| Zemra Shqiptare | ||||
|
Aleksander Peçi: Kabaja e Laver Bariut E shtune, 05-04-2008, 11:31am (GMT1) Kabaja e Laver Bariut
Një palë sy të ustait që shihnin poshtë sa nga toka dhe merrnin ngjyrën kafe të saj si të shkruanin me tinguj mbi një pergamen të madh hallet e dertet e shpirtit, e sa nga qielli si të donin t’i u përcillnin perëndive sekretet e pergamenit të tokës. Një palë mustaqe simpatike që i jepnin hijeshi e burrëri këtij portreti të bukur, dy veshë të mprehtë, diktatoriale të artistit Bariu ndaj çdo stonature që mund t’i vinte nga formacioni, një palë buzë që i përcillnin gërnetës butësinë e shpirtit. Dy duar me gistërinj të butë që u jepnin butësinë e poezinë e shpirtit çelesave metalikë të gërnetës. Çelësat nga duart e Ustait nuk ishin më metalike. Ato bëheshin trandafilë fletë-fletë, bëheshin borzilokë, bëheshin “Moj buzkarafilja ime”, “shami me mollë të ëmbla”, bënin të mbinin qershi, degë jeshile, të kullonte qumësht dallëndyshe. Një kurriz i përkulur si t’i përkulej e falej tokës e në respekt njerëzve që e adhuronin. Një gjoks që në kulminacione të kabasë, krenarisht i mburrej qiellit për këtë pasuri të kombit. E së fundmi, pala fustenelle të bardha mbështillnin si me re këtë monument të gjallë të kulturës sonë popullore prej mishi, gjaku e tingulli, Bilbili i Permetit, Laver Bariu. Ky është portreti i bukur i Laver Bariut. Në fakt këtë epitet të bukur nuk ia kam ngjitur unë Ustait. Nuni i këtitj llagapi të ri të Laverit është i madhi dhe i paharruari kryemjeshtri i skenaristikës shqiptare Vath Koreshi, e që me vdekjen e tij kinematografia humbi kryepenën e saj. “I bukur more usta”, i thosh Vathi, dhe qe atehere sa here qe takoheshim kjo shprehje sillte një atmosfere gezimi e mjaft miqësore në komunikim. Ky është portreti i Usta Laverit, që kam njohur unë dhe që njohin shqiptarët, dhe që Vaso Tole në vijim të botimeve për thesaret e Trashëgimisë së popullit bëri shumë mirë që ja dha publikut këtë libër mbi Usta Laver Bariun. E shkruara mbetet. Të pashkruarën e mer era. *** Pas 3 vjeteve (1973- 1977), kërkime e gërmime në disqet që gjeja fshatrave të Përmetit tek i apasionuari i madh i tyre që i ruante si sytë e ballit që nga vitet ‘20 Vangjel Mango, (imagjinoni, Permetin në kohën që binte erë barut, kultivonte kulturë e dëgjonte disqe, e rallë kjo për Shqipërinë e atyre viteve), pra më duhej jo vetëm ta studioja këtë experiencë të jashtëzakonshme të kabasë e këngës, por dhe të jepja ato zgjidhje që di të japi kompozitori kur bëhet njësh me ustallarë të mëdhenj si Laveri e Çobani, kur merr prej tyre materie sonore, por dhe u jep atyre materie në këtë klimë bashkësie kolektive që solli filmi “Gjeneral gramafoni”. Arti i Popullit nga vetë nocioni i krijuesit të tij “Popull” është arti kolektiv, arti i zhvilluar në bashkësi, që jeton një kohë bashkësie, e cila matet me mijëvjeçare. Është e rëndësishme të theksoj se kjo bashkësi kolektive mbushet nga gjithë prurjet që vijnë nga burimet e përrenjtë individuale por dhe njëkohësisht i ushqen e i mbush me lëndë burimet e përrenjtë individuale. Sa i ngjan ky proçes ujit, i cili nëpërmjet burimeve e përrenjve krijon bashkësitë e mëdha të lumenjve e deteve, ku më