| Zemra Shqiptare | ||||
|
Babeta Shahini, këngëtarja lozonjare u këndon ninullë meshkujve E diel, 16-12-2007, 05:35pm (GMT1)
Babeta, si gjithmonë në prag të Viti të Ri edhe këtë vit me një album të ri. Si erdhi ky album? Si një përgjegjësi. Përgjegjësi ndaj simpatizantëve dhe të apasionurave pas këngës popullore të ndërthurua me atë moderne. Është një ndërmarrje e vështirë, por e bukur. Tashmë dëgjuesi është më i vëmendshëm. Pret të reja. Si në planin e kompozimit, edhe në tekst. Kërkon këngë të thjeshta. Jo, të ndërlikuara. Të qeta për veshin, për të larguar streset e shumta. Suksesi dhe shitja në kohë të kënaqshme i albumit, “Si karamele” më vuri para një prove të re. Të një gjetje kompozicionale dhe poetike të albumit. Kjo është si një detyrim, që nuk mund t’i shmangesh n.q.s dëshiron sfidën, përballjen me kërkesat e kohës, ambicies si këngëtare. “Kili -Kili”. Një emërtim interesant dhe intrigues. Çfarë përmban teksti i kësaj kënge? Kjo është gjetja e autorit. Është një risi në tekst. Pse? Për vetë faktin, se autori i tekstit A. Trebicka, ka luajtur me vargun dhe fabulën e tekstit. Ai ka përcjellë në mënyrë intriguese, por edhe si gjetje një Ninullë për meshkujt. Kushdo habitet me tekstin. Një Ninullë për meshkujt?!! Asnjë nuk ka parë në treg, Ninullë për meshkujt. Ato janë për fëmijët. Kjo është e bukura, e veçanta, thyerja e një tabuje (n.q.s mund ta them kështu). Në fillim e pamë me skepticizëm. Por, në treg duhet guxim. Duhet vendosmëri. Risi..
Sa këngë ka albumi? Një punë e lodhshme një vjeçare. Sa këngë keni seleksionuar? Plot 16 . Ju e dini se unë kompozitor kam bashkëshortin tim Ilir Ballën. Ai i përshtat këngët sipas temperamentit tim. Bile dhe shumë tekste. Tashmë ai njeh çdo detaj të temperamentit tim të të kënduarit. Forcën time të zërit. Ky bashkëpunim e lehtëson punën time. Jo gjithkush nga këngëtaret i ka kushtet e mia. Jo kushdo e gëzon këtë komoditet. Pra, pas një maratone prej 16 këngësh veçuam vetëm 8. Seleksionimi nuk ishte i lehtë. Punonim nga 5-6 orë çdo ditë. Kjo nuk ishte e pakët. Lodhje, stres, largim nga problemet familjare. I jam shumë borxhlie, vajzës time Borës. Shumë herë ajo vinte në studio dhe më kapte nga fustani për t’iu përkushtuar sadopak. E veçanta tjetër e këtij albumi? Ju pretendoni se këto këngë janë të një zhanri të ri. Si mund ta kuptojmë këtë? Po. Shumë qartë. Nuk janë këngë të mirëfillta popullore. Ky zhanër është një ndërthurje e këngës popullore shqiptare me atë moderne. Ndoshta eksperimentohet për herë të parë. Pra, përveç ninullës, këtu do të ketë balada, danc, një kooperim që të ngacmon.. Ç’kuptoni me këtë kooperim? Një ndërthurje e paqtë e folkut me modernen. Jo këngë popullore tipike të një krahine shqiptare apo një tjetre. As vetëm një ndërthurje midis tyre. Në repertorin tim, unë kam këngë popullore nga të gjitha krahinat e vendit. Ky album e kalon këtë cak. I jep një fllad më të gjerë dhe të shpeshtë këngës. E mban në tension. Relaksi dhe meditimi janë në një formacion perfekt. Jashtë klisheve dhe rregullave strikte. Një rrugëtim i ri. Si një autostradë e panjohur, që pret të papritura të këndshme, që të befasojnë, por nuk të trishtojnë, por të ngjallin vetëm gëzim, optimizëm. Në këtë nismë a keni bërë një testim paraprak? Sigurisht. Çdo gjë është paraparë. Kemi bërë një testim mes miqsh. Njohës të mirë të këngës popullore. Testim që vazhdoi 3 muaj, vendosëm të vazhdojmë kur ramë të gjithë dakord. Testuesja më e sinqertë, por edhe më e rreptë ka qenë vajza jonë, Bora. Kur ajo dëgjonte dhe na thoshte nuk më pëlqen, ne si grup mendonim gjatë. Ajo gjithë ditë dëgjon këngë popullore, por edhe të lehta. I njeh mirë këngëtarët. Me këtë album ju merrni dhe një ndërmarrje tjetër. Atë të bashkëpunimit me një shtëpi të re diskografike. A nuk është një risk? Po. Risku është i pranueshëm kudo për këngëtaret. Por, risku shumë herë është pjesë e suksesit. Tani në Shqipëri ka 5 shtëpi diskografike, që janë prestigjioze. Por, në këtë shtëpi të re, unë kam si bashkëpronar dhe burrin tim, Ilirin. Ai është këmbëngulës në profesionin e tij si kompozitor dhe instrumentist. Më ka ngjallur gjithmonë besim. Janë një grup plot ambicie, që kanë marrë përsipër që të udhëtojnë në punën e tyre vetëm me hite. Le të jetë ky album metri i parë i superstradës së asfalt për suksesin e pandalshëm. Ku ka mendim, guxim dhe punë, fitorja nuk vihet në dyshim.. Kujt ia dedikon këtë album? Simpatizantëve, të apasionuarve të këngës popullore, familjes time, por në veçanti emigrantëve shqiptarë kudo që janë. Ata janë pjesa më e gjallë, që na mbushin me optimizëm. Ky album, le të jetë një ogur i mirë për këtë zhanër dhe shtëpinë e re diskografike. Duke qenë dhe në prag të Vitit të Ri uroj gjithë popullit shqiptar, Gëzuar festat e fundvitit. Begati, paqe, shëndet, mirëkuptim. Gëzuar! Sot
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||