EQREM ÇABEJ PËR GJUHËN SHQIPE
Nga Rexhep Ismajli
“Si sintezë e dijes albanologjike të derisotme dhe si përthyerje e teorive gjuhësore historike-krahasimtare, vepra e Çabejt i kapërcen kufijt e kulturës shqiptare… Ky korife i albanologjisë, është një nga njohësit më të mirë të gjallë dhe ushtruesit e paktë seriozë të ballkanologjisë… Rezultatet e arritura në veprat e tij janë të rëndësishme jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për historiografinë, për folkloristikën, për etnografinë, për etnologjinë dhe për historinë e letërsisë shqiptare. Objekt i mendimeve të tij, në një mënyrë ose në një tjetër, ka qenë i gjithë etnosi dhe etosi i shqiptarëve“.
„Metoda e studimit të tij është kryqëzim interesant teorish të ndryshme, kryesisht historike-krahasimtare. Në një anë kemi gjurmët e trashëgimisë së teorikut Hugo Schuchardt[1] dhe të shkollës Wörter und Sachen, me theksimin e lidhjeve të fjalës me sendin, me hulumtimin e aspektit etnografik-etnologjik që te Çabej depërtoi drejtpërsëdrejti dhe e përthyer përmes mendjes së mprehtë të mësuesit të tij N. Jokl[2]... Por ai bën një kombinim të metodave të Wörter und Sachen, të fonetikës historike dhe të gjeografisë gjuhësore, të gjuhësisë areale italiane dhe të gjeografisë gjuhësore franceze. Të gjitha këto si dhe mendimet teorike të Hermann Paulit[3] dhe të Holger Pedersenit[4] te Çabej i gjejmë të gërshetuara dhe të përthyera në mënyrë të veçantë... Metoda e tij është empirike... gjithnjë niset nga faktet konkrete të shqipes...“
Mora leje të përsërisja këto përfundime të shprehura më 1973[5] me të gjallë të Eqrem Çabejt dhe asnjëherë të kontestuara, jo për të rikujtuar, po më parë që ta vendosja disi atë që desha të thosha më poshtë lidhur me tematikën e shqipes letrare në pikëpamjet e Eqrem Çabejt.
Gjuhëtari i madh Eqrem Çabej, dijetari që në studimet e tij kështu të hapëta, përtej gjuhës dhe përmes gjuhës mëtonte të ndriçonte çështje me gjerësi më të madhe, deri tek etnia dhe qenësia e saj, a mund të ishte indiferent ndaj funksionit vehikular të gjuhës?
Do të kishim dhënë një përgjigje fare të cektë dhe skematike po të niseshim vetëm nga vlerësimi i veçantë i tematizimeve mbisunduese tek ai, si historia e gjuhës, etimologjia, tekstologjia, ku rezultatet e tij janë gjithnjë kulmi i shkencës.
Kundër diletantizmit
Në një polemikë të pabotuar të vitit 1929, ku, jo vetëm në saje të nervit dhe tendosjes stilistike të tekstit, hetohet qartë impenjimi i tij dhe shumë më shumë se indiferenca ndaj asaj që quhet ndërhyrje e vetëdijshme në gjuhë, Çabej kishte theksuar në radhë të parë nevojën që në preokupimet për gjuhën, konkretisht për gjuhën letrare, fillimisht duhej të sigurohej profesionalizmi dhe të luftohej me gjithë mend diletantizmi, i cili gjithsesi dikur bëhet i dëmshëm. Ja se ç‘thoshte Çabej aty, ndër të tjera:
“Sot secili në Europën e qytetëruar, para se të merret me shkrime filologjike, i shkon meaft viet në bankat e universitetit, atje ku gjuha studiohet e analizohet me exaktitudë mathematike, duke qenë se filologjia është një nga dituritë më të shtrëngueshme (sévères) e më exakte që mund të jenë në botë… Kurrkush nuk ka të drejtë të shkruajë mbi gjuhë pa u pat marrë viet me radhë me studimin e vërtetë të saj!… Kush do të shkruaj mbi shqipen, më parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëvet indouropiane përgjithërisht, pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarë e gjithë albanologët e huaj, numri i të cilëvet është aq i math, sa studimi i tyre lyp viet me radhë pune të pareshtur… Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga dilettantismi. Eshtë dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish!”.[6]
Në të gjitha reagimet e tij të mëvona lidhur me gjuhën letrare, Eqrem Çabej në mënyrë sistematike shtronte një kërkesë: së pari të njihet gjuha, të mblidhet i tërë materiali, të studiohen strukturat e saj në të gjitha rrafshet, të njihet përndarja dialektore, shtrirja e fenomeneve me saktësi dhe pastaj të caktohen norma e zgjidhje përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjithë. Parim i njohur dhe më herët në historinë e dijeve për gjuhën dhe maturi shembullore e dijetarit.
Duke kërkuar shpjegime ashtu të gjera Çabej i kishte hyrë studimit të themeltë të leksikut, në kuptimin etimologjik dhe tjetër, për shembull fjalëformues lidhur me parashtesat e prapashtesat, të historisë së jashtme të gjuhës, po edhe të zhvillimit të brendshëm, të zhvillimit të gjuhës së shkruar në disa shekuj. Bashkë me njohjet që siguron hulumtimi dialektologjik dhe gjuhësia areale, ashtu si dhe fushat e tjera, rezultatet në hulumtimet e përmendura duhej të bëheshin baza për kërkimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të gjuhës unike letrare shqipe. Pra, e tërë problematika e studimeve të tij konceptohej si njësore: njohja e gjuhës shqipe në përmasat e saj të ndryshme reflektohej drejtpërsëdrejti dhe në çështje të përzgjedhjes së standardit.
