 |
| Eqrem Çabej |
Prof. dr. Jup Kastrati
BIBLIOGRAFIA
E PROFESOR EQREM ÇABEJT 1929-1981
Përkujdesja
Mr. Begzad Baliu
Muharrem Kastrati
Gjimnazi i filologjisë “Eqrem Çabej”, Prishtinë
Ballinia
Busti i Profesor Çabejt në oborrin e Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë, punuar nga artisti Hektor Dule
Sponzor i bustit dhe i botimit të librit
Riza Bllaca, afarist në Prishtinë
Prof. dr. Jup Kastrati
Gjimnazi i filologjisë “Eqrem Çabej”
Prishtinë
2003
Përmbajtja
BIBLIOGRAFIA 3
E PROFESOR EQREM ÇABEJT 1929-1981 3
Me rastin e botimit 8
BOTA SHKENCORE 10
E PROFESOR EQREM ÇABEJT 10
MIQËSIA IME 16
ME PROF. EQREM ÇABEJN 16
BIBLIOGRAFIA 24
E PROFESOR EQREM ÇABEJT 24
( 1929 – 1981 ) 24
Bibliografia e bibliografisë 25
Bibliografia 28
LISTA E SHTYPIT PERIODIK KU KA BOTUAR PUNIMET E VETA PROF. EQREM ÇABEJ 105
TREGUESI ALFABETIK I EMRAVE TË PERSONAVE 113
TREGUESI ALFABETIK I VENDEVE 122
Shkurtesat 127
Dashuria dhe respekti i shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi dhe i intelektualëve në veçanti, ndaj figurës monumentale të Eqrem Çabejt, është i madh dhe i përhershëm, e cila shprehet në forma të ndryshme: studime, botime, kujtime, simpoziume etj.
Emërtimi i institucioneve me emrin e Çabejt u bë i mundur pas shkëputjes nga sistemi arsimor dhe kulturor të Serbisë pushtuese.
Në Kosovë tashmë janë disa shkolla që mbajnë emrin e studiuesit të madh të gjuhësisë, Eqrem Çabejt: Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri dhe Malishevë.
Institucioni i parë në Kosovë që është pagëzuar me emrin e Profesor Çabejt është Gjimnazi i filologjisë “Eqrem Çabej” në Prishtinë, i themeluar më 1990, më parë Shkolla Normale e Prishtrinës, 1949.
Kjo shkollë, duke pasur emrin e kolosit të gjuhësisë shqiptare, është gjendur para një sfide dhe detyrimi të përhershëm për ta përmbushur misionin e vet edukativ, arsimor dhe kombëtar.
Emri i Çabejt të Madh është motiv i përhershëm për nxënësit dhe arsimtarët e shkollës sonë për suksese dhe rezultate me të cilat mburremi dhe krenohemi.
Nga kjo shkollë elite, nxënësit marrin njohuri në fusha të ndryshme të dijes e veçanërisht nga shkencat filologjike.
Për ta shlyer një borxh të vogël ndaj figurës së madhe të Profesor Çabejt, e ndjenim si detyrim që para shkollës sonë, e cila me nder dhe krenari mban emrin e tij, ta vendosnim bustin e Eqrem Çabejt.
Këtë dëshirë e realizuam në vitin 2002, me rastin e Ditës së shkollës, më 22 maj 2002. Këtë vepër artistike të skulptorit nga Tirana z. Hektor Dule, e financoi afaristi nga Prishtina, z. Riza Bllaca.
Jemi të nderuar, gjithashtu, që gjimnazi ynë, me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Profesor Çabejt, është botues i veprës së Prof. dr. Jup Kastratit, për studiuesin dhe dijetarin që shënoi shekullin XX.
Muharrem Kastrati
Gjimnazi i filologjisë, “Eqrem Çabej” në Prishtinë
Gjuhësia shqiptare ka njohur një varg studiuesish, të cilët nga aspekte të ndryshme shkencore u kanë kontribuar shkencave albanologjike. Në mesin e tyre kryet e vendit e zë Eqrem Çabej. Prof. Çabej, sivjet ka 90-vjetorin e lindjes, në shenjë të të cilit po e paraqesim rrugën jetësore dhe shkencore të tij.
