| Zemra Shqiptare | ||||
|
Mërgim Korça: Kur do të shkruhet historia si dhe njerëzit e përfshirë në të pa zbukurime dhe as pa shëmtime? E hene, 08-10-2007, 05:03pm (GMT) Me qe eshte bere mjaft aktual problemi i rishkrimit te historise pa ndikime politike, kjo analize e studjuesit te mirnjohur Mergim Korça menduam se ia vlen tu paraqitet lexuesve edhe nje here sepse shquhet per paanshmerine e gjykimeve qe jepen ne te. Eshte shume aktuale dhe e nje rendesie te vecante. (Z.Sh) Shkruar nga: Mërgim Korça
Me njerin syresh, ish punonjës shkencor i njerit prej instituteve, më ka rënë rasti të flas gjer’edhe gjatë si edhe të korrespondoj. Objektiviteti si edhe kërshëría e madhe e tij për t’i qëmtuar të vërtetat historike, më bindën se ai nuk bënte pjesë në shpurën të cilën e instruktoi ish presidenti R.Alia që për t’u bërë të besueshëm, mbas përmbysjes së diktaturës, t’a shanin me rrënjë e me degë komunizmin e kësisoji të vazhdonin t’a mbanin pushtetin politik. Që lexuesi mos t’a paragjykojë këtë studjues, po ia paraqis të zezë mbi të bardhë, ato pjesë bisedash si edhe replikash me shkrim që kam patur dhe vazhdoj të kem me të, (domosdo duke ia marrë lejen që këto t’i bëj publike, ndonëse pa e bërë të njohur emrin, simbas këmbënguljes së tij). Unë : Nuk kam ndërmënd të të paragjykoj nga ana biografike, se po t’a bëja do të bija në gabim-fajin e vijës së luftës klasave. Por e kam të drejtën të të pyes si e ndjeje veten kur detyroheshe të interpretoje fakte edhe rrethana, të cilat ndërgjegja jote jam i bindur se nuk i pranonte se e dinte që nuk ishin të vërteta. Profesori : Do të përgjigjem duke e parafrazuar pyetjen, pra më gjerë. Duhet të dish se unë rrjedh nga një familje e cila më ka mëkuar me idetë komuniste që kur isha debatikas dhjetë-dymbëdhjetë vjeç, kohë në të cilën shpërndaja traktet e partisë. Kësisoji, derisa u bëra tridhjetë vjeç, unë besoja verbërisht në fjalën e partisë dhe e doja sinqerisht E.Hoxhën. Mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik, të cilin e kisha në zemër po aq sa edhe Shqipërinë, diçka u thye brënda meje. Kjo thyerje u bashkëshoqërua edhe me hapjen e syve. Mirëpo kjo hapje syshë, në mënyrë të pashmangëshme, erdhi dhe u binjakëzua me ndjenjën e frikës. E sa më shumë hapeshin sytë, aq më shumë rritej frika. E duke qenë se n’atë moshë krijova edhe familje, ndërsa hapja e syve ecte në mënyrë lineare, frika rritej në mënyrë kuadratike ! Kësisoji hap mbas hapi e ditë mbas dite, si pa e kuptuar, zvogëlohej para syve të mi edhe personaliteti im dhe unë, idealisti i dikurshëm, erdha dhe u bëra roboti i i programuar nga partia. Besoj se të fola sinqerisht e do të më besosh. Unë : Jo vetëm që të besoj plotësisht e të falënderoj për këtë çiltërsí, por sa do t’a mirëprisja faktin që këtë pozicionim t’a merrnin të gjithë ish kolegët tuaj. Po t’a çlironin ata ndërgjegjen e tyre siç e bëre ti, me pak fjalë por sinqerisht, sa ndryshe do t’a shkruanin ata historinë e vëndit tonë e posaçërisht periudhën e Mbretërisë, atë të pushtimit italian e gjerman, si edhe periudhën e diktaturës së egër komuniste. Në këtë drejtim jam shumë i mërzitur sepse nuk shoh asnjë fakt i cili të më japë shpresë se do të bëhet kthesë. Në dy shkrime të mijtë i jam drejtuar drejtoreshës së Institutit të Historisë pranë Akademisë Shkencave, duke ia hequr vrejtjen lidhur me kundërthënje të sajat po të ballafaqosh deklaratat e saja si edhe tekstet e botuar. Mirëpo nuk shoh asnjë ndryshim. Personaliteteve të mëdha kombëtare u është vënë njolla si tradhëtarë, vetëm se qenë antikomunistë e për hir të interesave të atdheut pranuan të bashkëpunonin me pushtuesit, (njollë kjo shum’e diskutueshme veçanërisht e parë veprimtaría e tyre tashti, nga lartësia e viteve 2000), dhe si rrjedhojë atyre nuk u vihen në dukje as merita të shquara të kaluara. Nga ana tjetër, përgjatë L.N.