| Zemra Shqiptare | ||||
|
Katarsis, Haxhihyseni E diel, 03-02-2008, 12:34am (GMT1) “Gjithçka është mirë, kur përfundon mirë”, thotë një fjalë e urtë. Dhe pasi gjithçka përfundoi mirë për të, i është kthyer sërish seancave stërvitore në palestrën pranë Stadiumit “Qemal Stafa”. Po punon dalëngadalë për rikuperimin fizik, pasi arriti të vërë në vend emrin që u përfol shumë dy muajt e kaluar. Nëse nuk do të kishte këmbëngulur aq shumë në deklaratat në media, nëse nuk do t’i kish marrë vetë përsipër shpenzimet për analizën e dytë, ndoshta Endri Haxhihyseni mund të shënonte edhe mbylljen e karrierës si peshëngritës i talentuar, që trofetë dhe rekordet ndërkombëtare nuk i ka lënë thjesht ëndrra. Nga Suadela Balliu - One
Doping, një episod i harruar Megjithëse nga ngritja e shtangave nuk ka hequr dorë, ai u ndje i lënduar nga mosbesimi i atyre që, përpara se të ndodhte ky episod, me të drejtë e kishin lavdëruar. Tashmë pret të rikuperohet dhe të lërë gjithçka mbrapa. Edhe pse për një kampion dhe përfaqësues së flamurit kuqezi, nuk është aq e lehtë të harrojë se për një faj që nuk e kishte bërë, gati e kryqëzuan. Ishte vetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Peshëngritjes që e bëri lajmin publik, edhe pse rregullorja e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes shprehte shumë qartë se për të gjithë peshëngritësit e rezultuar pozitivë duhet të pritej deri më datë 30 shtator, në rast se dikush prej tyre dëshironte t’i nënshtrohej analizës B. Sekretari Ilir Kraja shprehej për median se nuk kish më kohë për analizën e dytë, edhe pse Endri kishte këmbëngulur në deklaratat e tij në media se ishte i pafajshëm. Askush nga përgjegjësit e Federatës nuk i besoi prononcimeve se testosteroni ishte prodhuar nga vetë organizmi i tij dhe nuk ishte marrë artificialisht. “Më vjen më shumë keq se askush nuk më besoi, por jo vetëm kaq. Sekretari i Federatës më detyroi të kërkoja falje publike për një faj që nuk e kisha bërë. Federata duhet të priste pak përpara se të bënte publike ngjarjen”. Por edhe tani që çdo gjë u sqarua dhe Endri ia doli mbanë të pastronte jo vetëm emrin e tij nga kjo ngjarje e shëmtuar që përfshiu sportin, por edhe emrin e Federatës, e gjobitur me 50.000 dollarë dhe e përjashtuar për dy vjet nga evenimentet ndërkombëtare të peshëngritjes, askush nuk e uroi. “Nuk më dërguan asnjë mesazh urimi, apo qoftë edhe një telefonatë për të më kërkuar falje që u gabuan, apo për të më shprehur mbështetjen.” Megjithë mungesën e mbështetjes nga Federata, Endrin e kanë mbështetur pa kushte familja dhe miqtë, të cilët, duke e njohur mirë, e dinë se ai thotë gjithmonë të vërtetën. Madje edhe kur del me miqtë mbrëmjeve, ai nuk konsumon pothuajse fare pije alkoolike. Rregull ky që tashmë i është ngulitur thellë në të menduar dhe të vepruar e nuk harron, qoftë edhe për një çast, të abuzojë me to. Nuk kish si të mos i rrinin pranë familja dhe miqtë, që e shihnin Endrin të mbyllej në dhomë dhe të dëgjonte muzikë, në vend që të frekuentonte pub-et e zhurmshëm, siç bëjnë pjesa më e madhe e 21-vjeçarëve si ai. 7 x 2 palestër Endri e di se për të pasur formë të mirë duhet të stërvitet shumë. Dhe me këtë nuk bën shaka: gati çdo ditë të javës e gjen në palestër për orë të tëra. Seancat stërvitore kryhen dy herë në ditë dhe ai ndodhet aty i përpiktë. Stërvitet për më shumë se dy orë paradite, shkëputet për të vajtur në shkollë e u rikthehet sërish shtangave në orët e pasdites, të cilat Endri i përcjell me përqendrim dhe punë, derisa të ngrejë peshën e dëshiruar e pse jo, të thyejë edhe ndonjë rekord që e ka shënjestruar në kompeticionet kombëtare dhe jashtë tij. Nuk lodhet nga rutina e përditshme, sepse e di mirë se një profesionist duhet të ketë më së pari disiplinë. E ka mësuar që në moshën 8-vjeçare nga trajneri i parë në Elbasan, Ilir Çela. Para 13 vjetësh, Endrin nuk e pengoi asgjë për t’u bërë peshëngritës, as mosha e vogël për të vendosur mbi të ardhmen. Ishte pikërisht mosha e tij fare e re që tregoi krejt të kundërtën, sepse Endri pas një viti stërvitjeje do të ngjitej në pedanë, në Kampionatin Kombëtar të para të rinjve. Ishte vetëm 9 vjeç atëherë, por emocionet i ka të freskëta sikur të kishte ndodhur sot. E kujton edhe ditën kur i kërkuan të bëhej pjesë e ekipit kombëtar në moshën 13-vjeçare. Djali nga Elbasani nuk do të ndalej para asgjëje, duke arritur fitore e duke rrëmbyer kudo trofe. Suksesin e parë ndërkombëtar Endri e vulosi me medalje ari në Kupën Promocionale, në Udine të Italisë, ku u shpall edhe si sportisti më i mirë i aktivitetit. Fenomen të cilin do ta përsëriste kudo ku merrte pjesë ai dhe Shqipëria. Në gushtin e vitit 2002, Endri bashkë me kombëtaren e peshëngritësve të rinj udhëton drejt Francës, në Nisë, ku thyen i pari rekordin, duke e çuar nga 107 në 110 kg, me stilin e shkëputjes. Vetëm 150 gr më tepër peshë trupore bënë që ai të renditej i gjashti në dygarësh, edhe pse peshëngritësit nga i pari te i gjashti ishin me pikë të barabarta. Pas çdo viti dhe pas çdo kompeticioni, Endri e gjente veten në podiumin e më të mirëve. Në vitin 2003, në Kampionatin Evropian në Dortmund të Gjermanisë, arrin të thyejë plot 3 rekorde evropiane, të marrë medalje ari në shkëputje dhe të renditet i katërti në dygarësh. Dy muaj prapa...
Imazhi i kombëtares në peshëngritje Nuk i ka shkuar kurrë ndërmend ta braktisë Kombëtaren Shqiptare, as të aderojë në një tjetër ekip ku kushtet dhe pagesat as mund të ëndërrohen nga peshëngritësit shqiptarë, edhe pse një nga idhujt e tij është peshëngritësi i famshëm shqiptar që garon për ngjyrat e flamurit grek, Luan Shabani. Sepse për Endrin momenti kur hedh mbi supe flamurin kuqezi, të veshur me lavdinë e fitores nuk mund ta zëvendësojë asnjë emocion tjetër, sado i madh qoftë ai. Megjithatë, në kushtet e mjerueshme që ndodhet peshëngritja shqiptare, ai nuk ndihet aq optimist të vazhdojë. Pak kohë më parë kryeministri i vendit Sali Berisha, pas sukseseve që sollën të rinjtë në Sllovaki, e quajti “një fitore të pashembullt” dhe premtoi se do të mbështesë fuqishëm peshëngritjen e të gjithë sportin. Premtime të skeduar në sirtarë kushedi me çfarë emrash dosjesh, ndërsa peshëngritësit profesionistë ende nuk kanë një rrogë të mirëfilltë. “Ne ende paguhemi me trajtime ushqimore, sepse nuk kemi një rrogë të mirëfilltë si të gjitha profesionet. Jo të gjithë e bëjnë këtë sport për qejf. Ka nga ata që mbahen me këto të ardhura, pasi kanë investuar shumë në këtë fushë. Kjo gjendje është për të ardhur keq”, kështu i shpreh Endri pakënaqësitë e tij dhe të të gjithë kolegëve mbi kushtet e pafavorshme me të cilat u duhet të përballen dhe të bashkëjetojnë çdo ditë. Edhe pse e kanë ngritur zërin disa herë, kanë nënshkruar kushedi sa shkresa, kërkesat, siç rrëfen Endri, u janë plotësuar vetëm në 30 përqind të rasteve. Ndoshta një prej arsyeve që, nuk gjejnë gjuhë të përbashkët me kryesinë e Federatës për Endrin dhe peshëngritës të tjerë, është fakti se mes tyre mungojnë peshëngritësit . “Asnjë nga anëtarët e kryesisë nuk është peshëngritës dhe nuk mund të na kuptojnë aq mirë sa do ta bënin profesionistët e vërtetë, ata që janë të ngjashëm me ne”. E megjithëse shpeshherë komunikimi bëhet i vështirë me Federatën, ai gjen rastin të falënderojë Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që jo vetëm e kanë mbështetur peshëngritësin e KS “Tirana” dhe të kombëtares, në këto ditë të vështira, por edhe kanë qenë të vetmit zyrtarë që e kanë përgëzuar pas rezultateve të analizës. Një nga ëndrrat më të mëdha të Endrit, i cilësuar edhe si pasardhës i denjë i Ilir Sulit, është të sjellë një medalje nga Lojërat Olimpike, që do të zhvillohen në Pekin vitin që vjen. Por dëmtimi në krah dhe pezullimi për dy vjet në rast mospagimi të gjobës, bëjnë që shpresat për pjesëmarrje të Endrit të jenë të mekura, edhe pse 17 mijë dollarët që duheshin paguar nga Endri, janë zbritur nga gjoba njësoj si edhe pezullimi i tij për dy vjet. Tashmë ka lënë pas gjithçka për të pasur vetëm një kujtim të hidhur. Ditët i ndan mes palestrës e shkollës, derisa të arrijë formën e dëshiruar dhe t’i rikthehet pedanës, siç e ka bërë përherë: duke varur në qafë medalje. Sepse, edhe i dëmtuar, arriti ta rrëmbejë një medalje: atë të së vërtetës, që mes shumë të tjerash, do t’i shkëlqejë dhe do t’i shijojë më shumë. Emri : Endri Haxhihyseni |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||