| Zemra Shqiptare | ||||
|
Floresha Debinja E premte, 01-06-2007, 04:35pm (GMT) Floresha Debinja, Bilbili i Kenges Qytetare Beratase! Pierr-Pandeli Simsia - New York, U.S.A Dikur ishte një vajzë e re, punetore ne Kombinatin e Tekstileve ne Berat. Ndërsa nga duart e saja te brishta dilnin prodhimet e bukura shumengjyreshe, ne thellesine e shpirtit te saj vlonte një zjarr. Ishte zjarri i kenges. Vajza e druajtur nuk mund te rrinte pa kenduar edhe kur qëndronte mbi makinen e saj te punës. Zeri i saj i ëmbël si kanarine, sikur nuk i shkonte t'i fshihej karakterit te saj te druajtur. Kerkonte te shperthente, te dilte nga ai kraharor i asaj vajzë qe kishte lindur për t'i kenduar vendit te saj, popullit te saj. Ne Dhjetorin e vitit 1974 do të ngjitej për herë të parë ne skenen e Festivalit te 13-te te Kenges ne Radiotelevizion për te kenduar këngën: "Syrin pishe, Zemren barrot", e kompozuar kjo këngë nga Kristo Kote. Kjo do ishte dhe fillimi i saj për t'u ngjitur ne rrugën e gjatë e te bukur, ne artin e te kenduarit. "Ju keni një këngëtare te madhe" do të thoshin ne Shkodër a ne Gjirokaster, nëse dikush prezantohej nga Berati dhe beratasit do ndjeheshin krenare për këngëtaren e tyre qe ishte bërë aq e njohur. Floresha Debinja! Nuk ka shtepi, jo vetëm ne berat, por ne gjithë Shqipërinë ku të mos këtë hyrë zëri i saj i ëmbël e melodioz dhe Floresha bashke me tingujt e saj do t'u dhuronte emocione te shumta gjithë atyre qe i adhuronin këngët e saja popullore. Për shumë vite këngëtare e Estrades Profesioniste te Qytetit te Beratit, pjesemarese e shumë festivaleve te kenges popullore si edhe e festivaleve te kenges ne qytetin e Beratit, do ta conte zërin e saj edhe atje, ku e kërkonte vete jeta, pranë bujkut ne are, tek perurohej një lapidar deshmori apo inagurohej një fabrike, ne repartet ushtarake pranë ushtareve. Si bije e Beratit, këtij qyteti djep i kulturës se lashtë, aq sa është vete lashtesia e tij 2400 vjeçare Floresha Debinja i erdhi në kohe qytetit te saj, për te kenduar folklorin e tij te pasur e te pashtershem, ashtu siç e kanë kenduar paraardheset e saja, Virgjinia Mile, Hyrije Saraci. Perkrah vellezerve Dhimiter e Kozma Dushi, Ludmilla Baballeku,duke punuar për vite me radhe me ata, do ta conte këngën qytetare beratase edhe atje, larg atdheut, ku ndodheshin bashkeatdhetaret e saja, ne mergim jashtë Shqipërisë me Ansamblet Popullore Tomorri dhe Myzeqeja, ku do jepnin koncertet e tyre te suksesshme, duke u çuar bashkeatdhetareve një pjesë te munguar nga atdheu i tyre, Kengen e bukur Popullore Shqiptare. Floresha i erdhi Beratit ne atë kohe, kur Kucedra Komuniste i kishte shtrire kthetrat e saja edhe ne art, atëherë kur populli jetonte kohën e ushqimit me tollona dhe kënga e saj do "ushqente"shpirtin e atij populli me zërin e saj te ëmbël dhe Berati do dinte si t'ia shperblente, duke e quajtur: Bilbili i Kengeve te tij. Për formimin e saj si këngëtare një pune te madhe ka bërë edhe drejtuesi i orkestres se Estrades se Beratit, kompozitori, Artisti i Merituar Sotiraq Konci, i cili nuk do gabonte ne zgjedhjen e tij për te punuar vite e vite me radhe me Floreshen. Gjithashtu një pune te palodheshme kanë bërë edhe drejtuesi i grupit karakteristik te kenges, i paharuari Asqeri Kadena dhe Teki Luari. Ne vitet e vështira te tranzicionit Floresha është e vetmja artiste qe nuk u largua nga vendi i saj, Shqipëria. Këngët e saja te kenduara nder vite janë e vetmja pasuri e saja qe Floresha ka ditur te prodhoje e ta shperndaje këtë pasuri ne popull. Floresha Debinja nuk mban ndonjë titull zyrtar nga ndonjë institucion kulturor shtetëror. Vlerësimi i madh qe populli i saj i ka dhënë e i jep, respektin dhe dashurinë, mirenjohjen për gjithshka ajo ka bërë gjatë karieres se saj si këngëtare, është me shumë se Artiste e Merituar, pse jo dhe Qytetare Nderi e Qytetit te Beratit. 10 Mars 2005 - AlbNet |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||