Të dhënat për punën standardizuese të Çabejt
Sa dhe si ishte marrë Çabej konkretisht me studimin dhe punën në standardizimin e shqipes? Dhe më tej, pas një përgjigje eventuale në pyetjen e parë, a është e vërtetë se, siç kanë pretenduar disa, kritika e Çabejt e shprehur në mënyrë indirekte, më mirë të themi mendimi i tij, „ishte refuzim i pakompromis i projektit të gjuhës së njësuar“, se aspekti racional në argumentimet e tij ishte pandehma se veprimtarët e gjuhës së përbashkët, në ngutjen për të realizuar projektin e tyre, „e kishin vënë mazin para pelës“?[7] Me një fjalë, a është e vërtetë se Çabej nuk pajtohej me konceptin dhe ritmet e implementimit të gjuhës së përbashkët dhe, nëse po, si e ka shprehur ai këtë mospajtim? Edhe më shumë, në cilën kohë kishte menduar kështu apo ashtu dhe sa u ishte përmbajtur deklarimeve të veçanta parimore që sot mund të interpretohen kështu ose ashtu në veprimtarinë e tij praktike dhe konkrete? Po e shtroj në formë të ashpërsuar të pyetjes, për shkak se pandehma dhe hamendësime të ndryshme në bazë të fragmenteve të shkëputura janë shqiptuar dhe ka mundësi që gjërat të merren të gatshme dhe si të (pa)dëshmuara, ndërsa përgjigjet shpresoj të dalin nga raportimi mbi këto veprimtari.
Eqrem Çabej ishte në rrjedhat e diskutimeve për problemin e gjuhës letrare shqipe qysh nga fillimet e angazhimeve të tij publike dhe, siç u pa nga reagimi i tij i pabotuar, edhe më herët. Pasi botoi librin e njohur Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe, 1936, ai u bë personalitet mendimi i të cilit kërkohej në këtë fushë.
“Çabej është gjithashtu ndër përpunuesit e hartuesit kryesorë të gjithë udhëzuesve drejtshkrimorë që u hartuan pas Çlirimit (1948, 1951, 1956, 1967, 1973), duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në gjithë punën sistematike që u shtjellua gjatë kësaj periudhe për kodifikimin e gjuhës sonë letrare, për kristalizimin e saj tërësor e për njësimin e plotë të sotëm”.[8]
Më 1935 Ministria e atëhershme kishte ngritur një Komision të posaçëm për çështje të ortografisë dhe të gjuhës së shkruar dhe E. Çabejn e kishte caktuar të punonte në të bashkë me Aleksandër Xhuvanin,[9] Namik Ressulin,[10] e të tjerë. Më 1947 në Tiranë në Institutin e Shkencavet u ngrit Komisioni i Ortografisë, në të cilin ishin caktuar Kostaq Cipo,[11] A. Xhuvani dhe Eqrem Çabej.[12] Ky Ko-mision hartoi Ortografinë për të dy variantet e gjuhës së shkruar dhe e botoi më 1948 në revistë. Sipas vlerësimeve të Jup Kastratit, kjo Ortografi mbështetej në elbasanishten dhe “me përjashtim të disa rasteve të njësuara, vepra në fjalë linte në fuqi dualizmin gjuhësor dhe sanksiononte me rregullore dytrajtshmërinë e drejtshkrimit të shqipes” (theksimet r. i.). Megjithatë, në krahasim me rregullat e Komisisë Letrare (1917) dhe me ato të Adon Aldeghierit (1927), Kastrati me të drejtë mendonte se rregullat e kësaj Ortografie “bënin një hap të mirë përpara për njësimin e gjuhës shqipe të shkruar”.[13] Një kritikë të veçantë të kësaj Ortografie kishte bërë Simon Shuteriqi më 1949 me veprën e tij monografike Ortografija e gjuhës shqipe. Sipas njoftimeve të Kastratit, kjo vepër, shpesh më e gjerë se Ortografia e vitit 1948, ka meritat e veta, porse “autori nuk ka mundur të shkëputet tërësisht nga disa gjykime subjektiviste. Herëherë, ai nuk ka parë mirë edhe tendencën e zhvillimit të fenomenit gjuhësor ortografik, sidomos konvergjen-cën”.[14] Gjithnjë sipas njoftimeve të Kastratit, një diskutim i gjerë i Ortografisë së vitit 1948 është zhvilluar më 1949 në Institutin e Shkencavet dhe pas vërejtjeve e diskutimeve i tërë projekti u rishikua dhe më 1951 u nxorr si botim i veçantë.[15]
Në Tiranë në vitin 1953 u organizua Konferenca dyditore e Ortografisë, sipas njoftimeve të J. Kastratit. Komisioni i Ortografisë që u përmend më sipër aty ishte i pranishëm dhe në emër të tij referoi anëtari M. Domi. Projekti i Ortografisë së gjuhës shqipe i vitit 1953 u poligrafua në 29 faqe. Në të qysh në Parafjalë është theksuar se synohej afrimi i dialekteve në shkrim.[16] Çabej ishte ndër kryesorët në komisionin për hartimin e ortografisë më 1954.[17]
„Pasi në konferencë [të ortografisë, r. i.] për një varg çështjesh e zgjidhjesh u çfaqën divergjenca mendimesh, u pa nevoja e thellimit të tyre nëpërmjet referimesh e diskutimesh të veçanta. Këto u zhvilluan në vitin 1954 e në fillim të vitit 1955 në një komision konsultativ të gjerë, ku bënin pjesë punonjës të sektorëve të gjuhës të Institutit dhe arsimtarë e shkrimtarë“.[18]
Më 1956[19] u hartua Ortografia e gjuhës shqipe nga një Komision i veçantë. Në të objektivisht i jepej përparësi variantit të mbështetur në toskërishten, ndërsa shënimet për gegërishten viheshin kryesisht në fusnotë. Vetë Komisioni theksonte se në bazë të diskutimeve të gjera projekti u rishikua, u ripunua me kritere më të shëndosha, më të qarta e më të prera, u saktësua, u plotësua dhe po botohej në formën përfundimtare, si rezultat i një pune kolektive. Vlerësohej si „një hap i rëndësishëm përpara dhe një kontribut me vlerë në normalizimin e stabilizimin e gjuhës letrare“. Aty shënohej dhe sa vijon: „Dinamizmi i fazës së sotme të gjuhës sonë, mungesa e studimeve teorike të veçanta, në lidhje me një sërë problemesh të ortografisë, nuk lejojnë që këto probleme të zgjidhen në mënyrë të gjithanëshme dhe, padyshim, ortografia e punuar nga Instituti i Shkencavet do të ketë nevojë për rishikime e ripunime të herëpas-herëshme. Hartimi dhe zbatimi i saj nuk i mbyllin shtegun diskutimit të mëtejshëm të problemeve ortografike nëpër organet tona, studimeve e artikujve për thellimin e tyre... Përsosja e ortografisë është një proces i gjatë, e për të duhet bërë një punë e vazhdueshme sistematike“.[20]
