| Zemra Shqiptare | ||||
|
Mërgim Korça: Kumt nga përtej varrit i Patër Gjergj Fishtës E premte, 19-10-2007, 08:00pm (GMT1) Shkruar nga: Mërgim Korça
Patër Gjergji u lind e jetoi në kapërxyellin e dy shekujve të shkuar. Megjithatë ai vazhdon e jeton me hallet e kombit të Tij. Edhe në kët mijëvjeçar të tretë, 62 vite mbas vdekjes, Ai vazhdon e dërgon kumte për ne. Por e keqja është se ne ose nuk dijmë t’i lexojmë, i lexojmë e nuk i kuptojmë, i lexojmë e nuk duam t’i kuptojmë dhe, akoma më keq, as i lexojmë fare por njëkohësisht dërguesin e tyre vazhdojmë dhe e anatemojmë gjithënjë duke ecur në hullínë e taktikës diktatoriale! Ata që as dinin t’a lexonin, më shumë s’kishin se ç’të bënin : e morën urdhërin nga ai që nuk donte t’a kuptonte dhe … ia dhunuan varrin e kockat ia hodhën në lumin Drî. Ky mëkat u qëndron atyre mbi kokë, dhe aq. Të shkolluarit e diktaturës që u bënë kalemxhinj të saj, dinin t’a lexonin Fishtën, madje edhe t’a kuptonin, por u vinte për mbarë t’a kishin mirë me regjimin dhe fashist e quajtën Mjeshtrin, gjithashtu shovinist e pse jo edhe antikombëtar. Dhe Fishta nuk mbrohej, se nuk ish më në mes të gjallëve, por kumti i Tij në secilën faqe të veprës Tij lexohej, po t’a donin. Ai, si largpamës i madh që ish, e kuptonte dhe prandaj edhe i mëshonte fort vënjes në dukje të faktit se karakteristika të shqiptarit kanë qenë besa si edhe burrëria. Ai u këndoi këtyre virtyteve të madhërishme pikërisht që të mos zinin vënd në shpirtin e shqiptarit pabesía, imoraliteti si edhe korrupsjoni. Por përgjatë pesëdhjetë viteve pikërisht këto virtyte u përdhosën. U kultivuan servilizmi si edhe korrupsjoni shpirtëror duke e dyzuar shpirtin e njeriut. E ç’lindi si pasojë ? Lindi njeriu i ri socialist me ndërgjegje amorfe që s’njeh as ç’është etika e aq më pak morali, pa le flijimi ndaj Atdheut ! Të qenë kultivuar edukata moralo – kombëtare, të cilave u këndonte At Gjergji, jo veç njëra pjesë e vajzave shqiptare do t’ishin kryelarta si stërmbesat e suljoteve, ( pa dashur të hyjmë në hollësira lidhur me pjesën tjetër ). Edhe një pjesë e djemve shqiptarë nuk do t’ishin ata që janë sot, por të gjithë do t’ishin pinjojt e Marash Ucit edhe Çun Mulës. Kurse politikanët tanë do t’ishin ata që veten e flijojshin për Atdhé, ashtu siç bënte thirrje vetë Poeti duke u shprehur : Qe mue tek m’keni, merrni e m’bâni flí, e një pjesë e tyre nuk do t’ishin politikanët e sotëm, të korruptuarit në palcë që japin shfaqje komedishë televizive me shumë akte, me akuza të ndërsjella korrupsjoni moral, dhe populli i mjerë me batanije krahëve, qesh. E me kë gajaset së qeshuri ? Me tragjedinë e tij ! Shkëlqyeshëm e ka trajtuar Mjeshtri problemin, veç do marrë e lexuar se vlera të Tue pasë nji palë gjyqtarë e advoketën, Dhe më e rëndësishmja është se Patër Gjergji jo që nuk pajtohej me situatën që jetonte, por e kritikonte ashpër, sepse dashuria e Tij për t’a parë Atdheun si edhe popullin e tij të përkryer, qe e pakufí. Por nga ana tjetër, ai kumt që na dërgon Ai nga shekulli i kaluar, duket sikur të formuluar e ka At Gjergji për rrethanat që po kalon populli ynë sot ! Ai buçet kur thotë se Atdheut nuk i duhen njerëz që për poste dhe interesa vetjake e shesin vëndin dhe i trajton me përçmim kur thotë : Do njerz karabullakë e kryematare … Shtrohet pyetja : Për kë flet ky pohim’i Fishtës sot ? Këtë kumt vetëm ata që nuk duan t’a lexojnë, nuk e kuptojnë ! Se kush e lexon, nuk ka mundësi të mos e kuptojë sepse Patër Gjergji shqip u flet e krejtë shkoqur gjithë trafikantëve politikë e bashkë me ta edhe gjithë popullit shqiptar, tek vazhdon : Edhe kombi