Prof. Eqrem Çabej lindi më 7 gusht 1908 në një familje të shkolluar (babai i tij ishte gjykatës, i diplomuar në Dar-ul-Hukuk të Stambollit) në qytetin e Gjirokastrës. Këtu, me sukses të shkëlqyeshëm, mbaroi shkollën fillore më 1921. Me bursën e prefekturës së qytetit vazhdoi studimet e mesme dhe të larta në Austri. Se sa i përkushtuar ishte ndaj arsimimit dëshmon suksesi i shkëlqyeshëm që tregoi ai në dy klasët e para të gjimnazit në Klagenfurt të Austrisë, të cilat i mbaroi brenda një viti.
Në vitin akademik 1927-1928, Eqrem Çabej regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Univesitetit të Gracit, ndërsa një vit më vonë studimet i vazhdon në degën e gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës. Momenti i kalimit të Eqrem Çabejt në Vjenë është vendimtar për rrugën shkencore të tij. Sikur dihet, Vjena ishte një qytet me traditë të gjatë arsimore.Universiteti i Vjenës ishte njëri ndër qendrat më të rëndësishme për studimet gjuhësore në gjithë Evropën Qendrore, ndërsa studimet për sllavistikë, romanistikë, studimet greke dhe ballkanistike e indoevropeistike si tërësi, ishin fushat kryesore të studimit të këtij institucioni shkencor. Në atë kohë këtu ligjëronte, veç të tjerëve, edhe indoevropeisti i shquar Paul Kreçmer (Paul Kretschmer), albanologu që shënoi studimet shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX, Norbert Jokli, arkeologu dhe historiani Karol Paç (Karol Patsch) etj.
Shikuar prej bibliografisë së tij, Eqrem Çabej në vitin 1928, sigurisht i njohur mirë me problemet e linguistikës në përgjithësi dhe të albanologjisë në veçanti, fillon edhe artikulimin e parë kritik për gjuhësinë dhe letërsinë, por vepra monumentale e tij, të cilën e punon nën mbikëqyrjen e mentorit dhe mësuesit të tij shembullor, është disertacioni «Italoalbanische Studien» (Studime italo-shqiptare), të cilin e mbrojti më 7 tetor 1933 para komisionit të përbërë nga prof. dr. Paul Kreçmer, prof. dr. Norbert Jokli dhe prof. dr. Karl Paç.
Me gjithë kërkesën e profesorëve të degës, që të ndalej dhe të punonte si asistent në Vjenë, Eqrem Çabej kthehet në Shqipëri. Prej biografisë së tij nuk shihet se ka pasur një fat të mirë në ushtrimin dhe zgjerimin e aktivitetit profesional. Në fillim angazhohet nëndrejtor dhe mësimdhënës i lëndës së letërsisë në Konviktin Malet tona në Gjimnazin e Shkodrës. Gjatë kësaj kohe përgatit tekstin për shkollat e mesme Elemete të gjuhësisë e të literaturës shqipe, të cilin e botoi në vitin 1936. Gjatë vitit 1935-1936 Eqrem Çabejn e dërgojnë për të punuar në Normalen e Elbasanit, ndërsa në vitin vijues, pa dëshirën e tij, e transferojnë në Ministrinë e Arsimit. Gjatë kësaj kohe e obligojnë që të bëjë një mësim plotësues në Shkollën e Plotësimit Ushtarak dhe në vitin 1938 emërohet arsimtar i letërsisë në Gjirokastër, ku e gjen pushtimi fashist. Qeveria italo-shqiptare e kthen në Tiranë, ku Çabej tregoi mospërfillje ndaj pushtimit fashist, prandaj «për punë shkencore» e dërgojnë në Romë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore refuzoi të merrte postin e ministrit të Arsimit të propozuar nga autoritetet gjermane më 1943, ndërsa një vit më parë kishte kundërshtuar anëtarësimin si «mis i Institutit të Studimeve Shqiptare» në Tiranë. Gjatë qëndri-mit në Itali ai hartoi pyetësorin Atlasi gjuhësor shqiptar.