E. Çabej mori pjesë në komisionin që hartoi projektin e Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes të vitit 1967,[21] të cilat u përvetësuan si Rregulla të Drejtshkrimit në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës 1968 derisa të bëheshin rregullat e reja, dhe të Drejtshkrimit të Shqipes të dalë nga vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit më 1972.[22] Këto rregulla, ndërkaq, përjashtonin tërësisht variantin që mbështetej në gegërishten dhe synonin variantin që do të cilësohet ‘i përbashkët’.
Çabej ka qenë pjesëmarrës dhe në aktivitetet e tjera vendimmarrëse në fushën e normimit të shqipes, ndër të cilat shquhet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe i mbajtur në Tiranë më 1972.[23]
Pos këtij aspekti të veprimtarisë në fushën e standardizimit të shqipes, puna e Çabejt në normimin e shqipes ishte hetuar ndjeshëm përmes pjesë-marrjes së tij aktive në hartimin e Fjalorit serbokroatisht-shqip,[24] të Fjalorit të vitit 1954, ku ishte „ndër bashkëpunëtorët kryesorë dhe redaktorët“, e i cili fjalor „bëri hapa të rëndësishme përpara për kodifikimin letrar e gramatikor të gjuhës letrare, krijoi kështu një mbështetje të mirë për punën e mëtejshme“,[25] të fjalorëve të ndryshëm e të shumtë terminologjikë, etj.[26]
Me një fjalë, nuk mund të thuhet se Çabej në fushën e standardizimit të shqipes kishte bërë ndonjë punë sa për sy e faqe, ashtu kalimthi, apo vetëm për inercion të një pune në fusha të afërta. Më parë duhet të flitet për një angazhim në nivelin e seriozitetit më të madh. Madje mund të thuhet se në fazën e përzgjedhjes së normës së shqipes së njësuar letrare, në të gjitha fazat e vendosjes dhe të implementimit të vendimeve në këtë fushë nga viti 1947 deri në fund të jetës së tij më 1980, Eqrem Çabej ka qenë në grupin më të ngushtë të gjuhëtarëve që kanë marrë vendime për këto çështje. Sa ishin gjallë Kostaq Cipo dhe Aleksandër Xhuvani, kudo në veprimtari të tilla ata ishin bashkë të tre, më vonë ai bashkëpunoi me Xhuvanin dhe Domin, dhe vetëm pas vitit 1956 shtohet Kostallari e më vonë të tjerë. Kjo do të thotë se edhe të tjerët gjatë gjithë kësaj kohe e kanë njehur dhe pranuar Eqrem Çabejn ndër personalitetet më kompetente dhe më të kualifikuara, por njëhe-rësh edhe me vullnet, për të gjykuar dhe për të marrë vendime në fushën e normës së shqipes standarde.
Ku lidhen hamendësimet
Sa u përket bindjeve dhe pikëpamjeve të përgjithshme mbi botën dhe shoqërinë, orientimeve dhe veprimeve të tij, për aq sa mund të hetohen ato drejtpërsëdrejti apo nga shkrimet, dihet mirëfilli se Eqrem Çabej nuk ka qenë personalitet me pikëpamje politike dhe botëkuptimore komuniste apo të majta.
Meqenëse forcat shoqërore dhe politike që e kanë marrë mbi vete çështjen e gjuhës së përbashkët letrare me vendosmërinë më të madhe shoqërore dhe, me mjetet që kanë pasur në dispozicion brenda organizimit të tyre, i kanë krijuar rrethanat për implementimin e projektit për një gjuhë standarde shqipe kanë qenë forcat e majta shoqërore (komunistët), të cilat kanë sunduar në Shqipëri dhe ndër shqiptarët e ish-Jugosllalvisë mbi 40 vjet, pas rënies së komunizmit, vetvetiu ka lindur një çështje në këtë mes. Studiues të ndryshëm kanë bërë vërejtje për sa vijon: meqenëse në Shqipëri udhëheqja komuniste ishte kryesisht nga Jugu i vendit, pra nga zona që për idiom natyror ka toskërishten, e cila ka dhe një traditë shkrimi në rrafshin e një varianti të formuar të gjuhës letrare, por e cila në periudhën pas krijimit të shtetit shqiptar më 1912 e deri në vitin 1945 nuk e kishte gëzuar asnjëherë statusin e gjuhës letrare kombëtare, si thuhej atëherë, apo dhe vetëm zyrtare, ndërkohë që varianti letrar i ngritur mbi idiomin natyror të gegërishtes të folur në veri, me një traditë të lashtë shkrimi dhe me një letërsi të lulëzuar gjatë gjithë kësaj periudhe, kishte shërbyer si gjuhë zyrtare në shtetin shqiptar (natyrisht, e njohur si variant i mbështetur në të folmet e Shqipërisë së Mesme), ndryshimi i përnjëhershëm që po bëhej tash pas vitit 1945, kur pushtetin e kishin marrë komunistët, nuk arsyetohej me ndonjë zhvillim normal, po më tepër shihej si rezultat i imponimeve mbi baza të tjera dhe për qëllime të tjera. Për më tepër, në mënyrën e atëhershme të të menduarit, të shënuar dhe nga idetë e marksizmit stalinian, ky ndryshim cilësohej si një këcim, ndërsa teoria e Stalinit për krijimin e gjuhëve letrare kombëtare e mohonte eksplicite rrugën e tillë të krijimit. Diskutimet dhe ngjarjet në këtë drejtim kanë pasur një dinamikë dhe gjallëri të madhe, janë karakterizuar me polemika dhe shoqëruar me veprime të tjera në fushën e pushtetit dhe të statusit shoqëror të atyre që kanë marrë pjesë në to. Ka diskutues që thonë se shtrëngesat nuk kanë qenë të vogla.
