Kulmi i poshtërsisë… të thuash të vërtetën
E marte, 10-07-2007, 11:11pm (GMT+1)
(Autoportret)
Jeta private… Me pronar shtetin. Shenja zoodiakale… Peshore me gurë fallco. Arsimi … Fillore natën, kurse pasuniversitare, dhe master. Aktiviteti… Shkrues i absurdit me laps dhe pa gomë. Hobi… Gënjeshtra. E meta kryesore… I martuar një herë dhe vetëm me një grua. Momenti më i bukur… Dita e votimeve. Ëndrra juaj… Të dëgjoj një gënjeshtër nga politikanët. Meraku në dashuri…. Për motrën e tretë të Nelson Mandelës. Personi që ju vuri emrin… Ende nuk ia di emrin. Padija më e madhe… Kush e shpiku të qeshurën. Filmi më i bukur… Ai që më lemerit natën në gjumë. Defekti… Nuk kam rrahur asnjëherë ndonjë politikan. Këngëtarë të preferuar… Ezmerët e dasmave. Heronjtë tuaj… Ata që vënë miliona pa firmosur në bordero. Burri më i zgjuar… Ai që bën budallain. Ushqimi i preferuar… Prodhimet me kimikate. Femra ideale… Ajo që më shau nga nëna. Nostalgjia… Për drurin që më jepnin njëherësh babai dhe motrat. Urrejtja më e madhe… Për ata që më bënë kokën dhe u kam bërë kokën. . Veshja… Xhinse të firmuara tek “Gabi” të përdorura nga emigrantë kongolezë. Ngjyra e preferuar… Ajo që vjen pas çdo zgjedhjeje. Personi më i rëndësishëm… Kryetari i OJQ-së ku bëj pjesë. Virtuti më i çmuar… Celulari. Artistët e preferuar… Brekografët dhe sytjenografët. Idhulli juaj… Furrxhiu i lagjes. Kulmi i poshtërsisë…Të thuash të vërtetën. Të tjerët për ju… Gjoja i mençur që e mban veten për budalla. Besimi…Ateisto-mysliman-kristiano-ortodokso-demokrato- socialist. Gazetarë të preferuar… Atyre që nuk u lexoj dot shkrimet. Qyteti i preferuar… Krraba. Meraku… Që nuk jam bërë anëtar partie. Synimi… Të prishem dhe me mikun e fundit. Ç`është dashuria… Seks dhe dru. Hajdutët… Njerëz që kanë fatin e keq të kapen. Besimi tek e ardhmja… Si besimi tek e shkuara. Çasti më i bukur… Kur bie në shtrat pas edicionit të lajmeve. Vlera e një burri… Kur i thotë gruas në shumës: Ju dua! Kafshët që pëlqeni… Ato që nuk i hanë njerëzit. Muzika që pëlqeni… Ajo që më vyshk lulet e shtëpisë. Ç`është paraja… Politikë + biznes – ndershmëri. Pendimi juaj… Se shpesh kam qenë edhe i mirë. Lavdia më e madhe… Që nuk kam bërë turpe. Turpi më i madh… Që nuk kam arritur asnjë lavdi. Objekti më i shenjtë… Bingot, ku i lë paratë pa t`i kërkuar njeri. Ëndrra sportive… Të vrapoj nudo me Xhenifer Lopez. Mendimi për femrat… Mazhorancë me opozitë homoseksualët. Çfarë pune të pëlqen… E atyre që nuk punojnë fare. Miqtë më të mirë… Ata që nuk i kujtoj asnjëherë. Ç`është ndershmëria… Një luks i veshur me zhele. Motoja juaj… Nuk kam bërë keq që të jetoj me moto. Çudia më e madhe… Se si e gjithë bota qesh shqip.
Luan Laze
|