| Zemra Shqiptare | ||||
|
Cilët janë engjëjt e Hygertës E diel, 26-02-2006, 09:49pm (GMT)
Fati ishte me bukuroshen durrsake kur Pierre Cardin vendosi kurorën mbi kokën e Hygertës. Ashtu si atëherë kur prindërit vendosën ta thërrisnin me atë emër, i cili sërish për shansin e saj ishte i veçantë. Plot dhjetë vjet ne botën e lëkundur të spektaklit e reklamave do t'i mësonin Hygertës që tashmë ky nuk do të ishte vetëm emri me të cilin të gjithë e njohin. Nuk ngurroi dhe e shkroi me të madhe në një fasadë pallati, pikërisht pranë një prej atyre zemrave më të reja të kryeqytetit; aty ku kryqëzohen rrugët që të çojnë në zonën më trendi të Tiranës së Re. Nuk priti të bëhej nuse për të treguar sesi rri fustani që shënjon fundin e beqarisë (se kur as ajo vetë nuk mund ta thotë, edhe pse tërheqja e përkohshme nga televizioni kishte të bënte pikërisht me një vendim të saj për jetën private), por për të përdorur imazhin e saj si karremin e bardhë të ditës më të bukur të një femre. E ka vendosur botën nën këmbë. Të paktën kështu duket teksa rri një kat sipër tokës dhe vështron nga vitrinat e mbushura me nuse e dhëndurë një tiranë që ecën. Ashtu si dhe ajo vetë- me hapin e kohës.
Kur stilisti francez vendosi kurorën mbi kokën e Hygertës, ndoshta me mënyrën e vet e bekoi atë. Që prej asaj dite blloqe vizatimi mund t'i gjesh sa nëpër shtëpi ashtu edhe në folenë e saj të engjëjve. “Edhe në spektakle kam vënë idetë e mia për veshjen. E kam pas qejf stilimin, ndoshta më vonë do të krijoj edhe vetë. Në shumicën e blloqeve ka fustane të vizatuara duke dashur të bëj edhe një linjë timen, sigurisht pa pasur nevojën të bëjë një punishte, pasi ato mund të realizohen edhe jashtë vendit.”. Në përzgjedhjen e fustaneve është përpjekur të tregohet e kujdesshme, si për të parashikuar të gjitha llojet e shijeve; që nga fustanet tipike të Hirushes e deri te ato më ekstravagantet në portokalli. “Mund të zgjedhësh atë model që do, shumica janë të punuara me dorë. Janë të atilla që të plotësojnë shijet e shumicës së femrave shqiptare të cilat zakonisht nuk duan gjënë e thjeshtë që luan vetëm me format”.
Prania e Hygertës Ka ditur të jetë jo vetëm e bukur; ka kënduar, aktruar dhe prezantuar. Pas shpalljes Miss Albania është njëra nga drejtueset e tri festivaleve të dimrit radhazi: më 1997, më 1998 dhe më 1999. Dy vitet e para drejton edhe dy festivalet e pranverës. Prezanton në “Miss Shqipëria 2000” dhe në “Miss Shqipëria 2002”, në “Mbretëresha e Detit 2001”. CV-ja e saj si prezantuese vazhdon me “Netët e Klipit Shqiptar 2001”, prapë më 2004, në “Miss dhe Mister Kosova 2002”, në emisionet “Sport and Shou”, “Kolazh”, “Zoom”, mandej në Kosovë, ku ka drejtuar spektaklet “Shou i së shtunës”, “Ndryshe nga të tjerët”. Një vit më parë ishte duke përzgjedhur fituesit e Bingos kosovare. Pjesa e dytë e 2005-s ishte një relaks për t'u rikthyer tashmë me një biznes. Pergaditi: Estela Ziu
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||