| Zemra Shqiptare | ||||
|
300 milion eurot e fshehura te Albtelekomit E shtune, 13-10-2007, 12:29am (GMT1) Shkruan : Ervin Qafmolla Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 1999, pas deklaratave të shumta politike shpresëdhënëse, Kancelari gjerman Gerhard Shrëder, deklaroi në një prej fjalive përmbyllëse të deklaratës, se Gjermania kërkonte Albtelekomin. Por Telekomi shqiptar nuk ishte ende gati për privatizim në ato kohë, ndërsa vendi i kish ende të freskëta plagët e trazirave të ’97-ës. Vite, më vonë në 2005-ën, një konsorcium turk, gati anonim, u bë blerësi i ri i Albtelekomit, përmes një procesi të shumëkritikuar e të përfolur për korrupsion nga qeveri e opozitë bashkë, me akuza që mbetën të njëjta, por thjesht ndërruan kah dhe autorësi pas zgjedhjeve të korrikut 2005. Në fund të muajit qershor 2007, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, nënshkroi kontratën me Ahmet Calik për blerjen e 76% të aksioneve të Albtelekomit nga firma turke, për 120 milionë euro. Rekursi diplomatik “MAPO” ka mundur të mësojë se çështja “Axos” iu bë menjëherë e ditur komisionerit Olli Rehn, si dhe Kancelares gjermane Anxhela Merkel dhe ministrit të Ekonomisë, Michael Glos. Në prill të këtij viti, ministri gjerman i Ekonomisë i kërkoi qeverisë shqiptare trajtim të drejtë të çështjes, ndërsa në maj, Komisioni Evropian dhe qeveria amerikane (disa nga investitorët e Axos janë firma nga SHBA) njoftohen mbi skandalin dhe fillojnë hetimet përkatëse, të cilat janë ende në proces. Kjo do të thotë se përfundimet e këtyre institucioneve mund të kenë pasoja të hidhura për qeverinë, të cilat mund të shndërrohen edhe në efekte negative për vendin. Oferta gjermane Në ofertën e paraqitur, Axos ka për qëllim ta zhvillojë Albtelekomin në qendër të shërbimeve të telekomunikacionit rajonal. Albtelekomi parashikohet të ofrojë shërbime konkurruese të telefonisë fikse dhe mobile (GSM dhe WiMax) për 50% të popullatës deri në vitin 2012. Marrëveshja do të përfshinte përhapjen e shpërndarjes së teledensitetit (telefonisë fikse për 100 banorë) nga niveli 8% që është sot në 25% brenda 5 vitesh, si dhe ndërtimin e një rrjeti WiMax, duke qenë se licenca për këtë teknologji do të përfshihej në transaksion. Gjithashtu, parashikohet reduktimi i listës së pritjes për t’u pajisur me numra të rinj, si dhe ulja e tarifave dhe ngarkesës së roamingut ndërkombëtar, sipas standardeve të BE-së. Rritja vjetore e biznesit parashikohet në 15%, ndërsa konkurrenca në treg do të pësonte një rritje të ndjeshme. Nga ana tjetër, firma zotohet se do të jetë në gjendje të lidhë në rrjetin e saj të telefonisë fikse rreth 120 mijë konsumatorë në vit. Duke folur për partnerin e saj strategjik, Axos thotë se bëhet fjalë për një operator lider në tregun evropian, duke theksuar se partneri rezervon të drejtën e blerjes së shumicës së aksioneve të Albtelekomit. Pas blerjes së 76% të aksioneve të Albtelekomit, Axos dhe partnerët e saj, rezervojnë të drejtën e blerjes së 24% të aksioneve që mbeten në pronësi të shtetit, pas blerjes fillestare. Investimi për blerjen arrin një total prej 320 milionë eurosh, nga të cilat 160 milionë shkojnë për blerjen e 76% të aksioneve, ndërsa 160 milionët e tjera do të investohen deri në vitin 2012. Pagesa do të ndahet në faza. Faza e parë parashikon pagimin e 25% të vlerës, në datën e mbylljes së kontratës, 50% do të paguhet 60 ditë më pas, ndërsa 25% që mbetet, do të paguhet 120 ditë pas mbylljes së kontratës. Telekomi u shit për “2 lek” Nga ana financiare, ky privatizim duekt si një marrëveshje e paprecedent. Duke marrë parasysh fitimin e shoqërisë prej 20 milionë dollarësh dy vitet e fundit, Calik po e blen telekomin shqiptar për 120 milionë euro, por me 20 milionë dollarë brenda. Pjesa tjetër është vlera e aseteve ekzistuese të shoqërisë shqiptare të telefonisë dhe më në fund mbetet vlera që Calik e paguan vërtet. Në fakt, fitimi i këtij viti llogaritet në fillim të 2008-ës, dhe orientimi i tij varet nga bordi i Albtelecom, i cili vitin që vjen do të flasë turqisht. Kjo situatë privatizimi, paraqitet e pakrahasueshme ndër 28 privatizime telekomesh në Evropë. Vlera e aseteve të paluajtshme të Albtelekomit llogaritet në 107 milionë euro, inventari total i materialeve dhe pajisjeve vlerësohet në 4 milionë euro, aktivet qarkulluese llogariten në gati 74 milionë euro dhe paratë cash 19 milionë euro. Kjo do të thotë se totali i aseteve të Albteleko Shthurja pas Nanos Fillesat politike të ngrirjes së kontratës së shitjes, kanë dhënë gjithashtu një kontribut vendimtar, jo vetëm në krijimin e një imazhi të pakëndshëm mbi marrëveshjen me turqit, por dhe mbi vetë shoqërinë. Pezullimi i një kontrate dypalëshe, fillimisht nëpërmjet deklaratave të ashpra politike (problemet filluan me ardhjen e PD-së në pushtet) dhe përshkallëzimi i konfliktit në terma teknikë me anë të auditit të Deloitte, e bëjnë Albtelekomin, një shoqëri jo fort tërheqëse për investitorë të tjerë të mundshëm, përveç Calik-ut. Në fakt, Kryeministri Sali Berisha, u mundua ta ripërtërinte ujdinë "e ngrirë" Nano-Erdogan, nëpërmjet një marrëveshjeje Berisha-Erdogan, pas një takimi që zhvilloi me homologun turk në Ankara. Por, Berisha u tregua i vonuar në rregullimin e moralit të marrëveshjes që ai vetë e quajti "korruptive" në gjenezën e saj. Sakaq, kishin dalë në pah "detaje teknike" që e bënin eventualisht të vështirë një ndreqje të atypëratyshme të marrëveshjes së Nanos. Në fakt, shkeljet e shumta të evidentuara gjatë procedurave të tenderit dhe favorizimi publik nga ish kryeministri socialist i ofertës së Calik, vlerësohen si arsyet kryesore që dekurajuan blerësit e tjerë të mundshëm. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||