Më duket se Çabej do ta kishte hetuar vetë që shanset për të shpënë përpara ndonjë projekt që do të mbante vulën e qartë krijuese të tij, në ato rrethana, nuk kanë qenë të mëdha, prandaj me të drejtë do të ketë parapëlqyer të vepronte ashtu si veproi – duke ndihmuar thelbësisht krijimin e ngulitjen e normave dhe rritjen e cilësisë së kulturës së shprehjes. Në mos për tjetër, ai dinte për projektin e hartuar nga S. Riza më 1944. Sipas tij, si fazë e ndërmjetme drejt krijimit të një gjuhe të vetme letrare kombëtare (në një kohë më të gjatë) duhej të krijohej së pari një pangegnishte, e cila, në shumicën e pikave, do t‘ishte e njëjtë me toskërishten letrare, ndërsa aty ku për arsye të strukturave gjuhësore duhet të ndryshojë prej saj do t‘i drejtohej fazës më të vjetër prej së cilës u zhvilluan pastaj variantet dialektore. Pavarësisht nga përparësitë apo mungesat konkrete dhe konceptuale në kuadër të standardit, ky propozim kishte një të metë të madhe: autori i saj nuk kishte prapa vetes mbështetjen e ndonjë shtrese të rëndësishme shoqërore, prandaj ai projekt as që u mor në diskutim ndonjëherë.
Në vlugun e fuqive krijuese dhe të punës në vitet ’50-’60 Çabej nuk mund të mos kishte ide dhe nxitje për të propozuar zgjidhje të veten, por as të mos e kuptonte thelbin e mungesave të propozimeve si ai i Rizës, përtej (pa)përshtatshmërive të tij standardologjike. Ai dinte dhe për fatin e S. Rizës. Megjithatë, kujtoj se elementi kryesor që ka ndikuar në rrugën që do të zgjidhte Çabej për të qenë frytdhënës dhe i dobishëm për botën shqiptare është pikërisht orientimi i tij i përgjithshëm dituror me gjerësinë e jashtëzakonshme, e cila i hapte horizonte të tjera.
Standardologu tjetër i rëndësishëm para Luftës II Botërore, Namik Re-ssuli, i ngërthyer në lëvizjet e djathta dhe fashiste në Shqipërinë e atëhershme, tashmë kishte ikur në Itali.
Nga ana tjetër, pushteti që po krijohej me siguri do të ketë pasur nevojë dhe do të ketë dashur t‘i ketë shërbimet shkencore dhe të dijes të Çabejt, sepse dijetar tjetër të nivelit të tij në fushën e lingvistikës thjesht nuk kishte. Me punën e tij të palodhshme e shumë frytdhënëse në fushën e studimeve albanologjike, Çabej menjëherë kishte e dëshmuar potencialin e tij të jashtëzakonshëm. Vetëm një pushtet krejtësisht injorant do të hiqte dorë nga shërbimet që do t‘ia bënte ai shkencës kombëtare.
Duhet të themi këtu që ata që bëjnë vërejtje në frymën që cekëm më sipër pandehin ose më tepër lënë të kuptohet se Çabej nuk kishte menduar që çështja e një gjuhe të vetme letrare kombëtare mund të zgjidhej në atë mënyrë dhe me ato ritme që projektonin dhe supozonin ‘establishmenti politik dhe dijetarët në shërbim të tyre’, por se Eqrem Çabej ka qenë i shtrënguar të pajtohej me vendimet që janë marrë, sepse ka qenë nën trysni të vazhdueshme politike dhe tjetër. Për ta ky do të ketë qenë elementi kryesor. Mua më duket se çështja është pakëz më e ndërliqshme.
Midis ‘racizmit’ dhe ‘antipatriotizmit’
Më duket se mosmarrëveshjet eventuale lidhur me pikëpamjet e Çabejt në fushën e gjuhës letrare kanë nisur me interpretimin e kritikave ideologjike që i janë bërë Eqrem Çabejt në vitet ’50. Në janar të vitit 1952 në Tiranë u mbajt Konferenca me temën „Veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona në dritën e këtyre veprave“. Në atë konferencë u shtrua diskutimi për nevojën e vendosjes së një gjuhe të vetme letrare kombëtare shqipe. Kritikat e përgjithësuara, por me piketim të qartë, ishin bërë së pari në diskutimet e Asamblesë së Institutit të Studimevet më 1950: „në çështje të gjuhës edhe kemi pikëpamje të gabuara; ka njerës këtu tek ne që s’njohin asgjë nga punimet e linguistikës sovjetike… dhe mbrojnë ide si ato të linguistikës ideogjermane, teori me baza idealiste-raciste. Edhe nuk u është bërë një kritikë e guximëshme atyre të huajve që kanë studiuar gjuhën tonë dhe kanë shkruar vepra mbi të“.[27] D.m.th. akuza shtrihej në: mosnjohje të lingvistikës sovjetike dhe mbrojtje të ideve ideo-gjermane (indo-gjermane), që qenkan teori raciste.
