| Zemra Shqiptare | ||||
|
Roland Gjoza: Kadareja kërkonte libra të ndaluar, Elena mbante radhë për mish E premte, 02-05-2008, 08:25pm (GMT1)
Nga Roland GJOZA Sindroma Kadare vazhdon. Shumë romane të Kadaresë me temën osmane janë alegori lakuriqe që të rrëqethin dhe sot. Aty është dekori osman, po nënkuptohet koha e diktaturës. “Pallati i Ëndrrave”, “Pashallëqet e mëdha”, “Qorrfermani”, “Sjellësi i fatkeqësisë”, “Komisioni i festës”. Gjithmonë do të ketë një lloj diktature. Unë e ndiej qysh tani nga bosi im në punë brutalitetin dhe poshtërimin e diktaturës. Ky është vetëm një shembull. O bjerrakohës më diplomë, që s’e keni lexuar Kadarenë e flisni me hamendje, lexoni të paktën vetëm një roman të mrekullueshëm dhe të tmerrshëm që Kadareja e botoi në vitet më të egra të diktaturës, kur u vranë poetët e Librazhdit, Genc Leka e Vilson Blloshmi. Ky është “Pallati i Ëndrrave”. Ju prapë do të thoni se ai ishte shkrimtari i oborrit, shkrimtar që glorifikoi komunizmin. Vetëm e vetëm se Enveri nuk e vrau. Ju sot e donit të vrarë Kadarenë. Mirë thotë Hygoja, “në letërsi, mënyra më e mirë për të pasur të drejtë është të jesh i vdekur”. A e dini, të dashurit e mi të çoroditur, që Gëte ishte shefi i ceremonive në Vajmar dhe i servilosej princit despot? Asnjë nuk e çan kokën për këtë gjë. Po faktin tjetër e dini, që Heminguej jetonte në Kubë në një kohë që Amerika ishte armike e Kastros? As që i bënte përshtypje njeriu. Po kjo tjetra nuk ju çudit, që poeti më i madh i Amerikës, Ezra Paund, ishte nazist dhe amerikanët e izoluan në një kafaz hekuri? Po kjo nuk i prishi asnjë punë poetit, që akademikët dhe lexuesit ta respektonin dhe ta adhuronin si më parë. Më falni që po zgjatem, po nuk mund të lë pa përmendur rastin e Dario Fo, komediografit të madh italian. Ai po kthehej nga një mbledhje me punëtorët, se është komunist dhe i pëlqen roli i agjitatorit, kur dikush në rrugë i thotë: “Dario, sapo dëgjova në radio se ke marrë çmimin ‘Nobel’”. Kështu, pra, miqtë e mi seriozë dhe kaq të përkorë, bota s’e çaka kokën për këto punë. Dhe sindroma Kadare vazhdon... Por lufta nuk na u nda. Nxjerrin tym gazetat e Tiranës. Kush e kush të shajë më shumë. U harrua ajo kohë, koha e Kadaresë, sepse ajo nuk ishte koha e Enver Hoxhës, siç dëgjojmë shpesh. Kadareja qesh. Bjerini legenit, thotë me keqardhje për pipizanët dhe liliputët, shkrimtarët e dështuar që kanë marrë krahë e që botojnë nga pesëmbëdhjetë libra në vit, krijojnë klube me emra të huazuar, krijojnë shoqata shkrimtarësh të nderuar me emrat e tyre mjeranë dhe presin çmime pa fund. Ushqehen qyqarët me lugë të zbrazur. Ç’lidhje mund të ketë Kadareja botëror me konkurset e bujshme të Manzës, Rrogozhinës, Belshit, Bilishtit, Cërrikut, ku dalin emra gjenish të rinj përditë, të cilët krahasohen me Soreskun, Eseninin, Kavafisin, si e si që të mbytet letërsia e mirë, shkrimtarët e vërtetë. Është bërë një mishmash, një çorbë derri, që s’e merr vesh i pari të dytin. Kjo tollovi të kujton ditën e parë të pasluftës. Gjithçka qëndron pezull, pa frymë. Njëherë më thirri Ibrahim Uruçi, kryeredaktori i “Dritës”, dramaturg me emër në atë kohë, dhe më tha të shkoja t’i merrja një artikull Razi Brahimit. Ai ishte kritiku më i famshëm, më i frikshëm dhe më dogmatik i kohës. Në zyrë ndodhej Kadareja. Dukej i shqetësuar. “Shpejt, se do ta botojmë këtë numër. Është me shumë rëndësi”, - tha Uruçi. Ishte një shtëpi përdhese te konviktet e studentëve. E shoqja lante rroba në një govatë, ndërsa Raziu shkruante brenda. Unë e prisja ulur mbi një gur. Pas gati një ore Raziu thirri nga brenda ”Hi”. E shoqja la rrobat menjëherë, fshiu duart në përparëse dhe më tha: “Mbaroi”. Pas pak Raziu doli vetë dhe më dha një tufë me letra të mbushura më shkrim dore. “Pjesën e dytë eja merre pas tri ditësh”, - shtoi ai ftohtë. Në zyrën e Ibrahimit priste Kadareja. U mbyll dera dhe unë dola në korridor. Në zyrat e “Dritës” ishin Frida Zeqo, Thanas Dino, Moikom Zeqo, Viktor Qurku, Fatos Kongoli dhe Vasil Melo. Ata nuk e dinin ç’i priste. Unë vërtitesha më tepër në korridor. Ata dolën. Kadareja i thoshte Uruçit: “Kjo është një paçavure, ai nxin poezinë më të mirë të të rinjve”. “Shëëët! Është shkrim i porositur nga lart. Diçka po vjen rrotull”. “Fik deti etj.”. Ai shkrim ndoshta ishte paralajmëruesi i Plenumit famëkeq për letërsinë dhe artet. Le të kritikohej me tone të ashpra poezia moderne me metafora të guximshme e abstragim të thukët të Th.Dinos, V.Qurkut, M.Zeqos, F.Halitit, Xh.Spahiut, F.Rreshpes, të cilët, sipas autorit, kishin ndikime nga Sartri e Frojdi. Të përmendshin këta emra në atë kohë ishte tepër e rrezikshme. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||