| Zemra Shqiptare | ||||
|
Leonora Jakupi E premte, 29-06-2007, 07:26pm (GMT)
Nuk është mirë që fal aq shumë Leonora Jakupi është pothuajse si peshku - shenja e saj e horoskopit. Është e ndjeshme, e tërhequr, e përkëdhelur... romantike deri në fund. Teksa bisedon me të, shpesh ajo i kthehet së kaluarës dhe emocioneve që e kanë shoqëruar në jetë Është vetëm 29 vjeçe dhe gjatë intervistës shpesh ka dëshirë t’i kthehet fëmijërisë së saj, që ka zënë vend emocionalisht tek ajo. “Nëse e mendoj jetën time që nga fillimi, që kur kam qenë e vogël, e ndiej se kam pasur një fëmijëri shumë të gëzuar dhe të lumtur”, - shprehet ajo. Teksa flet për fëmijërinë, i kujtohet kur shkonte në shkollë dhe dita kur bleu biçikletën me tri rrota. Ajo na thotë se ka qenë fëmijë i hareshëm, i shoqërueshëm, se ka pasur shumë shokë e shoqe dhe është llastuar shumë nga prindërit. Ka qenë fëmija i parë dhe fryt i një dashurie të një çifti të lumtur. “Më kujtohet kur lindi im vëlla. Unë bëhesha xheloze për faktin se prindërit e mi mund ta donin edhe dikë tjetër, aq sa më donin mua”. Deri në moshën 20-vjeçare ka jetuar në Skenderaj, në një qytezë të Drenicës. Deri në këtë moshë, ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkollore: recitim, kor, pikturë etj. Por nis lufta në Kosovë. I ati i saj pëson aksident jo shumë larg kufirit shqiptaro–shqiptar, ngjarje e cila e ndryshoi plotësisht jetën e saj. Si më e madhja në familje, i bie barra e rëndë e kujdesit për të motrën dhe vëllanë e vogël.
Nora, tashmë ka realizuar pesë albume, dhjetë videoklipe, ka një pjesëmarrje të gjerë nëpër festivale dhe ndihet këngëtare e realizuar. “Dua të punoj përsëri. Më ka ndodhur të kthej edhe këngë nga kompozitorët. Gjithashtu, kam disa këngë që mendoj se mund t’i kisha realizuar ndryshe. E megjithatë, kam edhe këngë që sot nuk do të mund t’i këndoja, ashtu si i kam kënduar atëherë”. I kushton mjaft vëmendje pjesëmarrjes së saj në Festivalin e këngës në RTSH në vitin 1998. “Ishte hera e dytë që merrja pjesë në këtë festival, pas vitit 1996 kur jam vlerësuar si debutuese. Pra, ishte viti 1998. Ndihesha e hidhëruar dhe e dërmuar nga vdekja e babait. Me gjithë dhembjen, gjeta forcë të këndoja përsëri. Pasi e kisha realizuar këngën “A vritet pafajësia”, xhaxhi Ferdinandi (Deda) më ndihmonte pa përtuar aspak, që të më ushtronte në piano jo vetëm këtë këngë, por edhe këngë të tjera. Kishte shumë dëshirë që të më kthente humorin. Kam pasur shumë emocion. Ndihesha e hutuar. Gati sa nuk kam qarë në skenë. Edhe teksti ka qenë mjaft prekës”, - rikujton Leonora. Varrin e të atit e ka në Shqipëri, ndaj jo rastësisht ka vendosur që të blejë një vilë në Durrës. “Nuk ishte thjesht ideja e detit apo e pushimeve, sesa lidhja me Shqipërinë. Meqenëse në Shqipëri kemi shkuar shumë shpesh, atëherë menduam që të kemi edhe një shtëpi atje”, - shprehet ajo.
Meqenëse është ende beqare, Leonora e anashkalon temën për jetën private. Është ende vetëm, pasi nuk e ka takuar ende shpirtin e saj binjak. “Koha e paktë të pamundëson lidhjet me njerëzit. Jam shumë e lidhur me familjen. Natyrisht, edhe profesioni im kërkon që shoku im i jetës të ndajë jetën private prej asaj publike. Por më e rëndësishmja është që të përshtatemi në karakter”, - shprehet ajo. “Më ndjekin përherë thashethemet, edhe pse dal shumë pak. Njerëzit sajojnë lloj-lloj lidhjesh, madje flasin sipas tekave të tyre. Kur kam qenë më e re, këto gjykime më kanë lënduar. Megjithatë, me kohë e kam kuptuar se, kur vendos të jesh një person publik, duhet të ballafaqohesh me të gjitha gjykimet e mundshme.” E veshur me një palë xhinse, një këmishe bojëkafe me katrorë dhe me një grim të lehtë, Nora vjen në takim. Është ndryshe nga Nora e skenës: me fustane që janë modeluar vetëm për të. “Skena kërkon një veshje të bukur, ndaj detyrimisht duhet të investosh për të”. Fustanet i modelon në Kosovë, gjithashtu blen edhe gjatë udhëtimeve të shpeshta që bën.
Për sa u përket të ardhurave të saj, Nora shprehet se nuk ka asnjë lidhje me to. Me administrimin e tyre merret nëna e saj. “Nuk më mungojnë, por edhe nuk bëj gjithçka për para. Paratë janë të mira në jetë, por nuk të sjellin lumturi”, - shton ajo. Në koncertet në Kosovë dhe jashtë saj, zakonisht shkon e shoqëruar nga e ëma. “Nganjëherë dal edhe vetëm, por kjo ndodh rrallë. Më pëlqen edhe vetmia, pasi shou biznesi është shpeshherë shumë i zhurmshëm”, - thotë ajo. Nora e quan veten një vajzë të qetë, të butë, të ndjeshme dhe që fal shumë. “Nuk di të mbaj mëri, edhe pse nganjëherë më vjen inat që fal kaq lehtë. Do të doja të mbaja më tepër inat, pasi vërtet e teproj me falje. Ka njerëz që nuk e meritojnë, por unë përsëri i fal.”
Box Box Spekter
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||