| Zemra Shqiptare | ||||
|
Nertila Koka: “ Një ditë do t’i rikthehem skenës shqiptare” E enjte, 26-10-2006, 08:18pm (GMT) Këngëtarja ndodhet në Tiranë për pushime dhe tregon për kohën larg skenave të këtushme. Përpjekjet për të mos iu ndarë këngës në vendet ku ka shkuar. Jeta me familjen në Suedi.
Ndodh shpesh që njerëz të njohur, për një farë kohe, harrohen dhe zhduken nga kujtesa me kalimin e viteve. Por ka të tjerë, që i rezistojnë harresës. Ju kujtohet një këngëtare me zë të veçantë, një vajzë e re që filloi të kishte role në disa filma të fundit të viteve '80-të dhe në fillim të ‘90? Ju kujtohet kënga “Çel si gonxhe dashuria”, ose “Më pa vëllai sot me një djalë”? Ishte një talent i muzikës shqiptare . E filloi karrierën që në moshën 16-vjeçare. Pikërisht në këtë moshë mori dhe çmimin e saj të parë, si debutuesja më e mirë, në Festivalin e Pranverës të vitit 1983. Kaluan vetëm pak muaj kur në Festivalin e Këngës në Radio Televizion ajo arriti të marrë çmimin e parë edhe pse në një moshë fare të re me këngën “Çel si gonxhe dashuria”. U pa qartë se ishte shumë e talentuar dhe kishte një zë të dashur për publikun. Një vit më pas, më 1984-n, Vladimir Kotani i kushtoi asaj këngën “Një lule pranvere”. Nertila e këndoi vetë këtë këngë në Festivalin e Pranverës dhe mori çmimin e dytë. Ishte shumë e re, e megjithatë, këngët e saj këndoheshin shpesh nga rinia e asaj kohe. Shumë i suksesshëm ka qenë dhe dueti me David Tukiqin “Sagapo”. Edhe me këtë këngë ajo mori çmimin e dytë në Festivalin e Këngës në Radio Televizion. Gjithsesi, përveç paraqitjes në skenën shqiptare, Nertila shpesh herë ka përhapur këngën tonë popullore edhe jashtë vendit si në Zvicër, Itali, Kroaci, Gjermani, apo edhe në Japoni. Pas lëvizjeve të shumta nëpër shtete të ndryshme të botës për arsye pune, Nertila rikthehet për herë të fundit në Shqipëri si këngëtare për të kënduar një duet me Viktor Tahirin. Me sa duket, festivalet kishin ndryshuar shumë që nga koha që e kishte lënë ajo përpara se të largohej. Pra me këtë imazh Nertila zbret shkallët e skenës së festivalit për të mos iu rikthyer më deri tani. Ëndrra: Të luaj në një film të dajës
Një ëndërr akoma e parealizuar e Nertila Kokës, është roli në ndonjë film të dajës së saj, një skenarist i njohur shqiptar, Vath Koreshit. “Një film me skenarin e dajës sim do ta luaja me shumë qejf, është një nga personat të cilin e adhuroj…,” – thotë Nertila Koka, e cila shumë shpejt do të largohet nga Shqipëria me premtimin që një ditë do t'i rikthehet skenës së festivalit tonë si dikur… Larg Shqipërisë, por afër skenës Në vitin 1991, largohet nga Shqipëria për në Suedi për shkak të punës së bashkëshortit në një nga universitetet më të mirë të vendit. Gjithsesi, edhe pse jashtë Shqipërisë, Nertila nuk e humbi ritmin dhe drejtimin që kishte. Ajo punonte si pedagoge kantoje dhe drame në universitetin “Çukurova” në Turqi. Megjithëse shumë e ngarkuar dhe me detyra familjare, pasioni i Nertilës për këngën ishte akoma shumë i ndezur. Me kalimin në Japoni, ajo u rikthye te kënga. Dha një koncert në teatrin “Skala” të Tokios, pra një koncert që jo të gjithë mund të kenë fatin dhe talentin për ta dhënë në një sallë të atij niveli. Ishte dëshira e madhe e emigrantëve shqiptarë por edhe nga Kosova, që ndodheshin atje, për të dëgjuar këngët popullore shqiptare.
Ndoshta vajza e madhe, Sara, është ajo e cila ka trashëguar zërin e nënës së saj, pasi në Goteborg ka krijuar një grup rroku, quhet “VANIC”, ku vetë është këngëtarja dhe në të njëjtën kohë i bie kitarës. Megjithatë kjo nuk e pengon atë që të vazhdojë gjimnazin më të njohur të Goteborgut, Rudebeck, për shkenca politike me nota të shkëlqyera. Ndërkohë që motra e saj e vogël, Ani, ende nuk kuptohet se çfarë prirjeje ka. Gjithsesi, reagimet i ka të menjëhershme në momentin kur dëgjon të ëmën, Nertilën të këndojë nëpër shtëpi për të plotësuar ndoshta diçka që ka filluar t'i mungojë. Aktualisht vazhdon të jetojë në Goteborg të Suedisë me bashkëshortin dhe dy vajzat Sarën dhe Anin. Nertila ndjek studimet për mësuesi. Eshtë në vitin e fundit dhe në dhjetor do të diplomohet. Pas këngës, aktrimit, tashmë do të kemi një Nertila Koka mësuese. Në të vërtetë ka qenë një personazh i suksesshëm në të gjitha detyrat që ka marrë përsipër deri tani. Padyshim që edhe si mësuese do të vazhdojë të jetë i njëjti personazh i ëmbël dhe i dashur me të tjerët. “Nuk ishin të paktë ata që më kishin mësuar shtëpinë e prindërve dhe më thërrisnin nga poshtë, – thotë Nertila kur e pyet për suksesin e asaj kohe. - Kishte raste që nëse nuk i dilja më thyenin edhe xhamat e dritareve, megjithatë këto ishin “dëme” që nga njëra anë të sjellin kënaqësi. Ndihesha mirë sepse më vlerësonin për profesionin që kisha. Pra një sukses krejtësisht i ndryshëm nga sukseset e këngëtarëve të rinj të ditëve tona të cilët mund të kalojnë në rrugë edhe pa u vënë re me ndonjë admirim. “Atëherë njerëzit kur të shihnin në rrugë nuk qëndronin pa të folur apo pa të bërë komplimente,” – shton ajo. Ndër këngëtaret e kohës së saj Nertila kujton Irma dhe Eranda Libohovën, ndërkohë që ruan lidhje miqësore me Merita Halilin. Kur e pyesin për të rinjtë, të vetmin emër që përmend për vlerat si këngëtare është Anjeza Shahini. Me motrën Dorotea (bashkëshortja e balerinit të njohur Ilir Kerni), e cila aktualisht jeton në Kroaci, ku punon si drejtoreshë e sektorit shqip të Bibliotekës Kombëtare në Zagreb. Përgatiti: Endi TUFA
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||