Më 1944 Eqrem Çabej kthehet në Shqipëri dhe angazhohet në Institutin e Shkencave, pastaj në Shkollën e Lartë, ish-Instituti Pedagogjik dhe, më në fund, në Universitetin e Tiranës, të themeluar më 1957. Në fillim Çabej ligjëronte lëndët Linguistikë dhe Aalbanologji e pa-staj lëndën Hyrje në historinë e gjuhës shqipe dhe fonetikë historike e shqipes. Përveç me punën e pandërprerë në Universitetin e Tiranës, Çabej mbajti edhe cikle të tjera ligjëratash në fushë të historisë së gjuhës. Veç të tjerash, në vitin 1963 mbajti një cikël ligjëratash për Gjuhësinë ballkanike në Tiranë, ndërsa në vitin mësimor 1972-1973, për studentët e studimeve pasuniversitare në Universitetin e Prishtinës mbajti ciklin e ligjëratave Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane. Cikle ligjëratash ai ka mbajtur edhe në shtete të tjera, pa përmendur këtu edhe pjesëmarrjen e shpeshtë të tij në kongrese e sesione të tjera shkencore në shumë vende të Evropës. Se sa i përkushtuar ishte në punën pedagogjike E. Çabej, më së miri dëshmon fakti se të gjitha lëndët që i ligjëroi, ai i plotësoi me tekste, të cilat u bënë bazë e mirë e studimeve të mëtutjeshme albanologjike.
Gjatë këtij gjysmëshekulli, Prof. Eqrem Çabej është marrë me një varg studimesh të gjuhësisë në aspektin diakronik dhe sinkronik. Mjafton të shihen veprat kapitale: Meshari i Gjon Buzukut I, II, (1968), Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe (1967), Studime etimologjike në fushë të shqipes, I-IV, (1976-1997), Hyrje në historinë e gjuhës shqipe. Fonetika historike e gjuhës shqipe (1959), Parashtesat e gjuhës shqipe (1956) dhe Prapashtesat e gjuhës shqipe(1962) (dy monografitë e fundit i ka përgatitur bashkë me Prof. Aleksandër Xhuvanin), si dhe studimet e shumta për detyrat e gjuhësisë shqiptare, për problemin e autoktonisë së popullit shqiptar e të prejardhjes së gjuhës shqipe, për çështje të veçanta të fonetikës historike të shqipes, për çështjet më të rëndësishme të dialektologjisë historike të shqipes, për çështjen e pastërtisë së gjuhës shqipe, etj., për të parë horizontin e tij të dijes. Në këtë aspekt horizonti krijues i tij sot paraqet në shumë kahje e sidomos në atë të studimeve etimologjike, shkollën shqiptare të studimit. Prandaj, si e tillë ajo mbetet e hapur edhe për shumë breza të tjerë. Aq më tepër po të kihet parasysh fakti se edhe tri vëllime të Studimeve etimologjike ende janë në dorëshkrim, ndërsa studimet e tij të veçanta, sidomos ato të shkruara deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, pritet të dalin në dritë.
Eqrem Çabej është njëri nga ata pak shkencëtarë shqiptarë, i cili nuk ka bartur as funksione politike e as funksione organizative në kuadër të institucioneve ku ka punuar, qoftë në Institutin Pedagogjik, qoftë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Miqtë e tij të afërt thonë se për punët politike nuk ka qenë i dëshirueshëm, ndërsa punët organizative nuk i ka pasur shumë në qejf. Mirëpo, prej vitit kur së bashku me Aleksandër Xhuvanin e Kolë Kamsin përgatitën librin Bota shqiptare (1943) e deri në vitin 1980, kur shihet se është anëtar i redaksisë së botimit të veprave të plota të Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabej ka dëshmuar se ishte një bashkëpunëtor i shkëlqyeshëm në punë të organizimit shkencor. Ishte anëtar në organizimin e disa tubimeve shkencore, si ato për Ortografinë shqipe, Konferencën e Studimeve Albanologjike, Kongresin e Drejtshkrimit etj., anëtar i redaksive në disa revista shkencore në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, si: SF, Studia albanica etj., i botimeve të veçanta për historinë e gjuhës shqipe etj. Ishte anëtar edhe i një varg institucionesh ndërkombëtare me karakter shkencor në Ballkan dhe Evropë.
