| Zemra Shqiptare | ||||
|
Shqipëria, në dorë të emigrantëve E diel, 16-12-2007, 02:21pm (GMT) RAPORTI/ Publikohen të dhëna tronditëse. BSH: Pa dërgesat nga jashtë do të jetonim me 2 USD më pak në ditë Banka e Shqipërisë ka publikuar së fundmi një raport me të dhëna tronditëse sa u takon buxheteve të familjarëve shqiptar. Në këtë raport del qartë se të ardhurat e familjeve shqiptare nuk janë të qëndrueshme dhe varen në pjesën dërmmuese të tyre jo nga aktivitetet fitimprurëse që zhvillohen në vendin tonë, por nga dërgesat e emigrantëve që ndodhen jashtë Shqipërisë. "Stastistikat përshkruese të të ardhurat ditore për frymë tregojnë se, përjashtuar kontributin e remitancave, familjet në pothuajse 40 për qind të rasteve, do të rezultonin nën kufirin e varfërisë," thuhet në raportin e Bankës. Më shumë se 26 për qind e familjeve në Shqipëri përfitojnë nga dërgesat e emigrantëve. Por sipas një raporti të Bankës Botërore në Shqipëri, jetojnë në varfëri ekstreme rreth 4 për qind e familjeve dhe në varfëri relative 18 për qind e tyre. Nga kjo del se nëse do të mungonin dërgesat e emigrantëve, gati 35 për qind e shqiptarëve do të jetonin në varfëri me më pak se 2 dollarë në ditë. Kufiri i varfërisë është 1 dollarë në ditë për frymë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se dërgesat e emigrantëve ose remitancat sicc njihen ndryshe përfaqësojnë një burim kritik të ardhurash për familjet, duke zënë mesatarisht 40.7 për qind të të ardhurave mesatare mujore. Në zonat rurale, ndikimi është më i theksuar dhe mesatarisht, vlerësohet në 45.7 për qind. Ndërkohë që, në zonat urbane kontributi i remitancave në të ardhurat mujore për familje, arrin në 36.7 Paratë e emigrantëve, shumica për konsum Edhe pse ka më shumë se 17 vjet, që nga koha kur emigrantët shqiptar filluan të dërgojnë para nga jajshtë për familjet e tyre, pjesa dërrmuese e këtyre parave shkojnë për konsum. Ndonëse Shqipëria mbahet një nga vendet me dërgesa më të larta të emigrantëve në raport me Produktin e brendshëm Bruto, Banka Botërore ka vënë në dukje faktin se këto para deri më tani kanë shkuar në pjesën dërrmuese të tyre për konsum."Është shumë e rëndëishme, që tani të shohim disa nga këto fonde të kanalizohen në investime të rëndësishme, që të mbështesin rritjen ekonomike," thuhet në një raport të Bankës Botërore për Shqipërinë. Dërgesat e emigrantëve mendohet se përbëjnë gati 19 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto dhe deri tani kanë shkuar kryesisht për të financuar kërkesën e ekonomisë për mallrat e konsumit. Shqip
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||