Çl. si edhe periudhës diktatoriale, interesat e Shqipërisë u nëpërkëmbën turpërisht, e as që i analizon kush në mënyrë shkencore si edhe përgjithësuese që të nxirren edhe përgjegjësitë historike lidhur me dëmet kolosale shkaktuar vëndit tonë si veprime tradhëtare dhe antikombëtare. Këtu qëndron edhe thelbi i shqetësimit tim. Profesori : Shqetësimin tënd e kuptoj plotësisht. Nga njera anë, me sa shoh e nuhas, duke i pasë lexuar me vëmëndje shkrimet tuaja pararendëse, ti e ke fjalën për personalitete të shtatit At Gjergj Fishtës, Mid’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Hasan Dostit, Patër Anton Harapit, Lef Nosit si edhe gjithë plejadës së atyre të cilëve, si në veprat e E.Hoxhës, u është shuar emri me stilolapës e vazhdojnë të lihen pré e harresës. Nga ana tjetër, në se të ndoqa dhe të kuptova drejtë, e ke fjalën edhe për luftën përçarëse si edhe vëllavrasëse në të cilën e futi popullin shqiptar udhëheqja e Partisë Komuniste shqiptare e nënshtruar plotësisht urdhërave të Dushan Mugoshës edhe Miladin Popoviçit, duke vazhduar pastaj me shitjen totale të interesave kombëtare së pari Jugosllavisë e pastaj Bashkimit Sovjetik e së fundi gjunjëzimi i marrëzíshëm ndaj Kinës, ku si shëmbull të turpshëm mund të përmëndim “dacibaon” (fletë-rrufenë) e parë shqiptare, nën mësimet e shokut Mao, ku studentët revolucionarë të Universitetit të Tiranës iu qepën profesor Selman Rizës që ishte nderi i profesoratit shqiptar ! Pra, besoj se e kam kuptuar në thelb se ku qëllon ti. Në qoftë se po, do të të them se edhe unë jam thuajse plotësisht i të njajtit mendim me ty, me përjashtimin e ndonjë detaji jo të papërfillshëm, siç është p.sh. bashkëpunimi me okupatorin i një shtrese të gjerë intelektualësh edhe patriotësh të deriatëhershëm. Cilësori kolaboracionist i u bashkangjit shumë emrave, të dëgjuar për bëmat e tyre kombëtare si edhe shkencore pararendëse të 7 prillit të mallkuar. Që t’u mohohen vlerat e tyre, siç është bërë dhe vazhdon të bëhet edhe tashti, në asnjë mënyrë nuk kam se si t’a pranoj, (ndonëse Akademia e Shkencave së fundi ka bërë një veprimtarí lidhur me figurën e prof.Ernest Koliqit). Sa i takon vetë epitetit kolaboracionist, është e vërtetë se nuk jam më aq kategorik dhe i ashpër sa kam qenë deri para përmbysjes së diktaturës, sepse gjatë kësaj periudhe kam patur rastin të lexoj shumë botime si edhe dokumenta për ekzistencën e të cilëve as që e kishim idenë gjatë kohës që punonim në institute. Kjo është e vërtetë. Por prapsrprap, kolaboracionizmin e quaj të gabuar dhe në dëmin e atdheut. Megjithatë, duke qenë tashti sinqerisht i hapur për diskutime dhe duke mos i patur më sytë e mbuluar nga pengojcat e kuajve, me shumë dashamirësí do të doja të dëgjoj argumenta bindës për të vërtetuar të kundërtën e tezës sime, sepse në parim dua që të mos humbasim asnjë nga vlerat tona kombëtare, gjë e cila veçanërisht viteve të fundit është bërë idé obsesive e shumë studjuesve tanë. Duan të na e shesin Nënë Terezën duke e nxjerrë me prejardhje vllahe; kanë shkelur mbi Ali Pashanë e pa le që i janë qepur edhe Skënderbeut legjendar ! Ku po na çon kjo maní e vetëshkatërrimit ? Këto pseudostudime dhe veprime i quaj thellësisht dhe thelbësisht të gabuara. Ndërsa për korrigjime si edhe drejtime shtrembërimesh si lidhur me figura e gjithashtu edhe me fakte historike në bazë dokumentash të mirëfilltë, jam plotësisht i prirur në këtë drejtim. P.sh. të diskutonim rreth figurave si Mustafa Kruja e Mid’hat Frashëri me shokë në bazë faktesh do të ishte një kënaqësí e madhe për mua, pa lënë jashtë edhe figura si e Bedri Spahiut, p.sh. Unë : Është thuajse hera e parë që një shkëmbim mendimesh karakteri të tillë po e zhvilloj