| Zemra Shqiptare | ||||
|
Vllaznia e dërgon kupën në Shkodër E enjte, 08-05-2008, 09:38pm (GMT1)
Tifozët, tentativë përplasjeje me autobusin Pas ndeshjes, zhgënjimi i tifozëve bardheblu ka qenë shumë i madh. Humbja në finale i ka irrituar së tepërmi dy grupimet, "Ultras" dhe "Tirona Fanatics", që janë përpjekur t'i afrohen autobusit për t'u konfliktuar me lojtarët. Por ndërhyrja e forcave të rendit ka shmangur një incident që mund të merrte përmasa të rënda në Elbasan. Në emër të tifozëve "Ultras", Alban Berisha nuk harroi të shkruante një letër për gazetën: "Personalisht, kam tentuar t'i ndërpres rrugën autobusit të skuadrës me makinën time, pasi nuk mund ta duroj këtë zhgënjim që ata na kanë dhënë gjatë gjithë sezonit dhe që e pati fundin në finalen e kupës. Personalisht, jam i pafuqishëm për ta ndrequr këtë Tironë, që lojtarët e kanë katandisur në këtë batak ku është sot. Po qaj nga dëshpërimi, sepse nuk kam mundësi t'i çoj lojtarët të mbushin e të zbrazin vagona me krom në Bulqizë. Po qaj, sepse nuk mund t'i çoj dot nga varri Skënder Halilin dhe Arben Mingën, që të na e shlyejnë këtë turp. Këta mercenarë të superpaguar që janë sot në ekip, na kanë damkosur keq. Uroj që të gjithë të dalin në gjyq para Zotit dhe u bëfshin avokatë të vetes së tyre. Le të urojnë që të mos jetë ndonjë tifoz i Tironës, sado i thjeshtë, prokuror apo gjykatësit tuaj. Për krime ndaj Tironës, ju jeni të dënuar që të shkruheni në histori si famëkeqët e Tironës." Donatori Halili, konflikt fizik me Duron e Vrapin Nga informacionet brenda kampit bardheblu, mësohet se në përfundim të finales së kupës dhe pas dorëzimit të trofeut, donatori Refik Halili ka shkuar në dhomat e zhveshjes. Irritimi i sponsorit, që para pak kohësh deklaroi dorëheqjen nga ekipi, por që dje ishte në rreshtat e para të tribunës, arriti kulmin, duke goditur me shuplakë Klodian Duron dhe Endri Vrapin, ndërkohë që për të ulur gjakrat ka menduar Blendi Nallbani. Të dy këta futbollistë nuk reaguan fare pas këtij veprimi të donatorit Halili, që sigurisht është i rëndë dhe i paprecedent për futbollin shqiptar. Sigurisht, tani me plot gojën mund të themi se skuadra e Tiranës është e shkatërruar nga të gjitha drejtimet, ndërsa pritet asambleja për të mësuar nëse këta donatorë do të vazhdojnë sponsorizimin e skuadrës. Tirana - Vllaznia 0 ‑ 2
Vllaznia: Grima, Teli, Delain, Kapaj, Lici, Kotrri, Nallbani (Hoti 82'), Osja, Lika, Sukaj, Kaçi. Trajner: D. Haxhiosmanoviç. Gjyqtarë: B. Rafati, K. Kadah, M. Pikel (Gjermani). Shënues: Lika 2', Sukaj 38'. Kartonë të verdhë: Hyka, Mohelebi (2), Teli. Karton i kuq: Mohelebi. "Radiografia" 2'‑ Kaçi rrëmben një top në krahun e djathtë, kroson në zonë, Lika i pambuluar mes dy mbrojtësve, shtyn me trup topin në rrjetë. Goli shokon bardheblutë, ndërsa shkodranët janë në delir. 0‑1 për Vllazninë. 5'‑ Kaçi shërben saktë për Sukajn, që me një të djathtë potente godet traversën. 8'‑ Hyka kroson saktë nga e djathta në zonë, Xhafaj godet fort me kokë, por është i pafat, sepse topi përplaset në traversë. 9'‑ Mohelebi gjen saktë Xhafajn, që godet me të majtën, Grima grushton në goditje këndi. 