E. Çabej ishte përgjigjur ndaj implikimeve dhe invektivave të akuzave të tilla duke referuar dijetarë sovjetikë si Rozalija Shor (1894-1939), për të cilën pastaj atij i ishin dhënë shpjegime duke „saktësuar“ se Shor paskish pasur pikëpamje të Sosiurit (!) dhe se pikëpamjet indoevro-piane shpënëkan në racizëm.[28]
Në Konferencën e vitit 1952, pasi të jenë kritikuar „linguistët borgezë“ si Gustav Majer[29] e të tjerë që, „pa e studjuar thellësisht pasurinë e leksikut të gjuhës sonë, thanë se shqipja është e vobegët në fjalë origjinale, një gjuhë e përzierë“, ishin vënë në pah dhe gabimet e linguistëve tanë si Eqrem Çabej, „i cili, duke trajtuar historinë e gjuhës shqipe, merret kryesisht e së tepërmi me origjinat e huazimet që shqipja mori nga gjuhët e tjera, mënyrë antipatriotike kjo që e paraqit gjuhën tonë vetëm nga ana pasive duke lënë mënjanë historinë e mbrendshme të saj, esencën e veçorive specifike të saj si gjuhë e veçantë, studimin e fondit leksikal e të sistemit gramatikor origjinal“, për të vazhduar më tej: „te këta njerëz nuk ekziston një thërrime patriotizmi… përulen verbërisht përpara t’ashtuquajturvet autoritete të gjuhësisë borgeze të perëndimit që janë marrë me gjuhën shqipe. Këta janë kosmopolitë dhe si të tillë ne duhet t’i luftojmë“ [30] (theksimet janë shtuar).
Kështu, brenda një kohe të shkurtër, për studimet e tij në fushën e historisë së gjuhës shqipe, të historisë së letërsisë e të kulturës,[31] Eqrem Çabej bëhej objekt kritikash të rrepta ideologjike në dy skaje vështirë të pajtueshme midis tyre. Në njërën anë, kritika i drejtohej për shkak të implikimeve dhe hamendësimeve që ishin bërë atëherë në një shtresë mendimtarësh marksistë mbi gjuhën lidhur me teoritë e periudhës krahasimtare-historike dhe të junggramatikanëve për burimin nga një gjuhë e vetme para-indoevropiane e gjuhëve të ashtuquajtura indoevropiane, dhe e gjithë kjo sidomos e lidhur me zënkat gjithsesi periferike për emërtimin „indogjerman“ apo „indoevropian“ (në gjermanishten përdorej termi Indogermanisch dhe kjo lidhej me nacionalizmin gjerman). Në kohën e marizmit në BRSS këto kritika kishin qenë rrënimtare dhe mbështeteshin në kritikën e aspekteve nacional(ist)e në favor të horizonteve universale klasore. Meqenëse Çabej kishte mësuar te përfaqësuesit e shkollave gjuhësore me trashëgimi krahasimtare si Paul Kretschmer dhe Norbert Jokl, edhe më shumë, meqenëse në studimet e tij ndiqte në vijat themelore metodat dhe orientimet konceptuale të gjuhësisë krahasimtare-historike të mësuara në botën gjermane, e cila tashmë kishte pësuar debaklin e përgjithshëm pas përmbysjes së nazizmit, hamendësohej, pa pasur nevojë të dëshmohej, se ai ishte i infektuar dhe po i zhvillonte më tej idetë e tilla ideologjikisht të hedhura poshtë madje as pa pasë bërë ndonjë inspektim teoriko-konceptual në një hapësirë të re, ku as që mund të dyshohej se konceptet marksiste nuk po mbisundonin. Dhe pikërisht në moskuptimet lidhur me kritikat që ishin bërë ndaj teorive indoevro-piane (indo-gjermane), njerëz gjithsesi diletantë në këtë drejtim nuk e kishin vështirë të kalonin nga përcaktimi indo-gjermane tek ndryshimi ‚i vogël‘, por indikativ, ideo-gjermane. Në fushën e shoqërimit të ideve këtu sikur lihej të kuptohej se fjala ishte për një nacionalist radikal.
Kur Çabej kishte provuar t‘i refuzonte imputimet e tilla duke referuar autoritete nga bota sovjetike si Rozalija Shor, i thuhej se R. Shor paskish qenë kritikuar si përkrahëse e ideve të Ferdinand de Saussure-it, që edhe më vonë cilësohej formalist, borgjez, etj.
Në anën tjetër, kritika derivohej mbi një bazë tjetër: Çabej merrej me aspekte të veçanta të studimeve historike të shqipes, me etimologjitë, fushë në të cilën ai shkonte në rrugën e studiuesit gjerman G. Meyer, i cili, sipas kritikuesit, kishte pasur vlerësime të gabuara për fondin vendës të fjalëve të shqipes dhe kishte nxjerrë përfundimin se shqipja ishte një gjuhë me përzierje jo të vogla. Gabimi i Çabejt, thuhej atje, ishte se ai vazhdonte të na tregonte se shqipja paskish shumë elemente të huazuara dhe pak fjalë origjinale. Antipatriotizmi i tij qëndrokish në faktin se ai gjuhën tonë e paskish parë kryesisht nga aspekti pasiv marrës dhe se këtë gjë ai e paskish bërë për shkak të raportit përulës që paskish pasur ndaj ‚t‘ashtuquajturvet autoritete të gjuhësisë borgjeze të perëndimit‘. Në mbështetje të aspektit të dytë më tej ai akuzohej si kosmopolit. Natyrisht, mëtesa dhe veshja ideologjike e termave si ‚racizëm‘, në njërën anë, dhe ‚kosmopolitizëm‘, në anën tjetër, as që lënë hapësirë për të hetuar kundërtitë eventuale në kritikat që i bëheshin Çabejt.