Krijimtaria e tij shkencore, nga shumë studiues shqiptarë dhe të huaj është vlerësuar në shkallë të studimeve evropiane dhe botërore.
Vdiq më 7 gusht 1980 në një klinikë të Romës, ku kishte shkuar për shërim.
Dr. Begzad Baliu
Instituti Albanologjik i Prishtinës
Veprimtarinë kërkimore-shkencore të prof. Eqrem Çabejt e kam ndjekur 45 vjet me radhë, që në vitin 1936, qëkurse isha në klasën e parë gjimnaz, pastaj gjatë kohës si nxënës në licè (dega klasike), si student në fakultetin e filologjisë, si mësues në shkollën e mesme e pedagog i gjuhës amtare në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe si punonjës shkencor i gjuhësisë së re shqiptare. Unë jam rritur, edukuar, frymëzuar dhe formuar si gjuhëtar me veprat e tij. Jam një nxënës i shkollës së tij gjuhësore, albanologjike, i drejtimit të tij në gjuhësinë tonë, i metodës së tij. Mua më ka lidhur një miqësi tridhjetëvjeçare me të. Këtë e dëshmon, ndër të tjera, edhe epistulari i pasur që kam mbajtur me të, që nga viti 1952 e deri sa u nda prej nesh (16 gusht 1980). Nga korrespondenca jonë, që ka 88 letra, vetëm 38 janë të prof. Eqrem Çabejt (letra, telegrame, kartëpostale, kartolina, dorëshkrime me shënime autobiografike, etj.). Veprat dhe separatet e veta, pothuajse të gjitha, sidomos ato të botuarat jashtë Atdheut në gjuhë të ndryshme të huaja (gjermanisht, frëngjisht, italisht, etj.), Mjeshtri im i nderuar m’i ka dhuruar gjithmonë me kushtim, shkruar me dorën e tij, duke filluar që nga dispensat e tij të para “Linguistikë” e “Albanologji” të vitit 1947. Ja disa dedikime të tija: “Prof. J.Kastratit, peng nderimi e miqësie”, “me nderim e miqësi”, “me miqësi e nderime”, “peng miqësie”, “në shenjë miqësie të sinqertë”, “në shenjë miqësie”, “me shumë të fala”, “me miqësi të sinqertë”, “përzemërsisht”, etj.
Në vitin 1961 fillova të hartoj një studim monografik për të. Prandaj, më 18 dhe 19 korrik 1963, i dërgova nga Shkodra dy letra prof. E.Çabejt, me listën e botimeve të tija si dhe me atë të shënimeve bio-bibliografike, të qëmtuara poshtë e lart, në një varg organesh të ndryshme, në shqip dhe në gjuhë të huaja, brënda dhe jashtë vendit tonë. Me korrektesën që e shquante, brenda javës, më 24 korrik 1963, Mjeshtri im, ndër të tjera, më shkruante: “Që nga letra e parë që lexova, po shoh se ju keni disa punime që në listën time mungonin. Jeni shumë sistematik, e më vjen mirë”.
Më 1965, botova studimin “Veprat albanologjike të prof. Eqrem Çabejt” në “Buletinin shkencor” i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, viti II, nr. 3, f. 97-167. Kjo ishte monografia e parë që botohej për të. Më vonë, me këtë studim monografik u mbështetën në Kosovë për të botuar gjashtë vëllimet. Në të kisha punuar dy vjet. Teksa qarkulloi, më 26 tetor 1965 i dërgova dy ekstrakte të këtij punimi prej 70 faqesh shtypi shkencor. Më 14 nëntor 1965, Profesori im i nderuar më dërgoi një letër falënderimi, ku, në mes tjerash, më shkruante edhe këto: “Ju falemnderit për vlerësimin tepër të madh që bëni për punën time të vogël. Nuk kam ç’të Ju them. Veçse kam parë me një farë habie sa keni mundur të thelloheni jo vetëm në përmbajtjen e shkrimeve, po edhe si të thuash në motivet e brendshme që kanë qenë shtysa e tyre. Ndër të tjera keni përmendur e vënë në dukje dhe mjaft sende e shkrime që unë vetë thuajse i kam harruar me kohë. Edhe disa recensione nga ana e disa dijetarëve shqiptarë...nuk i kam ditur, më kanë shpëtuar. Gjithsesi Ju falemnderit edhe një herë”.