me kënaqësí të madhe jo vetëm për mirëkuptimin e ndërsjellë, por ç’është themelorja për gatishmërinë tënde që së bashku po e sheshojmë rrugën që duam të përshkojmë ku qëllimi i ne të dyve s’është asgjë tjetër veçse nxjerrja në dritë e së vërtetës. Për t’a marrë me radhë, mendoj se duhet filluar duke e trajtuar së pari problemin e cilësorit kolaboracionizëm, me që kjo ishte edhe pika ku ti vazhdon dhe je më i shtangët, ndonëse kanë kaluar kaq dhjetëvjeçarë dhe gjykimit objektiv i vijnë në ndihmë faktet e rrjedhimeve të ngjarjeve. Për t’a bërë këtë, dhe që t’a sheshoj rrugën e diskutimeve objektive, mendoj t’i referohem një figure shumë të kundrathënë nga historia, Leninit. Duke i sqaruar dhe ballafaquar pozicionet tona të ndërsjella rreth shikimit kësaj figure, besoj se pastaj do t’a gjejmë shtegun e përbashkët për t’i trajtuar me radhë të gjitha problemet si edhe figurat. Lenini ishte ithtari idésë barazimit në shkallë botërore të klasave dhe, i rrëmbyer pastaj nga kjo idé, u kthye në zbatues me ashk të papërmbajtur të kësaj ëndërre: nivelizimin e të pasurve me të varfërit. Por për fat të keq objektivi nuk qe pasurimi i të varfërve në nivelin e pasanikëve, por ulja e nivelit të të pasurve në shkallë të tillë ku çdo shtetas jetonte sot për nesër dhe i varur deri në dhimbje nga shteti suprem ! Ideja që Lenini propagandoi qe shumë mikluese për shumicën dërrmuese të njerëzimit, ndërkohë që zbatimi idesë u fillua me dhunë të pashëmbulltë e me gjak dhe çoi në një rrugë pa krye ku dhjetra milionët e viktimave nuk e justifikuan udhën e krimit. Mbas thuajse tetëdhjetë vitesh diktature të skajëshme, durimi njerëzor u sos dhe ideja e fryrë dhe e tejfryrë e komunizmit, duke iu nënështruar ligjeve ekonomike objektive të shoqërisë, erdhi e dështoi. Mirë zbatimi praktik që dështoi, po qëndrimi i historisë së shkruar ndaj ideatorit të mundësisë zbatimit të revolucionit jo detyrimisht në të gjithë botën, cili duhet të jetë ? Për t’a pasqyruar paanshmërisht figurën e Leninit, nuk duhen mbivlerësuar pohimet e kundërshtarëve të tij të përbetuar si p.sh. ato të K.Krasnofit, (autori i Nga Shqiponja Mbretërore tek Flamuri i Kuq- shënim i M.K.), e as ato të L.Zilahyt që e analizon biografin’e Leninit me syrin e kundërshtarit të ashpër të Leninit. Por ama të gjitha këto burime, duke ndjekur me vëmëndje edhe se ç’kanë paraqitur me fac-simile grupi i hulumtuesve Courtois-Werth-Panné-Paczkowski-Bartosek-Margolin në vëllimin me titull Libri i Zi i Komunizmit, të bashkuara nën lenten zmadhuese edhe me çka shkruar M. Eastman, që ishte admirues i Leninit, hedhin dritë të bollëshme dhe të vërtetë mbi personin vetë si edhe bëmat e tija. M.Eastmani bile e botoi në 1925 testamentin e Leninit të cilin ia dha personalisht Krupskaja vetë, (e shoqja e Leninit), sepse Lenini kishte dhënë porosi që testamenti të lexohej në Kongresin e P.K.(b) të B.S. kurse Stalini e lexoi vetëm para K.Qëndror, (se Lenini jepte porosi që Stalini të mos zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë). Dhe ky admirues i Leninit mundohet t’a mbrojë Leninin deri në atë pikë sa që thotë se : “ . . . pohimi i Leninit në shkurtin e 1917-ës se për çeshtjen e Revolucionit duheshin lënë më një anë normat qesharake borgjeze mbi moralin dhe se ai (Lenini) nuk do të stepej të shkelte mbi kufomat e nënës si edhe motrës së tij për hir të Revolucionit, tregojnë konsekuencën dhe besnikërinë revolucionare të Leninit”. Po transkriboj tekstualisht thënjen e Leninit me difektin që kompiuteri nuk i ka germat kirilice : Jesli nada, ja perestuplju çerez trupi mojej materi i sestri dlja osushestvlenija Revoljucii. (Ky pohim i Leninit u publikua edhe nga dy gazetarë anglezë që e kanë intervistuar Leninin vetë, po domosdo merr shumë më shumë besueshmëri