjet më parë. Bidollari saktësoi për “Albania”-n se për kryerjen e këtij studimi është shfrytëzuar regjistrimi i popullsisë i vitit 1945. Gjithashtu, studimi është ballafaquar edhe me regjistrime të popullsisë në vitet në vazhdim, si edhe me listat e zgjedhjeve në vitet 2003-2005. Bidollari saktësoi se qëllimi i fjalorit është të zbulojë vatrën ku ka lindur patronima. “Për fjalorin po punohet për disa plotësime qoftë të numrit, qoftë të përmbajtjes apo shpjegimit të mbiemrave. Pjesa më e vështirë është historia e tyre. Më mirë për historinë e mbiemrave dinë vetëm ata që i mbajnë këto mbiemra.
Zhvillimi i mbiemrave ka ecur në shek XII-XX. Në rreth 5-6 shekuj histori, procesi i vënies së mbiemrave ka ecur nga lart poshtë. Kështu, fillimisht janë pajisur me mbiemra shtresat e larta, më pas shtresat e hierarkisë fetare, ndërsa më vonë ka zbritur deri në shtresat e ulëta. Qëllimi fillestar i mbiemrave ka qenë për të dalluar njerëzit nga njëri-tjetri. Mbiemrat janë stabilizuar në shek XX në Shqipëri. Deri më 1912-n, shumica e popullsisë në Shqipëri nuk kishte mbiemra. Pas këtij viti filluan të kryheshin regjistrimet e para të popullatës. TOP LISTA e MBIEMRAVE Gazeta Albania
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||