12'‑ Sukaj, i vetëm përballë Osmanit, kërkon t'i kalojë topin poshtë këmbëve, por portieri bardheblu pret në dy kohë dhe shpëton Tiranën nga një gol më se i sigurt. 17'‑ Trekëndësh i saktë mes Mohelebit, Hykës dhe Xhafajt, ku vlonjati nuk arrin ta shtyjë topin në rrjetë. Bardheblutë janë të pafat. 27'‑ Hyka driblon dy mbrojtës, godet në hyrje të zonës dhe Grima pret në dy kohë. 36'‑ Nallbani kroson nga e djathta, Sina gabon në ndërhyrje, duke i dhënë mundësi Liçit të depërtojë dhe të pasojë në zonë, por askush nuk nuk mund ta shtyjë në rrjetë. 38'‑ Vrapi nuk e largon dot topin në hyrje të zonës, Sukaj stopon mirë topin dhe e dërgon në rrjetë. 0‑2 për Vllazninë. 42'‑ Sukaj i papërmbajtshëm godet fort brenda zonës, topi devijohet me dorë nga Kçira, por për gjyqtarin gjerman nuk kemi të bëjmë me penallti. 50'‑ Delain kërcen mbi të tjerët, duke larguar një top që po i drejtohej Xhafajt. 64'‑ Dy goditje të njëpasnjëshme nga këndi për Tiranën, por largon me saktësi mbrojtja shkodrane. 73'‑ Fortuzi ekzekuton një goditje dënimi nga 30 metra, Grima grushton, teksa Xhafaj i shkakton edhe faull. 75'‑ Arapi kroson nga e djathta, Gjoreski në gjysmëkthesë godet jashtë. 78'‑ Lici godet saktë nga goditja e dënimit dhe grushton Osmani. 89'‑ Arapi vë në provë Grimën me një gjuajtje prirtazi, por pret i sigurt portier shkodran. 90'‑ Sukaj kalon bukur Kçirën, por më pas vonohet në gjuajtje.
Dervish Haxhiosmanoviç: "Djemtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, duke iu përgjigjur të gjitha detyrave që u kishim dhënë. Në tërësi mendoj se e dominuam takimin, sidomos në pjesën e parë. Përgëzimet e mia për të gjithë skuadrën, e cila e meritoi këtë trofe. Jam shumë i lumtur që fitova një kupë me Vllazninë, duke e çuar ekipin në kupat e Europës. Ia dedikojmë këtë trofe presidentit Fushaj dhe sportdashësve të zjarrtë shkodranë." Gilman Lika: "Kishim vite që e prisnim këtë trofe, plot 21, dhe kjo është vërtet e jashtëzakonshme. E prisnim në fakt një trofe të tillë, sepse lamë pas dorë kampionatin dhe u përkushtuam totalisht te kupa. Mendoj se e kemi merituar këtë fitore kundër Tiranës, sepse ishim më të mirët në fushën e lojës. Mendoj se kjo paraqitje imja në këtë ndeshje mund të jetë një ogur i mirë edhe për paraqitjen në kombëtare. Dua t'ia dedikoj këtë trofe familjes sime dhe shkodranëve të gjithë." Safet Osja: "Jam shumë i lumtur dhe nuk mund ta përshkruaj sa i gëzuar ndihem në këtë moment. Unë kisha fituar edhe titullin kampion, apo Superkupë dhe më kishte mbetur vetëm Kupa e Shqipërisë, të cilën më në fund e fitova sot. Dua të përshëndes përzemërisht tifozërinë elbasanase, e cila ishte një faktor shumë i rëndësishëm për ne, dhe sigurisht edhe atë shkodrane. Ky trofe është një dedikim për familjen time dhe mbi të gjitha për vajzën time." Xhevahir Sukaj: "Nuk më intereson nëse kam qenë ndër më të mirët në fushën e lojës, thjesht jam shumë i lumtur që fituam. E ëndërroja një fitore të tillë me fanellën e skuadrës së Vllaznisë dhe më në fund ia dolëm mbanë. Ne ishim ekipi më i mirë në fushën e lojës dhe ne fituam. Ishte një fitore e të gjithë skuadrës, e cila besoi shumë tek arritja e këtij rezultati. Ia dedikojmë të gjithë popullit shkodran këtë trofe. E meritonte Shkodra një festë të tillë. Nuk mendoj se sot kam qenë në ditën më të mirë, por rëndësi ka që fituam." Ilir Nallbani: "Një ndeshje e shkëlqyer nga ana jonë. Kjo është një fitore për të gjithë ata që nuk besonin në forcat e kësaj skuadre. Treguam një futboll kolektiv dhe cilësor, duke i kënaqur fansët tanë. Jemi në Europë dhe kjo është diçka shumë e bukur. Fitorja i dedikohet Shkodrës, ndërsa unë nuk di si ta festoj këtë titull të parë në Shqipëri." Albert Kaçi: "Dua të falënderoj përzemërisht qytetin e Elbasanit për mikpritjen që na bëri. U ndiemë si në shtëpinë tonë në këtë ndeshje dhe ia dolëm mbanë duke fituar. Eshtë një gjë shumë e bukur dhe për këtë madje jam përlotur sot. Dominuam mbi kundërshtarin në pjesën më të madhe të takimit dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Çunat ishin të gjithë fantastikë në fushën e lojës, ashtu si dhe tifozëria shkodrane. Eshtë një rezultat që na jep më shumë besim në vazhdimësi për një paraqitje të denjë në Kupën UEFA." Armir Grima: "Siç e shihni, jam i përlotur, sepse kjo mund të jetë hera e fundit që ngre një trofe me ekipin e Vllaznisë. Për më tepër, jam i përlotur, sepse kthehet kjo kupë në Shkodër pas më shumë se 21 vitesh. Dua t'ia dedikoj këtë trofe nënës sime, e cila sot ka qenë në stadium, edhe pse në një gjendje jo të mirë dhe ka pasur 60-vjetorin. Po ashtu, edhe bashkëshortes dhe dy vajzave. I bëmë një mbyllje fantastike këtij sezoni. Kjo kupë i takonte vërtet Vllaznisë." Suad Lici: "Ndeshja ishte e vështirë edhe pas rezultatit 2-0. Megjithatë ne na ndihmoi shumë fakti që shënuam që në fillim dhe më pas goli i dytë e bëri më të sigurt fitoren. Duke parë lojën në tërësi, mendoj se e kemi merituar këtë trofe shumë të rëndësishëm për klubin tonë. Kemi fituar të drejtën për të shkuar në Europë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kupa i dedikohet presidencës, drejtuesve të tjerë të ekipit dhe tifozërisë shkodrane. Tani duhet ta festojmë sa më mirë këtë triumf." Ervin SINA "Skaneri" i finalistëve të kupës Armir Grima Portieri i Vllaznisë ka shfaqur sigurinë e nevojshme gjatë gjithë ndeshjes së djeshme, duke i pritur me qetësi ato pak gjuajtje të rrezikshme të kundërshtarit. Duhet thënë se detyrën ia bëri më të lehtë prapavija kuqeblu, me në krye "postbllokun" e pakalueshëm, Delain. Gjithsesi, Grima, kapiteni i shkodranëve, ka qenë gjithmonë i gatshëm për të neutralizuar çdo rrezik kërcënues në zonën e tij. Sasha Delain Një ndeshje thuajse perfekte për mbrojtësin kuqeblu, kongolezo-gjermanin Sasha Delain. Falë eksperiencës së tij, Delain i dha sigurinë e duhur mbrojtjes së Vllaznisë. Ai doli pothuajse gjithnjë fitimtar në luftën në ajër, ndaj sulmuesve bardheblu, kur Tirana e sulmonte me topat nga krahët portën kuqeblu. Admir Teli Ashtu si Delain, edhe Teli luajti me qetësinë e duhur në mbrojtjen kuqeblu, duke e larguar topin nga zona e rreptësisë në çdo rast. Konstant në lojën e tij, si në çdo ndeshje tjetër. Eshtë munduar disa herë t'i vihet në ndihmë mesfushës dhe sulmit shkodran, me daljet e tij nga krahët. Uliks Kotrri Veterani kuqeblu është përpjekur të ndihmojë më tepër sulmin gjatë pjesës së parë, ndërsa në të dytën ka pasur më shumë detyra mbrojtëse, në funksion të ruajtjes së avantazhit të ardhur nga golat e Likës dhe Sukajt. Eksperienca e ndihmon t'i zgjidhë mirë disa situata, edhe pse gjendja fizike nuk është ajo më e mira për futbollistin shkodran, që ka luajtur edhe në Gjermani. Safet Osja Padyshim që është një nga shtyllat kryesore të skuadrës kuqeblu, pasi i jep mjaft dinamizëm lojës në mesfushë. I saktë në prishjen e aksioneve të kundërshtarit, por edhe në pasime për sulmuesit e tij. Prania e tij në fushë i jep më shumë siguri skuadrës shkodrane, pasi ruan një gjendje fizike të admirueshme dhe një grintë për t'u pasur zili. Ilir Nallbani Mjaft grintioz në fushë, duke qenë agresiv në çdo dyluftim me kundërshtarin. Në ndeshjen e djeshme ka mbajtur një peshë të madhe në krahun e djathtë të mesfushës kuqeblu. Harxhoi shumë energji, çka bëri që të dëmtohej paksa dhe të zëvendësohej nga Hoti. Gilman Lika Lika ishte një nga futbollistët më aktivë të Vllaznisë në ndeshjen e djeshme. Ai veproi më shumë në krahun e majtë, ndërkohë që u gjend në kohën dhe vendin e duhur në rastin e golit të parë të kuqebluve. Mjaft teknik në përdorimin e topit dhe inspirues i disa aksioneve për të tijtë në krahun e majtë. Suat Lici Suat Lici, një nga veteranët dhe titullarët e Vllaznisë, luajti një ndeshje shumë të mirë, duke qenë shqetësues për kundërshtarin jo vetëm në detyrat mbrojtëse, por edhe në daljet e tij nga krahu, në mbështetje të sulmit të tij. Falë ekperiencës që zotëron, arriti t'ia dalë mbanë, për ta nxjerrë me të kuqe francezin e Tiranës, Mohelebi, ndër më të mirët e Tiranës. Albert Kaçi Në mungesë të goleadorit Sinani, i dëmtuar, barra e sulmit kuqeblu binte mbi dyshen sulmuese, Kaçi-Sukaj. Shtatshkurtëri shkodran lëvizi shumë, krijoi hapësira për partnerin tjetër të repartit të avancuar të Vllaznisë, ndërkohë që bëri shumë edhe për prishjen e manovrës sulmuese të Tiranës, që në zanafillë të tyre. Xhevahir Sukaj Një nga lojtarët më të spikatur kuqeblu në ndeshjen e djeshme, Xhevahir Sukaj e vuri në shumë vështirësi mbrojtjen bardheblu. Arriti të dilte disa herë në pozicione të volitshme shënimi, por vetëm në njërin prej tyre arriti ta gjente rrjetën. Po t'i shtosh golit edhe tranversën e goditur nga ky lojtar, Sukaj mund të konsiderohet një nga shtyllat e suksesit kuqeblu. Alfred Osmani Osmani, portieri i ri i Tiranës, nuk ka zhvilluar një ndeshje të mirë. Kjo përforcohet shumë nga mënyra e pësimit të golit të parë, ku dalja e tij jo vetëm nuk ishte e saktë, por "mashtroi" edhe Kçirën, i cili nuk arriti ta devijonte topin me kokë, që gjeti Likën e Vllaznisë, i cili e dërgoi në rrjetë. Lek Kçira Kçira mban pjesën e tij të përgjegjësisë në rastin e pësimit të golit të parë nga Lika. Falë eksperiencës së tij, duhej të sinkronisohej si duhet me portierin Osmani dhe ta evitonte rrezikun. Në pjesën tjetër të lojës e gjeti veten, u tregua i saktë, edhe pse kishte një punë të madhe me mbulimin e Sukajt. Sidoqoftë, shpirti dhe dëshira për të dhënë maksimumin nuk i mungoi as kësaj radhe. Endri Vrapi I konsideruar nga trajneri Mema si një nga pedinat më të rëndësishme në qendër të mbrojtjes, dje ishte në një ditë të errët. Fajtor në pësimin e golit të dytë të Vllaznisë, por edhe shumë i pasigurtë në rreziqet e tjera që u paraqitën në prapavijën bardheblu. Vetë zëvendësimi që i bëri Mema, tregon se nuk ishte në maksimumin e tij. Erbim Fagu Pavarësisht se jo në rolin e tij natyral, pa shumë eksperiencë, Fagu ishte gati më i miri në mbrojtjen bardheblu. Një sens të pagabueshëm pozicioni, duke fituar gati çdo dyluftim me kundërshtarët, në sajë të freskisë fizike dhe zgjuarsisë individuale, Fagu spikati te Tirana. Elvis Sina Nuk ishte në maksimumin e tij, madje nuk u duk fare për aq kohë sa luajti. Nuk e justifikoi aspak besimin e trajnerit Mema, i cili, me të drejtë e zëvendësoi me fillimin e pjesës së dytë. Klodian Duro I konsideruar si "pjesa e luanit" te Tirana, Duro i ka zhgënjyer të gjithë dje, për aq sa u aktivizua. Pritej të ishte si gjithnjë, motori i mesfushës bardheblu, goditësi i pamëshirshëm i portës shkodrane, por pak u dëgjua emri i tij në kronikën e lojës. Paraqitja e tij shkaktoi aq zhgënjim te trajneri Mema, sa e zëvendësoi dhe nuk e hodhi në fushë pjesën e dytë. Laurent Mohelebi Mjaft grintioz, me dëshirë të madhe për të fituar, aq sa ndërhyrjet e tij e kalonin masën. Për pasojë, mori edhe dy të verdha dhe e la skuadrën për gati 15 minuta me 10 lojtarë në fushë. Gjithsesi, ishte më lart se pjesa tjetër e Tiranës. Jahmir Hyka U mbulua mirë në pjesën e parë, në krahun e majtë të mesfushës bardheblu, ndërsa në të dytën u mundua të dirigjonte lojën e të tijve, por pa qenë në ditën e tij më të mirë. Nuk është se nuk u përpoq të jepte maksimumin në fushë, por nuk arriti ta gjente veten. I mungonin inkursionet tipike në krahun e majtë dhe në qendër. Gentian Hajdari Nuk gëzon formën e tij më të mirë, edhe pse ka një përkrahje të mirë nga Mema. Hajdari u fut në pjesën e dytë dhe i dha më shumë siguri mbrojtjes bardheblu. Daniel Xhafaj Ishte pika e referimit të Tiranës në lojën sulmuese. Bëri maksimumin për t'i shërbyer skuadrës, duke qenë i pranishëm gati në çdo dyluftim ajror. U la i vetëm në sulm dhe nuk gjeti bashkëpunimin ideal më lojtarët anësorë, që pak topa nisën drejt tij. Erald Deliallisi Deliallisi nuk futet te lojtarët e formacionit bazë të Tiranës së sivjetshme, por dje zhvilloi një ndeshje pozitive. Ai kreu një volum të madh loje, por duhen veçuar disa ndërhyrje të sakta në mesfushë, ku ai shmangu rrezikun-kundërsulm të Vllaznisë. Ia vlen të evidentosh nga ky lojtar atë gjuajtje predhë në pjesën e parë, por që nuk përfundoi në portën e Grimës për pak cm. Indrit Fortuzi Sulmuesi i deklaruar bardheblu, Fortuzi, luajti i vetëm përpara "gardhit" mbrojtës të Vllaznisë dhe natyrisht që e kishte të vështirë ta godiste portën shkodrane. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se i bëri mirë detyrat e tij. Nuk arriti dot ta tërhiqte ekipin përpara, për t'i dhënë frymëmarrje lojës së Tiranës. Florenc Arapi I futur nga trajneri Mema në pjesën e dytë, Arapi kishte më tepër detyra mbështetëse të mesfushës dhe sulmit bardheblu, gjë të cilën ai e bëri jo keq për aq minuta sa luajti. Gjoreski Maqedonasi luajti më mirë se lojtari që zëvendësoi në pjesën e dytë. Inkursionet e tij në krahun e majtë i dhanë tjetër fizionomi lojës së Tiranës, por jo aq sa për t'i ndryshuar shifrat. Ndoshta aktivizimi i tij duhej bërë që në fillim të ndeshjes. Festa shkodrane "pushton" Elbasanin E.SINA Tribuna "VIP", e tejmbushur me personalitete Tribuna "VIP" e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" ka qenë e mbipopulluar për takimin final të kupës. Situatën nën kontroll e kishin marrë në dorë për këtë pjesë të stadiumit forcat e Gardës së Republikës, ndërsa hyrja për gazetarët në këtë pjesë të tribunës qendrore ka qenë e pamundur. Të gjithë donatorët e Tiranës kanë qenë të pranishëm në tribunën "VIP", ashtu si edhe vëllezërit Fushaj të Vllaznizë. Nuk ka munguar presidenti i Elbasanit, Arben Laze, kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, deputeti i Peqinit, Dashnor Sula. Kanë qenë edhe dy presidentë, të Shkumbinit dhe Besës, pikërisht Xhavit Ismaili dhe Nexhat Bizhdili, pa harruar edhe njerëzit e artit dhe kulturës, mes të cilëve Osman Mula, por të gjithë drejtuesit më të lartë të federatës, me në krye Dukën dhe nga ana tjetër zv.ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ekrem Spahia. Masa të larta sigurie për ndeshjen finale Stadiumi "Ruzhdi Bizhuta" i ka ngjarë një shtetrrethimi shumë minuta para fillimit të ndeshjes, por edhe pas saj. Një numër shumë i madh forcash policie të drejtorisë së Elbasanit, por edhe të Tiranës kanë pushtuar stadiumin, aq sa vetëm brenda fushës kanë qenë pesë furgona me forca policie. Gjithçka ka shkuar më së miri, me përjashtim të sharjeve që vinin nga pjesa ballore në pjesën e dytë të takimit. Nga ana tjetër, në tribunën qendrore dhe në tribunën "VIP" gjithçka është bërë zap nga garda. Koncert i madh festiv në Shkodër E ndërsa lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës së Vllaznisë ishin ende duke festuar në dhomat e zhveshjes së stadiumit për trofeun e fituar, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ka porositur menjëherë vartësit e tij që në Shkodër qyteti të bëhet gati për një koncert festiv në qendër të qytetit. Tifozëria shkodrane dhe skuadra nisen autokolonë drejt Shkodrës të shoqëruara nga forcat e policisë. Kryetifozi i Tiranës futet poshtë autobusit Tifozët e Tiranës kanë gjetur një mënyrë jo shumë të mirë për të shfaqur hapur irritimin e tyre me ekipin. Njëri prej drejtuesve të tifozërisë bardheblu, i cili mësohet se quhet Alban Berisha, pas ndeshjes, në momentin që autobusi i skuadrës së Tiranës po nisej nga stadiumi, ka tentuar të shtrihet poshtë autobusit, duke ofenduar vetëm me gjeste lojtarët që ndodheshin brenda në autobus. Tifozi i Tiranës është shpëtuar vetëm në sajë të ndërhyrjes së disa gazetarëve dhe policëve që ndodheshin pranë ngjarjes, duke mos pësuar asnjë dëmtim. Në stadium dominojnë tifozët shkodranë Edhe pse nuk ishte një numër rekord tifozësh, duhet thënë që atmosfera ka qenë e pëlqyeshme në shkallët e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta". Kanë qenë të pranishëm më shumë se 3500 shkodranë, rreth 2000 tifozë nga kryeqyteti, ndërsa pjesa tjetër e cila shkonte tek gati 1500 vetë ishin elbasanas. Nuk ka munguar edhe një parullë elbasanase pikërisht "Ultras Elbasani", por ashtu edhe "Tirona Fanatiks", apo "Vllaznia, djema o sot o kurrë!" Vllazninë e pret edhe Jozefina Topalli Gjatë kthimit për në Shkodër, ekipi i Vllaznisë është ndalur te Kuvendi. Aty ekipin e ka pritur kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila i ka uruar për trofeun e kupës, duke falënderuar edhe në emër të Skodrës për këtë sukses. Më pas, ekipi është nisur në qytetin e tij, duke u shoqëruar nga mijëra tifozë, për të mbërritur në Shkodër, aty ku festa ka vazhduar deri në orët e mëngjesit. Sulejman Mema, gati të dorëhiqet nga Tirana Trajneri i Tiranës nuk ka dashur të prononcohet pas ndeshjes, një vendim që ua ka bërë të ditur mediave pikërisht zëvendësi i tij, Ardian Mema. Megjithatë, gjatë momentit që do të largohej nga stadiumi, Mema ka pranuar të flasë shkurt për mediat, duke deklaruar me shumë zhgënjim se kjo ishte një humbje shumë e madhe për Tiranën. "Ishte një zhgënjim shumë i madh, nuk di si ta komentoj. Më keq se sot nuk kam parë kurrë veten më parë. Kjo që i ndodhi Tiranës ishte vërtet një zhgënjim i paparashikueshëm. Tirana pas kësaj humbjeje duhet të fillojë të rindërtohet, pra t'ia nisë nga e para," - ka deklaruar Sulejman Mema, i cili i është përgjigjur në këtë mënyrës pyetjes në lidhje me zëvendësimet e kryera në pjesën e dytë, kur ka larguar nga fusha e lojës Duron, Vrapin dhe Sinën: "Mund të them që Duro ishte i sëmurë, ndërkohë që edhe Sina nuk ishte në gjendje të mirë. Nga ana tjetër, Vrapi kreu dy apo tri gabime të patolerueshme dhe e zëvendësuam." Mema la të nënkuptohej se ndoshta nuk do të jetë më trajner i skuadrës së Tiranës pas kësaj humbje. "Të shohim ç'do të ndodhë. Ndoshta mund të largohem nga drejtimi i skuadrës, por më parë duhet të flas me njerëzit e tjerë të skuadrës. Gjithsesi, qoftë me mua, apo edhe pa mua, Tirana ka nevojë të ribëhet nga e para," - ka përfunduar Sulejman Mema. E.SINA Tirana përjashton Duron, Sinën dhe Vrapin Mbrëmë vonë është mësuar se presidenca e Tiranës, e përfaqësuar nga katër donatorët, ka vendosur përjashtimin e tre lojtarëve, Duros, Sinës dhe Vrapit. Shkak për këtë është bërë bindja e drejtuesve të Tiranës, se lojtarët në fjalë janë shitur dhe kanë bërë lojë në dëm të ekipit bardheblu. Në fakt dyshimi për këtë u duk që kur trajneri Mema i la në stol me fillimin e pjesës së dytë, një luks ky, për ta konsideruar zgjedhje taktike. Libri i Artë i Kupës 1938 TIRANA 1948 PARTIZANI 1949 PARTIZANI 1950 DINAMO 1951 DINAMO 1952 DINAMO 1953 DINAMO 1954 DINAMO 1957 PARTIZANI 1958 PARTIZANI 1960 DINAMO 1961 PARTIZANI 1963 17 NENTORI 1964 PARTIZANI 1965 VLLAZNIA 1966 PARTIZANI 1968 PARTIZANI 1970 PARTIZANI 1971 DINAMO 1972 VLLAZNIA 1973 PARTIZANI 1974 DINAMO 1975 LABINOTI 1976 17 NENTORI 1977 17 NENTORI 1978 DINAMO 1979 VLLAZNIA 1980 PARTIZANI 1981 VLLAZNIA 1982 DINAMO 1983 17 NENTORI 1984 17 NENTORI 1985 FLAMURTARI 1986 17 NENTORI 1987 VLLAZNIA 1988 FLAMURTARI 1989 DINAMO 1990 DINAMO 1991 PARTIZANI 1992 ELBASANI 1993 PARTIZANI 1994 TIRANA 1995 TEUTA 1996 TIRANA 1997 PARTIZANI 1998 APOLONIA 1999 TIRANA 2000 TEUTA 2001 TIRANA 2002 TIRANA 2003 DINAMO 2004 PARTIZANI 2005 TEUTA 2006 TIRANA 2007 BESA 2008 VLLAZNIA Renditja sipas trofeve 15 Partizani 13 Tirana 13 Dinamo 6 Vllaznia 3 Teuta 2 Flamurtari 2 Elbasani 1 Apolonia 1 Besa Sporti Shqiptar
|
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||