| Zemra Shqiptare | ||||
|
Topalli kërkon zyrtarët spiunë E hene, 30-06-2008, 10:02pm (GMT)
Pas një vonese të gjatë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nxit Komisionin e Ligjeve që të shqyrtojë me përparësi projektligjet për hapjen e dosjeve të spiunëve. Misioni PD përgatit draftin përfundimtar për "spiunët" Aktualisht janë paraqitur 3 projektligje për hapjen e dosjeve të ish-spiunëve në Kuvend. Partia Demokratike është duke ndërtuar një projekt final, duke përfshirë të tria draftet e PD, PS dhe PDK brenda. Si pikë referimi do të merret edhe legjislacioni i vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që kanë qenë nën regjime diktatoriale dhe e kanë kaluar procesin e hapjes së dosjeve. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka ngarkuar me këtë mision deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili do të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin e këtyre vendeve. Partia Demokratike kërkon që të paraqesë në fund të këtij sesioni parlamentar pikat kryesore për hapjen e dosjeve për t‘i kaluar më pas në seancë për votim. PD mendon se dy projektligjet e tjera nga Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane janë të paplota. Biberaj: Draft për hapjen e dosjeve të spiunëve brenda këtij viti PD: Më 2009-ën, asnjë spiun i komunizmit s‘do të hyjë në Kuvend Dosjet e ish-spiunëve të komunizmit do të hapen përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit 2009. Lajmi është konfirmuar nga zv/presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të KE, njëkohësisht deputet i PD-së, Aleksandër Biberaj. Partia Demokratike do të tregohet e kujdesshme në përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke lënë jashtë listës së kandidatëve të PD-së ata persona të cilët konsideron me njollë në biografi për shkak të komunizmit. Deputeti Biberaj është ngarkuar me mision nga Kryeministri Berisha që të përpunojë draftin e ri për hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave. Sipas Biberajt, dy draftet e PS dhe PDK nuk janë të plota, ndërkohë që ai i Partisë Demokratike ka nevojë për disa modifikime në bazë të eksperiencave të huaja. Synimi i këtij drafti është që më 2009-ën nuk duhet të ketë asnjë deputet që rezulton me dosje sigurimi. "Drafti i PS dhe i PDK i paplotë, duhet të rishihen, ndërsa draftit të PD-së do i bashkëngjiten edhe kërkesat e Komisionit Evropian", u shpreh Biberaj. Deputeti Biberaj kërkon që kandidaturat për deputetë të jenë të përzgjedhura dhe të pastra nga dosjet e sigurimit famëkeq të komunizmit, por nuk kërkon penalizim të atyre personave. "Thjesht ajo që kërkon mazhoranca është fakti që të dalë e vërteta sheshit, por të mos ketë penalizime për këta persona, veçse s‘duhet të jenë në pozicione të larta të administratës", u shpreh ai. Propozimet PD, PS dhe PDK, prej dy vjetësh kanë dorëzuar në Kuvend propozimet e tyre për hapjen e dosjeve Të përbashkëtat dhe ndryshimet e tri drafteve për ish-sigurimsat Tri parti të ndryshme, me drafte pothuajse të njëjta për hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave të shtetit. Diferenca e projektligjeve të Partisë Demokratike, asaj Socialiste dhe Demokristiane është shumë e vogël. E përbashkëta është që këtij procesi t‘i nënshtrohen të gjithë, deputetë apo zyrtarë të lartë, ndërsa diferenca është e vogël. Demokratët kërkojnë që të largohen nga postet drejtuese ata persona që kanë figuruar "spiunë" gjatë kohës së diktaturës, socialistët kërkojnë që "spiunët" në rast se e pranojnë një gjë të tillë, të mos konfirmohen dhe dosjet të arkivohen për të shmangur debatet, ndërsa demokristianët theksojnë që të ketë transparencë. Sipas tyre, spiunët duhet të identifikohen dhe më pas të jenë të lirë për të kandiduar për deputetë dhe në rast se elektorati do të vazhdojë t‘i votojë, ata të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit. Të tri draftet kanë të përcaktuar se Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, janë të detyruara t‘i paraqesin menjëherë komisionit, kundrejt kërkesës, të gjitha materialet arkivore të kërkuara. Propozimet Demokratët kërkojnë që të largohen nga postet drejtuese ata persona që kanë figuruar "spiunë" gjatë kohës së diktaturës, Socialistët kërkojnë që "spiunët" në rast se e pranojnë një gjë të tillë, të mos konfirmohen dhe dosjet të arkivohen për të shmangur debatet, ndërsa demokristianët theksojnë që të ketë transparencë, ku spiunët duhet të identifikohen dhe më pas të jenë të lirë për të kandiduar për deputetë dhe në rast se elektorati do të vazhdojë t‘i votojë, ata të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit. Kërkesat Gazeta SHQIP
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||