Prof. Çabejt ia kam marrë, me shkrim, herë pas here, listat e botimeve, dorëshkrimeve dhe të bashkëpunimeve të tij me të tjerët. Brenda periudhës 22-vjeçare (1957-1979), ai më ka dërguar, sipas kërkesës sime, shtatë herë me radhë, kohë më kohë, listat e botimeve dhe të dorëshkrimeve të tija: a) më 10 shtator 1957. b) Më 15 korrik 1963. c) Më 24 korrik 1963. ç) Më 5 gusht 1964. d) Më 6 shtator 1973. dh) Më 4 korrik 1976. e) Më 8 prill 1979. Zakonisht, ato janë të shoqëruara me letra të tij. Ja disa nga shënimet e tija: “Këtu ngjitur po ju dërgoj një kopje të bibliografisë sime për këto vjetët e fundit. Ju lutem me rast më ktheni bibliografinë që Ju pata dhënë kur ishit para do kohe në Tiranë. Po ju dërgoj një ekstrakt të revistës Onoma, ku kam bashkëpunuar. I kam gjithë vëllimet, po nuk besoj t’ kem shënuar të gjitha në bibliografi. Do të duhej të vinit njëherë në shtëpinë time, t’i shikonim së bashku”. (Tiranë, më 6 shtator 1973). “Po ju dërgoj bibliografinë. Ju lutem, mundësisht, ta rregulloni e ta plotësoni. Lutem ta hartoni këtë bibliografi mundësisht në disa kopje, e mundësisht të më dërgoni mua së shpejti dy kopje të kësaj bibliografie të hartuar prej Jush, bashkë me këtë që po Ju dërgoj: desha një ta mbaj vetë, e një tjetër ta dërgoj në Rumani, ku e kanë kërkuar. Bash për këtë arsye, bibliografinë e kam hartuar deri diku frëngjisht, sikundër do ta vini re. Ju falemnderoj për gjithshka”. (Tiranë, më 4 korrik 1976). “E mora letrën tuaj bashkë me bibliografinë, e Ju falem nderit”. (Tiranë, më 2 nëntor 1976). “Këtu ngjitur po Ju dërgoj një kopje të bibliografisë nxjerrë nga gjashtë vëllimet, ndonëse e di mirë që Ju në bibliografinë Tuaj e keni kaluar”. (Tiranë, më 8 prill 1979).
Më 18 nëntor 1978, prof. Aleks Buda më kërkoi që, deri më 15 dhjetor 1978, të hartoja bibliografinë e prof. Eqrem Çabejt, në kuadrin e 70-vjetorit të lindjes. Më 5 janar 1979, i dërgova udhëheqësit tim shkencor një kopje të daktilografuar të punimit: Bibliografia e veprave, studimeve dhe artikujve të Prof. Eqrem Çabejt (1929-1978). Më 8 prill 1979, Mjeshtri im i nderuar, më dërgoi këtë letër falënderimi: “I dashur Profesor! E kam marrë prej kohësh bibliografinë e shkrimeve të mija, dhe Ju falem nderit për mundimin që keni marrë dhe mundin që keni derdhur. Jam habitur si keni mundur të gjurmoni kaq sende të shpërndara andej-këndej, ndër to edhe shkrime që unë vetë tashmë nuk i mbaj mend”.