Çabej e kishte refuzuar cilësimin për „antipatriotik“, duke treguar madje se ishte i pari që po vinte në dukje elementet që jepte shqipja në gjuhët e tjera, dhe në të njëjtën kohë kishte kundërshtuar thjeshtësimet që bëheshin lidhur me „mosekzistencën e dialekteve në shqipen“.
Zhvillimi i konceptit vetanak
Në këtë vazhdë ai kishte ndërhyrë të shpjegonte se më herët dallimet midis dy dialekteve të shqipes kishin qenë më të vogla në kuptimin që kishte më shumë konvergjencë midis tyre, prandaj edhe përligjej kërkimi i mëtejmë i konvergjencës. Këtë ide ai e ka paraqitur dhe në Parathënien për veprën e Buzukut më 1968: „Nga pikëpamja e historisë së shqipes kemi të bëjmë me një gegërishte të shekullit XVI: kjo si e tillë përfaqëson një shkallë gjuhësore, në të cilën nuk ishte kryer ai zhvillim që e largoi më vonë këtë dialekt nga tipi i përbashkët i gjuhës e njëkohësisht dhe nga toskërishtja. Për këtë arsye historike e për punën që autori ynë i përket pas gjase një krahine periferike e si e tillë gjuhësisht konservatore të Veriut, gjuha e tij na para-qitet me disa tipare, që njëkohësisht duke qenë të një shkalle të mëparme të gegërishtes, e afrojnë me ligjërimet e toskërishtes e shpeshherë me ato të kolonive të Greqisë e t‘Italisë me Lekë Matrangën në krye“.[32]
Lidhur me projektin e përcaktimit të një gjuhe unike letrare kombëtare shqipe E. Çabej me atë rast kishte kërkuar të bëheshin dy gjëra themelore:
1. Të mblidhej materiali dhe
2. Të studiohej mirë ai material, vetëm pastaj mund të arrihej një zgjidhje.
„Përsa i përket çështjes së dytë, problemit të një gjuhe shkrimi të përbashkët, dhe drejtimit që do të marrë kjo në të ardhmen, mua më duket se gjithë kjo çështje do të shtrohet kryesisht në këto dy drejtime: në lidhje me të dy dialektet kryesorë të shqipes dhe në lidhje me punën e ortografisë“.
Përtej thjeshtësimeve të skajshme të kujdestarëve ideorë, Çabej, gjithë duke i refuzuar imputimet e tyre gjithsesi jodashamirëse, përpiqej ta çonte tërë çështjen teorikisht më tej përmes zhvillimeve më të kuptimshme dhe frytdhënëse. Kështu interpretimi i thënieve të tij të mësipërme tregon se ai mendonte që duhej të vazhdonte puna në planifikimin e bazës (dialektore) dhe të statusit të gjuhës letrare kombëtare, në një anë, dhe në planifikimin e korpusit të rregullave drejtshkrimore e gramatikore, në anën tjetër, pikërisht ashtu siç procedohet sot në të gjitha analizat sociolingvistike të çështjes.
Lidhur me elementin e parë deri sot nuk kam arritur të shoh të jetë marrë seriozisht eksplicite Eqrem Çabej. Ndërkaq me të dytin është marrë vazhdimisht dhe në mënyrë shumë aktive. A thua pa ndonjë lidhje midis tyre?
Për të evituar moskuptimet duhet të shënojmë poashtu se po në vitin 1952 Çabej kishte theksuar: „Me formimin e shtetit shqiptar edhe gjuha shqipe ka marrë dhe ka për të marrë edhe më shumë një zhvillim tjetër, një zhvillim konvergjent të dialektevet. Dhe kjo rrugë duhet të ndiqet, sepse një shtet unitar nuk mund të mendohet pa një gjuhë unitare. Këtu s’e kam fjalën për një gjuhë letrare të vetme, sepse shkrimtarët mund të vazhdojnë të shkruajnë në dialektin e tyre, po është punë për një gjuhë n’administratë, nëpër tekstet shkollore, e tjera“ (theksimet tonat, r. i.). Pra, Çabej krijimin e një gjuhe të njësuar e shihte gjithnjë të domosdoshëm në një shtet unitar.
Por menjëherë pastaj, pavarësisht nga kritikat që i qenë bërë, tërë çështjen e linte pezull përmes pyetjes domethënëse: „Si do të vëmë në bazë njërin nga dy dialektet, kur nuk janë studjuar mirë as njëri as tjetri?“
Më 1952 Çabej vinte në dyshim një rrugë të krijimit të një gjuhe unike dhe jo domosdonë që rrjedh nga fakti se ishte krijuar tashmë një shtet unitar. Pra, ai çështjen e gjuhës së njësuar e lidhte me krijimin e shtetit dhe gati si funksion të tij. Çabej do të mbante qëndrim të ngjashëm edhe më vonë po atë vit në Konferencën tjetër për gjuhën, ku paraqitej një propozim konkret për gjuhën unike me bazë në toskërishten, por me elemente të rëndësishme të gegërishtes, si psh. infinitivi. Çabej as atëherë nuk kishte hequr dorë nga kërkesa e tij për mbledhjen dhe studimin e materialit, sepse ai mendonte që e tërë çështja duhet të gjejë zgjidhje më të natyrshme nga ç‘supozonte trysnia e diskutimeve në ato konferenca, vetëm pasi të jetë njohur i tërë thesari.
Ai gjithsesi e dinte se të gjitha këto çështje janë më komplekse dhe se varen nga shumë faktorë. Madje mund të thuhet se në këto diskutime ai nuk merrej në radhë të parë as kryesisht me (mos)pajtimet eventuale, ndonjëherë evidente, me ndonjë koncept të paraqitur atje, po me shpalimin e konceptit që kishte vetë.
Më 1972 ai këto ide do t’i rimerrte, duke shprehur mendimin se zakonisht gjuhët e përbashkëta të shkrimit e të literaturës ndërtohen mbi një bazë dialektore, por duke theksuar njëherësh se më shpesh „si faktorë vendimtarë dalin prestigji i një epërsie politike dhe të tjera arsye jashtë-gjuhësore“, madje se në rastin e shqipes „shtysa kryesore erdhi nga ana e këtyre fuqive“ jashtëgjuhësore. E gjithë kjo mund të lexohet dhe si një arsyetim për çka kishte ndodhur ndërkohë, po edhe si eksplikim i konceptit të tij të gjuhës unike si funksion i shtetit unitar. Në të njëjtën kohë, Çabej e ndjente nevojën që, ndoshta dhe si përforcim, të theksonte se përtej caqeve shtetërore, gjuha e përbashkët „mbetet shprehja e një njësie nacionale dhe e një shkalle të caktuar të kulturës të bashkësisë që e flet“. Kjo do të thotë se ai sugjeronte që zgjidhja përfundimtare të ndërlidhej me fatin tejshtetëror (në kuptimin e shtetit unitar të Shqipërisë ekzistuese) të kombit shqiptar.
Si e tillë ajo del përmbi dialektet. Si në çështje të tjera, ai këtu kërkonte „njësi në ndryshueshmi“. Në këtë vazhdë ai i nxirrte tri aksiomat e tij të njohura në rrugën e ndërtimit të normës së shqipes letrare:
1. Thjeshtimi i strukturës fonetiko-gramatikore dhe pasurimi i leksikut;
2. Konvergjenca;
3. Mbështetja në gjuhën e gjallë, të cilat e bënin të pohonte shkurt e qartë: gjuha e përbashkët letrare nuk duhet të jetë dialektofobe.
Lidhur me aksiomën e parë, mund të thuhet fare qartë se Çabej kishte punuar shumë seriozisht derisa po merrej me përzgjedhjen e korpusit drejtshkrimor: nuk është vështirë të vërehet se struktura fonetike, sidomos, po dhe ajo gramatikore, e idiomave natyrore të shqipes, posaçërisht të gegërishtes, është larg më e begatshme dhe më e ndërliqshme nga ajo që kemi për gjuhën e njësuar letrare, në një anë, dhe në anën tjetër, njajo strukturë e thjeshtuar fonetiko-gramatikore duhet të begatohet me elemente jo të pakta me prejardhje pikërisht nga idiomat që për shumëçka mbesin jashtë orbitës „gjuhë letrare e njësuar“ në fushën fonetiko-gramatikore.
Aksioma e konvergjencës te konceptet e Çabejt lidhet me zhvillime të përgjithshme të shqipes që shpien drejt njësimit të saj dhe jo drejt ndarjeve të mëtejme.
Pak më shumë vështirësi paraqiste aksioma që parashikonte „mbështetjen në gjuhën e gjallë“, sepse kjo e fundit në ato kohë ishte detyrimisht dialektore. Çabej, ndërkaq, nuk i refuzonte implikimet që mund të kishte kjo gjendje në shqipen e përbashkët letrare, po refuzonte pikërisht "dialekt-fobinë", e cila, nuk do mend, po lëshonte rrënjë.
Në këtë refuzim të tij të dialektfobisë, me limitimet që kishte vënë më herët përmes përcaktimeve si ‘gjuhë zyrtare’, etj., Çabej vetëm sa s’e kishte bërë hapin e mbrojtjes publike të së drejtës për të shkruar gegërisht.
S. Riza më 1936, në një si mbrojtje të së drejtës për ta shkruar toskërishten, kishte botuar artikullin problematizues „Shqiponja dhe shqipja“, në të cilin mbronte idenë themelore për dyvariantësinë e shqipes së shkruar, të drejtën për të shkruar toskërisht. Artikullin ai e kishte shkruar toskërisht.[33] Shkrimin e përmendur linguisti gjakovar e përfundonte kështu: “Për hatër të një begatie idiomatike të barabartë me folklorin e gegërishtes, për hatër të një orthografie më të plotë dhe të një fonetike më muzikale, për hatër të një syntakse më t’evolvuar drejt shprehjes analytike, dhe sado anëtar të jem - për arsyet e çfaqura më sipër të një fizionomie të njëllojshëme dhe të një homogjeneiteti në cipët nuk munt veçse të përgëzohem botërisht që në saje të prestigjit të kryeshkrimtarëvet dhe të mbrothësisë së publikut tosk, toskërishteja të mos jetë destinuar të bjerë në radhën e një së foluri vetëm dhe thjesht popullor. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do t’a kemi me dy kryedialekte”.[34]
Në kohën kur gjuhë zyrtare në shtetin shqiptar ishte gegërishtja, sipas S. Rizës, variacionet evidente dialektore heshten “nga që (disa) duan të praktikojnë politikën e urtë të save e kanë për parim të heshtin mbi çka na përçan dhe të theksojnë çka tek ne dëshmon unitet ethnik. Për të qënë një komb i vetëm, mendojnë këta zotërinj, është punë e domosdoshme të kemi një gjuhë të vetëme. Që elementi gjuhësor mirret si kriterium nacionaliteti, si shënjë dallonjëse e çdo kombësie të vërtetë, dhe që njësija gjuhësore është parapandehja e njësisë kombëtare, asnjeriu nuk mund t’i vejë mëndja t’a vërë këtë në dyshim. Mirë po gjer tashi, në vëndin t’ënë, mbi këtë pikë ka mbretruar mosmarrveshja m’e përvajtuarëshme: tjatër është gjuha, tjatër dialekti, tjatër shqipja tjatër toskërishteja e gegërishte-ja!". Protesta e tij kishte të bënte me të kuptuarit se ka një të vetme gjuhë shqipe, por dy kryedialekte.[35]
Të kthehemi te Çabej.