nga fakti që M.Eastmani mundohet t’a mbrojë pikërisht për këtë shprehje tamam të përbindëshme). E për të qenë vërtet model qëmtimi të vëmëndshëm dokumentash si edhe situatash për të dhënë gjykim sa më të paanshëm dhe shkencor, i referohemi Gjeneralit Vollkogonov, ish Drejtorit të Drejtorisë Politike të Ushtrisë së Kuqe, i cili qe i pari person të cilit “Gllaznosti” i dha akses në fondet sekrete të arkivave ruse. Fillimisht, siç e thekson ai vetë, vetëm kërshëria për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë. Por ky thellim e çoi dora dorës në zbulimin e të tilla të vërtetave që mbas një pune këmbëngulëse ndërgjegja e tij nuk e la më dhe shkroi e botoi tre libra, (me nga dy vëllime secili) : Lenini, Trocki edhe Stalini. Për të mos u zgjatur më me citate edhe pohime, (se edhe me kaq u zgjata shumë), sintetizimi i dy vëllimeve rreth Leninit përmblidhet me fjalën e vetme : kriminel sadist ! Dhe duhet shtuar se Vollkogonovi që në rininë e tij të herëshme e derisa arriti dhe u bë gjeneral e pastaj edhe Drejtor Drejtorie Politike, ka qenë mbrujtur me dashuri edhe respekt të pakufishëm për Leninin si “gjeni”. Prandaj kuptohet se me sa dhimbje faktet e përmbysën mitin e gjeniut Lenin në sytë e Vollkogonovit që, për hir të së vërtetës, arrin pastaj në përfundimin që citohet më lart ! E ndjeva të nevojëshme, para se t’a trajtoj konkretisht problemin i cili të shqetëson ty, (profesorin-shënim i M.K.), t’a bëj këtë hyrje që të më kuptosh drejtë se nuk jam aspak i prirur t’i shoh personat, faktet si edhe interpretimin e ngjarjeve vetëm bardh edhe zi ! Jo, kurrën e kurrës. Nga ana tjetër shtysë e madhe e imja është që studjuesit e rinj t’a kenë mirë parasysh se shkenca historike nuk pranon politizim, (për të qenë shkencë). Në të kundërtën ajo bëhet përrallë me mbret ! Vijmë tashti tek thelbi i problemit : kolaboracionizmi si edhe përgjegjësía e kolaboracionistëve. Duke i shikuar tashti nga lartësía e viteve 2000 ngjarjet, rrethanat, veprimet si edhe përfundimet se ku çuan veprime të caktuara gjithmonë lidhur me interesat e vëndit, është e qartë se detyra e jonë është tejet më e thjeshtë se sa të ktheheshim treçerek shekulli pas ... (ndonëse të paisur me përvojën e sotme), e të vepronim. Megjithëse populli ynë e ka shprehjen “... sikur të isha edhe një herë nuse do të dija se si të nusëroja“, megjithatë nuk do t’a kishim shumë të lehtë ! Rikthehemi tek dita e zezë e 7 prillit 1939. Parimisht mundësitë ishin tri : 1- Rezistencë me luftë ushtrisë pushtuese italiane, ku mundësia praktike nga ana ushtarake ishte praktikisht e pamundur, (nuk kishim të bënim më me një garnizon ushtarak si në Vlorën e 1920-ës, por me një ushtri pushtuese). 2- Bashkëpunim me Italinë pushtuese duke u munduar të shpëtohej e mundëshmja, pra të tërhiqej peri aq sa mos të këputej, me një fjalë mos t’u lihej italianëve shesh veprimi 100 % i lirë. 3- Të qëndrohej sehirxhi, me të drejtën që i jep vetes ky i fundit të kritikojë këdo, me përjashtimin e vetes së tij. (Domosdo ky qëndrim është edhe moralisht më i dënueshmi sepse oportunist). Në këto kushte, njera pjesë e intelektualëve dhe patriotëve të shquar u mblodhën dhe themeluan, në shtëpinë e Mid’hat Frashërit, me 13 prill 1939 Organizatën e Ballit Kombëtar. Më 25 gusht 1939, nën vartësinë e Qëndrorit të Tiranës, themelohet në Vlorë Komiteti Qarkor i Vlorës. Nuk kaluan pesë ditë dhe si në Shkodër e gjithashtu edhe në Korçë u themeluan Qarkorët përkatës. E kësisoji Balli Kombëtar u shtri në gjithë Shqipërinë, në një kohë që komunistët e grupeve të ndryshëme rrinin e bënin sehir sepse akoma nuk u kishte ardhur urdhëri nga Moska se ç’duhej të bënin, me që Stalini me Hitlerin kishin nënshkruar pakt mossulmimi ! |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||