Duke ditur se isha i interesuar për veprimtarinë e tij botuese, herë pas here, në letrat e tij më informonte. Ja disa shënime të tij: “Në lidhje me ç’më shkruanit në letër, desha të Ju njoftoj se me z. Mustafa Bylo Ju dërgova dy ekstrakte e përkthimin e artikullit tim të botuar në “Studii si cercetări lingvistice”, X, 4, 1959, përkthim që do të botohej në nr.3 të “Buletinit” tani së shpejti. Sot po Ju nis me Prof. V. Balën artikullin tim rreth huazimeve latine të shqipes. Me gjithë se do të jeni në kurent, desha të Ju signalizoj se në nr. 10, 1961, të “Arësimit popullor”, f. 78 vv. kam botuar një artikull “Poezia popullore e Arbëreshëve t’Italisë”, e po aty, nr. 1, 1963, f. 104 vv. “Pesqindvjetori i shkrimit shqip”. Te “Nëndori”, nr. 9, 1962, f. 174 vv. kam botuar një artikull mbi M. Lambertzin. Në “Albanie Mobnelle” kam shkruar një artikull të shkurtër për “Formulën e pagëzimit”, mjerisht numrin s’e di. Po ta gjej. Do të Ju dërgoj. Ekstraktin me recensionin e Rr.Zojzit (“Demos”) mos ma ktheni, kam dhe një kopje”. (Tiranë, më 9 korrik 1963). Sot po Ju dërgoj një ekstrakt të një artikulli tim të vogël si dhe një recension botuar në Rumani për “crăciun”. (Tiranë, më 14 nëntor 1965). “Desha të shtoj se artikulli “Kontributi i shqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike” i vitit 1970 u ribotua te “Përparimi”, viti XVIII, nr. 3 (mars) 1972, f. 209, 221. Mundet që edhe ndonjë tjetër artikull të jetë ribotuar në Kosovë a në Maqedoni, po nuk i kam revistat e tyre, përveç ndonjë numri të veçantë”. (Tiranë, më 6 shtator 1973). “Këtu ngjitur po Ju dërgoj një ekstrakt të referatit tim, në Rumani. Njëkohësisht desha të Ju njoftoj që në Atti del IV Convegno Internazionale di linguisti, Milano 1965, f. 111-115, është botuar një diskutimi im, prej të cilit nuk kam veçse një kopje të vëllimit të akteve”. (Tiranë, më 28 tetor 1973). “Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare” u ribotua te “Bota e re”, në Prishtinë, nr. 58-59, qershor 1972”. (Tiranë, më 17 nëntor 1973). “Në pajtim me ç’më shkruani në letër, po Ju nis këtu brenda një punim të shkurtër me titullin “Diskutime”, që përmban disa diskutime të mia gjatë Kongresit ballkanik të Sofjes të vitit 1966. Shpresoj se këto diskutime paraqesin një farë interesi. Ju falënderoj që tashti për kujdesin Tuaj. Ju lajmëroj njëkohësisht se kumtesat tona të etnografisë së shpejti shkojnë në shtyp. (Tiranë, më 2 nëntor 1976). “Po ju dërgoj gjithashtu një numër të gazetës “Bashkimi” me një intervistë timen të vitit ’78. Së fundi desha të Ju njoftoj për një artikull të shkurtër timin “Das Alpenvort malga”, botuar më 1978 në revistën rumune “Studii si cercetări lingvistice”, XXIX, 519-521 (Tiranë, më 8 prill 1979).