shqyptar s’dy sysh verbue - Edhe jashtë Shtetit m’hûndë e m’buzë m’i lshue E për t’i dhënë edhe penelatën e fundit kuadrit tragjik, enkas vijnë nga përtej varrit Poetit sot vargjet e mëposhtëme : Sod n’Shqypni, more lum miku, Ky kumt që na dërgon patrioti i madh të cilit i digjej shpirti për vënd të Tij, veç një të metë ka : I mungojnë emrat. Po, i mungojnë emrat e atyre qeveritarëve si dhe deputetëve të sotëm të cilëve duket sikur Ai vetë ua ve gishtin ! Shka t’lâjnë kta katër ujq / Që i kërcnohen shoqishojt, Ky parashikim i a djeg zemrën Mjeshtrit dhe prandaj Ai i drejtohet Zânës, pas shpalljes së pavarësisë, dhe i thotë : E kët varg, të shkëputur nga konteksti, kritikët e Tij e përdornin si armë kundër Mjeshtrit që me çdo kusht rrekeshin t’a nxirrnin tradhëtar. Por e fshihnin ata dëshprimin e skajshëm të Poetit që në vazhdim shprehej : Shqyptarë a ndiet ? Europa, mrrutë e ndytë, Patër Gjergji kërkon ti zgjojë të gjallët e ti ngrejë mundësisht edhe të vdekurit, (me Surgite mortui), me kushtrimin e Tij të dëshpëruar : “Ah vaj, ah kob”, “Shka bâjnë shqyptarët?”, “Mbaroi Kosova” E mbas kushtrimit e thirrjes tronditëse u jep porosí të gjallëve me fjalë të një peshe të pashoqe: T’u bjerë ndërmênd se mâ e rândë âsht thêmra e shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit n’krye ! Veprën e Patër Gjergjit ishte e qartë se diktatura komuniste, me t’a marrë pushtetin në dorë, do t’a nxirrte “jashtë ligjit” si pasojë e trysnisë së mikes së shtrënjtë dhe besnike, Jugosllavisë titiste. Ajo nuk kishte se si të pranonte që rinia shkollore të edukohej me vargjet shoviniste fishtjane : Kjoftë mallkue, po, a plak a i ri,… Po si e lexojnë sot këtë kumt drejtuesit e fateve të Kosovës që u erdhi mu në shteg, mbas vuejtjesh të mëdha e sakrificash sublime, pavarësia e Kosovës dhe nuk po e gjejnë dot fjalën me njeri tjetrin që në mbledhjen e parë të parlamentit ? Ç’janë ato interesa e poshtërsí të flligta“, ( sipas At Gjergjit ), që nuk i lenë t’ia japin besën arbnore njeri tjetrit deputetët kosovarë e të tregojnë pjekuri politike se ata dijnë me dhânë mâ para jetën se sa t’a humbin shansin e pavarësisë nga serbët ? A ka më tragjedi për Kosovën dhe kosovarët se sa të mos e bëjnë të tyrin këtë kumt madhor që u vjen nga thellësia e viteve nga Patër Gjergji ? Se ngusht janë punët e Shqypnís, Edhe dhimbja e Fishtës merr nota tejet dramatike kur shprehet : Mori e mjera Shqyptarí, Po ti bëjmë një analizë tashti se ç’kumt na dërgon Poeti lidhur me themelin e gjithë të këqijave që e kanë përfshirë si në një rrjetë merimange kombin tonë dhe cila është zgjidhja që të dalim nga kjo vorbullë që rrezikon të na gëlltisë, mjafton të analizojmë amanetin që u lë plaku Marash Uci dy blegtorëve të rinj, t’bijve t’Calit, para se të largohet për në luftë, që bukur fort mund të quhet edhe testamenti i tij. Më e para porosí e tij është t’a ruejnë familjen edhe gjân. Vazhdon e u thotë mos ta çarsin nderën edhe besën e dhânun e ta duen vêndin e Atdhén. U thekson të ruhen prej pandershmënís e sidomos prej grues së lëshueme. Ngul këmbë e u thotë të shkojnë mirë me shokë e të afërm, të cilt, sido qenë, janë gjithmonë vllazën. I këshillon që kurrë mos të poshtënojnë kurrkend e të jenë mikpritsa me të njoftun e të panjoftun e sidomos me të huej, por pa ua lëshue këtyne të fundit kurr zêmrën në dorë. Uh! Europë ti kurva e motit, Por ajo merr tone tragjike të pashëmbëllta kur një prift të devotshëm, revolta ndaj padrejtësive që i bëhen Atdheut të tij, e detyron të shpërthejë e t’i heqë vrejtjen edhe Zotit vetë kur i drejtohet e i thotë : O Perendi a