Në frymën e diskutimeve të tij dhe vlerësimeve kundër dialektofobisë në Kongresin e Drejtshkrimit, duke kërkuar tolerancën, gjerësinë dhe përgjegjësinë e të gjithëve, Çabej theksonte: "Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mija veta, po për katër milion njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare". Dhe kjo flet pakëz ndryshe nga interpretimet e bëra nga kritikët.
Kjo domethënë se Çabej shqipen e përbashkët letrare tash e shihte si varietet mbi variantet (para)ekzistuese letrare që mbështeteshin në ndonjërin prej idiomave natyrore dhe mbase prandaj në kritikën e tij të butë shkonte vetëm deri aty sa të kërkonte tolerancë më të madhe për varietetet e tjera, që përmes implikimeve identitare të idiomit natyror mund të lidheshin me elemente jashtë gjuhës, si rajoni, apo diçka tjetër.
Nga të gjitha këto nuk mund të nxirren përfundimet e sugjeruara dhe ashtu të thjeshtësuara, dhe vetëm ato, në pyetjet që parashtruam në fillim, po më parë se te Çabej kemi të bëjmë me një të menduar në lëvizje dhe shumë më të ndërliqshëm, më të begatshëm.
Meqenëse, siç na mësojnë teoritë për gjuhët standarde, përzgjedhja e korpusit, kur është fjala për standardizimin, ka implikime serioze në vetë zgjedhjen e bazës dhe të funksionit të një gjuhe, dhe e kundërta, çka mund të thuhet lidhur me punën e Çabejt në këtë drejtim?
Me sa kam parë, në fillim Çabej ishte shprehur dhe në mënyrë eksplicite për zgjedhjen e të folmeve të Shqipërisë së mesme si bazë për gjuhën e përbashkët letrare. Është e vërtetë se ai atë (pra shqipen me bazë në të folmet e Shqipërisë së Mesme) nuk e kishte shkruar vetë kurrë. Dhe më vonë ai me një çështje të tillë nuk ishte marrë konkretisht asnjëherë.
Puna e tij kryesore në fushën e standardizimit kishte të bënte me zgjedhjen e korpusit dhe me ngritjen e shkallës së kulturës së shprehjes. Si duket puna e Çabejt në këtë drejtim?
Meqenëse shqipen e përbashkët letrare ai e shihte mbi varietetet e tjera dhe meqenëse ngulte këmbë në idenë e konvergjencës, për të cilën ka folur dhe në raport me zhvillimet historike të shqipes nga Mesjeta e tëhu, veprimtaria kryesore e Çabejt në këtë fushë qëndronte në përzgjedhjen e kodit minimal të përbashkët për të dy dialektet. Kjo, natyrisht, do të çonte detyrimisht drejt përjashtimit të disa elementeve partikulare të gegërishtes në fushën fonetike: siç dihet, gegërishtja ka zanore hundore, të cilat nuk i ka toskërishtja; gegërishtja ka rregullisht gjatësi funksionalisht dalluese të zanoreve, ndërsa toskërishtja vetëm margjinalisht. Por, përzgjedhja e bërë kështu në një hapësirë sistemore a nuk të detyron të veprosh ngjashëm dhe në hapësirat e tjera? Kjo përzgjedhje, bashkë me rotacizmin me natyrë vetëm distributive, por me pasoja largvajtëse në strukturën e fjalës, dhe me polifunksionalitetin e ë-së, reflektohen në përzgjedhjen e strukturës morfologjike, e ato pastaj në fushën sintaksore, etj.
Është iteresant të rikujtojmë se valët e të menduarit, pavarësisht nga formulimet dhe nga gjuha teknike, ishin të ngjashme gjithandej në atë kohë: në Mbledhjen gjuhësore të Prishtinës më 1952 theksohej në mënyrë të veçantë eliminimi i „evolutave partikulariste“ si një nga kriteret për përzgjedhjen e elementeve të shqipes letrare të shqiptarëve të Jugosllavisë. Çabej kishte ngulur këmbë që e gjithë begatia leksikore e shqipes të trajtohej si e përbashkët. Epo, kjo kërkohej eksplicite dhe në Prishtinë, ku më 1952 konsiderohej normale që baza dialektore e gjuhës letrare për shqiptarët e Jugosllavisë duhej të ishte gegërishtja.
Por, sa i përket strukturës gramatikore, Çabej nuk ka zhvilluar ndonjë diskutim të veçantë, ta zëmë, lidhur me infinitivin. Çabej kishte ngulur këmbë sidomos në fushën e kulturës së gjuhës dhe aty ka merita të veçanta. Të gjitha këto e theksojnë edhe një herë natyrën e tij dhe qëndrimet afruese dhe ndërtuese.
A e kishte marrë me mend Çabej fatin e Polivanovit?
Duke folur për Ortografinë e vitit 1956, të cilën e hartoi Komisioni i plotësuar me M. Domin dhe A. Kostallarin, pasiqë ndërkohë kishte vdekur K. Cipoja, Arshi Pipa