* * *
E gjithë lënda është regjistruar në rend kronologjik, sipas vitit të botimit ose të hartimit të dorëshkrimit, duke filluar më 1929 e duke ardhur deri më 1981, të gjithë artikujt, studimet, referatet, kumtesat, diskutimet, përkthimet, recensionet dhe redaktimet kanë marrë numër rendor progresiv. Çdo punim prej një apo më shumë faqesh ka marrë vetëm një numër rendor, kështuqë numri i fundit rendor jep edhe numrin e saktë të punimeve të tij. Veprat shumëvëllimshme janë shënuar një herë, në një numër, pa u përsëritur të gjitha të dhënat bibliografike. Në kllapa katrore janë dhënë sqarime plotësuese. Punimet e ribotuara ose të shqipëruara apo të përkthyera nga një gjuhë në një tjetër, nuk përsëriten me numër të ri. Ato kanë vetëm numrin e parë rendor. Në raste rishtypjesh, është përdorur shprehja: “Shih nr.__”. Me qëllim që kjo bibliografi të shfrytëzohet edhe në botën e jashtme, të gjithë titujt e artikujve shqip janë shoqëruar edhe me përkthimin frëngjisht dhe me shënimin: Rés, fr. (= përmbledhje në frëngjisht) ose Rés. ang. (= përmbledhje në anglisht), kur i kanë, ashtu siç janë dhënë edhe në revistë. Titujt në gjuhë të huaj (gjermanisht, italisht, frëngjisht, anglisht, serbokroatisht, maqedonisht, etj.) janë përkthyer në shqip në kllapë. Studimet e autorit, botuar me vazhdim për disa vite me radhë, janë përmbledhur në vitin e parë. Në vitet e mëvonshme është vënë referimi “shih”, pa marrë numër të ri progresiv. Përbri titullit janë shënuar të gjithë treguesit bibliografikë: ubikacioni, vendi dhe data e botimit, viti i revistës apo i gazetës, numri dhe faqja e organit, etj. Recensionet e botuara nga prof. E. Çabej janë shënuar në parantezë për t’i dalluar nga studimet, monografitë ose artikujt. Po kështu edhe diskutimet. Bashkëpunimet e tij me të tjerët janë vënë me shënime përkatëse. Kur në një vëllim ka pasur disa shkrime të tij, ato janë përmbledhur në një numër rendor, duke u shënuar në aparat punimet që gjinden në atë përmbledhës. Me qëllim që t’i vihet në ndihmë studiuesit të ardhshëm të veprimtarisë shkencore të prof. E. Çabejt, në fund të përshkrimit janë vënë edhe recensionet e botuara për të nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë të huaj. Përmbledhja e kësaj jehone evropiane jep bibliografinë e bibliografisë së gjuhëtarit tonë të shquar. Këtu mungon vetëm jehona e vdekjes së tij, në shtypin tonë periodik dhe në atë të huaj, sepse kjo dilte jashtë caqeve të bibliografisë dhe futej në kërkesat e botimeve biografike. Për një saktësim të mëtejshëm, shpesh herë kemi përdorur edhe të dhënat nga korrespondenca e tij. Studimi mbyllet me një aparat shkencor bibliografik, përbërë prej tre treguesish: 1) Treguesi alfabetik i shtypit periodik, ku ka botuar punimet e veta prof. Eqrem Çabej. Këtu janë shënuar edhe titujt e përmbledhësve, ku gjinden shkrime të tija, duke i futur ndër thonjëza për t’i dalluar nga revistat e gazetat. Njëkohësisht, ky është edhe treguesi i organeve dhe i veprave që u shfrytëzuan pjesërisht ose tërësisht prej nesh për hartimin e kësaj bibliografie. 2) Treguesi alfabetik i emrave të personave, që përmenden në këtë bibliografi. 3) Treguesi alfabetik i vendeve të cituara në bibliografi. Pranë çdo titulli janë dhënë edhe numrat përkatës të zërave bibliografikë. Prof. E. Çabej qe anëtar i redaksive të revistave shkencore “SF” dhe “Studime albanica”, gjatë periudhës 1964-1980. Këtë kontribut të tij nuk e kemi përfshirë në këtë bibliografi.
Për hartimin e kësaj bibliografie jam mbështetur kryesisht në përshkrimin e drejtëpërdrejtë të të dhënave që kam në bibliotekën time, në bibliotekën personale dhe në arkivin personal të prof. E. Çabejt, në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë, në Bibliotekën shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë, në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, Tiranë, në Bibliotekën e Shtetit, Shkodër, në Bibliotekën e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Veç përshkrimeve të drejtëpërdrejta që u përmendën më sipër, janë shfrytëzuar edhe një varg punimesh bibliografike, vendëse dhe të huaja, si dhe disa studime të botuara për prof. E. Çabejn. Bibliografia është e plotë; megjithatë autori nuk pretendon t’i ketë regjistruar të gjitha, sepse është e pamundur të mos ketë rrëshqitur ndonjë zë i papërshkruar, sadoqë unë kam bashkëpunuar dorë për dorë më Mjeshtrin tim të nderuar, Prof. Eqrem Çabejn, për hartimin e kësaj bibliografie. Duhet pasur parasysh rrethana se veprimtaria e tij 52-vjeçare (1929-1981) është shumë e gjërë dhe e shpërndarë në shumë vise të Evropës. Mund të ketë, ndoshta, ndonjë ribotim artikulli të mos e kemi parë. Me kohë, do ta plotësojmë, duke u mbështetur edhe në sinjalizmet e lexuesve dhe studiuesve dashamirës.