ndjeve, / tradhtarët na lane pa Atdhé, E kuptojnë këtë kumt gega edhe toska. Nuk ka nevojë “përkthimi” me normat e drejtshkrimit të kuptuarit e kësaj revolte të patriotit me bindje të thella atdhetare. Madhështinë e personit që e formulon këtë mesazh nuk e shohin ata që nuk e dijnë ekzistencën e vetë mesazhit dhe mundohen t’a përbaltin autorin sepse thellësisht injorantë e hiqen nga hunda nga keqdashësit e ndërgjegjshëm që tremben nga hija që u bën Poeti atdhetar ! Këta të fundit, me nënshtresë osmano-bizantine, të suvatuar në B.Sovjetik me marxizëm-leninizëm, dhe të dyzuar nga ana karakteriale vite me radhë, rreken t’a paraqesin të madhin Fishtë si armik të përparimit dhe të arsimit kombëtar e si pasojë kjo është sipas tyre pjesa e djallit tek Fishta. E unë them : U dëgjon vallë veshi atyre se ç’u nxjerr goja ? Internacionalizmit komunist i shërbyen ata verbtas, ndërsa Fishta flí u bë veç për Atdhé. Mos e donin ata shqipen të shkruar me kirilica përkundër asaj të Mjeshtrit që gjuhën tonë e çoi drejt Europës ? Ata e harrojnë kumtin madhërisht të fuqishëm që na vjen nga Fishta me një lirizëm të pashoq : Prá, mallkue njaj bir shqyptari, / Qi kët gjûhë të Perendis Edhe atij iu thaftë, po, goja, / Që përbuzë kët gjûhë hyjnore; Disa konsiderata: Shqypnisë t’mos i rândojë asnji qyme përmbi tê. E kanë akuzuar Lahutën e Malcísë si vepër kronologjikisht të jashtëkohëshme. Dakord, e pranojmë për një çast, po kur vetë Autori pohon se veprën e Tij e shkroi : Për me kndue m’Lahutë t’Malcís, dhe nga ana tjetër flet për personazhe konkrete si edhe trajton bëmat e tyre, mendoj se Ai vetë e hedh poshtë anakronizmin si akuzë ndaj veprës së Tij. Kënga popullore i ruajti gjallë në kujtesën e popullit bëmat e heronjëve të ndryshëm. E pikërisht ky folklor popullor bëhet gurra që ushqen veprën e Patër Gjergjit. Fishta në esencë është poet i qënësisë gojore popullore. Mirëpo Ai nuk është kopjues i këngës popullore epike por një krijues mbi bazën e saj. Për një ilustrim i referohem studjuesit dhe njohësit të thellë të veprës së Fishtës si edhe stilistit nga më të përkryerit të gjuhës shqipe, prof. Ernest Koliqit, i cili thekson : Nuk dihet a qe Fishta qi gjet frymzimin e vet në burime të letërsís gojore apo letërsia gojore qi fatlumsisht gjet në Fishtën vleftësuesin e vet mâ të përshtatun. Mysteri i fateve të kombit. E vërteta âsht qi zâni i Poetit u përzí e u shkri në nji mënyrë të tillë me zânin e mbarë popullit sa mos me dijtë ku fillon njani e ku mbaron tjetri. N’zâ Kelmendt për begatí : / U ka pri, krejtë n’ari ngrí, E regjimi diktatorial jo që nuk e desh trashëgimin’e vyer të zakoneve atdhetare edhe burrnore që mbarte Çun Mula t’ua transmetonte brezave pasardhës por, edhe pse gjermanët pikërisht të nipin Mul Delinë, e internuan në kampet e çfarosjes, kurse gjithë pinjojt’e tij i kalbi internimeve për 46 vite me radhë. E ky është vetëm një shëmbull, por të tillë janë të pafund sa në qytete e mbase më shumë në fshatra an’e kënd vëndit tonë ! Duke e cunguar pra trashëgimin’e mirëfilltë të normave të etikës dhe moralit brez pas brezi, që aq të rrënjosura i kishte shqiptari, erdhëm në ditë të sotme ku të shikojmë mbrapa, veç boshllëk dallojmë, e duke shkuar përpara, po shkojmë si anija pa busullë në mëshirën e këshillave të të huajve. Dhe e keqja është se komunizmi trashëgiminë e dhunoi, e mohoi e me çdo kusht desh të krijonte njerinë e ri pa të kaluar e vetëm me të ardhme. E nga kjo ç’rrodhi ? Ai difekt i pariparueshëm i cili fatkeqësisht shumë gjatë do të ndikojë në t’ardhmen e vëndit tonë. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||