| Zemra Shqiptare | ||||
|
Është koha për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës E merkure, 20-02-2008, 08:30pm (GMT1) Nga Prof. dr. Vasil S. TOLE Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është oguri më i mirë edhe për organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Shqiptarëve po në këtë vit. Tashmë të gjithë e pranojnë, kudo, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë, por dhe studiues dhe dashamirës të huaj, se FFK i Gjirokastrës është kurora e veprimtarive të trashëgimisë kulturore shpirtërore, i cili kulmon në skenën e njohur si skena e Festivaleve, në qytetin muze të Gjirokastrës - “Pasuri kulturore e njerëzimit” – e mbrojtur nga UNESCO, qysh prej vitit 1968. Pas viteve 1990, megjithëse u prish radha e organizimit, festivali ia doli të bëhej në qytetin muze të Beratit më 1995-n, pas shtatë vjet ndërprerjeje. Në vitin 2000, pas shumë përpjekjesh, me të drejtë FFK u rikthye në shtëpinë e vet, në Gjirokastër. Ishte një rikthim madhështor dhe mallëngjyes njëkohësisht. Jo rrallë shihje muziktarë popullorë nga i gjithë vendi e jashtë tij, që puthnin skenën para dhe pas interpretimit, ndërkohë që spektatorët e shumtë popullonin çdo ditë e natë kalanë. Viti 2004 natyrshëm solli organizimin e radhës të Festivalit në Gjirokastër, me standarde të larta organizimi, me Statutin e Festivalit, si dokumenti rregullator i tij, i cili sanksionoi edhe zhvillimin e FFK-së në çdo katër vjet, mbështetur në Ligjin Nr. 9049 “Për trashëgiminë kulturore”, i aprovuar në vitin 2003 në Kuvendin e Shqipërisë me një konsensus të admirueshëm të pozitës dhe opozitës së atëhershme. Festivali filloi më 29 shtator, e njohur zyrtarisht si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, ndërsa u mbyll më 5 tetor 2005. Ç`përfaqëson FFK-ja? FFK i Gjirokastrës nuk përfaqëson një aktivitet të thjeshtë, i cili konsiston vetëm te disa ditë koncerte dhe veprimtari të tjera, që ndodhin në skenën e Kalasë së Festivalit. Festivali është së pari një akt publik shumë më i madh, më i rëndësishëm dhe i përgjegjshëm i politikës kulturore, që shteti shqiptar merr përsipër të zbatojë, me seriozitet, standarde dhe transparencë përpara shtetasve dhe kulturës së vet. Realisht, FFK përfaqëson një energji pozitive që shkund gjymtyrët e institucioneve shtetërore, atyre private dhe shoqatave kulturore, së bashku me ato të individëve, në funksion të pohimit të identitetit europian të shqiptarëve. Me këtë rast, e gjithë Shqipëria përfshihet në një organizim kulturor gjithëvjetor, për të kulmuar në ditët e festivalit që fillojnë më 29 shtator, Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Gjithçka me vlerë rivlerësohet, traditat riinterpretohen dhe përcillen nga brezi në brez, përgjatë një procesi kulturologjik dhe edukimi, i cili ndodh në të gjithë Shqipërinë për shkak të organizimit të FFK-së. Shqipëria është në një garë artistike me veten. Përmes një organizimi model në vitin 2008, është e mundur që Shqipëria të mund të prekë përmasën reale të rëndësisë së turizmit kulturor (si vlerë kulturore dhe si vlerë monetare), të iniciuar dhe të mbështetur nën simbolikën e “Vitit të shqiptarëve”. Trashëgimia shpirtërore e FFK-së i jep jetë dhe gjallon edhe atë materialen anembanë vendit. Imazhi i Shqipërisë turistike për 2008-n nuk përmirësohet vetëm me spotet e CNN-it. Albania
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||