Shkodër, më 5 janar 1979 JUP KASTRATI
Profesor dr. Jup Kastrati
Shkodër
15 gusht 1981
1) AJETI, Idriz: Veprimtaria shkencore e Prof. Eqrem Çabejt, “Kërkime gjuhësore” Rilindja, Redaksia e botimeve, Prishtinë, 1978, f. 304-338.
2) BK: Bibliografia e periodikut të RPSH. Botim tremujor. Tiranë, 1961-1964.
3) BK: Bibliografia kombëtare e RPSH. Artikuj të periodikut. Del gjashtë numra në vit. Tiranë, 1965-1968.
4) BK: Bibliografia kombëtare e RPSH. Artikuj të periodikut. Botim i përmujshëm. Tiranë, 1969-1980.
5) BK: Bibliografia kombëtare e RPSH. Libri shqip. Tiranë, 1965-1980.
6) BK: Bibliografia e artikujve të periodikut shqip (retrospektive). Tiranë, 1945-1952. Përpilues: K Prifti, M. Mele, Sh. Mema, K. Kospiri.
7) BK: Buletin informativ për literaturën e huaj që hyn në Bibliotekat e RPSH. Shkencat shoqërore. Albanologji. Sektori i albanologjisë. Tiranë, 1970-1981.
8) DAKA, Palok: Kontribut për bibliografinë e gjuhësisë shqiptare (1883-1944), “SF”, Tiranë, nr. 2, 1964 deri te nr. 1, 1968.
9) DAKA, Palok: Sprovë për një bibliografi të gjuhësisë dhe të onomastikës shqiptare (1945-1970), “SF”, 4, (1970), 139-216.
10) Daka, Palok: “Sprovë për një bibliografi të gjuhësisë dhe të onomastikës shqiptare. Shtesa dhe plotësime (1945-1970), “SF”, 4, (1975), 139-151.
11) DAKA, Palok: Bibliografi e studimeve dhe e artikujve për gjuhën shqipe (1945-1974), ASHRPSH, IGJH, Tiranë, 1975, 362 f.
12) DAKA, Palok: Bibliografi për gjuhësinë dhe onomastikën shqiptare për vitet 1975-1976, “SF”, 4 (1977), 195-215.
13) DAKA, Palok: Bibliografi për gjuhësinë dhe onomastikën shqiptare për vitet 1977-1978, “SF”, 2, (1980) 183-214; 3 (1980) 199-237.
14) DAKA, Palok: Bibliografi e gjuhësisë dhe e onomastikës shqiptare për vitin 1979, “SF”, 1 (19”81) 189-228.
15) DOMI, Mahir: Le professeur Eqrem Çabej et son notivité scientifique (à l’occasion de son 70e anniversaire de naissance) SA, Tirana, 1 (1979) 163-175.
16) HAXHIHASANI, Qemal : Kontribut për bibliografinë e studimeve folklorike-etnografike shqiptare (botime të viteve 1945-1956), BISH, SHSH, 2 (1957) 225-231.
17) HAXHIHASANI, Qemal : Kontribut për bibliografinë e folkloristikës (Bibliografi e botimeve dhe e studimeve folklorike të viteve 1945-1968), “SF”, 3 (1970) 193-225.
18) HAXHIHASANI, Qemal : Kontribut për bibliografinë e folkloristikës shqiptare (Bibliografi selektive e botimeve dhe e studimeve folklorike të viteve 1969-1973), “SF”, 1 (1975) 172-198.
19) KASTRATI, Jup: Bibliografi shqipe (29.XI.1944 – 31.XII.1958), NSH Botimeve “Naim Frashëri”, Tiranë, 1959, 498 f.
20) KASTRATI, Jup: Veprat albanologjike të Prof. Eqrem Çabejt, “Buletin shkencor” i IPD të Shkodrës, viti II (nr.3) f. 97-168, Shkodër, 1965.
21) SHEMA, Isak – RUGOVA Ibrahim: