| Zemra Shqiptare | ||||
|
Fadil Vokrri: 1000 fotografitë e mia në Shqipëri E diel, 24-02-2008, 02:47pm (GMT1) Erdhi në Shqipëri si lojtar i Partizanit të Beogradit, por u prit më shumë si bir i një gjaku nga kushërinj të tij në Kavajë
Natyrisht, shqiptari nga Kosova nuk mund të harrojë ndeshjen dhe eliminimin e skuadrës serbe nga Flamurtari. “Sa i përket lojës, Flamurtari me plotë meritë fitoi 2:0. Ndërkaq, në ndeshjen e kthimit në Beograd shënova golin e dytë, si dhe fitova penalltinë”, - kujton ish-sulmuesi. - Partizani udhëhoqi 2-0, luajti shumë mirë, mirëpo në fund Sokol Kushta shënoi gol, pastaj edhe portieri i Flamurtarit, ishte në formë shumë të mirë, kështu që Partizani u eliminua”. Vokrri e quan shumë të rëndë eliminimin nga skuadra shqiptare. “Humbja e Partizanit ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, - thotë Fadili. - Thuhej sesi është e mundur që një ekip si Flamurtari të eliminojë Partizanit me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit” na destabilizoi në tërësi”. Një nga lojtarët më të mirë të ish-Jugosllavisë në vitet 80-të, Vokrri, e nisi futbollin në ekipin e Llapit për të kaluar më 1980 tek Prishtina. Ajo ishte epokë e ndryshimit të madh për skuadrën e kryeqytetit të Kosovës, pasi deri në atë kohë Prishtina përbëhej më së shumti nga futbollistë joshqiptarë. “Ajo Prishtinë kishte 80 për qind të lojtarëve shqiptarë”, - kujton Vokrri. Skuadra bardheblu synonte të dilte në kategorinë e parë (Liga Federale), por demonstratat e prillit të 1981-it bënë që t’i luanin ndeshjet jashtë fushe, në Kragujevac. Nga kjo, desh ranë në kategorinë e tretë, por u mbajtën. Më 1982-1983 u arrit qëllimi i madh, ndonëse siç kujton ai, në Nikshiq të Malit të Zi apo Bitolë (Manastir) të Maqedonisë nuk u pritën aspak mirë. Në sezonin pasardhës erdhi fitorja e madhe 3-1 në Beograd me Crvena Zvezdën, ku, siç thotë Vokrri, kishte plot e plot tifozë shqiptarë, si dhe ekipi i hendbollit të femrave të Kosovës që nuk e ndaloi këngën për asnjë çast. “E më pas doli në skenë kënga “Eho”, që këndohej në të gjithë stadiumet e botës, mirëpo organet sekrete serbe kësaj kënge i dhanë kah tjetër, duke thënë se “Eho” është kënduar kinse atë ditë që ka qenë ditëlindja e Enver Hoxhës. Shumë tifozë u arrestuan, u maltretuan dhe u dënuan me nga 60 ditë burg”, - kujton Vokrri. Pas suksesit me Prishtinën, Fadilin e priste një skenë më e madhe, ajo e Partizanit të Beogradit, me të cilin ishte jo pak tifoz. “Më kërkuan Partizani dhe Dinamo e Zagrebit, - thotë ai. - Arsyeja që shkova në Beograd ishte largësia kilometrike me Prishtinën. Siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, Partizani ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria Partizani ka pasur Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve”. Të tjera demonstrata dhe greva lidhen me karrierën e Vokrrit. Tashmë është viti 1989 dhe bëhet fjalë për grevën e urisë të minatorëve të Trepçës. “Kam kaluar mirë në këtë ekip (Partizanin), - tregon presidenti i sotëm, - mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë, kur minatorët e Trepçës hynë në zgafelle (galeri). “TV Vesti” nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më ftoi që unë të bëja thirrje që minatorët të dalin nga zgafella. Më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje”. Korrieri
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||