pas, procesi i avullimit e kondensimit, shiut, i kthen në lëndë ujore për të furmizuar përsëri burimet e përrenjtë. E ato, përsëri bashkësitë. Është vërtet e mbrekullueshme që kur bashkohen 2 shkolla, ashtu si 2 burime, si dy lumenj në një shtrat të vetem, pra shkolla e popullit dhe e ustallarëve të medhenj, dhe shkolla me trashëgimitë e mëdha të artit muzikor, boteror e kombëtar, do të prodhohen varietete të reja. Disa prej të cilave, për të mos ngrënë kohë nuk po i citoj, tek filmi që sapo përmendëm por edhe tek “Dasma e Sakos” ku shumë ngushtë bashkëpunuam me bilbilin tjeter Ethem Qerimaj. Kinemaja me skenaristin Koreshi, regjizorët Gjika e Prifti në këto 2 filma por dhe në të tjerë e ka ngritur Kabanë ashtu siç e meriton, në një Perëndi të plotfuqishme tingujsh unike, mitike shqiptare të papërsëritshme në një rrafsh europian e Botëror. *** Nëse do t’i jepja një pergjigje se ç’është Kabaja si ndjesi emocionale tek Laveri, do të thoja se është pasqyrë binjake e shpirtit të tij dhe pasqyrë e bashkësisë kolektive. Ajo reflekton shpirtin e njeriut, që nga djepi me përkëdheljen e një nina-nane, e deri tek arkivoli. Dashuron si shpirti, si një shi trëndafilash fletë-fletë i derdh petalet e tingujve, fërfërin si flladi, gurgullon si Vjosa, ka ngjashmëri me të për nga gurgullimat, ondulacionet, pastertia, kthjelltëisia, sasia e prurjeve. Kabaja e Laverit lëndohet si shpirti e të lëndon shpirtin, qan si shpirti, klith si ai, emigron si shpirti dhe merr rrugën për Janinë. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi është një OI e madhe e cila përthyhet në mijëra OI të vogla. Që të gjitha së bashku krijojnë hapësira të pamata, që do ti quaja Hapeserat e OIRAVE. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi ka ngjashmëri me tokën, me ajrin, me qiellin, ajo është e aftë të prodhojë nga disa filiza sonore një plantacion të tërë me tinguj nga i njëjti varietet. Kabaja siç e thotë dhe Tole në librin e tij, është një formë – koncerti instrumental i muzikës popullore. Aty brenda është virtuozimi, shpirti i garës midis një klarinete e violine nën një butësi harmonike të lahutave e dajres, deri dek befasimet ritmike të kthesës instrumentale që merr kabaja në fund. Pra sipas gjykimit tim kabaja është një botë e tërë. *** Shpesh kur dëgjojmë lloj-lloj turbullirash që bëhen mbi ahengun dhe deformimin e etnosit, virgjëria dhe pastërtia e kabasë dhe perlave të valleve e këngëve popullore i ngjan burimit në lumin e Vjosës afër Këlcyrës. Shihni Vjosën në një ditë qameti kur shiu e turbullon gjithë shtratin, kjo pjesë burimi ngelet tërësisht e kthjellët, kaq e madhe është prurja e ujit të kthjellët. Ky është një mesazh për ta ruajtur të kthjellët burimin, e etnosit tonë nga lloj-lloj prurjesh të turbullta që i vijnë shoqërisë shqiptare s´dihet se nga ku. Kabaja si shpreja e fuqishme e identitetit shqiptar në një rrafsh europian e boteror, është një gjuhë si dhe gjuha shqipe e shkruar në papirusin e madh të memories së popullit, e që gernetaxhinjtë e ruajtën, e zhvilluan, e perfeksionuan, e jua trashëguan brezave më të rinj, të cilët do tua lënë trashegim brezave që vijnë. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||