| Zemra Shqiptare | ||||
|
Nxjerr sekretin pas 41 vjetësh: Unë e di ku ndodhen eshtrat e Gjergj Fishtës E shtune, 12-04-2008, 07:04pm (GMT1) Shkruar nga Qamil Xhani - TO Mund të kemi të bëjmë me një zbulim historik. Dhe, nëse është tamam kështu, atëherë eshtrat e të madhit Gjergj Fishta do të gjejnë pak prehje. Fritz Radovani, një studiues shqiptar që jeton në Australi, pas 28 vitesh ka vendosur të nxjerrë sekretin e jetës së tij. "Eshtrat e At Gjergj Fishtës ndodhen në varrezat e Rëmaj të Shkodrës", thotë ai. Një punonjës që kishte marrë përsipër zhdukjen e tyre, i ka rivarrosur ato, 41 vite më parë, në varrezat e Shkodrës. Historia Fritz Radovani është një ndër të paktët dëshmitarë të mbetur gjallë që dinë fatin e eshtrave të Gjergj Fishtës. Ka vendosur të thyejë heshtjen, duke hedhur poshtë variantin zyrtar që njihet deri më sot. Sipas tij, pas dhunimit që iu bë varrit të At Gjergj Fishtës, zyrtari që kish marrë përsipër hedhjen e tyre në lumin Drin nuk iu bind urdhrit, por i varrosi përsëri eshtrat e poetit kombëtar në varrezat e Shkodrës. Një vend që u mbajt sekret prej shumë pak vetash. Madje edhe pas viteve 1990, kur gjërat u duk se ndryshuan. Zbulimi i varrit të fshehur të Fishtës është një rastësi dhe për Radovanin. Ka qenë vitit 1980 kur i është dashur të shkonte në varrezat e Rëmajt për të kërkuar një të afërmin e vet. Deri në atë moment sekretin e eshtrave të Fishtës e ka ditur vetëm roja i varrezave, Gjon Gjergji. Ky i fundit ia ka rrëfyer Radovanit si një sekret që duhet ta mbante me vete gjithë jetën. Si u rivarros Fishta Ironikisht në Shqipërinë e pas viteve 1990, më shumë debate ka pasur për varrin e Fishtës sesa për kontributin dhe dëmin që komunizmi i bëri veprës së tij. Më 1967 regjimi komunistët bëri aktin më çnjerëzor, zhvarrosjen e eshtrave të Fishtës. Më pas gjithçka i është lënë në dorë fantazisë. Diçka mes gjysmë reales dhe krijimtarisë popullore. Burime thonë se eshtrat e tij pas zhvarrimit u hodhën në lumin Drin. Por pa e saktësuar në cilin vend si dhe kush i hodhi. Ndërsa në dëshminë e Fritz Radovanit historia duket sikur merr fund. Gjergj Fishta nuk mund të ketë një varr pa emër. Radovani sjell dëshminë e rojës së varrezave që ka qenë dhe një nga pak personat që i kanë rivarrosur eshtrat e Fishtës. Bëhet fjalë për 41 vite më parë dhe pikërisht në 20 mars 1967, kur ateizmit i diktaturës komuniste mori përsipër çrrënjosjen e kulturës fetare në Shqipëri. Dhe çrrënjosja nuk ishte vetëm një figurë letrare. Në varrin ku prehej Fishta në kishën e Gjuhadolit, njerëz të shtetit bënë dhe zhvarrimin e poetit më të lavdishëm shqiptar. Urdhri ishte që eshtrat të hidheshin në lumin Drin. Dhe për 41 vite të gjithë mendojnë se ky ishte fundi i eshtrave të Homerit shqiptar. Por Radovani sjell në kujtimet e tij dëshminë e rojës së varrezave. Kuvendi Françeskan Në Kuvendnin e Françeskanëve në Shkodrës është një varri i Fishtës. Por më shumë sesa varr, aty gjenden pjesët e turpit, që ata që e zhvarrosën Fishtën më 20 mars të vitit 1967, nuk i morën. Institucionet shtetërore kanë marrë dëshminë e Fritz Radovanit që në muajin tetor të vitit të kaluar. E megjithatë asgjë nuk është bërë deri më sot për eshtrat e poetit kombëtar. Ndërsa një verifikim i dëshmive të Radovanit me analiza që mund t'i bëhen varrit, do të zbardhte përfundimisht të vërtetën. Sot ka një gjysmë varr, por kurrë thashethemet dhe debatet për këtë çështje nuk janë darovitur, askush nuk pranon ta marrë si të mirëfilltë atë që kanë servirur organet e shtetit komunist. Në kërkim të varrit Deri në vitet 1990, Fishta ishte poeti i anatemuar. Një njeri që çdo shtet do ta kish për nder ta kishte në panteonin e vlerave kombëtare. Mirëpo, ja që komunistet mund t'ia lejonin vetes luksin të mos e përmendnin, madje dhe në botimet shkollore. E ndërsa për veprën dihej pak, për fundin e jetës së tij dhe për varrin dihej dhe shumë më pak. Janë një mori pikëpyetjesh që ngihen për këtë çështje dhe që zor se do të marrin fundin. Të vetmen dëshmi të parë të saktë duket se e sjell Fritz Radovani, kur jep shpresë se dikush në momentet e komunizmit ekstrem, ka menduar t'i shpëtojë eshtrat gjeniut Fishta. Kisha Françeskane në Gjuhadol të Shkodrës u përsos në vitin 1967 nga një objekt kulti në një stallë dhe magazinë të komunizmit, dhe askush nuk u mendua se aty prehej dhe Gjergj Fishta. Ndërsa burime studimore thonë se në të njëjtën kishë, ku u varros Fishta, ishin dhe eshtrat e një tjetër heroi kombëtar, Dedë Gjo' Luli. Arkivat e priftërinjve françeskanë kanë sjellë shumë çka për atë që ndodhi me klerin katolik në Shqipëri gjatë viteve 1965-1970. Por shumë pak dokumente për fatin e eshtrave të Fishtës. Shumë pak është bërë dhe nga qeveria edhe organet e tjera të pushtetit lokal. Si çdo vepër tjetër në regjimin komunist dhe nekrofilët që dhunuan varrin e Fishtës duhet të kenë një urdhërues dhe ku i dihet, mbase dhe një dokument të firmosur. Një vit më parë, shkrimtari Ismail Kadare vizitoi Kishën Françeskane në Shkodër ku gjendet dhe varri i Fishtës. Kadare ka vizituar dhe vendin ku gjenden pjesë të varrit të mbetur të Fishtës. Ndërkohë në shkrimet e tij pas viteve 1990, Kadare ka kërkuar rivlerësimin e figurës së Fishtës dhe kontributit që kleri katolik ka dhënë për kombin. Misteret e varrit te Fishtes ¨ Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. ¨ Mendohet se urdhrin për hedhjen e eshtrave të Fishtës në lumë e ka dhënë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Frontit Demokratik të Shkodrës. ¨ Eshtrat mblidhen në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit. ¨ Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër. ¨ At Zef Pëllumbi, në kujtimet tij thotë se nuk është i sigurt se eshtrat e Fishtës janë hedhur në lumë, por i kanë thënë dëshmitarë okularë se eshtrat janë hipur në një karro për t'u transportuar. ¨ Një tjetër klerik, Konrrad Gjolaj, në kujtimet e tij thotë se, "me "revolucionin kulturor" edhe eshtrat e Tij u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtrat e vëllezërve të tjerë t'asaj Kishe". ¨ Fritz Radovani dëshmon se pas tri ditësh eshtrat e Fishtës janë marrë nga ish-drejtori i ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema Punëtori (ish-Kisha e Fretenve), Shyqyri Rrjolli, dhe i ka varrosur së bashku me rojën e varrezave, Gjon Gjergjin, në varrezat e Rëmajës në Shkodër. Shqypnisë T'falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri! Çohi të Dekun |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||